31 maj 2022/ Ina Allkanjari/ Ilda Hoxha/ Porta Vendore/ Tiranë
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të kryebashkiakut Erion Veliaj për futjen në përdorim të autobusëve elektrikë, aktualisht ende transporti publik qytetës nuk ka pjesë të flotës mjete 100% elektrike. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Portën Vendore nga Bashkia e Tiranës, ku ndër të tjera theksohet se implementimi u vonua për shkak të pandemisë Covid-19. Nga ana tjetër, Shoqata e Transportit Urban thekson se autobusët elektrikë nuk i japin zgjidhje problematikës së shërbimit urban, duke renditur edhe kushtet që duhet të plotësohen që këto mjete të vihen në përdorim. Deri në ofrimin e një zgjidhje për përmirësimin e transportit urban, pasojat do t’i vuajnë qytetarët, të cilët ankohen për vonesa dhe mbingarkesë.
Përmirësimi i transportit urban në kryeqytet duke inkorporuar autobusët elektrikë është një ndër premtimet e hershme të kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Flota e autobusëve elektrikë vijon të premtohet nga kryebashkiaku që prej marrjes së mandatit të tij të parë deri në ditët e sotme, ndonëse ende nuk ka kaluar në zbatim, pasi në Tiranë nuk ka asnjë autobus elektrik që do të ndihmonte në përmirësimin e këtij transporti.
Rreth 5 vite më parë, në 22 shtator 2017, kryebashkiaku Veliaj njoftoi nisjen e testimit të autobusëve elektrikë.
“Vraponi blini autobusë elektrikë, sa s’ju ka ardh Bashkia t’ju marri punën. Ne do të fillojmë nga muaji tjetër, fillimisht nga një kompani europiane, pastaj me një kompani kineze testet e autobusëve elektrikë”, iu drejtua Erion Veliaj operatorëve në një deklaratë për mediat.
Pas realizimit të testimit të autobusit të parë elektrik në tetor të 2017, ky autobus nuk u vendos asnjëherë në qarkullim për qytetarët.

Në mars të vitit 2019, Veliaj doli sërish me një deklaratë në kuadër të vendosjes së autobusëve elektrik, por kësaj here kryebashkiaku u shpreh se 100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030.
“Përveç 2 milionë pemëve, kemi vendosur si target që 100% e taksive të jenë elektrike ose hibride brenda vitit 2025. 100% e autobusëve do të jenë elektrik brenda vitit 2030, një operacion që e fillojmë tani dhe kemi 11 vite kohë ta realizojmë”, deklaroi ai në mars të 2019.
Për të mësuar më shumë rreth ecurisë së këtij projekti të premtuar ndër vite nga kryebashkiaku, Porta Vendore në muajin shkurt vendosi t’i dërgojë një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë.
Konkretisht ne kërkuam informacion se sa linja urbane përdorin autobusë elektrikë dhe hibridë në kryeqytet dhe kur është menduar të futen në përdorim për linjat e tjera.
Në përgjigjen e ardhur nga Bashkia Tiranë më 18 Mars 2022 theksohet se operatorët e transportit publik qytetës nuk kanë pjesë të flotës së tyre mjete (autobusë) 100% elektrik.
“Në përgjigje të shkresës së sipërcituar, për informim mbi autobusët elektrikë dhe hibridë në kryeqytet dhe planet në këtë drejtim, ju bëjmë me dije se aktualisht operatorët e transportit publik qytetës nuk kanë pjesë të flotës së tyre mjete (autobusë) 100% elektrik. Në shërbimin e transportit publik qytetës, linja nr.16 ‘Linja e Gjelbërt’ është e vetmja linjë që zotëron flotë hibride (23 mjete hibride). Projektet në këtë kuadër ishin menduar të fillonin më herët për implementim, por për shkak të pandemisë Covid 19, u shtynë në afate.
Për plane të mëtejshme referojuni ‘Planit të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane për Bashkinë e Tiranës’, e gjeni në linkun si më poshtë: https://tirana.al/faqe/plani-i-levizshmerise-se-qendrueshme-urbane-per-bashkine-tirane”, shkruhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë.

