1 korrik 2022/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Finalizohet procesin e rindërtimit për 34 familje të Durrësit që iu ndanë banesat e reja të rindërtuara. Apartamentet e tyre të reja i përkasin pallatit 1062 në lagjen 7 të qytetit të Durrësit, godinë kjo e cila u rindërtua tërësisht në të njëjtin vend. Në prani të familjeve përfituese, komisionit të posaçëm dhe mediave u zhvillua shorteu publik, i hapur dhe transparent me objekt shpërndarjen e këtyre apartamenteve tek qytetarët që u janë prishur shtëpitë nga tërmeti. Ky proces është shoqëruar me shumë debate dhe pakënaqësi nga familjet e prekura.
Ky proces nisi dhe përfundoi me debat dhe pakënaqësi për 34 familjet përfituese të cilat do të sistemohen në pallatin nr.1062, pranë Drejtorisë së Policisë Durrës. Gjatë tërheqjes së goglave për ndarjen e apartamenteve 1+1, 2+1 dhe 3+1 mbajtur në ambientet e Këshillit Bashkiak, disa nga banorët shprehën pakënaqësitë e tyre për metodologjinë e përdorur për ndarjen e apartamenteve.
Nuk munguan replikat dhe debatet, madje as refuzimet e apartamenteve nga palët e pakënaqura. Për një pjesë të banorëve hyrjet u kërkuan të jepeshin në të njëjtat kate dhe vendndodhje të hyrjeve siç kanë qenë përpara se tërmeti i 26 nëntorit t’i dëmtonte, meqënëse ky pallat i ri është ndërtuar në truallin e atij ekzistuesit, ku në fakt u desh më shumë se 1 vite që pallati i dëmtuar të shëmbej dhe ti hapte rrugë ndërtimit të të riut. Disa familje të tjerë kërkuan që në këtë proces t’u jepej përparësi personave invalidë duke pretenduar që ata të përfitonin katet e para të ndërtimit dhe t’u jepej përparësi në përzgjedhjen e goglave të shorteut duke i lejuar të përzgjidhnin të parët për banesat e tyre. Ndërsa një pjesë tjetër e banorëve të pallatit nr. 1062, kërkuan që shorti i goglave të ishte rastësor dhe të ndiqej radha e përzgjedhjes sipas një rendi alfabetik.
Pavarësisht diskutimeve dhe pakënaqësive në këtë proces, anëtarët e komisionit të posatçëm, bënë shpërndarjen sipas rregullit që vetë ata kishin vendosur paraprakisht, ku renditja e përzgjedhjes së goglave do të bëhej sipas rendit alfabetik dhe ndarjes fillimisht të hyrjeve të organizuara në 1+1 (1 dhomë + 1 kuzhinë), kjo përcaktuar sipas kubaturës që këto familje kanë pasur më herët në banesat e tyre, më tej u procedua me shpërndarjen e hyrjeve 2+1 dhe 3+1.
Pavarësisht kësaj logjike të të shpërndarit të apartamenteve, duket se shumë familje dolën të pakënaqura dhe madje një pjesë e tyre zgjodhën të mos e firmosin dokumentin për miratimin e pronës që i vendosej në dispozicion në varësi të goglës që kishin zgjedhur gjatë shorteut. Këtë gjë banorët e pallatit nr. 1062 e bënë në shenjë proteste në mënyrë që t’u shpërndahen hyrjet sipas preferencave të tyre dhe të mos kenë nevojë të kryejnë procedura të tjera më pas. Pati dhe nga ato familje të cilat pavarësisht mosdakordësisë me apartamentin që u ra për pjesë, zgjodhën të firmosin nga frika së mos mbeten pa banesë. Njëra prej banoreve të pakënaqura, tregon shqetësimin e saj për Porta Vendore:
“Nuk jam e kënaqur sepse jam vet i gjashtë dhe hyrja është pa ballkon, një sallon e ka të ngushtë dhe një të gjerë, pastaj nuk e kuptoj cila është hyrja numër 1, 2 apo 3. Ne bëmë një dakordësi, unë do të duhet të merrja katin e dytë, hyrjen numër 4, tani hipi një hyrje më lartë, që është me 5 tuba banjoje brenda, kuzhina dhe me sallon 1 metër. Duhet të futesh në dhomë, që të hapësh derën e jashtme që të futesh brenda në kuzhinë. Më përpara banesa ime ka qenë e shkëlqyeshme për nga organizimi i kubaturës, vetëm salloni 3×3 metra. Ka mundësi të zgjedhësh dhe të ndërrosh alternativë, por tani në moment jo! Unë kundërshtoj pavarësisht se hodha firmën që zgjodha goglën, por e kundërshtoj, nuk jam dakord”, tha njëra prej banoreve, banesa e të cilës ishte prekur nga tërmëti i 26 nëntorit 2019.
Pavarësisht kaosit të krijuar në lidhje me shorteun e shpërndarjes së hyrjeve në pallatin nr. 1062, pranë lagjes nr. 7, duket se kjo nuk e ndaloi kryetaren e Bashkisë Durrës, znj. Emiriana Sako-n, që ta propagandojë këtë shorte si një sukses ku ajo thekson se “Tashmë këto familje do të jetojnë në banesa me standarte të larta sigurie, më të bukura e më të forta se ato që kanë patur”. shkruajti kryebashkiakja në Facebook.
Pavarësisht se pallati numër 1062, i lagjes numër 7 të qytetit të Durrësit, është objekti i parë brenda qytetit i cili vendoset në shorte, duket se procesi i rindërtimit në Durrës është ndër më të vonuarit pasi aktualisht 5270 familje trajtohen me bonus qiraje vlera e të cilit e ka tejkaluar shifrën prej 1.600.543.800 lekë, nga 6192 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Përsa i përket objekteve të cilësuara si DS4 kemi të bëjmë me 947 objekte nga të cilat 152 janë pallate. Për këto pallate janë kryer procedurat e prokurimit të studiove projektuese për hartimin e projekteve të përforcimit, ndërkohë që banorët e 6 pallateve i kanë zgjedhur vetë studio projektuese me ndihmën e ish-ndërtuesve. Sakaq 43 pallate të tjera DS4 kanë kërkuar fond pranë Ministrisë përkatëse për të vazhduar më tej me procedurat e prokurimit publik për të përzgjedhur studio projektuese për hartimin e projekteve të përforcimit. Ndonëse duket se situatat kanë marrë zgjidhje, protestat për vonesat në këto procese nuk kanë ndaluar përpara Bashkisë Durrës nga banorët e pallateve të cilët deklarojnë se punimet po vonojnë dhe nuk po kryhen siç duhet.
Përsa i përket objekteve të klasifikuara në shkallën e dëmtimit DS5, numri i tyre është 349 objekte nga të cilat 190 janë banesa individuale, 22 pallate në qytet, 10 pallate në Nj.A. Sukth, 3 pallate në Nj.A. Katund i Ri dhe 8 pallate në Nj.A. Manzë të cilat ishin pjesë e sitit të ri të rindërtuar dhe inauguruar pak muaj më parë nga kryeministri. Ndonëse kanë kaluar dy vite e gjysmë që nga tërmeti fatal i 26 nëntorit, deri më tani janë rindërtuar 3 pallate në qytetin e Durrësit nga të cilat i vetmi që u shpërnda me shorte ishte pallati nr. 1062 i cili la të pakënaqur një pjesë të konsiderueshme të banorëve përfitues të apartamenteve.