Miliona lekë dëme ka shkaktuar Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit në buxhetin e shtetit, ndërkohë asnjë masë nuk është marrë. Ky konkluzion është nxjerrë nga një kontroll 2-vjeçar i KLSH pranë AKPT. Në një hetim 2-vjeçar të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentohet se abuzimet janë bërë më së shumti në kontratat për tenderat, pasi nuk janë respektuar hapat ligjore të lidhjeve të kontratave dhe përcaktimin e fondit limit. Theksojmë se kemi të bëjmë me tendera nga më të ndryshmet, me vlera të larta, ndërsa nuk janë kursyer as fondet për tërmetin.
Në raportin e KLSH deklarohet se AKPT nuk ka marrë parasysh mundësinë që paralelisht të zbatonte procedurën e përshpejtuar të prokurimit me mjete elektronike në kuadër të ligjit për bashkëpunim të përballimit të fatkeqësive natyrore, por në një kohë të shkurtër ka lidhur 40 kontrata me 15 kompani të ndryshme. Vetëm për këto kompani AKPT ka shpërndarë 78,840,674 lekë dhe ajo që bie në sy është se pjesën më të madhe të tenderave e kanë përfituar dy kompani, pasi ka qenë vetë AKPT që i ka ftuar ato në garë për çdo tender.
“Nga auditimi për hartimin e Planeve të Detyruara Vendore për zonat e prekura nga tërmeti, rezulton se janë realizuar 40 plane të tilla me fond limit 84,139,663 lekë dhe realizuar në vlerën 78,840,674 lekë. Nga të dhënat në dispozicion, rezulton se janë lidhur kontratat e shërbimit me 15 operatorë ekonomik, për 40
procedurat e realizuara, nga ku për 8 procedura është shpallur fitues operatori U., pasi është ftuar në 30 raste, ndërkohë në 31 raste është ftuar edhe operatori ekonomik A., në kundërshtim me pikën 6 të Udhëzimit nr. 2, datë 08.01.2018”, thuhet në raport. KLSH tregon se auditimi tregon se ku shkojnë paratë e tërmetit dhe duken qartë arsyet pse me qindra familje janë ende në qiell të hapur, edhe pse ka kaluar gati 3 vjet nga tërmeti.
U paguan 38 ekspertë inekzistentë
Këtu marrim rastin e një tenderi me objekt “Akademia 100+ Fshatrat”. Sipas të dhënave për këtë tender janë marrë në punë të përkohshme dhe janë paguar 38 ekspertë. Por në asnjë dokument nuk tregohet nevojat specifike për ekspert dhe numri i saktë i ekspertëve që duhej. Sipas KLSH, vetëm për këtë rast janë çuar dëm 3.2 milionë lekë nga buxheti i shtetit.
“KPT ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi edhe me 38 ekspertë staf akademik nga UBT dhe FE. Nga auditimi rezultoi se të gjithë ekspertët e mësipërm janë paguar në vlerën dhe numrin e ditëve të përcaktuar në VKM, në rolin e Udhëheqësve rajonal, por nuk gjendet e dokumentuar as nga AKPT dhe as nga UBT dhe FE (ekspertët janë dërguar vetëm nga këto dy institucione akademike) një analizë mbi numrin e nevojshëm të tyre, apo për cilin fshat dhe në cilën fushë aktiviteti nevojiteshin ata”, thuhet në raport, ku theksohet se këta ekspertë në terren kanë qenë inekzistent, pasi as nuk janë mbajtur procesverbale për shërbimet që ata kanë dhënë.
15 mln lekë për kompaninë që nuk mori pjesë në tender
Në raportin e auditimit evidentohet se në fund të 2020, AKPT ka nënshkruar një tender, duke i dhënë mundësi të përfitojnë nga fondet për këtë projekt një kompanie që nuk ishte fare në këtë garë. “Për këtë tender është përdorur procedura me negocim pa shpallje parapake. Në përfundim, fitues për tenderin me objekt “Projekt-zbatimi për godinën e Shkollës së Magjistraturës” është shpallur bashkimi i operatorëve “K+S. V+V.”, duke përfshirë një subjekt të tretë K. sh.p.k që nuk ka qenë i përfshirë në procedurat konkurruese të tenderit fillestar. Për më tepër, nga ana e Autoritetit Kontraktor, procedura me negocim pa shpallje paraprake të kontratës është zhvilluar me 1 kandidat, pra është dhënë tender pa garë. Nga këto shkelje AKPT ka shkaktuar një dëm prej 15 milionë lekësh”, deklarohet në raportin e KLSH.
Në gjetjet e audituesit konstatohet se tenderat nga ky institucion janë bërë jo komfort ligjit, pasi përzgjedhja e operatorëve nuk është bërë në mënyrë të rregullt. Kjo ka sjellë dhe hapësirat për abuzime dhe keqpërdorim fondesh.
“Në mënyrë të përsëritur, KVO ka kryer procesin e kualifikimit duke mos ruajtur të njëjtin standard dhe pa argumentuar qartësisht dhe konkretisht elementët që diferencojnë kriteret e njërit operator nga tjetri. Nga auditimi rezultoi se, pothuajse në të gjitha rastet diferencimi është bërë në kriterin e metodologjisë së paraqitur dhe eksperiencës së stafit. Për vlerësimin me më pak pikë sa i takon metodologjisë, KVO është mjaftuar thjeshtë me termin “metodologji më konkrete” duke mos sqaruar dhe pëshkruar në asnjë rast cilët kanë qenë elementët që e kanë bërë më konkret metodologjinë e kualifikuar.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit konstatohet se metodologjitë e kualifikuara nuk kanë ndryshime thelbësore nga ato të skualifikuara, madje në një rast ato ishin ngjashëm të detajuar, si psh kapitujt e organizimit të stafit, apo përcaktimi i aktiviteteve të cilët ishin identike si në përmbajtje/tekst ashtu edhe në paraqitje grafike. Po kështu, për kriterin e eksperiencës së stafit, pavarësisht se në fazën paraprake operatorët janë kualifikuar pasi i përmbushin kriteret për vitet e eksperiencës, në realizimin e procedurave të veçanta të prokurimit, KVO nuk vlerëson me të njëjtat pikë operatorët, por përdor nën kritere të pa miratuara duke avantazhuar në pikëzim, operatorin me më tepër vite eksperiencë. Së fundmi, nga procedurat e realizuara rezultoi se për bashkimin e operatorëve, njëri prej tyre nuk përmbush një pjesë të kritereve, ndërkohë që nga KVO argumentohet se kriteret e kualifikimit nuk duhet të plotësohen domosdoshmërisht nga të dy operatorët”, thuhet në raport.
Këto janë vetëm disa nga shkeljet kryesore të evidentuara nga KLSH, ndërsa raportohet se ka edhe abuzime të tjera që në vlerë duken të vogla, por kanë dhënë efekt të lartë negativ në buxhetin e shtetit. Audituesi shprehet se, institucioni për periudhën nën auditim paraqet mangësi në disa prej drejtimeve të veprimtarisë, që lidhen kryesisht me veprimet dhe mosveprimet e administratës së AKPT, nga të cilat është konstatuar dëm ekonomik në vlerën 3,230,000 lekë, si dhe shpenzime pa efektivitet në vlerën 15,416,666 lekë. Ndërsa në tërësi, dëmet kapin vlerat e miliarda lekëve.
Në përfundim, KLSH i ka rekomanduar AKPT që të jetë më transparente dhe komfort ligjit edhe për kontratën më të lirë, pasi në të kundërt dëmi ekonomik do të marrë përmasa katastrofike.