14 korrik 2022/Edi Ruci/Porta Vendore/Vlorë
Në harkun kohor të 6 viteve ndërhyhet për herën e dytë për realizimin e të njëjtës punë. Rruga kryesore e “Centrales”, pjesë e “Unazës së madhe” të qytetit, po çahet për tu vendosur sërish nga e para tubacionet e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza të cilat janë vendosur në zonë 6 vite më parë, me material hekuri, ndërsa tashmë po zëvendësohen me tubacione me materiale plastike.
Në qytetin e Vlorës po zhvillohet tashmë projekti për vendosjen e linjave të reja të ujit të pijshëm si dhe vendosjen e linjave të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugën e Centrales, pjesë e “Unazës së madhe” të qytetit të Vlorës.Projekti në fjalë ka nisur punën në terren prej muajit Mars, teksa është aprovuar në Janar të këtij viti nga qeveria shqiptare, financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.Projekti po zbatohet në Bashkinë e Vlorës duke u monitoruar nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve në Vlorë. Projekti ka për qëllim furnizimin e disa blloqeve banimi në zonën e Centrales, Ujit të ftohtë teksa afati i punimeve është parashikuar në 6 muaj, dhe përfundimi i punimeve është parashikuar brenda këtij sezoni veror, në përfundim të muajit gusht 2022.
Për vendosjen e linjave të reja të ujit të pijshëm pjesa kryesore dhe më e frekuentuar e rrugës së unazës së madhe të qytetit, siç është aksi rrugor pranë lagjes Centrale dhe zonës së Ujit të Ftohtë prej tre muajsh tashmë vijon tëvçahet çdo ditë, në mënyrë të tillë që në brendësi të saj të futen linjat e reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.Projekti në fjalë do ti lidhë këto të fundit dhe me rrjetin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në shëtitoren e Lungomares.Për këtë arsye, ky projekt nuk kursen as Lungomaren e famshme të Vlorës duke shkatërruar dhe çarë disa prej akseve që lidhin këtë të fundit me rrugën e Unazës së madhe të Vlorës. Gjithashtu raportohet edhe çarje të rrugës në segmente të caktuara përgjatë Lungomares, siç është zona pranë Luanit në Ujin e Ftohtë, si dhe në disa segmente të tjera ku Lungomare është dëmtuar. Rruga është carë për tu futur në brendësi të saj linja të reja të ujit të pijshëm ndërsa Lungomare me rrugën e unazës së madhe të qytetit vijojnë në mënyrë paralele njëra me tjetrën teksa kanë afro 10 segmente që i lidhin këto rrugës sëbashku, por kryesisht janë dëmtuar të 10 këto segmente.
Përsa i përket reagimit nga bashkia e qytetit, të pyetur nga Porta Vendore përfaqësues të këtij institucionit, u shprehen se:“Projekti është i qeverisë shqiptare, FSHZH dhe po zbatohet në Bashkinë e Vlorës. Një projekt i gatshëm i cili ka marrë aprovimin në një studiot ligjore dhe po zbatohet në Vlorë. Për bashkinë projekti është i domosdoshëm për tu zbatuar pasi përmirëson jetesën e banorëve dhe situatën me furnizim të ujit të pijshëm tek ta. Projekti është kërkuar shpesh herë nga komuniteti në zonë si rrjedhojë i problemeve me ujin e pijshëm. Gjithashtu në ministritë e linjës, ndër vite janë paraqitur kërkesa të institucionit të Bashkisë së Vlorës dhe ujësjellës kanalizimeve, kërkesa këto të njëpasnjëshme të cilat kërkojnë përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve por dhe investime përsa i përketë përmirësimit të rrjetit të kanalizimeve duke u nisur nga problematikat ndër vite me përmbytjet në qytet”.
Projekti i vendosjes së linjave të reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në zonën e Ujit të Ftohtë dhe Centrale është parashikuar të lidhet gjithashtu me një tjetër projekt që po zhvillohet në Vlorë. Paralelisht me projektin në fjalë po zhvillon punën në terren një tjetër projekt, i cili synon furnizimin me uji të pijshëm të lagjeve Partizani, Lirim, Kushtrim dhe fshatrave Babicë e madhe dhe Babicë e Vogël. Puna për këtë investim ka nisur në 2021 dhe pritet të përfundoi brenda këtij viti. Linjat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të vendosura në zonat në fjalë do të lidhen me linjat e reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të vendosura përgjatë rrugës së Unazës së madhe të qytetit.
Unifikimi i dy projekteve dhe lidhja e tyre me linjat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në Vlorë synon të zgjidhi njëherë e mirë problemet e furnizimit me uji të pijshëm në disa prej zonave më problematike të qytetit siç janë lagjet Lirimi, Kushtrimi, Partizani, Uji i Ftohtë, Centrale etj. Në përfundim të unifikimit të projekteve në fjalë dhe vendosjen në funksion të linjave të reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve synohet që Vlora të furnizohet me 8 orë ujë në ditë, 4 orë paradite dhe 4 orë pasdite në këto zona, teksa mos të ketë më probleme përsa i përket përmbytjeve në zonat në fjalë.
