Ngjarje/Personazhe

Lumi rrezikon izolimin e banorëve në Hysaj të Nj. Administrative Zall Bastar! Bashkia s’ka fonde, familjet paguajnë për ndërtimin e një ure provizore

28 qershor 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore/ Tiranë

Pavarësisht investimit madhor në infrastrukturë që bëri qeveria për rrugën e Arbrit, sërish Fshati Hysaj i cili ndodhet përbri kësaj vepre infrastrukturore, u la në harresë. Banorët e kësaj zone vuajnë për një rrugë normale që të mund të transportojnë produktet e tyre për shitje, por edhe mbi të gjitha për të marrë tashme në realitet premtimet elektorale viteve të shkuara kryer nga deputete dhe kryebashkiakë që i kanë kërkuar votën në këmbim të përmirësimit të jetesës, që deri më tani nuk e kanë pasur në fokus strukturat përkatëse qendrore ose vendore qofshin ato.

Realizimi i ëndrrës së Dibranëve, u konsiderua dita e përurimit të 49 kilometrave të përfunduara në rrugën e Arbrit, e cila shkurtoi me rreth dy orë distancën Tiranë-Dibër.

Por a u plotësuan ëndrrat, nevojat dhe kërkesat e të gjithëve?

Teksa rruga është drejt përfundimit, disa qytetar kanë mbetur njësoj si më parë të izoluar. Fshati Hysaj që ndodhet përgjatë rrugës së Arbrit në anë të djathtë të saj pjesë e njësisë Administrative Zall-Bastar, daljen në asfalt nuk e ka të lehtë e sidomos në periudhën e dimrit. Lagjja Hysaj ndahet me rrugën kryesore nga rrjedha e lumit të Tiranës, që në kohë reshjesh jo pak herë ka përmbytur tokat bujqësore të banorëve përreth.

Një fshat i cili i ka të përqendruara burimet e të ardhurave tek bujqësia, blegtoria dhe fëmijët që punojnë në Tiranë, kapërcimin e lumit të rrëmbyeshëm që vjen gjatë dimrit, e bëjnë si në pre-histori, me bagëtitë.

Ndërtimi i një ure ishte shpëtim për këto familje të vendosura buzë lumit, përballë rrugës së Arbrit, por që nga investitori i rrugës së Arbrit nuk u realizua pasi nuk ishte pjesë e projektit.

Banorët hoqën para nga xhepat e tyre dhe ndërtuan një urë provizore, pa standarde sigurie si e vetmja alternativë për të kaluar lumin.

17 familje të këtij fshati, vendosën të investonin mbi 1 milionë lekë të vjetra, për të ngritur një urë me hekura, beton dhe dërrasa. E vetmja zgjidhje që ata kishin për të kaluar lumin!

Një pjesë e banorëve të kësaj zone e kishin të pamundur financiarisht të kontribuonin, për shkak të vështirësive financiare që kishin.

Popshini duhet të kalojë tre ose katër herë në javë lumin për të ardhur në spital, për shkak se trajtohet me dializë. Kempin që merr për një muaj, u detyrua ta shpenzonte për të kontribuar në ndërtimin e urës.

“Rruga për ne ishte shpresë”, shprehen familjarët e S. Popshinit, të cilët tregojnë vështirësitë për të kaluar lumin gjatë dimrit.

Ura e fshatit e bërë nga banorët e zonës. Foto: E. Gjediku

Në rastin e kësaj familje, edhe kalimi me bagëti i lumit është i pamundur.

“Në dimër, lumi vjen shumë, ndërsa duhet të kalojmë shpesh aty pasi duhet të vijnë në spital. Shpesh makinat mbesin në uji, me bagëti nuk mund ta kalojmë S. Popshinin, sepse e ka të pamundur të qëndrojë”, pohojnë familjarët e tij.

Ata thonë se u detyruan të bëheshin bashkë dhe të ndërtonin urën, e cila shpresojnë ti rezistojë stuhive dhe prurjeve të mëdha në dimër.

“Moti nuk ishte në favorin tim, por unë duhet të kaloja çdo ditë lumin për të shkuar në shkollë”, shprehet Valbona Popshini studente në Tiranë, e cila tregon për Porta Vendore që shpesh është detyruar të qëndroj tek të afërmit në qytet pasi nuk mund të rrezikonte duke kaluan lumin.

“Në fakt unë personalisht nuk kam rrezikuar, kam vendosur që ditët me shi ti kaloja tek të afërmit e mi në Tiranë, kjo ishte e vetmja zgjidhje që kisha , por banorë të tjerë shpesh kanë rrezikuar. E vetmja mënyrë për ta kaluar ishte ose me kafshë (kuaj) ose me këmbë aty ku uji ishte më i qetë”, pohon studentja.

Pavarësisht se tashmë kanë një urë për të kaluar, siguria është minimale, pasi është ndërtuar pa ndonjë studim apo arkitekturë të qëndrueshme.

“Ura është shumë e domosdoshme,sepse lumi shpesh herë bëhet i pakalueshëm. E sigurt nuk ndihem për arsye se nuk është një urë me standardet e një ure normale , por që s’kam zgjidhje tjetër”, shprehet Valbona.

Banorët jo pak herë kërkuan ndihmën e institucioneve si dhe të kompanisë Gjoka Konstruksion, por nuk morën zgjidhje. E vetmja ndihmë që ju ofrua sipas banorëve ishte një fadromë për të bërë gërmimet për ndërtimin e urës provizore që e financuan vetë banorët.

“Pas 2 kërkesash në Bashki për ndërtimin e kësaj ure askush nuk e vuri ujin në zjarr dhe kjo na detyroi të gjithëve të paguanim dhe ta ndërtonim vetë”, thotë Valbona.

Porta Vendore ka arritur të siguroj edhe një kthim përgjigje nga Bashkia e Tiranës pas kërkesës që i kanë bërë banorët për ndërtimin e urës. Pavarësisht se e pranon se përmirësimi i infrastrukturës është prioritet i Bashkisë, për ndërtimin e urës thotë se s’ka fonde në dispozicion pasi buxheti afatmesëm është mbyllur.

“Bashkia Tiranë ka gjithmonë në konsideratën e saj shqetësimin e raportuar nga qytetarët. Si rrjedhojë një ndër prioritetet kryesore është përmirësimi i infrastrukturës rrugore me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve të zonës. Për sa më sipër duke qenë se buxheti afatmesëm i Bashkisë Tiranë është mbyllur nga ana e drejtorisë sonë, do të shikohet me prioritet mundësia e përfshirjes në investimet e ardhshme”, i përgjigjet Bashkia Tiranë kërkesës së banorëve të lagjes Hysaj.

Me këtë përgjigje të Bashkisë Tiranë, lihet të kuptohet që për një periudhë afatmesme nuk mund të bëhet ndërtimi i urës, që do të garantonte kalimin e sigurt të banorëve të kësaj zone në rrugën e Arbrit.