Nga Armand Kullau
Rrezikun më të madh nëse dështojnë të ardhurat për koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (AIV) do ta mbajë buxheti i shtetit, fakt i cili evidentohet nga kontrata e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe koncesionarit VIA (Vlora International Airport), dokument i siguruar në përgjigje të kërkesës për informacion. Por, sipas ekspertëve, aeroporti i Vlorës në tërësinë e tij nuk paraqet rrezik vetëm për financat buxhetore, por edhe për habitatin e shpendëve shtegtarë, për faunën dhe florën si dhe rrezik për përjashtim nga konventat ndërkombëtare europiane.
Tre vite pas anulimit të kontratës së parë, në 20 prill 2021 u firmos kontrata koncesionare nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku me përfaqësuesin e bashkimit të operatorëve “Vlora International Airport-VIA”. Në përbërje të këtij konsorciumi është aksioner kryesor Mabco Construction (Mabetex Group) e biznesmenit Behgjet Paçolli, me 50% të aksioneve, turqit e YDA-Group, të cilët kanë 48% të aksioneve dhe 2A Group me 2% të tyre, të cilët kanë marrë kontratën me afat 35 vjet.
Risku financiar, si Check-up dhe Hemodializa
Sipas kontratës së siguruar nga Porta Vendore dhe përllogaritjeve të bëra rezulton se qeveria shqiptare ka marrë përsipër riskun t’i garantojë konsorciumit rreth 132 milionë euro të ardhura të sigurta në 10 vitet e para nga trafiku i pasagjerëve nëpërmjet buxheti të shtetit. “Në rast se aeroporti i Vlorës rezulton me trafik të ulët pasagjerësh dhe koncesionari nuk arkëton 132 milionë euro për dhjetë vitet e para, atëherë buxheti i shtetit i paguan kompanisë diferencën”, deklarohet në kontratën e nënshkruar për Aeroportin e Vlorës.
Po sipas kontratës, vetëm në rast se aeroporti arrin objektivat e parashikuara atëherë kompania nxjerr 186 milionë euro të ardhura në 10 vitet e para dhe çdo të ardhur mbi këtë nivel ndahet gjysmë për gjysmë mes privatit dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Por ky nuk është rasti i parë që kontratat e konçesioneve përmbajnë kushte të cilat mbrojnë fitimet e kompanive të huaja dhe shqiptare duke ia kaluar barrën e garancisë buxhetit të shtetit.
Në 2015, Ministria e Shëndetësisë nën drejtimin e Ilir Beqjas firmosi kontratën e Check-up me kompaninë “3P Life Logistic” shpk dhe koncesionin e Hemodializës me kompaninë “Evita” shpk ku në 2019 konçesioni i Hemodializës iu shit kompanisë suedeze “DIAVERUM INTERNATIONAL AB”.
Kompania “3P Life Logistic” shpk me 80% të aksioneve nga Vilma Nushi dhe 20% nga “TRIMED” shpk, për periudhën 2015-2020 ka marrë 9,74 milionë euro për kontrollin bazë mjekësor (Check-Up) për 644 mijë kontrolle të parealizuara nga buxheti i shtetit. Kjo shifër është e publikuar në raportin për koncesionet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në kontratë përcaktohet që kompania duhet të realizojë 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti, e ngjashme me kontratën e Aeroportit të Vlorës.
Aranita Brahaj, Drejtoresha e Open Data Albania në lidhje me kontratat konçensionare deklaroi për Portën Vendore se ka ardhur momenti që të bëjmë një analizë se sa janë kostot e koncesioneve që do të mbështeten nga financat e shtetit për vitet e ardhshme.
“Shqipëria ka 11% të PBB-së detyrime kontraktore për kontrata konçesionare që mbështeten nga buxheti i shtetit. Kjo e bën Shqipërinë vendin më të ekspozuar në Rajon përsa i përket kostove për kontrata dhe koncesione”, u shpreh Znj. Brahaj.