Rreth një muaj pas përgjigjes së ardhur për Portën Vendore nga Bashkia Tiranë, në datë 20 prill në një deklaratë për mediat Veliaj u ndal sërish te transporti urban duke risjellë në kujtesën e qytetarëve objektivin e bashkisë përsa i përket autobusëve elektrikë.
“Plani ynë është që brenda 2030-ës, flotën e autobusëve ta kemi 100% elektrike. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me mjetet që përdorin institucionet e Bashkisë së Tiranës. Kemi filluar me Policinë e Shtetit, jam i sigurt se edhe qeveria do të investojë që çdo blerje e ardhshme e mjeteve të jenë mjete elektrike”, u shpreh Veliaj.
Aktualisht në kryeqytet janë 16 linja të transportit publik urban. Në korrik të vitit 2021 kryebashkiaku Veliaj prezantoi “Linjën e Gjelbër”, e cila është e vetmja linjë që zotëron autobusë hibride konkretisht 23 mjete.

Linjat problematike të transportit urban në kryeqytet
Vonesa e autobusëve, tejmbushja e tyre si dhe mungesa e higjienës janë disa prej problematikave që shoqërojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës përdorues të transportit urban. Nisur nga këto problematika, ne vendosëm t’i drejtohemi Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit për të mësuar nëse kanë konstatuar se cilat janë linjat urbane në Tiranë që abuzojnë me shërbimin urban dhe nëse do të merren masa ndaj linjave që janë më problematike.
Në përgjigjen e ardhur në muajin mars për Portën Vendore, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit na tregon linjat problematike duke theksuar se për çdo shkelje të konstatuar merret masa administrative ‘gjobë’ deri në heqjen e Licencave të ushtrimit të aktivitetit.
“Në lidhje me kërkesën për informacion mbi shkeljet në shërbimin urban dhe masat ndaj linjave me problematika të ndryshme, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila monitoron shërbimin e transportit publik, ju informon si më poshtë:
Linjat urbane kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme nga inspektorët tanë, dy herë në ditë, kryesisht në oraret e pikut të fluksit të qytetarëve që udhëtojnë me mjetet e transportit urban, në të dy senset e udhëtimit (sensi orar/kundërorar), dhe për çdo shkelje të konstatuar merren masa administrative ‘gjobë’, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr.13, datë 15.01.2010 për ‘Vendosjen e gjobave në vend ndaj subjekteve, për shkeljet e kryera në fushën e transportit rrugor” .

Linjat që kanë rezultuar më problematike, janë kryesisht linjat që kanë edhe itinerarin më të gjatë të lëvizjes së tyre, kryesisht linjat qytetëse:
‘TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit’; ‘Kashar’; ‘Laprakë’; ‘Qytet Studenti – Jordan Misja’; ‘Marteniteti i Ri – Qendër’/’Mihal Grameno – Qendër’/’Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit’; ‘Uzina Dinamo e Re – Sharrë’; ‘Unaza’, si dhe linja rrethqytetëse ‘Ndroq-Pezë’, të cilat janë ndëshkuar me masa administrative ‘gjobë’ kryesisht për vonesa në stacione të mjeteve në linjë (frekuencat), deri në heqjen e Licensave të ushtrimit të aktivitetit”, shkruan Agjensia e Mbrojtjes së Konsumatorit.
Qytetarët në mëshirë të fatit
Ata që i vuajnë pasojat e një shërbimi aspak të denjë janë qytetarët e thjeshtë, të cilët duhet të udhëtojnë çdo ditë për të shkuar në punë apo në shkollë.
Roza, një grua rreth të 45-ve tregon për Portën Vendore se ajo përdor linjën e ‘Institutit Bujqësor-Qendër’ dhe i duhet të përballet me mbingarkesë, vonesa dhe kushtet aspak të përshtatshme.
“Në mëngjes nuk hipet në autobusë, është një tmerr i madh. Shtypemi me njëri-tjetrin për të zënë një cep e për të shkuar në punë në orar. Le që duhet të presim deri në gjysmë orë për të ardhur autobusët. Nuk kemi çfarë të bëjmë se me dëshirë nuk hipja kurrë në këto lloj autobusësh. Tani që vjen vera bëhet edhe më keq, sepse është shumë vapë brenda. Nuk kanë kondicionerë dhe ata që kanë nuk i ndezin për të kursyer”, shprehet e shqetësuar ajo.
Denisi, një gjimnazist në Tiranë thotë se së fundmi situata është bërë edhe më problematike, sepse kanë reduktuar edhe numrin e autobusëve.
“Shërbimi urban lë shumë për të dëshiruar. Numri i urbanëve është shkurtuar, duke krijuar vonesa dhe mbingarkesë të mëdha. Është shumë e vështirë të marrësh autobusët në Tiranë, por nga halli jemi të detyruar që t’i përdorim”, thekson ai.

