20 qershor 2022/ Aldo Mustafa/ Porta Vendore/ Durrës
Ndërtimi i portit të ri në zonën e Porto Romanos, ka sjell revoltim tek vetë banorët, pasi sipas tyre po i merret prona pa i pyetur. Me shpresën se qeveria do të reagojë ata kanë protestuar disa herë lidhur me mënyrën se si vetë kompania dhe shteti po reagon.
Më 21 maj 2022, kompania holandeze ka prezantuar projektin e shumëpritur të portit të ri tregtar i cili do të zhvendoset në një ndër zonat periferike të Durrësit, në Porto Romano. Deri më tani është njoftuar se ky port i ri do të ndërtohet në disa faza. Kryeministri Edi Rama ka si synim që kjo vepër të kthehet në një njësi tregtare jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet fqinje, ai është shprehur se:
“Vepra për të cilën synim është që të jetë porta hyrëse e Ballkanit Perëndimor, po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në një mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model”.
Porti i ri në Porto Romano, pritet që të shtrihet në një zonë mbi 400 hektarë, me kapacitete për të vendosur 2 milionë kontenierë dhe sipas projektuesve holandezë me një distancë të shkurtër me Prishtinën dhe Shkupin.
Që në hapat e parë të nisjes së punës për këtë projekt, duke se tashmë qeveria ka shkaktuar jo pak pakënaqësi me familjet të cilat preken nga këto ndërhyrje, pasi përllogaritet me dhjetëra numri i familjeve apo pronarëve të cilët duhet të dëmshpërblehen për shembjen e banesave, apo të likuidohen dhe shpronësohen për tokat në të cilat kalon projekti. Pavarësisht se një pjesë janë shpronësuar dhe likuiduar, duket se rreth 70 pronarë të disa hektarëve tokë në këtë zonë, nuk kanë kaluar përmes këtij procesi pasi ata as nuk janë shpronësuar.
Kjo situatë ka sjellë një konflikt dhe përplasje fizike të qytetarëve me policinë, pasi këta të fundit kanë ardhur për t’i larguar me forcë pronarët e tokave me arsyetimin se ata janë duke penguar punimet. Ajo çfarë këta banorë tregojnë për Porta Vendore, është se fillimisht janë njoftuar me datë 9 maj se në tokën e cila është në pronësinë e tyre, po nisin punime. Më tej ata i janë drejtuar tokës ku edhe janë përballur me punonjës të firmës së nënkontraktuar për punimet në atë terren dhe nuk kanë lejuar më tej punimet duke kërkuar ndihmën e policisë, por këta të fundit nuk u kanë ardhur në ndihmë. Pronarët e tokave në Porto Romano, i janë drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ku edhe kanë adresuar ankesat e tyre, por një muaj më pas, me datë 8 qershor, këta banorë janë përballur edhe një herë me punonjës së kompanisë nënkontraktore, të cilët ishin rikthyer për të vazhduar punimet. Në mungesë të një zgjidhje, pronarët e tokave kanë njoftuar policinë, por ndërhyrja e bluve të qytetit të Durrësit, nuk ka rezultuar të jetë në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur pronat e tyre, por janë përpjekur të largojnë qytetarët drejt banesave të tyre.
Duke marrë shkas nga ky qëndrim, pronarë dhe banorë të cilët preken në mënyrë direkte nga punimet që po kryhen për projektin e portit të mallrave, janë ngritur në protestë më datë 9 qershor, duke bërë rezistencë, pasi ata rezultojnë të mos jenë njoftuar, shpronësuar, apo likuiduar në asnjë moment pavarësisht se dokumentacionet e tokave të tyre janë të rregullta. Kastriot Xhani tregon për Porta Vendore problemin e tij në lidhje me tokën:
“Në një kohë kur nuk kemi asnjë lloj projekti dhe asnjë lajmërim nga shteti, vetëm na thanë se kanë ardhur për të marrë tokat tona dhe kanë mbështetje nga policia. Është përdorur forcë nga policia. Firma tha që kjo është tokë shtet. Pretendojnë që këtu 6 metra janë tokë shtet dhe asnjë gjë tjetër. Ne kemi bërë një denoncim me datë 10 maj në polici dhe na kanë përcjellë, në momentin që do dilnim përjashta, na kanë thënë plotësojani si intervistë dhe nxirrini përjashta. Ne shkuam për denoncim, jo për intervistë. Na thanë që çështja ka kaluar në prokurori, prokuroria u bë një muaj që nuk na ka kthyer asnjë përgjigje. Përgjigje kemi marrë dje nga policia që na ka hequr makinën me zor nga rruga, kanë sjellë karrotrec. E kanë denoncuar si makinë të braktisur, kur e panë që makina ishte me letra, na kanë hequr me forcë. Makina u vendos për të mos lejuar punimet nga ana jonë. Aktualisht 14 pronarë kanë pjesë në gjurmën e rrugës ku kalon projekti, ndërkohë në realitet janë 70 pronarë në të gjitha pronat. Janë 280 dynym tokë që këta pretendojnë të marrin”, tha ai duke vënë theksin tek tmerri i madh që është krijuar në lagje, për shkak të kësaj situate, ku fëmijët janë ata që po stresohen më së shumti.
Ndër të tjerë banorë Tina Xhani është shprehur se banesa e saj nuk është ndërtuar në këtë tokë gjatë viteve të demokracisë, por që në vitet 1960 dhe ndaj kërkon dëmshpërblim për të.
