5 korrik 2022/Edi Ruci/Porta Vendore/Vlorë
Duke nisur nga dhjetori 2020 filloi në terren puna për realizimin e projektit për rehabilitimin e dy lagjeve të qytetit “1 Maji” dhe “24 Maji”. Projekti fokusohet më tepër në rehabilitimin total të disa zonave në brendësi të këtyre dy lagjeve si zona e “Kumes” , zona pranë “ Plazhit të vjetër” zona pranë “Pyjores”, si dhe zona e “4 katsheve” të cilat përfshihen në lagjen e madhe” 1 Maji” ndërsa zonat e tjera janë pjesë e lagjes “24 Maj “. Afati i punimeve sipas projektit të Qeverisë Shqiptare duhet të zgjaste për 8 muaj, pra duhet të të kishte përfunduar në gusht 2021, por kjo nuk ndodhi. Vlera totale e projektit është 530 milion e 670 mijë e 803 lekë me Tvsh.
I pari i cili e ka shpalosur projektin në fjalë ka qenë kordinatori politik i qarkut asokohe në Vlorë, Damian Gjiknuri. Gjithashtu në 6 prill 2021 përgjatë kohës së fushatës elektorale në një takim me banorët e zonës Gjiknuri e sheh projektin si sukses të qeverisë shqiptare.
Siç e thotë qartë edhe tabela, e vendosur në pjesën hyrje të projektit projekti duhet të kishte përfunduar në muajin Gusht 2021, teksa punimet vijojnë ende dhe nga informacionet e siguruara për Portën Vendore nga përfaqësues të Drejtorisë së Infrastrukturës në Bashkinë e Vlorës thuhet se: “Projekti në fjalë dhe punimet në të kanë shkuar në masën 70 %”. Sipas të njëjtave informacione bëhet me dije se projeki konstaton në rehabilitimin total të zonave të sipërpërmendura në disa drejtime:1-Krijimi i rrugëve lidhëse për ti dhënë akses qarkullimit të automjeteve, rrugë të cilat më parë pengoheshin nga objekte të banimit, mure rrethuese apo garazhde dhe kanale të ujrave të zeza. 2-Asfaltimin në total të rrugëve të krijuara lidhëse mes zonave. 3-Shembjen e objekteve pa leje në zone. 4-Shembjen e objekteve me leje të cilat pengojnë rrugët lidhëse dhe më pas dëmshpërblimi i tyre. 5-Krijimi i trotuareve. 6-Shembjen e mureve rrethues, kangjellave dhe dyerve të shtëpive të banimit, dhe ndërtimi nga e para në mënyrë uniformë i tyre. 7-Ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve të ujrave të zeza dhe ujit të pijshëm. 8-Vendosjen e shtyllave të reja të ndriçimit rrugor. 9-Mbjelljen e një numri të konsiderueshëm pemësh të llojit pisha në të gjithë gjatësinë e projektit në fjalë.
Qytetarët e Vlorës janë ata të cilët e vlerësojnë projektin në fjalë, dhe në këtë pikë të shumtë janë ata që ndahen sikurse në çdo investim tjetër të bërë në qytet në Pro e Kundra. Sipas qytetarëve projekti në fjalë është diçka pozitive që do të japi impakt në zonë. Qytetarët tregojnë se e kanë kërkuar ndërhyrjen në infrastrukturë ndër vite, me anën e peticioneve, ankesave, protestave në blloqet e banimit. Në të shkuarën për qytetarët zona ka patur 1001 probleme, pasi përmbytje ka pasur jo vetëm në rrugë por dhe në banesat e tyre. Pavarësisht elementeve pozitiv qytetarët kanë edhe ankesa në lidhje me këtë investim, ku sipas tyre ritmi i punimeve është tepër i ngadalta, teksa në zonë punon një numër tepër i ulët punëtorësh të cilës sipas qytetarve duket sikur nuk punojnë fare.
Mazrek Bilbilaj banues në lagjen “Cole” shprehet se një nga arsyet që emigrojë drejt Greqisë ishte rruga e amortizuar.
