Esmeralda Hida
Pensionistët janë grupi që po vuajnë më shumë krizën në vend dhe rritjen e çmimeve. Ne renditemi në një nga vendet me pensionet më të ulëta, që të moshuarve nuk iu dalin as për të mbuluar nevojat bazë. Ndërkohë të dhënat aktuale tregojnë se situata do të përkeqësohet, pasi skema e pensioneve ka shumë probleme. Me datë 1 qershor, ISSH ka publikuar të dhënat për skemën e pensioneve deri në fund të vitit që lamë pas. Nga këto të dhëna evidentohet se, numri i kontribuuesve po vazhdon në rënie dhe shton rrezikun që në vitet e ardhshme nuk do mund të mbulojmë dot as vlerën minimale për pensionistët.
Menjëherë në tabelat e ISSH të bie në sy se vetëm në vitin 2020, ku vendi u përball edhe me një krizë, skema e pensioneve regjistron 35 mijë kontribuues më pak. Ndërkohë, po të marrësh të dhënat në 4 vitet e fundit, tregohet një reduktim drastik i kontribuuesve në skemën e pensioneve. Ndërsa numri i atyre që përfitojnë pension, të çfarëdo lloji është shtuar. Konkretisht, nëse në raport me vitin 2019 numri i kontribuuesve u shtua me 8,911 në vitin 2020, numri i pensionisteve është shtuar 22,274 vetë. Ndonëse në vitin 2021 numri i përfituesve të pensioneve u reduktua disi për shkak të koronavirusit, kjo nuk solli ndonjë ndryshim pozitiv.
Në tabelat e ISSH tregohet se në vitin 2021, numri i kontribuuesve regjistroi një rritje të lehtë, duke shkuar nga 747,875 persona në 790,835, por kjo nuk solli përmirësim në vlerën e pensioneve, për shkak se pagesat kanë qenë në nivel më të ulët dhe numri i personave që marrin pension vazhdon të mbetet më i lartë dhe larg raportit që kërkohet.
Kjo për shkak se edhe numri i pensioneve regjistroi rritje, pasi nga 665,863 përfitues, shkoi në 673,813 përfitues. Duke bërë krahasime shohim se numri i qytetarëve që marrin pension rritet me ritme më të shpejta se numri i kontribuuese. Nëse ecim në këto ritme me plus minuset në raportin kontribuues-përfitues, ka shumë gjasa që pensionet jo vetëm që nuk do të rriten, por kjo do shtojë dhe më shumë barrën fiskale të shtetit shqiptar.
Problem pensione rurale
ISSH ka publikuar më vete të dhënat për pensionet në zonat rurale dhe zonat urbane. Nga këto të dhëna evidentohet se hendeku më i lartë mes kontribuuesve dhe përfituese regjistrohet në pensionet e fshatit. Nga viti 2018 dhe deri në fillim të 2020 numri i kontribuuesve ruralë qëndron në linjat poshtë 60 mijë. Madje në 2021 jemi kthyer pas, jemi edhe më dobët se viti 2017 dhe 4 mijë me pak se viti 1019, që cilësohet si viti më pozitiv. Kjo vjen për shkak se në këto zona punët më të shumta përfshihen në sektorin e bujqësisë dhe ndërtimit, dy sektorë të cilët në të gjithë vendin regjistrojnë informalitet më të lartë. Sidomos pas pandemisë është ngritur edhe më shumë problematika se punonjësit e bujqësisë nuk janë të siguruar. Kjo sjell edhe nivelin më të ulët të kontributeve.
Nga ana tjetër, zonat rurale regjistrojnë numër të konsiderueshëm të përfituesve për kategori të ndryshme pensionesh. Vetëm në 2020, kur niveli i kontribuuesve pësoi rënie ai i përfituesve u rrit, pasi në total regjistroheshin 115,443 qytetarë që marrin pension.
