Vëzhgim/Analizë

Prerjet në pyjet e Lurës vijojnë, zona drejt shkatërrimit institucionet heshtin

17 korrik 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore/Dibër

Lura ende po vuan mizorinë e abuzuesve të pyjeve dhe harresën e institucioneve shtetërore. Pavarësisht disa nismave për mbjellje pemësh në zonë, sërish rrezikohet nga prerjen e paligjshme Parku Kombëtar i Lurës.

Parku Kombëtar i Lurës në Dibër, çdo vit po humbet gjelbërimin dhe po rrudhet si pasojë e dorës kriminale të njeriut dhe neglizhencës së instancave përkatëse. Pemët janë prerë masivisht dhe malet janë zhveshur nga manteli jeshil. Siç duket edhe nga pamjet, kudo shikohen trungje të prera duke shkatërruar natyrën. Në shpatin e zverdhur të malit dergjen mijëra trungje pemësh, të djegura shkrumb ose të prera dhunshëm përgjatë dekadës së fundit, ndërsa liqenjtë akullnajorë janë kthyer në moçale pa jetë. Lura është cilësuar si një perlë e Shqipërisë dhe Ballkanit, por kjo bukuri e rrallë po shkatërrohet dhe po ja lë vendin shkretëtirës. Mijëra hektarë pyje, të përbërë nga ahu, pisha e zezë, pisha e bardhë apo arneni janë zhdukur. Ato janë prerë nga njerëzit për lëndë drusore dhe më pas ato kontrabandohen. Shpesh policia shpërndan njoftime se ka arrestuar persona të ndryshëm për prerjen e paligjshme të pyjeve, të cilët janë kapur duke transportuar me kamion ngarkesa më lëndë drusore. Prerja e pyjeve por edhe vendosja e zjarreve të qëllimshme për lirimin e tokës për kullota, ka ndikuar në biodiversitetin dhe shkatërrimin e faunës, duke rrezikuar edhe zhdukjen e specieve të veçanta. Parku i Lurës ka 7 liqene të mrekullueshme, por në brigjet e liqeneve ndodhen kudo pemë të prerë duke lënë vetëm trungjet dhe rrënjët e tyre mijëra vjeçare. Por prerja e druve ndikon dhe rrit rrezikun e erozionit dhe rrëshqitjes së dherave. Edhe pse shfrytëzimi pa kriter i pyjeve nga persona të paautorizuar ka nisur shumë vite më herët, qeveria Rama në mandatin e tij të dytë vendosi një moratorium 10 vjeçar që ndalon prerjen e pyjeve. Ministri i Mjedisit në ato kohë Lefter Koka, në 19 janar 2016, raportoi para Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe pranoi se të gjithë ishin fajtorë për prerjen e pyjeve ndërsa njoftoi se ishin kryer 7200 inspektime për prerjen e paligjshme të pyjeve, dhe vendosur 700 milionë lekë gjoba. Ish ministri gjatë mandatit të tij premtoi mbjelljen e 20 mijë fidanëve në parkun e Lurës për të rehabilituar shpatet e maleve, por ky premtim nuk gjeti zbatim. Nga pamjet e filmuara në vitin 2022 pra rreth 6 vite pas premtimit të ish ministrit Koka, duken se malet janë të zhveshura nga pemët, duke demonstruar masakrën mjedisore të ndodhur në këtë zonë. Kjo vë në dyshim nëse janë mbjellë sasia e premtuar apo shkatërrimi i pyjeve është aq masiv sa nuk vihet re mbjellja e fidanëve të rinj? Ndërkohë gjatë hulumtimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit njoftohen angazhimet zyrtare për rehabilitimin e parqeve të ndryshme, por asnjë fjalë për atë të Lurës, teksa kjo perlë e veriut dergjet si mos më keq, pa shumë shpresa për kthim koke nga shteti, dhe as që bëhet fjalë të shpëtojë nga dora e abuzuesve dhe vandalëve të pasurisë natyrore shqiptare.

Sa zbatohet moratoriumi për ndalimin e prerjeve të pyjeve në vendin tonë?

Prerja e pyjeve në parkun e Lurës ka nisur disa dekada më parë, duke humbur mijëra hektarë pyje ndër vite. Për të ndaluar këtë masakër mjedisore të shkaktuar nga njerëzit dhe bizneset për përfitime monetare, qeveria në vitin 2016 miratoi memorandum për ndalimin prerjen e pyjeve dhe eksportin e drurit, Sipas këtij moratoriumi, bizneset për prodhimet me dru duhet të importonin materialin drusorë nga jashtë.

Në nenin 2 të këtij moratorium thuhet se “Objekti i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, tregtimi i produkteve të tij, ndalimi i eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit, si dhe i qymyrit të drurit”.

Paradoksalisht në nenin 3 përjashtohen nga ky detyrim rastet e “shfrytëzimit të lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri”.
Është kjo arsyeja që edhe pse kemi moratoriumin në fuqi, në të gjitha bashkitë e vendit janë të licencuara rreth 180 kompani private që kanë të drejtë të presin dru zjarri për nevoja të pushtetit lokal.

Por duket se ky memorandum nuk ka ndaluar motosharrat për prerjen e pyjeve. Dhe kjo konfirmohet nga njoftimet e policisë që vijon të kryejnë arrestime në zona të ndryshme të vendit, për prerje të paligjshme të pyjeve dhe tregtimin e tyre. Por edhe nga të dhënat e INSTAT, e cila konfirmon se është ulur sipërfaqja e fondit pyjor si dhe është rritur eksporti i prodhimit të drurit.

