8 qershor 2022/ Emi Kalaja/ Porta Vendore/ Shkodër
Të rinjtë shkodranë po i hedhin sytë gjithnjë e më shumë krah politikave mjedisore, si një mënyrë e mirë për ti ardhur në ndihmë mjedisit, qytetit dhe familjes. Me fokus në mjedis ato kanë iniciuar praktika dhe nisma shumë të mira mjedisore për të dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim, duke u mbështetur edhe nga Leviz Albania.
Ariona Prenga dhe Joel Nika janë dy të rinj të cilët në sajë të Lëviz Albania janë angazhuar në nisma të cilat kanë si qëllim ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, reduktimin e ndotjes dhe fuqizimin ekonomik. Lëviz Albania mbështeti Ariona Prengën dhe të rinjtë e të rejat e tjera të Vaut të Dejës në projektin “Riciklim dhe traditë” i cili kishte si objektiv sensibilizimin për mbrojtjen e mjedisit në teknikën 3R të riciklimit , ripërdorimit.
Kështu këta të rinj më mbetjet e ndërmarrjeve prodhuese të zonës krijuan punime në qëndistari, në tezgjah, duke kultivuar mendësinë e trashëgimit të profesioneve të vjetra e të veçanta.
Ariona tregon se bashkë me të rinj të tjerë pas trajnimeve dhe takimeve informuese për përpunimin e pambukut dhe riciklimin e mbetjeve tekstile në tezgjah kanë arritur të prodhojnë më shumë se 700 çanta.
“Ne synojmë që projekti të marrë formë dhe të vazhdojë aktivitetin sipërmarrës edhe në vazhdim pas mbështetjes së Lëviz Albania. Në këtë mënyrë do mund te arrijmë objektivat e përcaktuara për fuqizimin e të rinjve nëpërmjet promovimit të ekonomisë së gjelbër”, thotë ajo për Portën Vendore.
Me tendën e tyre ato zhvendosen në ditë të caktuara në pedonalen në qendër të Vaut të Dejës. Nga aty jo vetëm shesin prodhimet e tyre hand made por edhe ndërgjegjësojnë qytetarët mbi vlerën e riciklimit më qëllim mbrojtjen e mjedisit. Ligji për heqjen nga përdorimi që nga data 1 qershor të qeseve plastike ka bërë që edhe komuniteti të vlerësoj dhe ta ndjej nevojën e qeseve të pambukta artizanale. Madje edhe këto të rinj e shohin veten tani si të vetëpunësuar të cilët marrin porosi për punimet e tyre ekologjike.
Ndërsa Joel Nika çdo të shtunë së bashku me të rinj vullnetarë të Vau Dejes është angazhuar për pastrimin e mjedisit. Ai është përfshirë dhe mbështetur në projektin e Lëviz Albania. Joel thotë se është e nevojshme që ky projekt të vazhdojë pasi tani që ka nisur sezoni turistik veror, kjo zonë preferohet mjaft nga vizitorët, ndaj mbajtja pastër e mjedisit është shumë e rëndësishme për turistët .
“Kemi bërë më shumë se 18 ndërhyrje , të angazhuar çdo të shtunë. Gjetëm bashkëpunimin e banorëve dhe institucioneve. Faza e parë ka qenë ndërgjegjësimi pikërisht i banorëve dhe bashkëmoshatarëve të mi. Jam surprizuar nga mbështetja që më dha famullia Imzot Lucian Avgustini e Vaut të dejës më grupin rinor por edhe Bashkia Vau i Dejës që na mbështeti me mjete dhe burime njerëzore. Kërkova mbështetjen në këtë projekt të Lëviz Albania pasi në zonën ku unë banoj ngado që hidhje sytë kishte mbeturina. Sot që projekti është finalizuar konstatoj me kënaqësi që banorët tregohen shumë më të kujdesshëm, mbase se i vjen keq edhe për mundin e fëmijëve të tyre që çdo javë kanë pastruar aty”, tha ai për Portën Vendore.
Projekti i mbështetur nga Lëviz Albania teksa ka hapur siparin në nëntor dhe ka një kohëzgjatje 9 mujore, ndërsa për të rinjtë dhe familjet e tyre është parë si një mundësi e artë që të rinjtë të orientohen drejt profesioneve të trashëguara.