Vëzhgim/Analizë

Plazhet e Durrësit dhe Golemit të ndotura dhe pa roje bregdetare. Turistët: Mungojnë investimet

7 korrik 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore/ Durrës

Qeveria shpesh mburret për sektorin e turizmit dhe shprehet se Shqipëria po vizitohet çdo vit nga turistë të huaj, por duket se nuk i ka kushtuar as këtë vit vëmendjen e duhur cilësisë dhe standardeve të plazheve. Porta Vendore vëzhgoi gjatë javës së parë të qershorit, në Golem dhe Durrës, ku pa nga afër plazhe të ndotura dhe mungesë të sigurisë për turistët.

Plazhi i Golemit dhe bashkëjetesa me ujërat e zeza

Edhe këtë vit në plazhin e Golemit vijojnë të derdhen ujëra të pista në det. Disa turistë thonë se derdhen ujëra të zeza, ndërsa të tjerë shprehen se janë ujëra të bardha. Gjithsesi siç duket edhe nga fotot, kanali i moçaltë mes rërës, ofron një pamje të shëmtuar për turistët. Uji ngjyrë jeshile me myshqe derdhet në bregdet aty ku lahen pushuesit.

Kanali 1 në Golem që derdh ujërat në det. Foto:M. Dushi
E në fakt situata përsëritet pas disa metrash. Një tub i madh i zi i cili kalon përmes rërës, derdhet në det.

Por turistët shprehen të frikësuar për këto ujëra që derdhen në det ndërsa bezdi për rërën e papastruar, me mbeturina në plazhet publike. Fillimisht takojmë një turist nga Tirana i cili po qëndronte në plazhin publik. Shaban Ciku, 75 vjeç ka disa rezerva për plazhin e Golemit. “Unë vij çdo verë këtu. Jam nga Tirana. Kam shtëpinë time këtu. Në plazhin ku unë vij nuk pastrohet, ja e shikoni vetë, na vjen keq. Ndonjëherë i marrin vetë mbeturinat dhe i hedhim në koshat pasi duam të qëndrojmë rehat”, tha ai.

Mbeturinat e hedhura kudo përgjatë rërës. Foto: M. Dushi

Një tjetër pushues i bashkohet interesit tonë teksa artikulon faktin se plazhi në Golem është i papastër por vjen në këtë zonë për plazhpasi këtu ka shtëpinë. “Unë jam 78 vjeç nga Tirana. Vij çdo vit këtu në Golem, rri nga 4 muaj. Kam shtëpinë këtu. Po plazhi këtu nuk është i pastër, është i ndotur. Siç e shikoni edhe ju, këtu janë disa kanale me ujëra të zeza që derdhen në det që na shqetësojnë”, tha ai për Portën Vendore.

Më pas takojmë dy gra të cilat po bënin xhiro në breg të detit. Ato ishin banore të zonës dhe kishin dalë për të bërë plazh pasi vuanin nga reumatizma. Edhe dy zonjat thanë se plazhi është i ndotur. “Ne vijmë nga halli këtu. Vuajmë nga reumatizma edhe vijmë këtu për rërën dhe kripën e detit. Nuk ka kushte fare për turistët por edhe për ne. Nuk ka pastërti, ja e shikoni vetë që është pisët, nuk pastrohet. Nuk ka as banja publike. Ujërat e zeza derdhen në det, vjen erë e keqe e mezi kalon aty”, u shprehen ato duke ja plotësuar fjalët dhe mendimet njëra-tjetrës.

Shezlonget në Golem pothuajse boshe. Foto: M. Dushi

Kritika për plazhin e Golemit kanë edhe turistë nga Kosova. Shkëndijën e gjejmë të ulur në shezlongë dhe tre fëmijët e vegjël të saj po luanin me rërë. “Unë vij çdo vit këtu, bëj plazhin në Golem, por nuk është i pastër. Problem leshterikët, duhen pastruar. Në breg kishte disa xhama, të cilët mund të lëndoni këmbën fëmijët e mi apo çdo njeri. Këtu nuk ka siguri. Nuk ka shërbime, shërbimi i vetë është që merr shezllonin e kaq. Ke frikë kur shkon në det se nuk ka kush ti ruajë çantat”, sqaron ajo.

