Ngjarje/Personazhe

Familjeve të komunitet rom në Baltëz të Fierit, i kthehet shpresa në sajë të bujqësisë

23 qershor 2022/ Arben Velo/ Porta Vendore/ Fier

Eduart Koçi është një fermer nga fshati Baltëz Bashkia Fier, që nuk e njeh lodhjen. I është përkushtuar tokës, me një zell të çuditshëm, që do ta kishin zili edhe fermerët më të zotë të krahinës së Myzeqesë. Është mesditë Qershori Rrugët e Baltëzës janë bosh. Ndërsa ai bashkë me disa fermerë të tjerë po nga komuniteti romë janë atje, mes parcelave me misër ngjyrë të gjelbër në të zezë, shenjë e shëndetit të plotë që gëzon bimadhe grurë, ngjyrë floriri.

Pasi ndjek brazdat që lë kultivatori mes rreshtave të misrit i cili ka nisur të zgjatet gati sa shtati i tij bëhet gati të pres autokombajnën që do të korr sipërfaqen e grurit mbjellë karshi misrit. Fshin djersët dhe i buzëqesh bimëve. Nuk ka më bukur se sa përzierja e buzëqeshjes së fermerit, të nxirë nga dielli i mes qershorit, me ngjyrën e artë të grurit dhe misrit të gjelbër

30 familje rome nga 250 familje gjithsej të këtij komuniteti në fshatin Baltëz Bashkia Fier, kanë përfituar saj një bashkëpunimi të shoqatës së Resurseve Gjenetike dhe shoqatës TIRC ( Të gjithë për romët), duke mbjellë 30 ha në tokën që kanë përfituar sipas ligjit 7501. 15 ha janë mbjellë me grurë dhe 15 ha me misër. Dhe që prej mbjelljes për këtë komunitetet të fermerëve romë nuk ka më ditë pushimi. Ka vetëm punë.

Eduarti sqaron se ideja ka lindur qysh vitin e kaluar. “Nuk kishim mundësi të ushqeheshim sidomos pas Covidit dhe problemeve që solli kjo pandemi”, nis rrëfimin ai.

“Projekti ka lindur si ide qysh në vitin e kaluar, ka dy vjet. Duke parë problematikat që këto familje nuk kishin mundësi të punësoheshin dhe të vetëpunësoheshin, ne kemi bredhur nëpër donatorë,dhe aplikuar nëpër donatorë. Nuk u lodhëm, me durimin e romit, sikurse thuhet në fjalën tonë, shkuam dhe kërkuam ndihmë jo lëmoshë, por për punë”, vijon duke buzëqeshur.

“ Merrni thasët me pleh të karroca dhe hidheni te zetori” iu tërheq vëmendjen dy të rinjve që në ato momente po shkarkonin plehun kimik në fillim të arës me misër.

Të rinjtë rrëmbejnë thasët nga karroca dhe drejtohen te zetori, ku është instaluar kultivatori dhe mbajtësja e plehut kimik.

Komuniteti rom përbëhet nga më shumë se 320 familje në Baltëz, Bujqësia është fusha ku operojnë më shumë këto familje Prona e tyre arë, futet në kategorinë e tokave të që janë të përshtatshme për çdo kultivim, e sidomos për grurë dhe misër. Por si në çdo zonë edhe këtu ligji 7501 krijojë copëzim në ngastra të vogël të tokës, 

“Na është përgjigjur thirrjes Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë që e falënderojmë pa masë se është gjendur në këto ditë shumë të vështira për komunitetin ku të ardhurat janë zero dhe është gjendur duke investuar për 30 ha tokë dhe që janë 15 misër dhe 15 grurë. Deri tani është prodhimi shumë i mbarë, për dhjetë ditë fillon shirja, që këta të marrin të ardhurat një herë në vit e që janë të konsiderueshme, por që familjet pavarësisht se do të sigurojnë bukën e gojës për vete kanë edhe për të shitur”, shpjegon Eduarti për Portën Vendore