Këtë problematikë e ka vërtetuar pak kohë më parë edhe Banka Botërore në një raport për vendin tonë. BB evidenton se shkak i dobësimit të skemës është mos balancimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për pensionet. Prandaj BANKA kërkon shtimin e monitorimit për ata të cilët duhet të regjistrohen si kontribuues, si dhe për ata të cilët përfitojnë pension, sidomos pensionet për invalidë apo regjime të tjera. Sipas raportit vëmendja duhet të fokusohet në pensionet e fshatit, sepse në këto raste risqet për mosmbulim të pensioneve po vijnë në rritje. “Është e rëndësishme të monitorohet ecuria e parametrave kryesorë siç janë shpenzimet e pensioneve, kontribuuesit dhe të ardhurat e kontributeve, normat e zëvendësimit dhe moshat mesatare të daljes në pension për të mbajtur nën kontroll efektet e reformave. Për më tepër, tendenca demografike dhe rënia e lehtë e niveleve të zëvendësimit vërejtur kohët e fundit sugjerojnë nevojën për të eksploruar burimet plotësuese të të ardhurave nga pensioni për individë me të ardhura të mesme të ulëta. Për më tepër, ka hapësirë për të punuar në disa aspekte specifike të sistemit të pensioneve si regjimet e veçanta dhe mbulimi i pensioneve të fshatit”, thuhet në raport.
Gabimet dhe zgjidhja për skemën e pensioneve
Sipas ekspertëve, skema e pensioneve është futur në krizë për shkak të gabimeve dhe boshllëqeve që ka ky sistem. Lidhur me këtë çështje, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, ka treguar se ku çalon në të vërtetë skema e pensioneve. Sipas tij, problemi kryesor dhe i përhershëm mbetët informaliteti në deklarimin e të ardhurave. Ndërsa tha se kanë ndikuar edhe ndryshimet e pabaza që janë bërë shpesh herë në ligjin për pensionet.
“Problematika e parë është që numri kontribuuesve me numrin e përfituesve vazhdon të ketë hendek mes tyre, çka bën që niveli i të ardhurave të jetë shumë i ulët se niveli i shpenzimeve. Kjo edhe për shkak të shpërndarjes dhe ndryshimeve demografike në vendin tonë. Problematikë tjetër është se niveli i informaliteti në vendin tonë është shumë më i lartë. Po ashtu në skemën e sigurimeve nuk regjistrohen të gjithë ata janë në gjendje pune dhe kjo përkthehet në më pak të ardhura për skemën e pensioneve. Këtu vazhdojnë me faktin se vetëm skema e pensioneve i llogarit kontributet që duhet të derdhen në bazë të pagës minimale dhe jo në bazë të pagës reale, çka gjithashtu sjellë më pak të ardhura në skemën e pensioneve. Ndikim të madh kanë gjithashtu dhe ndryshimet ligjore që janë bërë në vitin 2015 në ligjin me pensionet. Ku përveç pensionit, të moshuarit e moshës 70 vjeç marrin ndihmë sociale dhe kjo shton shpenzimet për skemën e pensioneve, ku edhe pse këto shpenzime mbulohen nga arka e shtetit, janë të ardhura të përfituara nga një proces taksimi. Ndikim ka gjithashtu edhe tavani që është hequr për pensionet maksimale, pasi po të shohim në ditët e sotme personat që përfitojnë pension maksimal, e kanë atë shumë më ta lartë se në vitet e mëparshme. Konkretisht flasim këtu për ata që përfitojnë pension suplementar, oficerë, gardistë dhe të tjerë. Gjithsesi, problem kryesore mbetet informaliteti i lartë dhe problemi mes shpenzimeve dhe të ardhurave në skemën e pensioneve do të vazhdojë të jetë permanent. Madje organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare nga analizat e bëra tregojeni se situata do të përkeqësohet në vijim”, është shprehur eksperti Xhepa.
Më tutje Xhepa tha se situata është pesimiste për të rregulluar gjendjen e skemës së pensioneve, por ai dha disa opsione që mund të japin një zgjidhje të përkohshme. Sipas tij, zgjidhja më e mirë është eliminimi i informaliteti të pagave dhe më pas krijimi i një fondi që duhet diskutuar me ekspertët. “Për këtë çështje është vështirë të gjendjen një zgjedhje afatgjate, që vërtet do të rregullonte skemën. Por do të sugjeroj ndryshimi i moshës së pensionit, që në fakt në Shqipëri është bërë dhe nuk besoj se ka më mundësi për ndryshim.