Lidhja e tubacioneve të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve që po bëhet mes dy projekteve, atij të zonës mbi spitalin rajonal të Vlorës dhe zonës së ujit të ftohtë, centrale, ka prekur tashmë edhe rrugën e fshatit Kaninë.Rruga e Kaninës është një investim mjaft i ri, i përfunduar vetëm dy vite më parë, nga fondet e bashkisë së Vlorës duke kontribuar dhe banorët e fshatit.Kjo rrugë tashmë po çahet sërish brenda dy vitesh, që në të të vendosen linjat e reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.Rruga në fjalë dy vite më parë u ndërtua pas ankesave të herëpashershme si dhe protestave të njëpasnjëshme në dyert e institucionit të bashkisë së Vlorës nga banorët e fshatit Kaninë të cilët kërkonin vetëm rrugë.Rruga e cila ju dhurua dy vite më parë, tashmë po i shkatërrohet sërish.
Ujësjellës Kanalizimet Vlorë dhe përfaqësues të këtij institucioni garantojnë se në përfundim të punimeve rruga do të rikthehet në gjendjen e saj optimale, teksa të gjitha dëmtimet janë se do të riparohet dhe aksi rrugor do të asfaltohet.Sipas institucionit në fjalë, punimet përgjatë Lungomares janë zhvilluar për të bërë të mundur lidhjen e linjave të reja të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve që po vendosen tashmë me rrjetin e kanalizimeve dhe ujit të pijshëm në Lungomare, teksa segmenti rrugor i Lungomares pas përfundimit total të projektit do të ketë ndërhyrje për riasfaltim të tij dhe përmirësim të infrastrukturës në segmentet e dëmtuara.Gjithashtu Ujësjellës Kanalizimet Vlorë garantojnë se projekti në fjalë, përpara përfundimit të tij do të lidhet me projektin e ujësjellësit të Babicës, për të dhënë impakt në një zonë tepër të gjerë, duke përmirësuar jetesën e qindra familjeve.
Banorët e mirëpresin të tillë projekt duke thënë se shpresojnë dhe besojnë se do të ketë impakt pozitiv në furnizimin me ujë të pijshëm por kanë kundërshtime në disa aspekte.Sipas tyre investimi është i përsëritur në harkun kohor të 6 viteve, ku theksojnë faktin se në këtë pjesë kemi shpërdorim të fondeve publike me projekte të cilat zbatohen dy herë brenda një harku kohor të shkurtër.Banorët kritikojnë edhe faktin se si rrjedhojë e projektit po çahet rruga kryesore e zonës, rrugë kjo tepër e domosdoshëm për komunitetin.Sipas banorëve mund të gjendej një zgjidhje tjetër, të ishin vendosur linjat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve dhe më pas rruga të shtrohej, të ndërtoheshin trotuaret dhe të hidhej shtresa e re e asfaltit.Totalisht gabim e cilësojnë faktin që rruga rehabilitohet në total dhe më pas, 6 vite më vonë shkatërrohet sërish për tu vendosur linjat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve.
Xhevdet Deraj është një banues i lagjes Centrale i cili për porta vendore shprehet në këtë mënyrë për projektin në fjalë “ Komentet për projektin ? Duhet të pyesin ata të cilët merren me këtë punë. Projekti, me aq njohuri sa kam unë, mendoj se bëhet me beton për arsye që mos të ketë pluhur, mendoj se kur projekti të përfundoi dhe të kaloi provat besoj se do e rikthejnë sërish në gjendjen e mëparshme. Mendoj se betonin do e heqin prej këtej. Gjithsesi për të patur një mendim sa më të qartë unë mendoj se ju duhet ti drejtoheni kontratës për ta parë. Mendoj se në kontratë duhet të jetë e shkruar, që mbas kryerjes së punimeve çdo gjë kalon siç ka qenë më para”, tha ai për Portën Vendore.
Petraq Mëhillaj është një banues në zonën e 7 Pallateve siç njihet zona në fjalë në Vlorë, i rastisur në zonën e Ujit të Ftohtë, në një intervistë për Porta Vendore ai shprehet se “ Unë sot po e shoh që nga asfalti po e shtrojnë me beton, kjo rrugë ikën drejtë e në Orikum. Nuk di çfarë të them, për faktin se përse shtrohet me beton. Është diçka pozitive, si projekt mendoj, në aspektin sesi mund të bëhet rruga më e fortë. Mendoj se ta shtronin me asfalt rrugën ishte më e mira, edhe nga ana estetike, edhe nga të gjitha gjërat e tjera. Mendoj se të tilla projekte ndodhin vetëm në Vlorë, e çuditshme, por Vlora gjithmonë ka rrahur gjoksin kur bëhet fjalë për gjërat e para” , artikuloi Mëhillaj.