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë i fokusuar në mbështetjen e nismave për shtresa vulnerabël të popullsisë, duke përfshirë edhe ato që vijnë nga fusha e bujqësisë, mbështeti këtë nismë. Nëpërmjet projektit pilot “Fuqizimi social-ekonomik i grupeve vulnerabël nëpërmjet bujqësisë”, fondacioni iu ofrojë komunitetit rom në Baltëz modelin praktik që ata duhen të zbatonin në sektorin e bujqësisë. Por cili është qëllimi final i këtij projekti ? Nëpërmjet angazhimit të fermerëve romë në bujqësi ata do të fuqizoheshin ekonomikisht, duke shtuar të ardhurat e tyre nga kultivimi në tokat pronë e duke ngritur një model ferme që do të shërbente me zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.

Por cila është ndihma konkrete që iu jepet familjeve rome ? Në 30 ha atyre i jepet ndihmë që nga ngarja, plehrat kimike, pesticidet, farërat, korrja, etj. Çfarë janë punë krahu,vaditja, pastrimi i kanaleve i bën vetë fermeri. Një familje i ofrohet rreth 2.5 milionë për një ha, duke ndihmuar kështu dhjetëra të tilla.

Ideja e Eduartit iu transmetua gjithë familjeve rome, banuese në këtë fshat. Fillimisht kishte skepticizëm. Pastaj u ra dakord pas marrjes së mbështetjes fillestare prej donatorit, që pjesëtarë të bëheshin ato familje që kishin tokën në një zonë kadastrale, në një parcelë.

Në vitin 2021 nisi zbatimi i fazës së parë pilot i projektit mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërin딓Fuqizimi social-ekonomik i grupeve vulnerabël nëpërmjet bujqësisë” dhe angazhimit të Shoqatës së Resurseve Gjenetike të Bimëve (AGPR) ku fillimisht 14 familje fermerë bashkuan tokat e tyre në një sipërfaqe prej 11.6 ha. Faza e parë rezultoi e suksesshme. Përveç fuqizimit ekonomik, u arrit edhe të fuqizohej besimi i fermerëve te njëri tjetri. U prodhua rreth 564 kv grurë, dhe fermerët mësuan të zbatojnë teknologjinë bashkëkohore në mbjellje të drithërave, përzgjedhjen e farërave cilësore, plehrave pesticideve. Në sajë të punës dhe mbështetjes, çdo familje anëtare në projekt arriti të përfitonte deri në 15 mijë dollarë të ardhura Në vitin e dytë të zbatimit të projektit , numri i familjeve pjesëmarrëse u rrit në 15.

Fermerët në projekt u pajisën fillimisht me planimetritë e parcelave dhe më pas me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Me mbështetjen e projektit po punohet për pajisjen për herë të parë të fermerëve me certifikatat e pronësisë.

“Duke qenë se familjet tona janë fermerë dhe janë të lidhur me tokën, sikurse iu thashë më lart, ramë dakord që të punojmë bashkë dhe të ndajmë fitimin po bashkë por sipas dynymëve. Nëse unë kam psh 5 dynym tokë të vendosur në këtë projekt, do të marr prodhimin për 5 dynym. E kështu me radhë. Pra ne kemi 30 ha në total, kemi mbjellë siç thashë 15 dynym me grurë dhe 15 me misër dhe punën e krahut e bëjmë vetë, ndërsa pesticidet, plehrat dhe mekanikën bujqësore e paguan donatori.” shpjegon Eduarti.

Duke parë ecurinë e kësaj ideje, janë rritur kërkesat për tu futur aty edhe familjet të tjera nga komuniteti romë.

Ali Koçi, është një prej fermerëve që fati i ka buzëqeshur të jetë pjesë e këtij organizimi. Duke iu bërë apel bashkëfshatarëve të tij për të punuar tokat, ai tregon se puna deri në këto momente po ecën mirë.