“Në vitin 2020, fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.304 (ha), duke përfaqësuar 60,5 % të sipërfaqes gjithsej të vendit”, thuhet në raportin e INSTAT për Statistikat e Pyjeve dhe Biodiversitetit, 2020.

Në sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor në vitin 2020, si rezultat i dukurive natyrore dhe aktiviteteve njerëzore, ka një rënie me rreth 2,2 (ha), krahasuar me vitin 2019. Në vitin 2020, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 54.845.573 (m³), nga të cilat 94,0 % e këtij vëllimi përbëhet nga pyjet publike dhe 6,0 % nga pyjet private. Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve është ulur afërsisht me 1.113 (m³), krahasuar me vitin 2019.

Eksportet e prodhimeve druri dhe letre nga viti 2021 në 2022 janë dyfishuar duke iu referuar të dhënave të INSTAT. E teksa moratorium ndalon shitjen e lëndës drusore jashtë Shqipërisë ndërsa ato biznese që kanë nevojë për dru, ligjërisht duhet të blejnë jashtë vendit. Por sipas INSTAT eksportet me prodhime druri janë rritur, duke hedhur dyshime nëse të gjitha bizneset e kanë siguruar lëndën e parë jashtë Shqipërisë apo nga pyjet në territorin tonë.

Pas vendosi moratoriumin 10 vjeçare, qeveria ia kaloi pyjet dhe kullotat si pronë bashkive, duke ia ngarkuar kështu edhe përgjegjësitë e ruajtjes së sipërfaqeve të gjelbra autoriteteve lokale. Moratoriumi duket se ka dështuar dhe investimet për rehabilitimin e pyjeve janë shumë të pakta.

Të dhënat e Institutit të Statistikave kanë treguar se prej vitit 2016 vendi ka humbur mbi 378 hektarë pyje, kjo si pasojë e zjarreve dhe prerjeve të vazhdueshme.

Për ekspertin e Mjedisit, Mehmet Metaj, Lura është Park Kombëtar vetëm de juro, pasi de fakto nuk është më park kombëtar. Për Porta Vendore, ai shprehet se parku është shkatërruar nga njerëz dhe matrapazë që prerjen e pyjeve e shikojnë si përfitim dhe më pas lëndën drusore e shesin për përfitime monetare. Për shkatërrimin e natyrës dhe llojeve të ndryshme të pishave të veçanta, ai bën përgjegjës institucionet. “Nuk është bërë asnjë ndërhyrje nga Agjencia e Mjedisit dhe Ministria përkatëse. Ne i kemi dërguar një shkresë ministrisë për rehabilitim, po nuk e di pse ka një neglizhencë dhe injorim kaq të madh për këtë park, kaq të rëndësishëm dhe me vlera të larta biodiversitet në Ballkan” thotë Metaj.

Por në një kohë që reagimi i institucioneve duket shumë i ulët, organizatat jo qeveritare po kujdesën që të behët rehabilitimi i Lurës. Mehmet Metaj është dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës Forest, i cili ka një projekt për mbjelljen e disa pemëve të veçanta në këtë park. “Qendra dhe ne kemi bërë një projekt dhe do restaurojmë 5 hektarë me pisha dhe lloje të veçanta. Ne do kultivojmë aty në ato vende ku kanë qenë më parë dhe do inskenojmë se si mund ta restaurojmë, rehabilitojmë Lurës. Më pas kërkon integrim më të madh, ndërhyrje nga qeveria për mbjelljen e pemëve në disa qindra hektarë të tjerë”, thekson Metaj për Portën Vendore.

Burimet zyrtare pranë Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Dibër thanë për Portën Vendore se nuk ka prerje në Parkun e Lurës, ndërsa në 6 vite ky institucion pretendon se ka regjistruar si aktivitete të paligjshme për prerjen e pyjeve në këtë zonë vetëm 6 raste. Megjithatë mundësitë infrastrukturore dhe në staf për këtë institucion janë goxha të rrudhura, pasi në total kjo ADZM ka 7 punonjës.

Ndërsa burime nga Bashkia Dibër i thanë Portës Vendore se po monitorojnë situatën dhe shtuar sensibilizimin tek vetë banorët e zonës, që shpesh për shkak të pamundësisë financiare bëhen abuzuesit kryesor të prerjes së pyjeve duke i përdorur për dru zjarri gjatë dimrit.

“Shohim herë pas here makina të mëdha të mbushura ding që dru që vijnë nga Lura, por që ne nuk jemi njerëz që reagojmë që të marrim policisë ose diçka, pasi kemi hallet tona dhe nuk duam të ngatërrohemi. Nami neve si banorë na ka mbetur komplet kot, nuk është e vërtetë kurrsesi që ne dëmtojmë pyllin tonë, trashëgiminë tonë për të siguruar ngrohjen. E kundërta po ka ndodhur, ata që na akuzojnë në fakt kompromisin e kanë bërë vetë me bizneset që shfrytëzojnë pyllin e Lurës”, tha një banor i zonës.

Ndonëse nuk është në kompetencat e saj mbrojtja e Lurës si Park Kombëtar, sërish theksohet se nevoja për ndërhyrje është e madhe, pasi ka një situatë kritike që ka vendosur institucionet në alarm.