Vëzhgim/Analizë

Financat e bashkive: Vendorët të varur nga ndërtimi dhe fondet e qeverisë

AURORA SULCE

Më shumë të ardhura në buxhet, por para të shpenzuara kryesisht në paga e funksionimin e administratës dhe më pak në investime. Është kjo panorama që ka shoqëruar performancën financiare të 61 bashkive gjatë vitit 2021. Shifrat janë pasqyruar në raportin e Financave Vendore, publikuar nga Co-Plan dhe Ministria e Financave. Ato ilustrojnë një situatë financiare ende të pastabilizuar të pushtetit vendor në Shqipëri, të varur nga fondet që jepen në formën e transfertave nga qeveria, cka dëshmon se decentralizimi është ende larg.

Të ardhurat

Gjatë vitit që lamë pas, të ardhurat nga pushtetit vendor shënuan një rritje vjetore prej 22%. Një tregues i qartë se bahskitë kanë lënë pas krizën që shkaktoi tërmeti dhe pandemia e COVID 19. Sipas raportit të Financave Vendore, për këtë periudhë 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 29 miliardë lekë, në rritje me rreth 22% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2020. “Përjashtuar bashkinë Tiranë (e cila mbledh rreth 57% të të ardhurave nga burimet e veta vendore 2021), kjo kategori të ardhurash shënoi rritje me rreth 24% në terma vjetorë. Zgjerimi i të ardhurave nga burimet e veta vendore rezulton të ketë ndodhur në rreth 82% të bashkive (apo 50/61 bashki) dhe të luhatet në një interval nga rreth +1% deri në +91%. Ndër to, në rreth 86% të bashkive (43/50 bashki) rritja e të ardhurave rezulton të jetë mbi 10% në terma vjetorë”, theksohet në raport.

“Bashkitë patën më shumë të ardhura në dispozicion në vitin 2021. Të gjitha kategoritë e të ardhurave rezultojnë me rritje. Megjithatë, kontributin kryesor e dha rritja e të ardhurave në burimet e veta vendore. Në këtë drejtim të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore shënuan rritje”, shprehet Merita Toska, eksperte për politikat vendore nga Co-Plan për Porta Vendore.

Por cilat janë taksat që kanë siguruar edhe rirtjen e të ardhurave për bashkitë? Të dhënat tregojnë për varësinë e lartë të pushtetit vendor nga dy taksa: ajo e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore dhe truall). Së bashku, këto dy lloje taksash përfaqësuan rreth 86% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan të jenë të ulëta.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet nga ndërtuesit për lejet e ndërtimit që marrin. Rritja e të ardhurave nga kjo taksë shkon në linjën edhe me rirtjen e numrit të lejeve të ndrëtimit gjatë vitit 2021. “Të ardhurat nga TNI kanë rritur në mënyrë progresive kontributin e tyre në buxhetet vendore matur nga raporti i të ardhurave nga TNI ndaj të ardhurave nga taksat vendore. Sa më i lartë ky raport aq më e lartë varësia (dhe rëndësia e të ardhurave nga TNI në buxhetin vendor) dhe ekspozimi i bashkisë ndaj luhatjeve në sektorin e ndërtimit”, theksohet në raport. Sipas të dhënave, në periudhën 2010-2015, të ardhurat nga TNI përfaqësuan mesatarisht rreth 26% të të ardhurave totale nga taksat vendore dhe në periudhën 2016-2020 pesha e tyre u rrit në rreth 45% të të ardhurave nga taksat vendore. Në fund të vitit 2021, të ardhurat totale nga TNI për 61 bashkitë përfaqësuan rreth 53% të të ardhurave nga taksat vendore.

Përsa i përket taksës mbi pasuritë e paluajtshme, ajo paguhet nga qytetarët për banesat e tyre dhe nga biznesi për ambientin ku ushtron aktivitet. Raporti i Financave Vendore vlerëson se performanca në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme udhëhiqet nga zhvillimet në të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat (mesatarisht 75% në tre vitet e fundit). “Rreth 51% e të ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodhën në bashkinë Tiranë ndjekur nga bashkitë Durrës (7% ndaj totalit), Elbasan dhe Vlorë (4% ndaj totalit përkatësisht). Në vitin 2021, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat regjistruan një nivel prej rreth 4.6 miliardë lekë, në rritje me rreth 20% në terma vjetorë”, theksohet në raport.