“Unë kam 8 dynym e gjysmë po na ecën puna mirë deri tani. Po na vazhdoj puna kështu do të vazhdojmë me këtë organizim. Kemi shumë shpresë që shoqata që na ka dhënë ndihmë do të vijoj me projektin dhe brenda tij do të futen më shumë familje rome. Ne jemi shumë punëtorë dhe ju duhet ta dini”, thotë ai duke na hedhur duart në sup.

Kaman Vizani është një fermer rom i cili nuk është bërë ende pjesë e këtij projekti. Ai e dëshiron shumë të jetë pjesë. Por duke qenë se sipërfaqja e tokës së tij dhe e shumë romëve të tjerë nuk ndodhet në parcelën arë që përfitoi nga donatori, ai shpreson që në të ardhmen të jetë edhe ai, pse jo njëri prej fermerëve përfitues. Nga ana tjetër ai ngre edhe një shqetësim.

“ Se kam tokën këtu unë, na i kanë ndarë me hile tokat na i kanë dhënë ne të tjerëve me një vend, ku tokat nuk kanë ujë. Këtu prodhimi është shumë i lartë, këta kënaqen shiko se si është gruri këtu është një pëllëmbë. Ndërsa ne, ehaa, tokat tona duan ujë për tu vaditur. Shpresojmë që pas pastrimit të kanaleve që ka bërë bashkia, të vijë ujë edhe te arat tona,” uron ai.

Ndërsa Eduarti shkon edhe më tej, duke rrëfyer për Portën Vendore se : “Shumë familje nga komuniteti më parë e jepnin tokën me qira pasi nuk kishin të themi edhe dëshirë të punonin. Ndërsa tani shumë pak prej tyre kanë dhënë tokë me qira, e punojnë vetë”, plotëson Eduarti.

Mekanizatori Gëzim Shabani vjen nga fshati Seman. Po punon me kultivatorë misrin. Si të thuash është mekanizatori që duan fermerët e këtij komuniteti për të punuar të mbjellat e tyre. Duke hedhur poshtë idenë se familjet rome nuk punojnë por vetëm shtegtojnë ai na thotë se:

“Unë po punoj këtu te këto familje edhe ata janë punëtorë të mëdhenj, paçka se thonë se romët nuk punojnë. E kanë gabim ata që thonë këtë gjë. Ka prodhim shumë të mbarë si gruri dhe misri dhe bravo ju qoftë”, përfundon ai duke hipur në zetorin e vet.

Autokombajna ka arritur mes tokave me grurë. Dhe nis punën. Fermerët romë të Baltëzës po korrin për herë të dytë prodhimin e pritshëm, Deri sot janë korrur 8 ha nga 15 gjithsej. Rendimenti është mjaft i kënaqshëm. Shtatëdhjetë deri në 80 kv për ha. Lufta në Ukrainë ka rritur kërkesat për grurë në mbarë botën. Edhe për këta banorë, gruri ,buka e përditshme, është kthyer në kryefjalë të ditës. Zhurmës së korrëses i bashkohet edhe zëri i gëzueshëm i Eduartit dhe pjesëtarëve të tij të familjes. Në sajë të punës, në ngastrën e tij prej 8 dynym, pjesë e projektit ai po merr 56 kv grurë, me një rendiment 70 kv grurë për ha. Fermeri thotë se investimi të paktën deri në korrje i drithit ia vlen

“Unë kam 8 dynym të këtu. Do të thotë që një dynym ka dhënë me shtatë kv dhe unë kam marrë dyfishin këtu. Unë e prisja 5 kv për dynym dhe kam marrë shtatë tetë, por kush punon e gëzon.”

