26 qershor 2022/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Dy vite e gjysmë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, procesi i rindërtimit duket se është ngadalësuar ndjeshëm dhe ritmi i shpërndarjes së banesave të ndërtuara, po bën që shumë familje të mbeten në pritje për një kohë më të gjatë nga çfarë ishte parashikuar.
Deri një vit më parë ky proces kishte hasur problematika të ndryshme që lidheshin me kontraktimin e kompanive të cilat do të merrnin përsipër këtë proces, por tashmë ky problem është zgjidhur, ndërkohë që një tjetër pengesë ka goditur këtë proces, ai i rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit.
Më herët Porta Vendore ka shkuar në terren për të kryer vëzhgime në lidhje me procesin e rindërtimit konkretisht na Bashkinë Shijak ku dukej se ky proces do të përfundonte përpara të gjithë bashkive të tjera të prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit. Rindërtimi në Shijak pritej të finalizohej pranverën e vitit 2022, ndërkohë që deri në fund të vitit 2021 u deklarua se do të dorëzoheshin disa apartamente dhe pothuajse gjysma e shtëpive private. Në planet e rindërtimit në Shijak numërohen konkretisht 31 pallate dhe 802 banesa private, ku autoritetet pretendojnë se janë dorëzuar të gjitha.
Më 5 maj të vitit 2020 nisi demolimi i godinave të dëmtuara në Bashkinë Shijak, proces i cili shkaktoi një sërë problematikash të cilat lidheshin me asgjësimin e materialeve inerte, situatë kjo e cila u zgjidh gjatë muajit maj-qershor nëpërmjet mobilizimit të qeverisë duke i dërguar këto mbetje në vend-grumbullimin e Porto-Romanos.
Sot dy vite e gjysmë më pas, 31 pallatet të cilat pritej të vendoseshin në dispozicion të banorëve të prekur nga tërmeti, asnjë prej tyre nuk është dorëzuar dhe duket se shkak ka qenë rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit e cila gradualisht ka nisur që në muajin shtator dhe vazhdon deri më tani, ku çmimet e materialeve kanë arritur në 70% më shumë se vlera fillestare të cilat janë përllogaritur nga kompanitë.
Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana shpjegon për Portën Vendore se në proces ka pasur dhe avari të cilat nuk ishin parashikuar, gjë që ka ndikuar në afate.
“Në asnjë moment nuk kemi pasur vonesa përsa i takon banesave individuale. Sigurisht edhe për shkollat dhe kopshtet nuk kemi pasur vonesa, pasi janë dorëzuar brenda afateve të caktuara paraprakisht nga operatorët ekonomik. Duhet të cilësojmë se i gjithë shërbimi i procesit të rindërtimit në Bashkinë Shijak është kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe kontratat janë të lidhura midis FSHZH dhe operatorëve ekonomik. Për ta përmbyllur procesin e rindërtimit në Bashkinë e Shijakut, kanë mbetur vetëm pallatet. Po ndërtohen 31 pallate nga të cilat aktualisht 8 pallate janë të përfunduara në lagjen ‘Lugina’, ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre, 23 pallatet e tjera janë në 90% të objektit të realizuara, por nuk kemi parë të arsyeshme shpërndarjen e hyrjeve në këto objekte pasi duke qenë se ndodhen në mes të kantierit të punimeve, mendojmë që të përfundojnë dhe objektet përreth tyre dhe më pas t’i shpërndajmë të gjitha”, tha kryebashkiaku Arbana për Portën Vendore.
Procesi i rindërtimit ka hasur dhe avari pasi kujtojmë rastin e kolektorit të gjetur në lagjen “Lugina” i cili kërkoi afatin e vet prej 20 ditësh për të rivlerësuar projektin dhe kjo normalisht është kohë e cila ndikoi në proces. Procesi i rindërtimit për banesat individuale ka përfunduar për ato familje që është bërë projekti TIP nga FSHZH dhe ka përfunduar edhe për ato familje të cilat kanë përfituar nga grantet e rikonstruksionit për ta rindërtuar vet banesën e tyre. Në total janë 802 banesa individuale të përfunduara në të gjithë Bashkinë e Shijakut dhe njësitë administrative.