Sipas Drejtoreshës së Open Data, në këto raste taksapaguesi shqiptar merr shumë risqe pasi ngarkesat në buxhet shpërndahen te qytetarët në formë taksash.
Risku mjedisor dhe shkeljet e shumta për ndërtimin e Aeroportit
Por kontrata për aeroportin e Vlorës nuk mund të sjellë vetëm pasoja ekonomike, por edhe mjedisore. Vitin e kaluar qeveria publikoi projekt-vendimin e KKT Nr. 10, datë 28 dhjetor i cili përjashton nga Zonat e Mbrojtura në Divjakë-Karavasta, Butrint, Vjosë-Nartë, Bunë-Velipojë etj sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore me përdorim tradicional si dhe zona urbane.
Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në fushën e Akërnisë, e cila ndodhet në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur “Vjosë-Nartë” e për pasojë, sipas ligjit shqiptar lejimi i ndërtimit në këtë zonë kërkon procedura të veçanta dhe strikte.
Pas shpalljes së konsorciumit fitues, 44 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare i kërkuan qeverisë shqiptare të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit, duke nxjerrë në pah se ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur shkel kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës.
Sipas biologut Olsi Nika, president i “Ecoalbania” (Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri), një nga shkeljet lidhet me faktin se kemi të bëjmë me një Zonë të Mbrojtur. “Zona është ende de facto dhe de jure brenda rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura dhe aty do ndërtohet një aeroport, një megainfrastrukturë. Kjo bie ndesh me ligjin për biodiversitetin, sepse ndërtimi i aeroportit, strukturat mbështetëse, autostrada dhe ndërtimet që do bëhen aty do cenojnë faunën dhe florën ekzistuese”, deklaroi biologu për Portën Vendore.
Në kontratë shkruhet se koncesionari nuk është përgjegjës për ndotjen akustike të shkaktuar nga avionët. Megjithatë zhurma e avionëve sipas ekspertëve dhe urbanizimi i zonës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në biodiversitetin e zonës.
Në lidhje me rreziqet që i kanosen Zonës së Mbrojtur, Presidenti i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, Dr.Taulant Bino deklaroi se aeroporti i Vlorës dëmton larminë biologjike lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. “I gjithë biodiversiteti i Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë por edhe i zonave të tjera si Divjakë-Karavasta apo i ligatinave të tjera të Adriatikut dhe Jonit, rrezikohet për shkak të ndikimeve në fazën e ndërtimit e sidomos të operimit të aeroportit. Më të rrezikuar nga të gjitha mbeten speciet shtegtare dhe shëtitës sikurse shpendët, lakuriqtë e natës, insektet. Aeroporti do të ndikojë sidomos në shpendët folezues në Kripore dhe të gjithë atyre specieve, rreth 260 nga 350 në Shqipëri, që përdorin zonat tepër të rëndësishme të larmisë biologjike të Vjosë-Nartës dhe Divjakë-Karavastasë”, tha ish-zëvendës ministri i Mjedisit. Sipas kërkuesit shkencor, veçanërisht të rrezikuar do të jenë shpendët e mëdhenj si Pelikanët, Flamingot, Shqiponjat, Shqipet, Çafkat, Lejlekët etj.
Sipas biologut Olsi Nika, për ndërtimin e aeroportit shkelet ligji i konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit në Europë dhe për rastin konkret konventa e Bernës në gusht të këtij viti do të ndërmarrë një mision verifikues në terren për efektet e Aeroportit të Vlorës. Sipas të dy ekspertëve, shumica e këtyre specieve janë të mbrojtura nga ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare dhe Shqipëria rrezikon përjashtimin prej tyre.
Gjithashtu në progresraportin e Komisionit Europian për 2021 theksohet se “në prill 2021, Shqipëria nënshkroi kontratën për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, në kundërshtim me ligjet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar”.