Por pavarësisht rritjes së trë ardhurave, shumë bashki mbeten të varura nga fondet që iu jep qeveria në formën e transfertave. Të dhënat tregojnë se në vitin 2021, të hyrat nga transferta e pakushtëzuar (e përgjithshme dhe sektoriale për funksionet e reja) shënuan një nivel prej rreth 27.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 6.6% kundrejt një viti më parë.

Në terma të rëndësisë relative, madhësia e transfertave të pakushtëzuara (të përgjithshme dhe sektoriale) është e krahasueshme me nivelin e të ardhurave nga burimet e veta vendore (afërsisht sa 93% e tyre), përfaqëson rreth 46% të burimeve financiare të disponueshme dhe vlerësohet në rreth 2% të PBB-së nominale në vitin 2021. Rëndësia e këtij burimi bëhet më e dukshme në nivel bashkie, ku në rreth 89% të bashkive (ose 54 prej tyre) pesha e të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar dhe sektoriale zë më shumë se 46% të të burimeve të disponueshme në dispozicion të bashkive (mesatares kombëtare). “Në vitin 2021 treguesit e pavarësisë financiare mbeten në nivele të ulëta”, shprehet ekspertja Toska. Raporti evidenton se për çdo 100 lekë të alokuar nga bashkitë përgjatë vitit 2021, 55 lekë ishin nga portofoli i burimeve të veta dhe 45 lekë nga qeveria qendrore.

Shifrat e mësipërme tregojnë për varësinë ende të lartë që kanë shumë bahski nga qeveria, cka tregon se decentralizimi ende nuk ëhstë arritur, pavarësisht se ka qernë një ndër objektivat kryesorë të reformës administrative-territoriale.

Shpenzimet

Duke pasur më shumë fonde në dispozicion, bashkitë kanë shpenzuar më shumë. Por si janë përdorur paratë e taksapaguesve? Të dhënat e raportit të Financave Vendore tregojnë se shpenzimet kanë qenë të orientuara kryesisht në paga dhe në funksionimin e amdinistratës, teksa më pak janë përdorur për shpenzime kapitale, ose që ndryshe njihen si investimet. “Bazuar në klasifikimin sipas natyrës ekonomike të shpenzimeve të kryera me fonde të veta, në vitin 2021 bashkitë përdorën rreth 79% të fondeve të tyre për mbulimin e shpenzimeve korrente (rreth 41 miliardë lekë) dhe rreth 21% në mbulimin e shpenzimeve kapitale (rreth 11 miliardë lekë). Kahu i zhvillimeve në shpenzimet me fonde të veta në vitin 2021 u përcaktua nga ecuria e shpenzimeve korrente, të cilat shënuan rritje vjetore të ndjeshme”, theksohet në raport.

Në mënyrën sesi i shpezojnë fondet, bashkitë nuk kanë ndryshim, pavarësisht madhësisë së tyre. “Në bashkitë e mëdha, struktura e shpenzimeve me fonde të veta paraqet ngjashmëri me mesataren kombëtare: 45% e fondeve shkon për mbulimin e shpenzimeve të personelit, rreth 23% për investime dhe rreth 32% për shpenzime operative dhe të tjera. Kategoria e bashkive të mesme dhe të vogla shpenzojmë rreth 52% të buxhetit të tyre për shpenzimet e personelit, nivel ky ndjeshëm më i lartë krahasuar me mesataren kombëtare, bashkitë e mëdha dhe bashkinë Tiranë. Në të kundërt, shpenzimet për investime duket të përfaqësojnë rreth 16% në bashkitë e mesme dhe rreth 23% në bashkitë e vogla, të totalit të shpenzimeve të kryera me fonde të veta të bashkive”, evidentohet në raportin e Financave Vendore.

Ekspertja Merita Toska shpjegon se bashkitë nuk kanë ndryshuar mënyrën sesi I shpenzojnë fondet e tyre dhe një strukturë e tillë, ku më shumë shkon për paga dhe administratë e më pak para për investime, vijon tashmë prej shumë vitesh.

“Ndonëse me më shumë burime në dispozicion, investimet e bashkive me fonde të veta mbetën të ulëta dhe në nivelin më të ulët që prej zbatimit të Reformës administrative- territoriale. Bashkitë vijojnë të alokojnë mbi 70% të burimeve në mbulim shpenzimesh korrente. Në këtë drejtim, nuk kemi ndryshime të qënësishme”, shpjegon Merira Toska, eksperte për politikat vendore në Co-Plan.

Raporti për Financat Vendore i vitit 2021 riktheksoi problemet në performancën financiare që vijon të ketë pushteti vendor në Shqipëri, I varur nga pak burime të ardhurash dhe me mungesë të ulët eficence në përdorimin e parasë publike.