19 qershor 2022/ Blerina Moka/ Porta Vendore/ Tiranë
Organizatat mjedisore në vendin tonë janë pro aleancave mes aktorëve të shoqërisë civile në mbrojtje të çështjeve të ndryshme që shqetësojnë komunitetin.Gjatë forumit me temë “Bashkë më të fortë” i organizuar nga Lëviz Albania, në kuadër të aktiviteteve të Javës së Demokracisë Vendore, aktorë të shoqërisë civile, individë dhe grupime informale, grantmarrës të Leviz Albania dhe donatorë të huaj që veprojnë në vendin tonë, diskutuan mbi rëndësinë e bashkërendimit të energjisë dhe bashkëpunimit me qëllim arritjen e suksesit në nismat dhe kauzat e shoqërisë civile.
Aktivistë të angazhuar në ngritjen e zërit për çështjet mjedisore, vullnetarizmit, mobilizimit qytetar dhe atij komunitar prezantuan një panoramë të plotë të arritjeve të deritanishme në konsolidimin e koalicioneve të shoqërisë civile. Por rrjetëzimi i organizatave në fushën e mjedisit dhe çështjeve të tjera që shqetësojnë komunitetit nuk ka qenë i lehtë.
Nga një hulumtim i kryer në kuadër të një projekti për rrjetëzimin e organizatave, mbështetur nga Lëviz Albania dhe prezantuar nga eksperti Gentian Elezi, realizuar mbi bazën e një projekti për rrjetëzimin e organizatave, u vu në dukje se avantazhet e bashkëpunimit mes organizatave janë të dukshme, si rritja e potencialit dhe impaktit të ndërhyrjes, rritja e besueshmërisë, përmirësimi i imazhit të tyre, dhe rritja e aksesit tek politikbërësit.
“Duke u bërë bashkë disa organizata, disa grupe apo individë, ata plotësojnë njëri-tjetrin, por sfidat kryesore bazuar në analizën e kryer mbi projektet e mbështetura nga Lëviz Albania, apo diskutimeve që kemi patur në lidhje me aleancat lidhen me nivelet e ndryshme të punës që ka secila organizatë ku vërehen ndryshimet mes metodologjisë së punës së një organizate me përvojë 20-vjecare dhe organizatave të reja”, u shpreh eksperti Gentian Elezi.
Sipas Elezit, një tjetër sfidë në zhvillimin e projekteve nga aleancat e krijuara mes aktorëve të shoqërisë civile, mbetet komunikimi dhe besimi apo ruajtja e identitetit apo profilit të organizatave që ndoshta në aleancë nuk e gjejnë veten apo kauza e tyre për të cilat janë krijuar.
Eksperti Gentian Elezi theksoi gjithashtu se, nga analiza e projekteve të zbatuara nga rrjete të organizatave, dominimi i organizatave lider në aleancë rrezikojnë lënien në hije të organizatave të tjera, të cilat nuk arrijnë të identifikohen dhe të shprehin mendimet e tyre apo qëndrimet, ndonëse janë brenda kësaj aleance duke mos u ndjerë të përfaqësuara.
“Lëviz Albania e konsideron të rëndësishme ndërtimin e aleancave të organizatave të shoqërisë civile. Janë 36 projekte nga 194 projekte në mbështetje të organizatave të shoqërisë civile, ose 20 % e projekteve që ka mbështetur me grante Lëviz Albania, janë zbatuar me partneritete. Ajo që kemi bërë është të incentivojë përfshirjen e organizatave të vogla të reja, që kanë peshë në komunitet”, tha Elezi.
Në fund të prezantimit ai theksoi nevojën e pasqyrimit të dy qasjeve, përfshirjen e organizatave të reja që mbështeten nga komuniteti dhe krijimi i aleancave organike reale dhe jo formale.
Një nga projektet e konsideruara si shembull i partneritetit mes organizatave të shoqërisë civile, e mbështetur nga Lëviz Albania ishte “Engona”, projekti për rrjetëzimin, ku synohet partneriteti i shumicës së organizatave mjedisore.
“Qëllimi i projektit ishte ndikimi në një kohë më të shkurtër ndaj problematikave mjedisore dhe mbyllja e hapësirave të fragmentarizimit. Ne vumë re se këto organizata nuk bashkëpunonin shumë me njëra-tjetrën dhe kishin konkurrencë mes tyre ndaj ne synuam mbylljen e këtij hendeku dhe përfitimin e sa më shumë fondeve prej tyre me qëllim realizimin e zgjerimin e kapaciteve dhe përmbushjen e synimeve të tyre të përbashkëta”, u shpreh një nga ekspertet e projektit Eneida Leka.
Ndërsa menaxherja e projektit “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, Besiana Guri theksoi disa nga sukseset e arritura për ruajtjen dhe mbrojtjen e lumenjve të egër në rajonin e Ballkanit, ku Vjosa, është një prej tyre.
Ekspertja e EcoAlbania Besiana Guri nënvizoi se partneriteti mes organizatave mjedisore në rang vendi dhe rajoni, frenoi ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosë, përveç 2 të tillëve, ai i Poçemit dhe Langaricës, të cilat nuk patën vlerësim mjedisor të mirë si pasojë e të cilave u përfitua për marrjen e lejes së ndërtimit.
“8 diga ishin të planifikuar të krijoheshin në rrjedhën kryesore dhe fatkeqësisht një prej tyre ai Langaricës u ndërtuan si pasojë e vlerësimeve mjedisore shumë të dobëta dhe pa konsultimin publik”, u shpreh ekspertja Besiana Guri.