Pse autobusët elektrikë nuk i japin zgjidhje problematikës së shërbimit urban
Në lidhje me autobusët elektrikë dhe nëse ato i japin zgjidhje problemit të transportit urban në kryeqytet, “Porta Vendore” kontaktoi kryetarin e Sindikatës së Transportit Urban, Rixhin Qoshja. Ai thekson se duhen plotësuar disa kushte që këta autobusë të përdoren në Tiranë.
“Autobusi elektrik që të funksionojë nevojitet korsia e dedikuar e autobusit. Pa pasur korsi autobusi, e para autobusi elektrik nuk zgjidh gjë dhe e dyta nuk ka atë autonominë që duhet të ketë, atë optimalen. Sepse, për sa kohë do të rrijë në trafik me të gjitha makinat e tjera, si të gjithë autobusët e tjerë që po punojnë sot, nuk ka zgjidhur asgjë në lidhje me transportin publik.
Këtu nuk po flas për ambientin që ndot më pak, por ne kemi një problem që është transporti publik, pra rritja e cilësisë së shërbimit. Autobusi elektrik do të bëjë të njëjtën punë që po bëjnë këta autobusë sot dhe nuk i jep zgjidhje problemit.
Autobusi elektrik nuk do të ecë më shpejt se këto që po punojnë sot, por do bëjë po të njëjtën punë që po bëjnë këto sot. Në momentin që ndërtohet korsia e dedikuar e autobusit, atëherë bën sens, që autobusi ta bëjë shërbimin më mirë, por edhe të ndotë më pak ambientin”, thekson ai.
Gjithashtu zoti Qoshja shprehet se kostoja për blerjen e një autobusi elektrik është mjaft e lartë, krahasuar me autobusët që përdoren masivisht.
“Autobusi elektrik nuk është zgjidhje për transportin publik, sepse ne nëse duam të shkojmë në punë, në shkollë shpejt, nuk duam të dimë se me çfarë punon autobusi, me korrent, naftë apo ku di unë. Qëllimi im është të shkoj shpejt dhe mirë në destinacionin tim. Por për sa kohë jam në trafik me makinat e tjera dhe gjithë autobusët e tjerë, asgjë nuk është zgjidhur për mua. Dhe diçka, çmimi i një autobusi elektrik është baraz me tre autobusë me naftë të rinj, ‘euro6’. Në kushtet e Shqipërisë, me 40 lekë biletën, duhet të blejmë 3 autobusë me naftë që të kemi sa më shumë autobusë në shërbim, apo duhet të marrim më pak autobusë në shërbim, por që punojnë me korrent?! Edhe kjo është një dilemë e madhe”, argumenton kreu i Sindikatës së Transportit Urban.
Rritja e cilësisë së transportit publik ka qenë shpeshherë temë diskutimi mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe operatorëve të shërbimit urban. Disa muaj më parë u ra dakord mes palëve për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe pranimin e një pakete të propozuar nga Bashkia e Tiranës për kalimin e situatës së vështirë. Operatorët pranuan kërkesat e bashkisë për rritjen e standardit të shërbimit, vendosjen e GPS dhe formalizimin e shitjes së aboneve. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës u ofroi 1 milion euro subvencion, por kushtet vazhdojnë të jenë të njëjta edhe pas këtyre zotimeve nga palët.