“Kjo që po bëhet është i vetmi investim për lagjen ndër vite, por ja dhe ky ka mbetur kështu nuk po ndërtohet tamam. Të paktën kjo rruga kryesore duhet të bëhej. Nuk e di sa muaj kanë që e kanë lënë në këtë gjendje por më kanë thënë që kanë dy apo tre muaj. Me këto ritme do zgjasi jashtë mase, po të vazhdojë kështu nuk do përfundojë kurrë. Një vit me vonesë dhe janë mbrapa shumë akoma. Projektet për të mirën e popullit bëhen, por këto vonesa janë sorrollatje e vetëm sorrollatje “, shprehet ai disi i indinjuar.
Shpresa Tare banuese në lagjen ” Kume” prej më shumë se 40 vitesh thotë se me siguri investimi i nisur do të përfundojë në kohë fushate elektorale, ashtu sikurse ndodh rëndom jo vetëm në Vlorë por edhe në qytete të tjera të vendin.
Kamber Dautaj lindur dhe banues në zonën e “5 Katsheve” pjesë e lagjes “24 Maji” shprehet se:
“Në zonën këtej po, që me projektin italian atëherë që u bë me investimet e italianëve, kjo lagje nuk kishte patur asnjë llojë investimi. Përkundrazi vetëm investimet e riparimeve të ujësjellësit i cili më tepër e dëmton rrugën sesa i rregullon. Për të vendosur tubacioneve hapin rrugën, e çajnë atë dhe më pas ka nevojë të riveshin sërish nga e para. Ky projekt këndej është një zgjidhje mjaft e mirë për një zonë e cila ka qenë pothuajse e harruar. Për të punuar po punohet por jo me ritme. Tani që është dhe sezoni i verës ndotja është shumë e madhe, punimet venë deri në një fazë, shtrohet ai çakëlli dhe lihet ashtu, teksa ai pluhuri është kthyer në tepër shqetësues për gjithë banorët. Ritmet e punës, pavarësisht se po punohet janë tepër të ngadalta”, shprehet ai.
Engjellush Meraj banues prej vitesh në zonën e “4 Katsheve” pjesë e lagjes “1 Maji” në intervistën e tij për porta vendore shprehet se: “Kanë prishur të gjitha i kanë hedhur në shesh. Ore mirë bënë që i prishën por të paktën ti bëjnë prapë ti rregullojnë. Këtu kanë nga një muaj që i kanë lënë gjërat kështu.Tani si i thonë asaj shpresojmë për më mirë, po u bënë mirë, po su bënë prapë mirë, sepse s’kemi çi bëjmë. Ne vajtëm 50 vite vëlla pa asnjë investim, këtu det ka qenë gjihmonë. Tani po na i bënë këtë investim do themi që shpëtuam”, u shpreh banori për Portën Vendore.
Blerim Dedaj banor i lagjes “1 Maji” i zonës pranë “Plazhit të vjetër” në fjalën e tij shprehet se ka 32 vjet që banon në këtë bllok banimi. “Për mua pavarësisht çfarë qeverie është sot, që na merr shpirtin me çmime me gjëra, ka bërë gjënë më të duhur. Një investim që sa e dëgjoj tani më rrëngjethet mishi, sepse kam 32 vjet që jetoj këtu, që kur kam ardhur është një investim me plotë bindjen shumë i saktë. Pres që investimi të përfundojë. Deri tani gjërat mirë janë. Këtu më parë sa herë binin shira mbytej jo vetëm lagja por dhe shtëpia dhe mender muhabeti dilnin ujrat e zeza dhe përmbytej lagja. Problemi i kangjellave ka mbetur ende pa u mbaruar, ata i dinë vetë gjërat e tyre. Duhet të shikojmë edhe disa gjëra po të flasim realisht”, tha ai për Portën Vendore.
Lavdosh Sinaj, banues në zonën pranë “ Pyjores” pjesë e lagjes “1 Maji” tregon se projekti është shumë i mirë. “Shumë vonesa, as kanë ndërmend të përfundojnë fare. Nuk bënë vaki as të përfundojnë në këtë gusht. Jemi një vit me vonesë, do vesh edhe dy vite të tjera. Kjo ndodh sepse i marrin punimet osh e bram. Nuk bëhet llaf të përfundojë jo. Brenda këtij sezoni veror, harroje atë punë”, artikuloi Lavdoshi i pyetur nga Porta Vendore.
