29 qershor 2022/ Ervina Garo Koti/ Porta Vendore/ Durrës
Rreth 200 banesa janë në rrezik në Durrës, si pasojë e erozionit. Një problem i trashëguar ndër vite që nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse, Autoriteti vendor ka miratuar Planin e Ri Urbanistik, i cili nuk është zbardhur, ndërsa këto shtëpi të paformalizuara në Porto Romano janë peng i erozionit.
Erozioni është një fenomen natyror, që prek çdo vend bregdetar, por në Durrës është përshpejtuar edhe si pasojë e ndërtimeve pa kriter dhe prerjes së pemëve, duke mos zbatuar planin e përgjithshëm vendor.
Dëshmi janë bunkerët, të cilët gjenden të zhytur në det, duke diktuar ritmin marramendës të gllabërimit të ujit të tokës.
Referuar të dhënave zyrtare, nga inventari i tokës janë hequr nga harta rreth 63 hektarë, në zonën e Rrushkullit, pasi nuk ekzistojnë më. Një terren fushor, i cili ka qenë i pyllëzuar më parë. Por Rrushkulli nuk është e vetmja zonë në rrezik.
Sipërfaqe toke të cilat nuk ekzistojnë më, pasi janë mbuluar nga uji gjen përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Një nga zonat kritike është kodra e Porto Romanos, ku janë ndërtuar banesa të shumta pas viteve ’90.
Disa prej tyre nuk i kanë shpëtuar erozionit dhe janë shembur, ndërsa te të tjerat janë të dukshme pasojat.
Muret e shtëpive janë plasaritur, ndërsa themelet janë dëmtuar. Zhvendosja me disa centimetra e këtyre banesave është e dukshme me sy të lirë.
Fenomeni i erozionit ka përfshirë të gjithë kodrën. Një problem jo i panjohur për vendorët.
Banorët në këtë zonë jetojnë me frikë dhe nuk e fshehur pendesën për zgjedhjen e bërë vite më parë.
Zef Shtjefni tregon se ka qenë i pari që ka ardhur në këtë zonë.
“Unë kam ardhur i pari në këtë zonë. Fillimisht doja që banesën ta ndërtoja në majë të kodrës, me qëllim që të kishte fushëpamje edhe nga deti. Por, për fat të mirë reflektova. U zhvendosa disa metra nga krahu verior i kodrës. Edhe ku ndodhet tani banesa ime nuk është e sigurtë, por të paktën shkalla e rrezikshmërisë nuk është si për banesat që ndodhen këtu në majë të kodrës. Këta banorë po luajnë me jetën” , shprehet Shtjefni.
Duke sjellë në vëmendje procesin e legalizimit, Shtjefni shprehet se duke qenë një zonë me rrezikshmëri të lartë këto banesa mund të mos bëhen asnjëherë pronë e tyre.
“Ky ishte fati ynë i keq. Erdhëm nga veriu për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë. Kemi 30 vjet dhe nuk kemi një strehë mbi kokë që ta kemi tonën. Të gjithë banorët, që banojnë në Kodër janë të rrezikuar. Ekspertët gjeologë kur kanë ardhur të shohin nga afër situatën vunë duart në kokë. Na thanë që duhet të zhvendoseshim një orë e më parë, pasi rrezikojmë jetën. Po ku të shkojmë?! E kemi të pamundur të zhvendosemi diku tjetër, pa ndihmën e shtetit. Në këto kushte, kemi pranuar fatin tonë. Çfarë të kemi për risk!”, përfundoi së argumentuari banori për Portën Vendore.
Fundviti 2009 ka përshpejtuar këtë fenomen, duke shembur edhe rrugën që zbriste në plazh.
Gjashtë shtëpi dhe një lokal janë fundosur në masivin e madh të dherave, duke mos mbetur asnjë gjurmë prej tyre. Me këto ritme fatin e tyre mund ta kenë edhe rreth 200 banesa të tjera.
Irfan Hoxhallari është një tjetër banor i zonës. Ai shprehet se janë shpërngulur këtu rreth 25 vite më parë, ndërsa nuk kishin informacion për terrenin, ku ndërtuan.
“Këtu jemi vendosur rreth 24-25 vite më parë. Nuk kishim informacion për zonën, por nga halli ndërtuam shtëpinë. Vit pas viti, situata e krijuar nga erozioni u përkeqësua. Çdo vit rrëshqiste toka nga ana perëndimore e kodrës dhe përfundonte në det. Këtu ka qenë edhe një plazh shumë i bukur, por e ka mbuluar masivi i dheut që ka rrëshqitur nga kodra. Po kështu edhe disa banesa kanë rrëshqitur dhe janë shkatërruar nga erozioni. Është një situatë e vështirë, pasi çdo vit shkëputet nga një masiv dheu nga kodra. Tani po vjen fare afër banesave tona. Nuk dimë ku të ankohemi. Kemi kërkuar mbështetje nga institucionet, por s’kemi gjetur zgjidhje.”