Elton Arbana Kryetar i Bashkisë Shijak duke folur për Portën Vendore
Sakaq specialisti Filip Gjoni, me profesion arkitekt pranë zyrës së projekteve në Bashkinë Shijak, tregon për Porta Vendore se ndikimi i rritjes së çmimeve, duket se është kosto për kompanitë e tenderuara të cilat duhet të përfundojnë projektet me vlerat fillestare që kanë ofruar.
“Arsyet kryesore që janë krijuar për momentin për vonesën në përfundimin e procesit të rindërtimit, janë ndryshimi total i vlerës së objektit. Rritja e çmimit të hekurit, betonit, materialeve të ndërtimit, por edhe e karburantit ka ndikuar në procesin e rindërtimit dhe vonesat janë pasojë. Që prej muajit shtator janë ndjerë rritjet e para të çmimeve dhe vlera aktuale e materialeve të ndërtimit është të paktën 70% mbi çmimet fillestare që kanë paraqitur kompanitë e tenderuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo gjë përkthehet në kosto për këto kompani pasi u duhet të përfundojnë objektet me vlerat fillestare. Gjithashtu një tjetër vonesë specifike që u has në procesin e rindërtimit në Bashkinë Shijak është dhe kolektori që kalonte përmes projektit dhe që u desh të devijonim hapjen e gropave për themelet e pallateve”, tha Filip Gjoni.
Deri më tani në Bashkinë Shijak janë përfunduar dhe dorëzuar 802 banesa individuale (shtëpi private) ndërkohë që 571 familje trajtohen ende me bonus qiraje deri në përfundim të objekteve në lagjen lugina dhe zonat përreth Shijakut. Sakaq Kryeministri Edi Rama ka ndarë video të procesit të rindërtimit në zonën e Shijakut herë pas here, duke theksuar se “në 31 pallatet që do të përfundojnë së rindërtuari në Bashkinë Shijak, do të dorëzohen 660 apartamente për familjet e prekura nga fatkeqësia e 26 nëntorit të vitit 2019”. Lagja e re Lugina po ndërtohet në një hapësirë 25 000 metra katrorë, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme e saj do të jenë parqe, hapësira të gjelbra dhe ambiente shërbimesh për komunitetin. Por Kryeministri nuk përmendi afate.
Edhe kreu i Bashkisë Shijak, Elton Arbana nuk ka një datë të saktë për përfundimin e këtij procesi, por thotë se sapo të nisë shpërndarja sipas shortit, secila familje parashikohet të marrë një hyrje në ndërtesat dhe pallatet të cilat po ndërtohen në të njëjtin truall.
Sakaq së fundmi, për shkak të situatës së krijuar nga rritja e çmimeve, 780 biznese që kanë kryer apo janë duke kryer punime në kuadër të Programit të Rindërtimit pas tërmetit të 2019-ës, nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, është ky vendim i datës 22 maj 2022. Qeveria i përjashtoi nga taksa ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka lëshuar autorizimin që konfirmon se sipërmarrja nuk ka detyrim të paguajë TVSH nëse aktiviteti, malli apo shërbimet janë produkt i Programit të Rindërtimit. Nga ky vendim nuk kanë përfituar vetëm kontraktorët që kanë fituar tendera nga autoritetet, por gjithashtu dhe nënkontraktorët apo furnitorët e tyre të angazhuar në zbatimin e kontratave. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimi, tregoi se do të kompensohen me 30% të vlerës së kontratave aktuale, subvencion ky i cili miratohet pas analizimit të faturave.
Deri tani për ndërtimin e pallateve në Shijak janë zhvilluar tri procedura tenderuese nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë totale 1.4 miliardë lekë të reja pa TVSH. Procedura e parë është zhvilluar për Paketën A të ndërtimit të pallateve, me vlerë 580 milionë lekë, procedura e dytë për paketën B për ndërtimin e pallateve, me vlerë 630 milionë lekë dhe procedura e tretë për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor me vlerë 196 milionë lekë.