Vëzhgim/Analizë

2,7 mln euro për projekte turistike, shkatërrim pemësh dhe vonesa tej afateve në tre bashki

25 qershor 2022/ Porta Vendore/ Belsh, Skrapar, Dimal

Në 14 dhjetor 2020 bashkimi i kompanive “Vëllezërit Hysa” shpk dhe “Franko Construction” shpk lidhën kontratën me vlerë 323 milionë lekë me TVSH me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për zhvillimin e atraksioneve turistike duke u mbështetur mbi potencialet lokale. Kontrata ndahet në preventive, të cilat përfshijnë zonat turistike të bashkisë Belsh, bashkisë Dimal, rrugën Rrajcë-Sulaj dhe fshatin e Bogovës në Bashkinë Skrapar. Shpallja e fituesit ishte një hap i suksesshëm për fondet publike sepse fondi limit ishte 625 milionë lekë duke kursyer mbi 50% të fondit, por fillimi ka rezultuar një fasadë sepse një pjesë e mirë e punimeve nuk kanë përfunduar duke shkelur dhe afatet e përcaktuara në kontratë.

Nga këto projekte ka mbaruar vetëm rruga Rrajcë-Sulaj ndërsa të tjerët janë larg objektivave të përcaktuara në kontratë. Bashkimi i operatorëve drejtohet nga administratori Besnik Hysa dhe pjesëmarrja e kompanive është në raportin 95%  “Vëllezërit Hysa” shpk dhe 5% kompania “Franko Construction” shpk.

Bogova

Preventivi për fshatin e Bogovës me vlerë 55 milionë lekë me TVSH përfshin punimet në pedonale dhe rregullimin e rrugës nga qendra e fshatit për tek ujëvara. Në gusht nisën punimet, por sipas asaj që shihet në terren nuk është realizuar pjesa më e madhe e planit duke vënë në pikëpyetje monitorimin e punës nga FSHZH-ja sepse afati i punimeve prej 6 muajsh ka përfunduar në 31 janar 2022.

Bogovë, mungojnë urat prej druri të shkruara në kontratë. Foto: A.Kullau
Bogovë, trotuaret të pa rregulluara dhe mungon sistemi i ri i ndriçimit. Foto:A. Kullau

Kur pyetëm banorët për pedonalen e fshatit ata na thanë që kjo është shëtitorja, duke i referuar një distancë të shkurtër rruge ku mungonte sistemi i ri i ndriçimit, trotuaret e reja të shkruara në kontratë dhe në vend të tyre ishin trotuare të vjetëruara dhe të dëmtuara nga koha.

Kryetari i  Bashkisë Skrapar, zoti Adriatik Mema i pyetur për vonesat dhe mungesën e investimeve, që duhej të ishin kryer, tha se “punimet e rrugës me asfalt për tek ujëvara janë bllokuar për shkak të projektit të ujësjellësit të Beratit”. Megjithatë ai shton se ky tender është nën mbikëqyrjen e FSHZH-së dhe për informacione më të detajuara duhet t’u referohemi FSHZH-së.

Rrëshqitjet e dheut, pasi nuk është bërë rregullimi i mureve. Foto : A. Kullau
Mungesa e urave prej druri në Bogovë. Foto: A. Kullau

Ne kontaktuam FSHZH-në dhe e pyetëm për ecurinë e tenderit dhe sipas deklaratës së parë të dërguar në datën 12 janar 2022 janë realizuar 48% e punimeve, ndërsa afati ishte 12 muaj. Kjo deklaratë ishte kontradiktore me situatën në terren, pasi tabela e punimeve në Bogovë tregon afatin 6 muaj, kurse FSHZH 12 muaj. Po ashtu, ajo që vihet re në terren është fakti se urat prej druri nuk janë realizuar, rrjetat mbajtëse gjithashtu nuk janë ndërtuar, duke sjellë bllokimin e përkohshëm të rrugës.

Tabela ku shkruhet për punimet “6 muaj”, FSHZH deklaron 12 muaj. Foto: A. Kullau

Potenciali turistik është një arsye e mirë për të vizituar Bogovën, po ashtu si i gjithë qarku i Beratit që vuan mungesën e investimeve të studiuara të cilat i japin hov turizmit në një prej qyteteve më të varfra në Shqipëri sipas INSTAT dhe më të bukura në botë sipas UNESCO-s.

