14 qershor 2022/Brikena Metaj/Porta Vendore/Gjirokastër
Gjirokastra i ka rrugët e veta të qëndisura me kalldrëm, por spektakli i qilimave dhe motiveve që veshën kalldrëmet ia shumëfishoi bukurinë qytetin. Me qindra turistë dhe vizitorë mbushën qytetin fundjavën e parë të majit në një ceremoni çeljeje sezoni turistik krejt ndryshe nga e zakonshmja. Qyteti i gurtë shpalosi për miqtë dhe qytetarët e tij, më të mirën e vet.
Traditë, muzikë, shije dhe shumë argëtim.
Demonstrime publike të traditës dhe punës në tezgjah u shoqëruan me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës tradicionale dhe grupe live të jetës së natës, të shpërndara nëpër të gjithë Qafën e Pazarit. Të konceptuara si një udhëtim në kohë dhe eksperiencash të ndryshme, këto kënde shpalosnin disa prej vlerave më të mira të traditës dhe të qytetit.
Të shumta ishin fotot e shpërndara në rrjetet sociale duke e kthyer Gjirokastrën në kryefjalën e argëtimit.
Ky aktivitet shënoi edhe çeljen zyrtare të sezonit turistik të verës, ndonëse viti 2022 solli një tjetër konceptim në të bërit turizëm në Gjirokastër. Dy vite pas fillimit të pandemisë, qyteti nisi fuqishëm rimëkëmbjen. Një varg aktivitetesh, të shënuara kryesisht gjatë fundjavave, të organizuara nga Bashkia Gjirokastër, kanë patur si synim tërheqjen e vizitorëve, kryesisht atyre vendas, ndërsa prurjet e eventeve me karakter tematik si ai i shpalosjes së qilimave priren t’i shtojnë cilësinë ofertës turistike dhe njëherazi të tërheqin vëmendjen për mbrojtjen e traditës lokale dhe produktit turistik vendas.
Kjo qasje e re në strategjinë e organizimit turistik të qytetit duket se i ka plotësuar pritshmëritë për rikthimin e turistëve dhe riaktivizmin e një sezoni normal. Të dhënat zyrtare flasin për një trend në rritje të fluksit të turistëve në Bashkinë e Gjirokastrës, më e ndjeshme gjatë muajit maj.
“Prej fillimit të vitit deri në mesin e muajit maj janë rreth 15 mijë turistë, të cilët kanë vizituar qytetin e gurtë dhe rrethinat”, tregon Blerin Kore, drejtor i Zyrës së Turizmit në Bashkinë Gjirokastër.
Të dhënat zyrtare nga Bashkia Gjirokastër flasin për një rritje me 15% të numrit të vizitorëve krahasuar me një vit më parë. Muaji Maj që shënon edhe nisjen zyrtare të sezonit turistik veror, vetëm në dy javët e para të tij shënoi një shifër prej më shumë se 5 mijë turistësh e vizitorësh. Njësi matëse vijojnë të mbeten vizitat në kala dhe muzeumet e qytetit dhe kësaj shifre nuk I shtohen vizitorët që anashkalojnë këto lloj vizitash.
Albert Haloçi, administrator i shoqatës TID Gjirokastra, tregon se sezoni turistik në pazarin e Gjirokastrës ka filluar më herët krahasuar me vitet e fundit. “Rritja e numrit të vizitorëve të huaj është vënë re që në fillim të muajit Mars, por vlen për t’u theksuar që edhe në periudhën Janar – Shkurt, sidomos gjatë fundjavave, bizneset e zonës në disa raste kanë qenë “sold out”. Tashmë jemi në muajin Maj dhe në zonë gjatë ditës dominojnë vizitat e grupeve të mëdha me vizitorë të shteteve të ndryshme të udhëhequra nga guidat e agjencive turistike, ndërsa mbrëmja të lë të kuptosh që në rritje ka ardhur edhe numri i vizitorëve individë, të cilët zgjedhin që të kalojnë mbrëmjen në qytet”.
Gjirokastra pritet të ketë këtë vit një sezon të krahasueshëm me vitin 2019. Sektori i turizmit është jetësor për qytetin jugor. Pasurimi i produkteve turistike, rritja e ofertave dhe paketave të përballueshme nga operatorët vendas dhe të huaj, ka ndikuar pozitivisht në ecurinë turistike.