Çdo familje po korr pjesën e vet të grurit dhe pasi të plotësoj nevojat e saj do të shes në treg prodhimin e tepërt. Por fillimisht ne do ta mbajmë atë në shtëpitë tona, sepse e dimë që çmimi në treg do të ketë rritje. Kemi shpenzuar për të prodhuar grurë më shumë se sa vitin e kaluar. Urenë e kemi blerë me 12 mijë lekë , nitratin me 11 mijë, Plugimet i kemi bërë me 1700 lekë dynymin. Kështu që do të presim e shohim si do të shkoj çmimi i grurit për kv e pastaj secili të bëjë zgjedhjen e vet”, thotë një tjetër fermer.

 Autokombajna ka ndalur në fillim të parcelës. Mekanizatori Alfred Dumi nga kabina i bënë me shenjë zetoristit të ofrohet afër autokombajnës. Do të shkarkohet pjesa e grurit të përfituar.

“Me këtë prodhim do të mbuloj shpenzimet e familjes që do siguroj bukën, do të siguroj dhe farën dhe pjesën tjetër do ta shes. Por që janë të ardhura të kënaqshme të themi, Këtë vit duke parë edhe çmimet që janë rritur se edhe kostot që kemi mbjellë nuk janë të pakta, janë të larta Edhe kur ta shesim shpresojmë me një çmim të arsyeshëm që edhe vetë të ngelemi të kënaqur”.

Por a e ka të sigurtë ai tregun për të shitur ?

“Ne kemi kërkesa shumë, pothuajse nga Tirana, Fieri, nga gjithë qytetet, sepse ne e kemi publikuar në rrjetet sociale dhe është hapur lajmi shpejt. Duke parë që edhe kërkesat për grurë janë shumë të larta dhe dihet kriza siç ndikon tani”

Mekanizatori Alfred Dumi  zbret nga autokombajna dhe pasi na takon shpreh kënaqësinë e tij për punën që kanë bërë fermerët romë. Ata janë njerëz punëtorë-pohon ai. Por nuk harron të thotë se ende fermeri myzeqar nuk po arrin të mësohet që të shtoj sipërfaqen e tokës të mbjellë me drithë, kryesisht grurë apo misër. Sipas tij duhet parë nga shteti mekanizmi për të ndihmuar fermerët të shtojnë sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë jetike.

 “Sipërfaqet janë të pakta sepse nuk ka patur interes për mbjelljen e grurit, tani në momentin që filloj lufta gruri ishte mbjellë, nuk mund të mbjellësh ti në atë moment. Ai ka stinën , ka kohën, kështu që nuk ka sipërfaqe, sepse ishte mbjellë gruri kur filloj lufta. Do të ishte mirë që shteti ti shikoj këto gjëra. Ti vërë mekanizmat në punë. Nuk e di ai se sa toka ka? Ti thotë kryeplakut, të iki shkallë-shkallë, Sa toka janë? kaq. Do t’ju subvencionojmë. Të mbillet grurë..”

Statistikat e AREB Lushnjë, tregojnë që sipërfaqja e tokës mbjellë me grurë këtë vit  është pothuajse e njëjtë me vitin 2021 Vjet fermerët e qarkut Fier mbollën 14 215 ha. Këtë vit janë mbjellë 14 311 ha, me një rritje sipërfaqeje prej 0.68 ha.

Gruri dhe misri i mbjellë nga familjet rome hijeshojnë tokat që dikur ishin djerrë. Gruri duket sikur ka depozituar e kthyer në kokërr të artë djersën e këtyre fermerëve. Misri vijon të përkthej këtë djersë në një ngjyrë të gjelbër të errët duke na treguar se tashmë familjet romët e kanë mësuar sekretin se si të gjelbërojnë arat e tyre.

“Shpejtojmë vëllezër- vijon të thotë Eduarti. Ta mbarojmë dhe këtë punë, sepse po pushuam më gjatë- do të nxihemi më shpejt. Dhe boll jemi të nxirë”-, qesh ai. Perëndimi po shfaqet mbi fushat e Baltëzës, në këtë fshat, ku tashmë fermerët romë kanë si moshë punën dhe jo vitet.