Ndërsa Lavdosh Seraj banues në zonën e Ujit të Ftohtë prej më tepër se 30 vitesh vlerëson projektin në fjalë, teksa komenton edhe punimet ndër të tjera në intervistën për Portën Vendore ai shprehet se “ Kur bëhet për mirë dicka edhe duhet të punohet në këtë mënyrë.Po ti bëjnë bukur sic e kanë nisur është një mrekull, sepse edhe pushuesit vijnë më shumë.Po mendoj se duhet të ishte shtruar me asfalt, por mendoj se shtrimi i saj më asfalt do të jetë në plan të dytë.Nëse në përfundim të punimeve nuk shtrohet me asfalt dihet ajo gjë pastaj, i prishet dhe bukuria, dhe rofshin rrugët që janë bërë pastaj.Gjithashtu mendoj se në përfundim të punimeve rruga do të jetë në gjendje të mirë”, sqaron Seraj.
Vlen të theksohet gjithashtu, se gropat e hapura, dhe rruga e dëmtuar në lagjen Centrale, dhe në zonën e Ujit të Ftohtë prej tre muajsh tashmë kanë mbetur pa u mbuluar.Thuajse në gjithë segmentin rrugor gropat të cilat janë shkaktuar si rrjedhojë e vendosjes së linjave të uji të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza kanë mbetur pa u rikthyer në gjendjen e tyre fillestare.Gropat e hapura janë mbuluar me shtresëcakëlli duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor dhe kryesisht përgjatë fundjavës trafik të rënduar në qytet.Gropat dhe tëçarat e rrugës, si dhe shkatërrimet që ka pësuar kjo e fundit nga projekti në fjalë janë kthyer në gangrenë për drejtuesit e automjeteve.Gropat e hapura ende në terren nuk kanë asnjë tabelë sinjalizuese për rastet e rrezikut teksa komedia vijojnë edhe më tej ku në vend të tabelave janë vendosur gurrë dhe copa druri
Shqetësues është fakti se në gjithë zonën nuk gjenë asnjë tabelë informuese përsa i përketë vlerës së projektit në fjalë, afatit të punimeve apo firmës e cila po kryen punimet.Gjithashtu nuk ka patur asnjë informim për banorët e Vlorës për projekt të tillë për të dhënë detajet dhe cilat janë përfitimet prej tij.Institucionet vendore ngurojnë të japin informacione dhe përsa i përketë medias, kur bëhet fjalë për vlerën e projektit në fjalë, apo afatin zyrtar të përfundimit të punimeve.Bashkia e Vlorës dhe ujësjellës kanalizimet për informacionet në fjalë ja kalon topin Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Infrastrukturës, teksa shprehet se nuk kanë asnjë informacion mbi vlerën e projektit pavarësisht se ai po zhvillohet në territorin e bashkisë vlorë, dhe pavarësisht faktit që në mediat lokale e shesin si një projekt të tyren të realizuar për komunitetin dhe jo si një projekt të qeverisë shqiptare dhe FShZh.Vlera e projektit në fjalë mbetet enigmë, teksa nuk është e shpalosur as në buxhetin e 2022 të bashkisë së vlorës por as në faqen zyrtare të kësaj të fundit, e cila për hirë të së vërtetës vitet e fundit jep informacione për publikun vetëm në rast të aktiviteteve që do të zhvillohen në qytet.
Po çfarë ndodhi me të njëjtin projekt në 2016 ?
Në qershor të 2016 në këtë aks rrugor kanë filluar për herë të parë punimet, me një fond prej 416 milion lekësh.Projekti u emërtua si “Rikonstruksioni i rrugës së Centrales” poliklinika-7 pallateve” Vlorë.Mbikëqyrësi i projekti ka qenë firma C&M Albania shpk, me autoritet kontraktor Fondin Shqiptar të Zhvillimit.Në fund të vitit 2016 projekti në fjalë përfundoi realizimin e tij, duke arritur sipas institucioneve qëllimin final të projektit.Në zonë u vendosën linjat e ujit të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të zeza me tubacione hekuri.Ky projekt parashikonte përmirësim të kushteve të furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të zonës, përmirësim ky që nuk u pa kurrë.
Tashmë në më pak se 6 vite më vonë, tubacionet e hekurit zëvendësohen me tubacione plastike, në të njëjtën gjatësi të rrugës në fjalë, për të njëjtin numër familjes që jetojnë në zonë.Sipas institucioneve të qytetit projekti i ri ka qenë tepër i domosdoshëm, pasi tubacionet e hekurit si rrjedhojë e lagështisë së zonës ishin dëmtuar, ishin ndryshkur, dhe ujë në familjet që jetojnë në zonë vinte me papastërti dhe me ndryshk.Kjo bëri të linde nevoja e një projekti të ri për të gjithë zonën në fjalë.Përsa i përket vlerës së projektit të dytë të dhënat mbeten të rezervuara teksa në zonë mungon dhe tabela informuese rreth detajeve për çdo qytetar.