Ajo tha se organizimi i protestave, lobimit, mbështetja e medias, përfshirja e personazheve të njohur publikë me influencë dhe mbështetja e politikanëve siç ishte presidenti Meta apo mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë duke e bërë çështjen e Vjosës, pjesë të progres-raportit të BE, si kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndaloi ndërtimin e planifikuar të hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës.
“Nuk ishte e lehtë për ne të arrinim tek aktori me famë botërore Di Caprio por ai na dha shtysë të madhe për sa i takon përhapjes së mesazhit tonë, prej vitit 2019”, tha ekspertja e EcoAlbania Besiana Guri.
Aurora Leka, aktiviste e shoqërisë civile, përmendi rastin e Zall Gjocaj, ku banorëve të kësaj zone iu ofrua mbrojtja në proceset gjyqësore për ruajtjen e parkut kombëtar i shpallur prej vitit 1996.
“Ky model bashkimi është mjaft i sukseksshëm dhe e kemi promovuar sa më shumë sepse jemi në kushtet kur banorët e një zone shumë të thellë malore, pa asnjë lloj infrastrukture e mekanizmi në duar, kanë arritur të bëjnë një punë kaq të mirë për mbrojtjen e kauzës së tyre. Atyre nuk kemi ç’tu kërkojmë por na takon ne si shoqëri civile që tu gjendemi pranë banorëve, duhet tu gjendemi banorëve pranë’, tha aktivistja Aurora Leka.
Ajo kërkoi që organizatat që operojnë në terren për çështjet mjedisore t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të bëhen bashkë për sfida që gjenden para tyre siç janë fushata e shpalljes së Vjosës park kombëtar dhe mbrojtja e Zall Gjocaj të cilit i është tkurrur sipërfaqja e parkut kombëtar sepse është ndërtuar një hidrocentral.
“Duke qenë bashkë, më të fortë të mos i mbyllim sytë para politikave gjoja mjedisore të ministrisë së Mjedisit me qese të zeza plastike për mbledhjen e mbeturinave sepse ajo që është bërë në Zall Gjocaj jo qeset por as ekskavatorët nuk e shkulin dot”, tha Leka.
Aktivistja theksoi se nevojitet më shumë reflektim dhe bashkëpunim dhe jo rrjetëzim formal për të çuar përpara çështjet në mbrojtje të komunitetit.
Në forumin “Bashkë Gjithmonë” diskutuan dhe përfaqësues të grupimit të avokatëve i njohur me emrin “Klinikat e Ligjit”, të cilët prej 2017 kanë qenë aktiv në mbrojtje të vendimmarrjeve të paligjshme.
“Kemi ndjekur 20 çështje prej 2017 dhe 3 prej tyre konsiderohen raste suksesi, siç ishte ndalimi i ndërtimit të thertores në zonën e Laknasit, Porto Romano për të cilën u organizuan protesta nga banorët, studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile e cila nga vendgrumbullim u vendos ndërtimi i një Ekoparku. Rasti i tretë është ai i Zall Gjocaj për të cilën pritet vendimi në Gjykatën e Lartë”, u shpreh përfaqësuesi i “Klinikave të Ligjit”, Franc Terihati.
Edhe çështjet e ndotjes akustike në zonat bregdetare kanë qenë pjesë e projektit mbështetur nga Lëviz Albania e cila zbatohet nga një rrjet organizatash.
Në diskutim u theksua rëndësia e advokimit të çështjeve të mjedisit duke u bërë bashkë grupime të ndryshme që janë aktivë në komunitet në mbrojtje të këtyre problematikave.
Në fund, një panel me ekspertë të Lëviz Albania iu përgjigj pyetjeve të aktorëve pjesëmarrës në forum.
Drejtori ekzekutiv i Lëviz Albania Erton Kashta në fjalën e tij tha se qëllimi është bashkëpunimi me aktorët e shoqërisë civile ndërsa donatorit apo projektit mbështetës I mbetet puna për krijimin e mjedisit mundësues.
‘Ndaj ne duam që efektiviteti i angazhimit të organizatave të jetë sa më I madh dhe kjo arrihet duke mbështetur organizatat në mënyrë të drejtpërdrejtë por dhe duke punuar për shtimin e kapaciteteve”, tha drejtori i Lëviz Albania, Erton Kashta.
Ai përmendi disa nga projektet e suksesshme siç janë mbështetja ligjore për organizata të ndryshme e ofruar nga ‘Klinikat e Ligjit”, financuar nga Lëviz Albania.
Ai theksoi se roli i individit është i rëndësishëm sidomos në zonat rurale ku me reformën e re territoriale, roli i qytetarit është mëi rëndësishëm.
Nga ana tjetër, roli i koalicioneve ka të bëjë me ndryshimet sistematike.
“Rasti i Zall Gjocaj tregoi se vetëm një organizatë nuk do të kishte sukses, dhe bashkimi i njohurive e dijeve ndikoi në arritjen e rezultatit”, tha drejtori i Lëviz Albania.
Java e Demokracisë Vendore organizohet për të gjashtin vit radhazi nga LevizAlbania, projekti i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.
Ky aktivitet është kthyer tashmë në traditë nga projekti i zbatuar prej tre organizatave të suksesshme si Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Co-PLAN, aktivitet në të cilin qytetarët dhe zëri i tyre kulmon së bashku me rolin qytetar për një demokraci vendore funksionale dhe të fortë.
Këtë vit Java e Demokracisë Vendore e Leviz Albania u mbajt nga data 6 Qershor deri në 11 Qershor dhe në të u përfshinë 13 qytete të vendit përmes 22 aktiviteteve që kanë qenë të hapura për publikun dhe qytetarët.