Haloçi shprehet tepër optimist për situatën turistike në qytet. Ai thotë se “pritshmëritë për sezonin veror janë që viti 2022 të jetë shumë më i mirë krahasuar me vitin më të mirë që kemi në memorien tonë për 5 – vjeçarin e fundit, i cili është viti 2019, ku Gjirokastra u vizitua nga plotë 120 mijë turistë”. “Gjatë periudhës Qershor – Tetor në Pazarin Gjirokastër do të zhvillohen aktivitete të tipologjive të ndryshme të cilat do të sjellin një ofertë cilësore për vizitorët”, shton ai.
Çdo e keqe e ka një të mirë
Situata pandemike shënoi pasojat e veta edhe në sektorin e turizmit në Gjirokastër. Qyteti humbi turistin e huaj, por izolimi “brenda shtëpisë” I solli atij fitimin e vizitorit vendas, për të cilin ndiente mungesë. Fundjavave, qyteti, por edhe rrethinat e saj u mbushën nga vizitorë prej të gjitha qyteteve të Shqipërisë, dhe që shpesh e vizitonin Gjirokastrën për herë të parë. Gjirokastra u rendit jo vetëm mes destinacioneve më të rëndësishme të turizmit në vend, por arriti edhe t’i jepte një hov tjetër rijetësimit të turizmit të plagosur nga pandemia.
“Trendi i vizitave nga vizitorët vendas që filloi gjatë pandemisë, ka ardhur në rritje edhe gjatë vitit 2022. Kryesisht fundjava mund të etiketohet si turizmi patriotik”, tregon Haloçi.
Bujtina të reja çelën dyert, njësi të reja tregtimi, jetë nate e larmishme, me një ritëm që ende vazhdon.
Janë rreth 200 biznese me bazë turizmin, njësi shërbimi, struktura akomoduese, biznese të turizmit familjar, të cilat zhvillojnë aktivitetin në qytetin e Gjirokastrës dhe njësitë administrative.
Blerin Kore pohon se “zhvillimi i turizmit edhe këtë vit ka tërhequr interesimin e subjekteve private dhe individëve për të investuar në drejtim të turizmit familjar në qytet, por edhe në njësitë administrative.”
Pandemia e vitit 2020 solli paralizimin e investimeve në sektorin e turizmit, ku vetëm një bar – restorant i ri çeli dyert në zonën e Pazarit të Gjirokastrës, por viti 2021 e në vazhdim solli një përmbysje të situatës me shifra të kënaqshme për një hapësirë të rezervuar shërbimi si ajo që ofron zona muzeale e qytetit. Ndonëse ende nuk ka shifra zyrtare për vitin 2022, nga Bashkia Gjirokastër pohohet se trendi i investimeve po njeh rritje.
Të dhënat nga Zyra e Tatimeve në Bashkinë Gjirokastër tregojnë se përgjatë vitit 2021, janë hapur 14 njësi tregtimi në Zonën e Pazarit të Gjirokastrës, 5 prej të cilave Bar – kafe – restorant, 4 njësi tregtimi suveniresh, 2 bujtina, 1 hotel, 1 agjenci turistike dhe 1 dyqan veshjesh.
Melsi Shehu është një prej pronarëve të një prej bareve më të reja në Qafën e Pazarit. Prej vitesh ai administron një biznes të suksesshëm në pjesën e poshtme të qytetit, por ritmi i ndryshimeve në zonën e Pazarit, i kthyer në një qendër të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë së qytetit në fushën e turizmit, i dha shtysën për të investuar në një prej kryqëzimeve më të rëndësishme të trekëndëshit të rrugëve të kalldrëmta. Zona dikur e braktisur dhe e lënë në mëshirë të fatit, u pa prej tij si vendi i përkryer për të zhvilluar një biznes.
“Ambienti është i vendosur në një pjesë rruge kryesore të Pazarit Gjirokastër, ku kalojnë me qindra turistë dhe vizitorë. U desh një punë e madhe dhe shumë investim për ta bërë funksional dhe modern. Sot kemi të punësuar 6 të rinj si pjesë e stafit tonë. Shpresojmë që numri i vizitorëve të shtohet, që gjallëria në Pazar të jetë e vazhdueshme, të organizohen evente dhe aktivitete, në mënyrë që çdo biznes që ka investuar këtu, të punojë dhe të ndihet mirë”.
