12 qershor 2022/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Durrës
“Teatri shkon tek publiku”, nën këtë moto dhe në kuadër të Javës së Demokracisë Vendore 2022, shfaqja teatrale “Këpucët e kuqe”, realizuar nga Driada Dervishi dhe që ka bërë bashkë ikonat e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, ka mbërritur në Universitetin “Aleksandër Moisiu’ në Durrës.
Artiola Xhixha, nga Fushë-Kruja, studente e vitit të tretë bachelor, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” nuk ka pasur kurrë mundësinë që të shoh një shfaqje live më parë. Ajo dhe studentë të tjerë të degës së Psikologjisë, të Fakultetit të Edukimit, kanë pritur me mjaft entuziazëm shfaqjen teatrale “Këpucët e kuqe”, ndaj dhe salla është mbushur plotë.
“Kur shfaqja u dha tek Pallati i Kulturës në Durrës, ishte fundjavë dhe unë duhet të shkoja në shtëpi, ndaj nuk kisha mundësi ta ndiqja dhe pse doja shumë. Sot jam shumë e gëzuar që arrita ta shoh”, thotë për Portën Vendore, studentja.
Në nisje të aktivitetit, instalacioni “Këpucët e kuqe”, që vjen si një mesazh sensibilizimi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, vendosur në hyrje të universitetit, mirëpriti të pranishmit.
Më pas të gjithë u bashkuan në sallën e konferencave të Fakultetit të Edukimit, aty ku Zv. rektore Renata Tokrri në fjalën e saj përshëndetëse vlerësoi rolin e universiteteve, veçanërisht të fakulteteve të edukimit, për rëndësinë që kanë në lidhje me çështjet e dhunës në familje, barazisë gjinore, etj.
Të pranishmit ndoqën më pas një video me moment nga procesi i lyerjes së këpucëve me të kuqe, projekt i realizuar pikërisht nga studentet e Fakultetit të Edukimit, Dega Psikologji.
Driada Dervishi, regjisorja e shfaqjes teatrale “Këpucët e kuqe”, u shpreh se ishte kënaqësi që pas performancës në dy fasoneri të qytetit, projekti që zbatohet nga Shoqata “Eja në Teatër”, “BashART” dhe falë mbështetjes së Lëviz Albania, projekt i Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, u mundësua që të shfaqej dhe për studentët.

Dervishi shprehu mirënjohje për studentët dhe stafit akademik të Departamentit të Psikologjisë, Fakulteti i Edukimit, që u angazhuan maksimalisht në këtë nismë.
Më pas të pranishmit ndoqën me mjaft ineters shfaqjen, gjatë të cilës u përcollën qartë mesazhet kundër dhunës me bazë gjinore. “Mjeshtre e Madhe e Artit”, “Nderi i Kombit”, aktorja Margarita Xhepa, të mirënjohurat Luiza Xhuvani, Raimonda Bulku, Olta Daku, Erjona Kakeli, Alessia Xhemalaj dhe Era Caushi, nën regjinë e Driada Dervishit sollën tetë histori të vërteta grash nëpërmjet dhimbjes, ndërthurur artistikisht me mjeshtëri me ironinë dhe humorin.

Më pas u bë një diskutim ndërmjet studentëve mbi shfaqjen që ndoqën dhe impaktin që ka tek ta teatri i angazhuar me çështjet sociale.
Në fund të gjithë fokusuan në foto ikonat e artit shqiptar të kinematografisë dhe teatrit, duke pasur kështu mundësinë që ti takonin nga afër dhe të bisedonin me to.
“Jam kaq e emocionuar. Për herë të parë dhe falë këtij projekti bëra realitet ëndrrën time që të kem fotografi me aristet e mëdha dhe jam shumë e lumtur për këtë ”, shprehet studentja Artiola Xhixha.