Të kontaktuar për Porta Vendore përfaqësues të institucionit të bashkisë së Vlorës, të pyetur në lidhje me vonesat e projektit pranojnë shtyrjen e investimit në fjalë me një periudhë 1 vjeçare. “Projekti ka ardhur si rrjedhojë e kërkesave të përvitshme nga banorët e këtyre blloqeve të banimit të cilët shpesh herë kanë akuzuar qeverinë shqiptare dhe bashkinë për investime vetëm në qendër të qytetit. Projekti është kërkuar dhe sugjeruar ndër vite nga Bashkia e Vlorës, e cila për zonat në fjalë ka paraqitur projekt për rehabilitimin e tyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në qeveri duke patur parasysh domosdoshmërinë që kishte zona për ndërhyrje. Projekti është i financuar nga qeveria shqiptare, i projektuar në studio dhe nga inxhinierët më të mirë të cilët kanë vëzhguar zonën duke marrë parasysh problemet që ofron dhe detajet në të. Përsa i përket vonesave, ju e dini që po punohet në një zonë të madhe, në një zonë të vështirë. Mos të harrojmë që po punohet në kohë të vështirë siç ishte koha e Covidit teksa iu garantoi që për projektin në fjalë është punuar edhe përgjatë dimrit në kohë të keqe dhe ditë shiu. Firma kontraktore ka kërkuar shtyrjen me një vit të punimeve, shtyrje kjo e miratuar nga institucionet të cilat e kanë parë të domosdoshme dhe të arsyeshme shtyrjen e projektit”.
Përsa i përket vonesave për realizimin e projektit në fjalë Porta Vendore ka kontaktuar dhe përfaqësues të firmës kontraktore e cila po realizon projektin në fjalë në terren. “Po, kemi patur vonesa por jo për fajin tonë. Ne po punojmë në një zonë të gjerë, në të cilën më parë nuk kishte as rrugë, pasi rrugët e krijuara përfundonin duke u përplasur me muret rrethues të banesave, kanalet e ujrave të zeza apo garazhdet. Kemi bërë planimetrinë e projektit në fjalë në terren dhe kemi evidentuar objektet të cilat na pengonin për të krijuar rrugët apo trotuarët në të, kemi bërë matjet më pas ekzakte të tyre për ti evidentuar në detaje, për mos të patur vend për gabime. Të gjitha objektet dhe subjektet të cilat na pengonin, ja kemi dërguar institucioneve vendore si Bashkisë Vlorë, Zyrës së Kadastrës, Inspektoriatit Ndërtimor dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së territorit. Në ditë me radhë kemi pritur informacione në lidhje me objektet që ishin pa leje, informacione këto që kanë mbërritur me vonesë dhe jemi detyruar të punojmë në zona të caktuara ku objektet na i lejonin punën në terren. Me mbërritjen e informacioneve për objektet pa leje kanë nisur në terren shembja e tyre dhe na është dhënë një frymëmarrje për të punuar. Gjithashtu kemi pritur nga kadastra e qytetit dhe institucionet edhe informacione për disa objekte me dokumenta pronësie të cila pengonin zhvillimin e projektit dhe duhet të shembeshin, informacione këto të cilat sërish na kanë penguar në punën tonë, teksa vlen të theksohet se ende presim informacione të tilla nga kadastra e Vlorës për subjekte të cilët janë pa leje dhe me dokumenta të rregullta të cilët skualifikohen dhe duhen shembur pasi pengojnë projektin. Kjo gjë na ka sjell vonesa, duke arsyetuar kështu edhe kërkesën për shtyrjen e afatit të punimeve me 12 muaj e cila është aprovuar brenda pak kohësh duke parë vështirësitë që ka zona. Edhe ne duam të punojmë më shpejtë dhe ta mbarojmë sa më parë, pasi kosto ekstra është edhe për ne, por ja që disa aspekte s’na lejojnë”, tha përfaqësuesi i kompanisë për Portën Vendore duke ia hedhur topin institucioneve vendore që nuk kanë vepruar në kohë.
E derisa të mbarohet projekti qytetarët e Vlorës do të duhet thjesht të presin në mënyrë që të marrin feedbackun e shumëpritur për zonën e tyre.