21 korrik 2022/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Odisea e punimeve të Eco-Park, duket se vazhdon të shtyhet dhe të tejkalojë afatet, kësaj radhe për herë të katërt, ndërkohë që flitet për projektin e një parku dhe hapësire argëtimi e cila nuk dihet ende përse nuk është inauguruar.
Zona e Porto Romanos, po përfshihet nga një sërë zhvillimesh të cilat pritet të tranformojnë tashmë jo vetëm hapësirën si ajo e Eco-Park, por të gjithë territorin përreth ku projekti për ndërtimin e Portit të ri në Porto Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, pritet të krijojnë impakt të madh në zonë.
Pavarësisht se Eco-Park duket se ka përfunduar me atë çfarë mund të konstatohet nga vëzhgimi në terren edhe pse data 1 qershor 2022 ka kaluar, (pavarësisht se ishte një premtim date i shtyrë si nga kryeministri Rama ashtu edhe nga kryebashkiakja Sako) ai ende nuk është i aksesueshëm për qytetarët, të cilët jo pak herë janë detyruar të kthehen pasi kanë menduar që tashmë ky park mund të mirëpriste këdo, por e vetmja gjë me të cilën janë hasur, kanë qenë punonjës të sigurisë të cilët nuk të lënë të afrohesh në ambientet e brendshme.
Historiku i ndryshimit të afateve nis që në qershorin e vitit 2018, ku kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda 18 muajve (vjeshtë 2019), vendgrumbullimin e mbetjeve në Porto Romano, në Durrës, do e shndërronte në një park të gjelbër. Ai deklaroi se qeveria kishte marrë një angazhim që ta mbyllte zonën ndotёse të fushës së mbetjeve, duke besuar se deri në vjeshtën e vitit pasardhës, do të mund ta përfundonte. Siç edhe dihet, kjo nuk ndodhi, por në dhjetor të vitit 2019, konkretisht më 7 dhjetor të këtij viti, gjatë një inspektimi, Rama kërkoi përshpejtim të punimeve.
“Në 1 qershor të 2021 këtu do jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Ta mbyllim këtë histori plehrash dhe ndotjeje, se është një skandal!” tha kryeministri Edi Rama, më 7 dhjetor 2019. Asokohe nga inxhinierët dhe kryeministri u tha se Eco-Park do të përfundonte për 18 muaj, duke përkuar kështu me datën 1 qershor 2021.
Ky afat u tejkaluar dhe u pranua nga ministrja Balluku e cila e komunikoi këtë rezultat vetëm 3 javë përpara përfundimit të afatit.
“Qyteti i Durrësit do të zhvillohet edhe nga ana urbane në këtë zonë, edhe se është një zonë industriale. Infrastruktura i përgjigjet të gjithë nevojës si nga ana komerciale dhe industriale dhe asaj urbane. Durrësi do shpëtojë nga trafiku i rëndë. Deri tani është bërë gati 50 % e punimeve dhe do të ruajmë në fund të shatori 2021 do të ketë përfunduar”, tha ministrja Balluku më 12 maj 2021, një video e cila u postua edhe nga kryeministri Rama në rrjetet sociale. Pavarësisht këtij afati të ri të vendosur nga ministrja Balluku, duket se për ekspertët ishte e pamundur përfundimi i punimeve, në kohën e caktuar nga ministrja.
Afati i radhës që u ndryshua, u dha nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, e cila në një bashkëbisedim me të rinjtë e Durrësit, ka deklaruar se Eco Parku do të jetë gati në fund të muajit tetor 2021, por duket se pas kësaj, afati i radhës ishte data 1 qershor 2022, duke e përdorur investimin në fjalë, si një arritje për fushatën elektorale të mbajtur në muajin mars të këtij viti, ku Sako e përdori si një pretim elektoral në një takim me banorët e kënetës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022.
Dhe siç ndodh rëndom, edhe kësaj radhe një projekt i tillë, përdoret në një fushatë elektorale për të fituar pikë në garën për karrigen e bashkisë, por ndërkohë projekti për të cilin qytetarët presin të përfundojë, mbetet pas dore.
Procedurat e nxituara për të nisur punimet e Eco-Park, përveç tejkalimit të afateve dhe ndikimit ekonomik që ato kanë në këtë sferë, shkaktuan një ngërç edhe më të madh në qytetin e Durrësit dhe atë të Shijakut, pasi të dy qytetet u përfshin në një krizë të menaxhimit të mbetjeve urbane si pasojë e mbylljes së landfillit të vetëm në këtë territor, duke bërë që për disa muaj me radhë, të dyja bashkitë të gjendeshin në mes të një ndotje masive dhe dëmi ekologjik.
Pavarësisht punës së kryer deri më tani, duket se Eco-Park ende nuk mund të aksesohet dhe askush nuk jep një shpjegim në lidhje me çështjen në fjalë, madje as Bashkia Durrës, e cila vazhdon t’i kalojë përgjegjësitë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve për të dhënë informacion në lidhje me këtë projekt.
Hapësira e Eco-Park është një territor prej 155 mijë metrash katrorë shumë pranë detit dhe portit të ri që pritet të ndërtohet në Porto-Romano, për të cilin Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka vënë në dispozicion të projektit një fond 1. 68 miliardë lekë, i cili do të shtrihej në një hark kohor të një viti e gjysmë, sipas specifikimeve të tenderit të publikuara më herët.
Për banorët e zonës ky është një investim i pëlqyeshëm dhe që e presin me kënaqësi, por që deri më tani nuk shohin asnjë gjë konkrete duke qenë se afatet vetëm shtyhen.
“Është mirë që po bëhet. Duhet të ishte bërë më parë, se gjithë jetën kemi nuhatur erën e mbeturinave të gjithë qytetit. U mbytëm, vetëm sëmundje sjellin. Edhe parku duhet të ishte hapur se e kanë premtuar përpara shumë kohësh, por kështu si e kanë nisur, nuk kanë për ta hapur ndonjëherë”, është shprehur Zef Shelna për Porta Vendore.
Nëse tre herët e fundit, afatet e ndryshuara u njoftuar herë nga kryeministri Rama, herë nga ministrja Balluku dhe herë nga kryebashkiakja Sako, kësaj radhe të gjithë instancat duket se ende nuk kanë gjetur përfaqësuesin e duhur për të dhënë afatin e radhës për hapjen e Eco-Parkut.