Vëzhgim/Analizë

Më pak gara më shumë ankesa për tenderat! 50% e bashkive problematike ankimohen 114 prokurime me vlerë 36 mln euro

4 qershor 2022/Eliza Gjediku/Porta Vendore

Prokurimet publike vijojnë të jenë proceset më problematike të qeverisë qendrore dhe vendore, ç’ka ka bërë që numri i ankimimeve të rritet nga viti në vit. Edhe pse vjet ka pasur më pak prokurime publike të hapura, numri i ankesave i bërë nga kompanitë private është rritur në raport me vitin 2021. Sipas raportit vjetor të publikuar nga Komisioni i Prokurimit publik thuhet se 9.2% e tenderëve të hapura përgjatë 2021 janë ankimuar nga bizneset për shkelje të ndryshme, duke u rritur me 3.7% në raport me vitin 2020. Në total janë bërë 768 ankesa për procedurat e hapura.  Në total vjet janë hapur 5079 prokurime publike për të cilat janë depozituar 566 ankesa. 

“Megjithëse, gjatë vitit 2021, janë publikuar 1361 procedura prokurimi më pak se në vitin 2020”, thuhet në raportin e KPP.

Gjatë vitit të kaluar, janë 223 institucione publike për të cilat është paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga 283 operator ekonomik. Institucionet që kanë pasur numrin më të madh të ankesave janë për Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, për QSUT dhe për garat e shpallura nga KESH.

50% e bashkive problematike ankimohen 114 prokurime me vlerë 36 mln euro!

Jo vetëm institucionet qendrore, por edhe ato vendore mbajnë një peshë të madhe të numrit të ankesave të bëra pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Konkretisht nga 768 ankesa të depozituara vjet për të gjitha garat e shpallura (tendera, ankande, leje minerare, etj), janë 114 ankesa të bëra për procedurat e ndjekura nga bashkitë. Janë mbi 4.3 miliardë lekë ose 36.2 milionë euro tendera të hapur nga bashkitë dhe që janë ankimuar nga operatorët ekonomik. Shumica e ankesave është bërë për fazat e vlerësimit të ofertave dhe pjesa tjetër është dokumentet e tenderit. 

Rreth 50% e bashkive në vend kanë pasur probleme me tenderat e hapura, pasi sipas të dhënave të përpunuara nga Porta Vendore vihet re, se 114 ankesat e bëra për prokurimet i përkasin 30 bashkive në vend. Bashkia më problematike është ajo e Durrësit me 16 tendera të ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, me një fond total prej 350.6 milionë lekësh.

Bashkia e dytë është ajo e Elbasanit me 14 tendera të ankimuar, që kishin fonde limit 304.6 milionë lekë, ndjekur më pas nga bashkia Shkodër me 10 ankesa me një fond prej 905.4 milionë lekësh.

Më pas me nga 8 tendera të ankimuar janë Bashkia e Tiranës dhe e Fierit, me fonde limit përkatësisht 736.1 milionë lekë dhe 619 milionë lekë. Renditet në vend të 6 për problemet bashkia Kukës e cila ka 5 tendera problematik me vlerë totale 80.9 milionë lekë.

Ndërsa bashkitë  Lezhë, Lushnjë, Patos, Përrenjas dhe Vlorë kanë nga 4 tendera të ankimuar, ndjekur nga bashkitë Pogradec, Gramsh dhe Kamëz secila me nga 3 tendera të ankimuar. Ndërkohë bashkitë Gjirokastër, Kuçovë, Bulqizë, Cërrik dhe Dibër kanë nga 2 tendera të ankimuar dhe në fund me nja 1 procedurë problematike renditen bashkitë Devoll, Dimal, Divjakë, Finiq, Kavajë, Maliq, Mallakastër, Rrogozhinë, Sarandë dhe Selenicë.

 

BASHKITË

 NUMRI ANKESAVE

 

FONDET PËR TENDERAT E ANKIMUAR

 

1

Durrës

16

350,694,153 lekë

2

Elbasan

14

304,616,023 lekë

3

Shkodër

10

905,400,691 lekë

4

Fier

8

619,063,658 lekë

5

Tirane

8

736,146,021 lekë

6

Kukës

5

80,907,748 lekë

7

Himarë

4

27,499,899 lekë

8

Lezhe

4

314,394,505 lekë

9

Lushnjë

4

125,636,136 lekë

10

Patos

4

52,879,429 lekë

11

Përrenjas

4

52,879,429 lekë

12

Vlore

4

10,367,698 lekë

13

Pogradec

3

116,814,487 lekë

14

Gramsh

3

244,999,710 lekë

15

Kamëz

3

162,605,504 lekë

16

Gjirokastër

2

21,058,034 lekë

17

Kuçove

2

29,055,040 lekë

18

Bulqizë

2

13,343,986 lekë

19

Cërrik

2

50,445,336 lekë

20

Dibër

2

23,827,083 lekë

21

Devoll

1

23,493,732 lekë

22

Dimal

1

25,532,458 lekë

23

Divjakë

1

2,297,109 lekë

24

Finiq

1

9,491,753 lekë

25

Kavajë

1

5,832,684 lekë

26

Maliq

1

1,746,867 lekë

27

Mallakastër

1

59,394,362 lekë

28

Rrogozhine

1

2,408,038 lekë

29

Sarande

1

5,791,360 lekë

30

Selenice

1

15,762,510 lekë

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi pushteti vendor ka probleme me tenderat që zhvillon për shkak se ka keq menaxhim të fondeve publike që ka ardhur në rritje pas ndarjes së re territoriale. Madje sipas tij ky keq-menaxhim ju ka shtuar edhe borxhet bashkive, dhe shtim të pajustifikuar të stafit të bashkive.