Pikat më të frekuentuara nga turistët dhe vizitorët mbeten Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit, etj.
Vëmendjen e turistëve e tërheqin edhe vlerat natyrore dhe resurset e agroturizmit në fshatrat e zonave të Lunxhërisë, Cepos, Antigonesë, Picarit, etj, rrethina të pasura me potencial turistik dhe të paeksploruara nga turistët.
Gjirokastra dhe rrethinat e saj janë nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit të aventurës në vend, të zbuluara më herët nga turistët e huaj, dhe së fundmi, falë situatës së zgjatur pandemike, të zbuluara dhe të shijuara edhe nga turistët vendas.
E pasur me monumente të vizitueshme dhe një ritëm në rritje të shërbimeve, turizmi në Gjirokastër ka sjellë si ofertë të re kombinimin e qytetit të UNESCO-s me rrethinat, që me karakterin e tyre rural ofrojnë bukuri të rralla natyrore.
Filozofia e re e të bërit turizëm në Gjirokastër.
Restaurimi i plotë i zonës së Pazarit dhe kthimi i saj në pedonale solli ndryshimin e madh në të bërit turizëm në Gjirokastër. Të parët që e ndjenë këtë ndryshim ishin bizneset e zonës që nisën të lulëzojnë dhe të zgjerohen edhe jashtë dyerve të njësive të tyre të tregtimit. Aty ku më parë kalonin makinat, sot janë të vendosura karrige e tavolina me pije dhe ushqime të zonës që pëlqehen kaq shumë nga turistët dhe vizitorët.
Kalimtarë apo të vendosur për të plotësuar qëndrimin e tyre disaditor në Gjirokastër, “të ardhurit” gjejnë një Gjirokastër ndryshe dhe me plot mundësi.
“Shoqata TID Gjirokastra në bashkëpunim me Bashkinë dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit tashmë ka një kalendar të konsoliduar aktivitetesh me të paktën një aktivitet të rëndësishëm çdo muaj, të cilin e ka nisur në muajin Mars me Ditën e Verës, Karnavale 2022, QilimFest dhe do të vazhdojë deri në fundin e vitit me “Gjirokastra Mirëpret”, “KULT-ART & Christmas Time”, thotë Haloçi.
Ndërsa Kore, si drejtues I Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë Gjirokastër shton se ky institucion “i ka paraprirë sezonit turistik të verës me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, artistike, promovimit të vlerave të folkut, traditës, etj. Ndërkohë krahas Drejtorisë së Turizmit dhe Trashëgimisë edhe strukturat e tjera të bashkisë janë bërë pjesë e masave për sezonin turistik për një mjedis të pastër dhe gjallërimin e qytetit të gurtë. Për t’u përmendur janë investimet në drejtim të rivitalizimit të Muzeut Etnografik dhe Shtëpisë Kadare, punime që do të përfundojnë në nisje të verës duke iu shtuar ofertës turistike. Pjesë e kësaj oferte do të jenë edhe guidat dhe intinerare të rinj turistik jo vetëm në qytetin e Gjirokastrës, por edhe rrethinat, siç është turi Kadare, guidat në vlerat natyrore, historike dhe agroturizmit në njësitë administrative, etj”.
Të gjithë bien dakord për një përfundim të përbashkët, se Gjirokastra është bërë “e zhurmshme”. Fundjavat në qytetin jugor nuk janë asnjëherë të njëjtat. Fundjava e dytë e Majit solli muzikën italiane në kalldrëmet e gurta, ndërsa skena e Odeonit i dha jetë një shfaqjeje me balerinë italianë dhe fëmijët e qendrës kulturore të bashkisë, në një interpretim të përbashkët, që solli kaq shumë jetë dhe ngjyra. Pas më shumë se tre dekadash si jofunksionale, kinemaja e qytetit e mbushi sallën e vet me spektatorë që ndoqën plot interes komedinë “Dashuri dhe turbulenca”.
Kjo traditë e organizimit të aktiviteteve ka sjellë një qasje e cila e ka kthyer Gjirokastrën në destinacion jo vetëm për turizmin kulturor, por edhe në një destinacion argëtimi, duke ndikuar në rritjen e të ardhurave për bizneset e zonës dhe nxitjen e tyre në investime për përmirësimin e arredimit të hapësirave në shtimin e shërbimeve.