Të ndërtuara pas viteve ’90 këto banesa janë në proces legalizimi por sipas informacioneve jozyrtare ato do të skualifikohen, pasi janë ndërtuar në një terren të rrezikshëm e shumë të rrëshqitshëm. “Ne nuk kishim mundësi tjetër, këtu gjetëm hapësirë bosh dhe ndërtuam”, tha Hoxhallari.
Edhe Hamdi Kuçi, që e ka shtëpinë në këtë Kodër nuk e fsheh shqetësimin për situatën pa zgjidhje, prej më shumë se tri dekadash.
“Jemi në hall shumë të madh. Përgjatë kodrës janë ndërtuar rreth 180 banesa, të cilat sikurse edhe shtëpitë tona nuk përfitojnë nga procesi i legalizimit, për shkak të erozionit. Kjo është një kodër argjilore dhe për pasojë pëson rrëshqitje herë pas here. Gjatë muajve të dimrit, sidomos kur është periudha e shirave, ne bëjmë roje gjatë natës me radhë në familje, pasi kemi frikë mos toka rrëshqet dhe na zë shtëpia brenda. Shikoni vetë si kanë marrë plasaritje shtëpitë, që janë këtu në Kodër. Shikoni atë shtëpinë atje! Ishte trekatëshe, tani ka përfunduar e rrafshuar. vetëm nga rrëshqitjet e dherave. Jeta jonë është çdo ditë në rrezik, por s’kemi çfarë të bëjmë! Nuk kemi asnjë mundësi për t’u zhvendosur me banim diku tjetër. Të gjitha kursimet familjare i kemi hedhur për shtëpinë. Nuk e kemi të mundur të zhvendosemi, vetëm, nëse shteti do të na ndihmojë. Do Zoti merret ndonjë masë për zhvendosje përpara se të bëhet ndonjë hata dhe të humbin jetën njerëz të pafajshëm!”, tha ai.
Në lidhje me këtë problematikë ju drejtuam autoritetit vendor për të kërkuar informacion mbi këtë situatë shumëvjeçare.
Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës bëhet me dije se: “Në lidhje me banesat në zonën e Kodrës së Porto Romanos Bashkia ka miratuar planin e ri urbanistik që pritet te zbardhet sipas Njësive Strukturore. Përsa i përket pyetjes se a do të përfshihen ato banesa ne procesin e legalizimit apo jo, Bashkia nuk ka një përgjigje. Për këtë duhet t’i drejtoheni ASHK-së Durrës.”
Në këto kushte, mbetet e paqartë a janë të përfshira këto banesa në këtë plan?
Ndër vite, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Durrës, që kur funksiononte e ndarë, në institucionin përgjegjës, ALUIZNI ka mbajtur të njëjtin qëndrim, këto banesa nuk mund të legalizohen, pasi nuk janë ndërtuar në përputhje me kriteret.
Paradoksi qëndron në faktin se pavarësisht rrezikut për jetën, që e pranojnë vetë banorët, prej tre dekadash në këto banesa të palegalizuara jetojnë rreth 200 familje.
Këto familje paguajnë taksa, por përsëri nuk i është ofruar asnjë zgjidhje dhe as nuk i është dhënë një përgjigje e prerë, duke i lënë në pritje.
Ata janë banorë të njësisë administrative numër 4 Durrës.
Aktualisht ky institucion po operon me Planin e vitit 2013 brenda Durrësit dhe një pjesë të Porto Romanos, ndërsa pjesa tjetër në bazë të VKM-së numër 408.
Prof. As. Dr. Adem Hyseni, një nga gjeologët më të mirë në vend dhe ish-profesor në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, e vë theksin te rëndësia e studimit mbi truallin që kryhen ndërtimet pa anashkaluar domosdoshmërinë e kontrollit.
“Do nënvizoja, domosdoshmërinë e kontrollit dhe marrjes në dorëzim të themeleve të hapur për objektin, nga ata që e projektuan dhe studiuan terrenin. Mungesa e një praktike të tillë në këtë qytet arkeologjik, mes të tjerash, ka varrosur në sa e sa raste vlera arkeologjike të pazëvendësueshme”, saktëson Profesori.
Këto banesa të paformalizuara nuk i janë nënshtruar këtyre etapave. Megjithatë, ato ekzistojnë që nga vitet ’90, duke sfiduar autoritetet.
Shtëpi të ndërtuara pa leje ndërtimi kudo në Kodër, mbi kolektor, në mungesë të studimeve gjeologjike. Nëse këto banesa do të shemben cili do të jetë fati i këtyre familjeve? Do të kthehen pas tri dekadave andej nga kanë ardhur?
Bashkia Durrës pritet të zbardhë Planin e Ri Vendor, ndërsa rreth 200 banesat në zonën periferike të qytetit janë peng i erozionit, i cili vitet e fundit është përshpejtuar frikshëm në Durrës.