Ngjarje/Personazhe

81-vjeçari investon 45 mln lekë në Lulishten e Gramshit: Doja të kontribuoja në qytetin e lindjes

30 qershor 2022/ Erind Koçi/ Porta Vendore/ Gramsh

Skëndër Lena pavarësisht se prej dy dekadash jeton në kryeqytet investon nga kursimet e jetës në qytetin e tij të lindjes Gramshit, për ti ardhur në ndihmë komunitetit me një lulishte dhe jo vetëm.

Sot është 81 vjeç dhe prej dy dekadash jeton në Tiranë, por vendlindja, vijon të shënjoj jetën e tij. Skënder Lena, pavarësisht se është zhvendosur në kryeqytet, asnjëherë nuk arriti t’i kthente shpinën qytetit ku kishte lindur, madje ka kontribuar edhe në imazhin e qytetit të Gramshit, në mënyrë që të linte gjurmët e tij atje. Pasardhësi i një komandanti batalioni, zgjodhi të shpenzojë një pjesë të fitimeve të tij për të bërë një lulishte në qendër të qytetit.

Ndoshta për të fituar 4.5 milionë lekë të reja iu deshën vite 81-vjeçarit Skënder Lena, por ai nuk nguroi që t’i dhuronte ato për lulishten e quajtur ‘Kapo Lena’, ose siç njihet në qytet ‘Shatërvani’.

“Doja të bëja një gjë të mirë për Gramshin”, përgjigjet 81-vjeçari Skënder Lena, teksa e pyesim se përse vendosi të investonte për një lulishte.

‘Shatërvani’, asnjëherë nuk është bosh. Ajo lulishte është kthyer në strehën e pensionistëve, të cilët kalojnë orë të tëra aty, herë duke luajtur e herë duke pushuar.

“Kalojmë shumë kohë këtu me njëri tjetrin. Ne jemi pensionistë s’kemi lekë të harxhojmë në kafene. Pastaj këtu luajmë domino çdo ditë”, thotë një i moshuar.

Lulishtja nuk popullohet vetëm nga pensionistë, por ajo gumëzhin nga zërat e fëmijëve, të cilët gëzojnë e vrapojnë përreth shatërvanit të ngritur aty.

Skënder Lena shpërblimin më të mirë që mund t’i jepte Bashkisë së Gramshit pasi i shpalli të atin qytetar nderi (ai ka qenë komandant i batalionit ‘Vërçë-Sulovë’), ishte të investonte për lulishten, në të cilën është vendosur edhe busti i të atit, Kapo Lena.

Rikonstruksioni i “Lulishtes Shatërvani” ka kushtuar 45 milionë lekë të vjetra, dhe në të janë bërë 110 metra katrorë veshje muri me gurë dekorativ, 36 harqe me gurë dekorativ, janë vendosur bordura dhe janë bërë 380 metër katror rrugica me beton, me imitim pllaka guri e kontur tulle.

Po ashtu në Lulishte u vendosën 24 stola tre vendesh, u mbollën 20 pemë, u bë gjelbërimi me tapet 560 metra katror si dhe u vendosën edhe 8 ndriçues led. Gjithashtu u restaurua shatërvani bashkë me pajisjet dhe çezma publike, ku shumë banorë freskohen ditëve të nxehta dhe pinë ujë kur kanë etje.

Në një intervistë për Portën Vendore, vetë 81-vjeçari Skënder Lena tregon se kontributi për këtë lulishte nuk ka ndaluar ende.

“Lulishtja ka kushtuar 45 milionë lekë, vendosa ta bëja me kalldrëm, bëmë më pas murin rrethues, vendosëm stolat, restauruam shatërvanin madje para 1 muaj çova dhe mbolla 100 trëndafila të tjerë”, thotë Lena, teksa shpreson që kontributin e tij ta vijojë edhe më tej.

Në foto, Skënder Lena duke folur për Portën Vendore. Foto: E. Koçi.

Pavarësisht se buzëqeshja shoqëron intervistën, Lena nuk shmang dot as zhgënjimin nga Bashkia e Gramshit, për shkak se nuk bashkëpunon në mirëmbajtjen e lulishtes.

“Me bashkinë nuk jam shumë i kënaqur sepse nuk e mirëmban lulishten, të vërë në punë shatërvanin. I kam thënë kryetarit hape ujin se unë nuk e dua për vete”, rrëfen Lena për Portën Vendore.

Madje edhe më herët, Lena thotë se bashkia nuk ka qenë bashkëpunuese me të, për shkak se nuk i jepte leje të bënte rikonstruksionin pavarësisht se ishte tërësisht investim privat.

“Bashkia nuk e di pse por nuk jepte leje. Shkova me një arkitekt të vjetër të qytetit i thash që e bëj vetë projektin dhe zbatimin. I shkova me të gjithë projektin, atëherë e miratoi kryetari i Bashkisë dhe më pas vazhdoi puna dhe doli një lulishte shumë e bukur. Fillova zbatimin, dhe punimet zgjatën për 3 muaj”, shprehet 81 vjeçari.

Por megjithatë përtej të gjitha sfidave rikonstruksioni i lulishtes është një nga kontributet me rëndësi komunitare që ka bërë Skënder Lena, por jo i vetmi.

Kam bërë edhe trasenë enjë rruge nga Grazhdani në Rashtan, tek shtëpitë e babait, u lidhën dy fshatra, e shtruam dhe me çakull. Mendoj që për Gramshin kam bërë diçka edhe më pozitive, që është blerja dhe shpërndarja e 35 kompjuterëve nëpër shkollat e fshatrave, shkolla e Kukurit, Grazhdanit, Poraçanit dhe Gjergjovinës. Veç kësaj për arsimin kam pasur debulesë sepse e quaj me vlerë të madhe, i vetmi që e vlerësonte arsimin në atë qytet ishte Xhevit Dermyshi, drejtori i Gjimnazit të Gramshit. Kam paguar për një vajzë ekselente nga Gramshi dhe studionte në Tiranë pë mjekësi, më tha të ndërprisja bursën pasi kishte ikur në Gjermani. Më pëlqente që ishte ekselente dhe i pagova bursën për një vit. Nuk dua ti them po kam edhe 2 – 3 familje që u jap nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj dhe kur kanë ndonjë të sëmurë apo operacion i ndihmoj, shprehet Lena.

Të kesh pjesë të komunitetit njerëz punëtorë dhe të devotshëm si Skëndër Lena është një fat dhe privilegj i madh, pasi ai vijon të mendojë natë e ditë se cila do të ishte vepra e radhës për ti ardhur në ndihmë komunitetit gramshiot.