“Banesa ime aktualisht është afër portit, afër pronës të cilën neve duan të na e marrin me zor. Banesa ku unë jetoj nuk është as e viteve 1990, as pas atyre viteve, por është e viteve kur e ka ndërtuar Italia. Momentalisht problem i parë që kemi është sepse na është dhënë një projekt që na prek tokën një rrugë. Ndërkohë që në një projekt që kryeministri ka nxjerrë në televizion, nuk figuron asnjë lloj rruge në këtë territor. Se kush është projekti i saktë ne nuk e dimë! Në rregull nëse ka një projekt rruge, atëherë ku janë letrat? Asnjë gjë nuk na është thënë dhe nuk na ka ardhur asnjë lloj lajmërimi nga shteti. I vetmi lajmërim është që kompania na ka sjellë një gjurmë dhe është thënë që do të punojnë. Mundësisht na është thënë që nëse ne nuk ia japim në këtë lloj mënyre, ata do ta marrin me shtet. Nuk e dimë sesi funksionojnë gjërat!” shprehet e indinjuar Tina Xhani për Porta Vendore.
Erjon Gjuzi një tjetër banor i ngritur në protestë ka treguar shqetësimin e tij në lidhje me këtë projekt:
“Sot jemi mbledhur me disa pronarë tokash në zonën e Porto Romanos. Kompania e cila është kontraktuar nga shteti për të zhvilluar projektin e rrugës, ka bërë një devijim, modifikim të rrugës që duhet të bëjë, e cila ndodhet pranë kanalit të hidrovorit, ka gati 1 muaj që vazhdon kjo situatë. Aktualisht kemi bërë një kallëzim penal për personat e kompanisë të cilët janë gjetur në flagrancë në tokat tona, pa pasur një leje ndërtimi apo zhvillimi të projektit. Kemi një muaj që presim një përgjigje nga policia dhe aktualisht përgjigje nuk ka. Përgjigjja më saktë ishte dje kur forcat e policisë na larguan nga tokat tona për të lejuar kompaninë të zhvillonte punimet pa leje ndërtimi. Përsa i përket dokumentacionit, të gjithë banorët disponojnë certifikata të rregullta pronësie. Asnjë organ shtetëror, institucion, nuk ka ardhur apo nuk ka komunikuar ndonjë lajm, apo informacion për personat që preken, sa preken apo cila është vlera e shpronësimit. Rruga e cila është shpronësuar anash kanalit për t’u zhvilluar, aktualisht personat kanë marrë lekët, janë ndjekur procedurat nga shteti dhe atje ku duhej të bëhej rruga nuk po bëhet. Ndërkohë po del krejtësisht nga krahu tjetër, këtu tek ne dhe nuk po ndiqet asnjë procedurë e rregullt. Jemi interesuar tek të gjithë institucionet dhe tek ARRSH dhe nuk ka asnjë informacion apo projekt zyrtar të konfirmuar”, sqaron Gjuzi, i vendosur për ti shkuar deri në fund kauzës.
Për Majlinda Xhanin, nisja e punimeve pa komunikuar më parë me banorët, quhet zaptim. Ajo shprehet për Portën Vendore duke thënë se firma nënkontraktuese, Geci, ka hyrë me forcë në tokën e tyre.
“Deri më tani nuk na është thënë asnjë gjë. Që prej një muaji përballemi me të njëjtën situatë. Jemi mbledhur këtu të gjithë pronarët e tokës dhe kemi bllokuar rrugën që firma të mos vazhdojë me punimet. Kemi bërë denoncim në polici, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo shpjegim sesi do të veprohet me ne. Erdhën 50 policë, furgona dhe police femra për t’u marrë me ne, sepse bëmë rezistencë dhe ajo që pamë ishte se shteti nuk ishte në anën tonë. Na përzunë dhe mundësisht deshën të na arrestonin që të futej firma siç janë futur kamionët. Për ne quhet zaptim me forcë me ndihmën e shtetit. Ne jemi pronarë të ligjshëm me tapi dhe letra të rregullta, kemi shkuar në ARRSH dhe kemi pyetur për ndonjë dokument dhe deri më tani na është thënë që nuk ka asnjë dokument që të bëhet kjo rrugë. Ne kërkojmë një zgjidhje nga shteti, por ama dhe shteti të mendojë siç duhet dhe jo të mbështesim firmën nënkontraktuese Geci. Ne kërkojmë të bisedojmë dhe me firmat dhe askush nuk pranon apo të vijë të flasë me ne për bisedime. Shteti jo e jo, por as firmat private. I jemi drejtuar policisë dhe kemi bërë denoncim, por kam përshtypjen që denoncimi ynë është hedhur në kosh mbeturinash. Deri më tani nuk është marrë asnjë gjë parasysh nga ana e shtetit!” artikulon Xhani, duke shpresuar në zgjidhjen e situatës së tyre,
Pavarësisht situatës së krijuar në zonën e Porto Romanos, banorët janë shprehur se nuk kanë si qëllim ndalimin e punimeve, apo pengimin e projektit, por e vetmja zgjidhje që kërkojnë është që të gjitha procedurat të ndiqen në rrugë formale duke kryer njoftimet përkatëse, shpronësimet dhe përgatitjen e të gjithë procedurave që parashikon ligji në raste të tilla.