Do të përbënte ndryshim edhe rritja e arkës për kontributet, por kjo nuk mund të shkojë më lartë, pasi ne kemi nivelin më të lartë në rajon të këtyre shpenzimeve. Gjithashtu efekt do të jepte edhe mbështetja nga buxheti i shteti, në fakt qeveria aktualisht ka marrë disa masa, duke detyruara punëdhënësit në vend që të regjistrojnë punonjësit e tyre sidomos në sektorin e shërbimeve dhe turizmit. Po ta vini re kjo pjesë ka sjellë një ndryshim. Gjithashtu do të ishte si propozim ndryshimi i reformës, pra në çdo pikë të saj të hiqet kjo reformë dhe të zëvendësohet me një të re. Por kjo do të kërkonte një periudhë me afatgjate dhe së pari do të duhej diskutim dhe debat mes ekspertëve të ekonomisë, ISSH dhe politikëbërësve. Nuk mund të themi që vendi ynë është në kushtet që mund të bëjë ndryshim rrënjësor. Ose zgjedhja më e mirë do të ishte skema që sot e përdor edhe Kosova. Kur mos të lihej një pension bazë 70 mijë lekë të vjetra dhe pagesë sociale, por një pagesë tek 150 euro, e cila do të sigurohej nga një fond i posaçëm. Pra që për këtë fond të bëhej me detyrim pagesa e kontributeve, plus investuar edhe nga shteti dhe paratë të shkonin vetëm për pensionet. Pra janë reforma relative të përkohshme për të rregulluar gjendjen. Por, gjithsesi zgjedhja me efektive për vendin tonë mendoj që është eliminimi i evazionit fiskal, vetëm në atë mënyrë të ardhurat në skemën e pensioneve do të rriteshin dhe hendeku do të zbutej. Por nëse qytetarët do vazhdojnë të mos deklarojnë të ardhurat e tyre të plota, pensionet do jenë gjithmonë në rrezik”, u shpreh eksperti.
Ndërkohë, kujtojmë se pensionistët vazhdojnë të shprehin shqetësimin e pensionet janë shumë më të ulëta në raport me shpenzimet ditore. Kujtojmë këtu se në fillim të këtij viti qeveria bëri një indeksim me 3.3% të pensioneve. Vetë kreu i ISSH tha se nga kjo rritje do të përfitojnë vetëm disa kategori. Ndërsa ekspertët në atë kohë e gjykuan si një rritje të papërfillshme me vetëm 3 mijë lekë.
Ndërsa eksperti Koço Broka ka vënë në dukje se shpenzimet në vend vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa pensionet qesharake. Sipas tij, vetëm duke parë që pensionistët në vendin tonë nuk ia dalin të blejnë dhe ushqime lind menjëherë nevoja që të ndërhyhet në legjislacionin e pensioneve. Sipas tij, sidomos në këtë situatë krize që ndodhet vendi, së pari duhet të përcaktojnë minimumin jetik, çka do të ndikojë në indeksimin e pensionit minimal. Ndërsa shtoi këtu, se për të ndihmuar këtë kategori, qeveria duhet të mbajë premtimin për shëndetësinë falas dhe mbështetje të tjera, çka do të bëjnë që kjo kategori të mos jetë e varur vetëm nga pensioni bazë. “Analiza e problemeve te sigurimeve shoqërore është gjithmonë aktuale dhe asnjëherë shteruese, por jo e lehtë për t’u kryer se prek interesa konkrete njerëzish. Më ka mbetur në mendje shqetësimi i shprehur nga deputetja me e moshuar ne Parlament, që doli në pah me kontributin e veçantë të saj pas tërmetit. Në një intervistë lidhur me pensionet dhe pensionistët midis të tjerash thotë ” Ata marrin një pension qesharak…I shoh atje në dyqan dhe mezi marrin një kokërr portokalle. Dhe më vjen keq për këtë, kanë punuar një jetë dhe të privohen se s’mund të blejnë një frut. Mezi iu dalin lekët për bukë apo për ilaçe… Ndërsa duke e shtruar këtë çështje ne Kuvend tërhoqi vëmendjen se duhet të rregullohet legjislacioni për pensionistët. Në këtë kuadër edhe unë sugjerohej se duhet të përcaktohet sa është minimumi jetik dhe për pasojë pensioni minimal të mos jetë më i vogël se kaq. Në këtë buxhet janë parashikuar dy masa për ta, indeksimi i pensionit sipas masës së inflacionit dhe bonusi i vitit të ri. Nuk është e mjaftueshme. Së treti në numrin total të pensionistëve, të na raportohet sa janë ata që kanë pension më të vogël se 20 mijë lekë. Mendoj se shërbimi shëndetësor falas, duhet kontrolluar se duhet të jetë i tillë për vizitat e kontrollet. Pensionistët duhet të marrin të gjitha ilaçet e rimbursueshme”, shprehet ai.