Plazhet publike në Durrës, të ndotura

Edhe për plazhin e Durrësit turistët shprehen së është i ndotur. Porta Vendore vëzhgoi një pjesë të vijës bregdetare, nga Ura e Dajlanit e më sipër.

Rëra e papastruar në plazhin e Durrësit, afër portit. Foto: M. Dushi

Turistja italiane Rosa, po shijonte rrezet e diellit në çadrën e saj e marrë me qira. Ajo tha se plazhi është shumë i pisët dhe nuk pastrohet, duke shprehur keqardhje pasi Shqipëria ka plazhe të bukura. “Është shumë i pisët deti, më vjen keq, sepse Shqipëria ka plazhe të bukura, por shqiptarët nuk e mbrojnë apo kujdesen për bukuritë që u ka falë natyra. Burri im ka disa dyqane këtu e ne vijmë prej 25 vitesh në Durrës. Njerëzit hedhin plehra kudo, nuk pastrohet”, tha 72 vjeçarja.

Bregu i detit me një ngjyrë të verdhe dhe të zezë. Foto: M. Dushi

Bregu i detit ishte me ngjyrë të verdhe. Koshat ishin të pakta. Edhe këtu banjot publike mungonin, ndërsa dushet po instaloheshin nga disa biznese. Servete, 66 vjeçe, prej 23 vitesh jeton në Angli, por kisha ardhur në Shqipëri për pushime. Edhe ajo shprehet se plazhi është i pisët, dhe mungonin koshat. Ndërsa bashkëshorti i saj Përparim Baci ishte më optimist. Ai tha se vendi ka ndryshuar dhe janë bërë investime, por theksoi se ka nevojë akoma për përmirësim të standardeve.

Kanali ku derdhen ujërat për në deti. Kanali kalon mes përmes plazhit publik. Foto: M. Dushi

Por jo të gjithë turistët e shikojnë situatën në plazhin e Durrësit aq gri. Lieve ,turistja belge ishte shumë e kënaqur me njerëzit dhe detin. Njerëzit janë të sjellshëm, çmimet janë të mira, deti është i pastër”, tha 53 vjeçar nga Belgjika.

Burime zyrtare pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thanë për Portën Vendore se Ura e Dajlanit mbetet sikurse çdo vit zona më e ndotur e bregdetit të Durrësit.

Ekspertët ngrenë alarmin për ujin e ndotur të Durrësit, pasi mund të shkaktojë një sërë pasojash jo vetëm në ekosistem por edhe në lëkurën e atyre që frekuentojnë këtë zonë në qytetin bregdetar.

“Një situatë e ngjashme sikurse në Tiranë mbizotëron edhe në Bashkinë e Durrësit, pavarësisht investimeve të konsiderueshme në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza. Impianti i parë në Durrës është ndërtuar në vitin 2013 me financim të Bankës Botërore dhe Bankës Europiane të Investimeve në vlerën e 11 milionë eurove, ku trajtohen ujërat e ndotura të qytetit, si dhe të zonës së Plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës. Megjithatë, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pranon se pavarësisht impiantit, ka derdhje të ujërave të zeza në zonën e ish-Kënetës, pasi nuk është ndërtuar ende rrjeti i kanalizimeve.

Impianti i dytë i ndërtuar në vitin 2019 ka kushtuar 1.31 miliardë lekë dhe gjendet në fshatin Hamallaj. Ky impiant ka si qëllim grumbullimin dhe pastrimin e ujërave të ndotura të zonës turistike në Gjirin e Lalëzit dhe fshatrat e njësisë administrative Ishëm, që janë Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Lalëz, Kuraten, Bizë, Drac, Shetaj”, tha Eneid Mato ekspert mjedisi për Portën Vendore, ku sipas tij një nga zonat më problematike të Durrësit vazhdon të mbetet shëtitorja Taulantia, nyja kryesore e qytetit gjatë sezonit turistik. “Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës e quan tubacionin e shkarkimit në shëtitoren Taulantia ‘një derdhje të vogël të ujërave të zeza në det’, që sipas saj ndodh pas reshjeve të shiut. Rrjeti i ri i kanalizimeve të ujërave të zeza në Shkozë”, përfundon Mato.