 

Rritja me disa mijëra vetë e numrit të përgjithshëm të punonjësve të bashkive duke filluar me Tiranën duket shkon edhe përkundër deklarimeve të zhurmshme të z. Rama mbi “Shqipërinë digjitale”, nuk ka kuptim shtimi i numrit te personelit ndërsa shërbimet publike jepen me PPP apo përdoret teknologjia e informacionit ne ofrimin e tyre ndaj bizneseve dhe qytetareve. E gjithë ky keq-menaxhim financiar i bashkive ka sjellë rritjen e borxhit të tyre ndaj ofruesve të mallrave dhe të shërbimeve, mos-shlyerjen në kohë të detyrimeve kontraktuale ndaj tyre, në mjaft siç provojnë edhe raportimet e ndryshme të KLSH me procedura jo-konkurruese, etj”, shprehet Preçi.

 

Zgjidhja e problemeve me tenderat për ekspertët është respektimi i ligjit për prokurimet publike, pasi problemet që vijnë nga mos respektimi i tij shkaktojnë dëme të shumëllojshme ekonomike.

 

“Zbatimi me korrektësi i ligjit të prokurimit publik është çelësi qe eliminon çdo problem konflikt interesi apo abuzim. Kur tenderat janë problematik ka humbje ekonomike dhe krijim të problemeve të gjithanshme për pushtetin vendor”, thotë Agron Haxhimali, kryetar i Shoqatës së Bashkive.

 

Preçi: Klientelizmi e paratë e pista kanë ulur konkurrencën në tendera!

 

Por si e argumentojnë ekspertët faktin që numri i prokurimeve publike të hapura është ulur ndërsa ankesat kanë ardhur në rritje?

 

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike Zef Preçi në një intervistë për Portën Vendore , shtimin e ankesave e shikon të lidhur me mungesën e konkurrencës në garat që zhvillohen.

 

“Përveç emergjencës së pajustifikuar në shumicën e rasteve, është kuptueshme që rritja e numrit të tenderëve në forma të tjera veç atij ‘të hapur’ dëshmon zvogëlimin e konkurrencës në procesin e prokurimit, vendim-marrje për përzgjedhjen e operatoreve ekonomike “fitues” mbi bazën e ndikimeve politike apo te lobeve te biznesit, oligarkëve, etj. Kjo dukuri duhet trajtuar si dëshmi e zvogëlimit të konkurrencës e cila është mjeti i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për përdorimin me efektivitet të fondeve buxhetore, për uljen e korrupsionit dhe shmangien e vendim-marrjeve në kushtet e konfliktit të interesave, reduktimin e korrupsionit. Ndërsa rritja e numrit të ankimimeve reflekton jo vetëm përkeqësimin e konkurrencës në procesin e prokurimit, por edhe njëlloj ndërgjegjësimi të segmenteve të caktuara të biznesit që synojnë që përmes përdorimit të instrumenteve ligjore siç është ankimi në “gjykatën e tenderëve” të çlirojnë sa të jetë e mundur këtë proces nga interesat financiare okulte të bizneseve që kanë afilacion të dukshëm dhe të padukshme ndaj elitës politike dhe administrative drejtuese të vendit në nivel qendror dhe vendor”, përgjigjet Preçi.

 

Numri i ankesave pritej që të ulej në vitin 2021, si pasojë e ndryshimeve që pësoi ligji i prokurimit publik që synonte rritjen e transparencës apo shmangien e konfliktit të interesit por sipas Preçit nëpër garat që zhvillohet kuadri ligjor nuk respektohet plotësisht madje ka ndikim të qeverisë në to, për të favorizuar grupe të caktuara.

 

“Ashtu si dhe më parë, problematike është zbatimi i këtij kuadri, rritja e ndikimeve të oligarkisë mbi qeverinë. Ndërsa qenia ne periudha zgjedhore shtyn entet prokuruese jo vetëm ne copëtimin e fondeve, por edhe rritet ndikimi i qarqeve politike ne klientelizëm e favorizim me këto fonde. Kjo u konstatua edhe gjatë procesit të rindërtimit në të cilin emergjenca u zgjat me muaj e vite apo në rastin e pandemisë sepse kjo emergjencë ishte edhe “mjeti” përmes të cilit në shumicën e rasteve është justifikuar zyrtarisht shmangia nga tenderat e hapur, pamundësimi i pjesëmarrjes se kompanive të huaja, formimi i konsorciumeve te paracaktuara dhe ne kufijtë e fondit limit”, shpjegon eksperti i ekonomisë.