Llogaritja e pensioneve
Sakaq, kujtojmë këtu se me datë 1 prill kreu i ISSH Astrit Hodo deklaroi gjatë një interviste televizive se, llogaritja e pensioneve do të vazhdojë të bëhet në bazë të viteve të punës në të cilat sigurimet janë depozituar vazhdimisht. Pensioni më i ulët është, 8020 lek e cila i jepet një personi me 15 vite pune, të deklaruara në shtet. Hado theksoi se paratë e pensionit nuk paguhen në bazë të nevojës, duke lënë të kuptohej se pensioni vetëfinancohet nga individi. “Pensioni nuk janë para që paguhen në bazë të nevojës. Pensioni është një e ardhur në para, që zëvendëson humbjen e të ardhurave për shkak të plakjes por mbi bazën e kontributeve që ke dhënë”, u shpreh Hado.
Në lidhje me këtë pikë, eksperti Broka sqaron se pikë tjetër që duhet të shihet janë pensionet që përfitohen për shkak të pensioneve të rënda apo shumë kontribuuese. Sipas tij, ekspertët bashkë me qeverinë duhet të shohin se si është gjendja e këtyre raste dhe si mund të balancohet vlera e tyre me kontributet që hidhen. Këtu, sipas Brokës, luan një rol të rëndësishëm transparenca në zhvillimin e kësaj skemë nga ana e qeverisë. Sipas tij eliminimi i informaliteti dhe ndërhyrjeve politike do të jepni një ndryshim të ndjeshëm në skemën e pensioneve. “Kemi shumë pensionistë që kanë qenë profesionistë të shkëlqyer. Këto kapacitete duhet shfrytëzuar me zgjuarsi e ata të shpërblehen. Në këtë mënyrë ata mund të fitojnë më shumë, e mbi të gjitha nuk do e ndjejnë veten e përjashtuar nga shoqëria. Duhet shtuar qendrat sociale, ku të punojnë vullnetarisht të rinjtë, e në këto qendra pensionistët do të kalojnë këndshëm një pjesë të kohës. Natyrisht për ta përmirësuar gjendjen për te realizuar këtë terapi ka nevojë për një diagnoze të plotë të situatës. Fakti që deputetja e nderuar ka mbushur moshën e pensionit para reformës të vitit 2014, por ndërkohë ka vazhduar punën edhe me pas plotësimit të kësaj moshe, dhe tani i takon që përveç pensiononit suplementar si profesion për të cilin ka dhënë kontribute, me mbarimin e këtij legjislacioni i takon të marrë apo të zgjedhe pensionin si deputete. Pra përvoja e saj unike hedh dritë mbi raportin midis pensionit të zakonshëm të pleqërisë, pensionit suplementar, dhe pensionit të deputetit. Pra është një rast i posaçëm për t’u njohur dhe studiuar si dukuri e përgjithshme se cila është situata dhe sa janë në këto raste niveli i pensioneve për çdo 1000 lekë kontribute. A nuk ka ardhur koha qe shqetësimi i ngritur nga zonja të kthehet në një seance të posaçme në Kuvend duke dëgjuar dhe gjendjen reale nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore por sot e për të ardhmen. Mendoj se ka ardhur koha për një transparence dhe shkëmbim luajal e konstruktiv jo te politizuar në Kuvend”, ka theksuar eksperti.
Nga të gjitha këto të dhënat tregohet se skema e pensioneve në vendin tonë do të vazhdojë të jetë problematike, ndërsa si shpresë për përmirësim shihet eliminimi i korrupsionit dhe rritja e transparencës nga institucionet.