10 korrik 2022/Porta Vendore/Fier
“Punë ka por s’ka profesionist”, është kjo fraza e cila i ka rezistuar kohës prej shumë vitesh tanimë, ndonëse ka diçka tejet të vërtetë brenda saj. Që gjatë pandemisë së Covid 19, kur shumë biznese ulën qepenin pasi e kishin të pamundur të punonin, kriza për punëtorë erdhi në rritje.
Tanimë bizneset përballen me mungesë të theksuar të interesit për punë dhe gjithashtu edhe ata të paktit që aplikojnë për një vend pune nuk kanë kualifikimin e duhur, duke sjell një klimë shqetësuese për shumë sektorë.
Pas Tiranës e cila ka edhe nevojën më të madhe në punëtorë, vjen Durrësi, Vlora, Shkodra e Korça, por pa lënë mënjanë edhe Fierin, si një prej qarqeve të mëdhenj në vend.
Njoftimet që gjenden gjithandej nëpër dyert e vetë bizneseve në Fier, kanë bërë që për shumë biznese kjo të shikohet si e vetmja shpresë se mbase do të përthithen të vetmit të interesuar që janë të kualifikuar.
Bizneset kudo në rrugët kryesore të qytetit që nga dyqanet, baret, farmacitë, parukeritë, markete etj pohojnë se po përballen me fenomenin e pakësimit të krahut të punës, gjë e cila po ju sjell probleme. Shumë prej tyre, dhe sidomos njësi shërbimesh, si: lokale, Bar-Restorante, furra pjekje buke, që kërkojnë punonjës të kualifikuar për vetë natyrën e punës që do të kryejnë, pohojnë se jo vetëm po iu rrezikohet sezoni i ri turistik, por nga ana tjetër situata e krijuar mund ti detyrojë edhe të mbyllin bizneset.
Koliçi është biznesmen në fushën e restoranteve. Prej më shumë se 15 vitesh ai ka ndërtuar biznesin e tij në fushën e gastronomisë në periferi të Fierit. Ai rrëfen se vitet e fundit atij i është dashur të punojë së bashku me familjen si pasojë e mungesës së punëtorëve.
“Problemi ynë kryesor është mungesa e punëtorëve. Kemi 6 muaj që kërkojmë punëtorë, pagesën e kemi shumë të mirë, siguracionet po, të gjitha. Kemi bërë kërkesë të zyra e punës, nuk na vjen njëri. Tani nëse nuk na zgjidhet ky problem si të veprojmë? Ne punë duam. Turistët kanë filluar të vijnë, por nuk ka punëtorë. Shqetësimi? Ne nuk mund të marrim dasma, si marrim dot sepse nuk kemi mundësi” deklaron ai.
Sfida e tij si e të gjithë bizneseve të tjera është sigurimi i klientelës, shërbimi sa më cilësor etj por me këto mungesa në treg për punonjës dhe staf të kualifikuar biznesmeni ngre supet kur e pyesim se si do tja bëjë në këto kohë krize.
Mungesën e fuqisë punëtore e cila është kthyer tanimë në një gangrenë, e ndihmon edhe emigrimi ose migrimi i të rinjve jashtë vendit ose drejt Tiranës. Këtë problematikë e konstaton me shumë shqetësim edhe Kreu i Dhomës së Biznesit dhe Tregtisë në qarkun Fier, Shezai Cobo. Ai e sheh këtë dukuri, duke u ndaluar në dy këndvështrime kryesore.
“E para është paga. Këtu te ne në Fier, por edhe në Shqipëri, çalon pagesa. Krahasuar kjo me vendet e BE kryesisht Gjermaninë, ku paga është disa herë më e lartë. Nëse këtu një punëtor merr 300-500 euro në muaj, atje merr 2000-2500 euro besoj ka ardhur momenti që ne biznesmenët duhet të rrisim pagat. Unë jam biznesmen dhe ne duhet të fillojmë të rrisim pagat. Personalisht unë i kam rritur përafërsisht 500 euro për punëtorë, por bota është e lirë dhe qytetarët do të lëvizin” thotë ai për Portën Vendore.
Agron Dule është administrator i një qendre formimi profesional në Fier. Ai operon në treg prej më shumë se 20 vjetësh. Nga bankat e shkollës së tij profesionale, ( të cilës i njihet diploma në gjithë Europën dhe deri në SHBA e Kanada,) kanë dalë e janë diplomuar me qindra specialist të fushave të ndryshme, nga kamerierë, kuzhinierë, hidraulik, elektricistë, dhe deri te specialist të arkivave, sekretarisë, e fasonerisë. Ai konfirmon se shumica e të rinjve që marrin formim profesional në fushat hoteleri -turizëm, kuzhinier, kamerier, banakier, hidraulik saldator, etj ikin në Europë
“Nxënësit që vijnë këtu ikin në Europë për tu punësuar, arsyen kryesore e quaj sepse atje pagesa bëhet më e lartë se sa te bizneset që janë në vendin tonë dhe kushtet që afrohen nga bizneset që janë atje janë më të mira se sa kushtet e bizneseve që janë këtu. Atje ata venë me një perspektivë të qartë e cila do ti çoj përpara si nga ana ekonomike dhe e karrierës, kurse këtu ai mund të lëviz nga biznesi në biznes dhe nuk arrin të krijoj karrierën e tij profesionale ,” artikulon ai.
Në Zyrën e Punës, Qarku Fier shifrat e punëkërkueseve të papunë për bashkitë Fier, Lushnjë e Mallakastër janë në total 6420 persona.
“Nëse do ti referohemi regjistrimeve, nëpërmjet ndërmjetësimit tonë me kompani dhe biznese janë punësuar deri në fund të muajit Maj për tre bashkitë e sipërpërmendura 477 persona, ndërsa nga numri total i punëkërkueseve të papunë na rezulton se kanë gjetur vetë punë 371 persona. Ne kemi zhvilluar edhe programe të nxitjes së punësimit. Në këto programe kanë marrë pjesë 82 persona. Por jo të gjithë punëkërkuesit janë të përgatitur me kërkesat që ka tregu i punës. Duke qenë se subjekti punëkërkues e ka në dorë përzgjedhjen e fuqisë punëtore , problemi është te formimi i tyre profesional, 850 punëkërkues të papunë janë punësuar gjatë 5 mujorit të parë të këtij viti. Vende të lira pune për muajin maj janë 400 ndërsa si total nga fillimi i vitit deri në ditën e sotme janë ende 1840 vende të lira pune”, pohojnë burime zyrtare nga kjo zyrë për Porta Vendore.
Sipas statistikave në DRKPA Fier janë 281 shtetas që janë të regjistruar dhe pjesëmarrës në Formimet profesionale për të qenë të gatshëm për tregun e punës.