Belsh

Përmirësimi i zonës së liqeneve të Belshit kap vlerën më të lartë të investimit prej 157 milionë lekëve me TVSH, por ka vonesa në punime për shkak të përplasje me banorët e zonës për konflikte pronësie.

Depo Seferan në Belsh. Foto :A. Kullau

Punimet kanë nisur në janar 2021 dhe sipas afatit prej 12 muajsh tashmë duhet të kishin mbaruar.

Sot duhet të kishim zona plazhi te liqenet bashkë me magazinat në Seferan, të cilat kanë ngelur pezull. Nga 4 magazinat janë ngritur vetëm muret e një godinë ndërsa të tjerat janë larg afateve të përcaktuara.

Avdi Kasaj, banor i zonës pretendon se është pronar i truallit dhe ka paditur në gjykatë bashkinë Belsh për falsifikim dokumentesh dhe zaptim prone. Sipas Zotit Kasaj, në parcelën e prekur nga projekti janë dëmtuar 120 ullinj dhe shton se dëmtimi i ullinjve ka qenë i panevojshëm.

Në lidhje me vonesat, në deklaratën e parë, FSHZH thotë se ato kanë ndodhur për shkak të problemeve me banorët e zonës, ku nga konflikti është prekur dhe zona e liqenit të Marinzës. Punime nuk janë realizuar as te liqeni i Merjojes, rrugica për të shkuar te liqeni është e ngushtë dhe pashtruar dhe nga krahu i depos Seferan janë bërë disa rrugë vetëm për një destinacion.

Në lidhje me vonesat, kryetari bashkisë Belsh, zoti Arjan Tafani deklaroi se duhet ti drejtohemi FSHZH-së dhe se punimet do të vazhdojnë. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë se prona ku po zhvillohet projekti në Seferan është pronë publike. Në fakt banorët kanë zaptuar pronën publike.” e mbyll deklaratën Zoti Tafani.

Ndërkohë, FSHZH, në një deklaratë të dytë, përgjigjur interesimit të gazetarit, shprehet se kontrata për Seferanin është në proces inspektimi.

Përgjigjja e FSHZH për projektin e Seferanit.

Dimal

Dimali është destinacioni më i ri i cili ka marrë mbështetjen e qeverisë pasi për projektin në fjalë ka ardhur vetë kryeministri Edi Rama, ku FSHZH-ja ka bërë prezantimin për rehabilitimin e zonës së mbrojtur lumore.

Deri më sot, punimet me vlerë 84 milionë lekë me TVSH për rregullimin e fasadave dhe mbrojtjen e zonës lumore, kanë ecur me hapa të ngadaltë, ndërkohë që duke iu referuar kontratës afatet kanë mbaruar në janar të vitit 2022. Në kontratë shkruhet që data e fillimit është momenti kur nisin punimet ndërsa në videon kur është bërë prezantimi i projektit (24 janar 2021)  shihet qartë buldozeri i cili kryen gërmimet, ndërkohë që afati i punimeve është 12 muaj.

Tabela në zonën ku do zhvillohet një pjesë e projektit. Foto: A. Kullau

Deklarata e Bashkisë Dimal bie ndesh me deklaratën e parë të FSHZH-së përsa i përket punimeve sepse sipas FSHZH-së punimet kanë filluar në 24 prill 2021. Por në videon e 24 janarit 2021 jepet projekti  i prezantuar nga FSHZH-ja në terrenin ku do zhvillohen fushat e sportit, shëtitorja bashkë me makineritë që gërmojnë terrenin. Ndërsa bashkia Dimal në 18 janar deklaron:

“Nga korrenspondenca e mbajtur nga Drejtoria  e Planifikimit të Territorit pranë bashkisë, rezulton se punimet ende nuk kanë filluar nga Sipërmarrësi për shkak se: kjo referencë është  e ndarë në dy projekte”.

Në deklaratën e 3 shkurtit, FSHZH-ja deklaroi se KLSH po kryen auditim financiar dhe përputhshmërie  të objektit duke iu referuar tenderit në fjalë. Ne i kemi bërë përsëri kërkesë për informacion FSHZH-së për punimet, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë akoma një përgjigje.

Sipas transaksioneve të thesarit, për kontratën publike kompania “Vëllezërit Hysa” deri tani ka marrë nga FSHZH-ja 173 milion lekë ose më shumë se gjysmën e parave publike ndërkohë që projektet janë larg afateve të përcaktuara.