 

Duke sjellë si shembull, aferën e inceneratorëve ku shkeljet e konstatuara çuan pas hekurave disa zyrtarë të lartë, eksperti Preçi sjell edhe një argument tjetër për cenimin e konkurrencës nëpër tenderat që hapen nga pushteti qendror dhe vendor.

 

“Një problem më vete mendoj se përben edhe rritja e ndikimit të parave me origjinë informale dhe kriminale në ekonominë tonë kombëtare. Fuqia e parave informale dhe kriminale çon jo vetëm në vendim-marrje që shkelin dukshëm konkurrencën, por vitet e fundit po shfaqet edhe si një fuqi që siguron fitime të qëndrueshme, para “të lira” për periudha të gjata kohe përmes ofertave të pa kërkuara, por që sigurojnë norma shumë të larta fitimi. Nuk besoj se ka ndonjë qytetar shqiptar në moshë madhore që të besojë me mendje të shëndoshë se prokurime për të cilat ka dyshime të bazuara si ai për inceneratorët që mundësuan lëvrimin e qindra miliona Eurove të jenë miratuar “nën hundën” e drejtuesve kryesore të qeverisë, minimumi të ministrave që kishin dijeni dhe kreut të ekzekutivit. E kjo të jetë kryer nga disa nëpunës periferike të rangut të tretë apo të katërt në hierarkinë e administratës shtetërore”, pohon Preçi.

 

Tendera problematik, dhe pa pasur fonde në dispozicion!

 

Investimet mbajnë peshën kryesore të borxheve të pashlyera të bashkive ndër vite. Shkak për këtë problem, sipas ekspertëve është fakti që bashkitë hapin tendera pa pasur fonde në dispozicion, dhe për pasojë bëhet një investim nga privati pa u paguar, duke akumuluar borxhe shtesë për financat e tyre.

 

Një problem i tillë sipas Preçit, vjen për shkak të planifikimit të gabuar të buxhetit nga bashkia. Eksperti sugjeron që të merren masa që të kushtëzohet hapja e tenderave nga bashkitë pa pasur fonde në dispozicion, sidomos kur investimet kërkojnë më shumë kohë se mandati që kanë drejtuesit e bashkive.

 

“Ky është një problem i vjetër, i nxitur kryesisht nga planifikimi i gabuar i buxhetit në nivel bashkiak, nga mungesa e kapaciteteve të bashkive për të mbledhur tatime-taksat e për rrjedhoje edhe për të mbuluar me fonde prokurimet që kryejnë vetë, nga korrupsioni në organet tatimore vendore, nga mungesa e bashkërendimit midis qeverise qendrore dhe asaj vendore, vonesat në lëvrimin e fondeve, etj. Gjithsesi vitet e fundit janë bërë përpjekje dhe besoj se problemi do të adresohet më mirë përmes harmonizimit të veprimtarisë buxhetore qendrore me atë vendore. Gjithashtu mendoj se ka nevoje për më shumë kushtëzime te kryerjes se prokurimeve me disponibilitetin e fondeve përkatëse nga pushteti vendor, sidomos për veprat e investimeve qe tejkalojnë vitin buxhetor dhe me keq akoma te atyre qe tejkalojnë periudhën e kohëzgjatjes e mandatit te drejtuesve dhe këshilltarëve te atij pushteti”, thotë Preçi.

 

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Bashkive Haxhimali thotë se pavarësisht se situata është problematike, ka pasur reduktim të borxheve të prapambetura të pushtetit vendor.

 

“Borxhet prej vitit 2015 kanë pësuar rënie, por përsëri mbetet problem. Detyrimet më të mëdha janë krijuar nga investimet dhe shërbime të kryera të papaguara. Ndikim në rritjen e borxhit të pushtetit vendor kanë dhënë edhe largimet e padrejta nga puna”, thotë Haxhimali.

 

Në total sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të muajit dhjetor 2021 detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor arritën në 6.604 miliardë lekë, nga rreth 7.058 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2020. Detyrimet më të mëdha bashkitë vijojnë ti krijojnë me investimet që kryejnë pa pasur fonde në dispozicion. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të vitit detyrimet për investime të papaguara ishin në vlerën e 3.613 miliardë lekëve, nga 3.770 miliardë lekë fundin e vitit 2020.

BORXHET E BASHKIVE PËR INVESTIME

Bashkia Vorë                  420.4 mln lekë

Malësi e Madhe              317.3 mln lekë

Bashkia Tiranë               299.4 mln lekë

Bashkia Belsh                213.4 mln lekë

Bashkia Fier                   177.5 mln lekë

Bashkia Kamëz              172.8 mln lekë

Bashkia Cërrik                171.8 mln lekë

Bashkia Roskovec          163.5 mln lekë

Bashkia Durrës                  161 mln lekë

Bashkia Berat                    151 mln lekë

Bashkia Kavajë              141.7 mln lekë

Bashkia Kuçovë             118.3 mln lekë