Vëzhgim/Analizë

Bashkitë në revansh me lejet e ndërtimit, qytetarët me blerjen e banesave

31 maj 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore/ Tiranë

Bashkitë nuk “ndalin dorën” në dhënien e lejeve të ndërtimit. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, janë miratuar 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë, duke shënuar një rritje prej 58.2 për qind. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, bashkitë kanë dhënë 146 leje ndërtimi më shumë. Rritja e numrit të lejeve të ndërtimit është shoqëruar me rritjen e ndjeshme të sipërfaqes për ndërtim. “Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2022, është 1.031.088 m 2 , nga 599.446 m 2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72.0 %”, vlerëson INSTAT. Ndërsa vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike llogaritet në tremujorin e parë të këtij viti në 39 miliardë lekë, nga 26.6 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46,7 %.

Nga të dhënat e detajuara rezulton se Tirana kryeson në dhënien e lejeve të ndërtimit, me 112 të tilla gjithsej, pasuar nga Durrësi me 84 leje dhe Fieri me 48 leje ndërtimi. Ndërsa bashkia që ka dhënë më pak leje ndërtimi në tremujorin e parë të këtij viti është Kukësi me 4 leje të dhëna, Dibra me 5 dhe Gjirokastra, ku janë dhënë vetëm 6 leje ndërtimi.

Bahskitë kanë dhënë leje ndërtimi kryesisht për ndërtim pallatesh. Të dhnat e INSTAT saktësojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, 77.5% e lejeve të dhëna kanë qenë për ndërtime për banim, 15.1% për ndërtesa të tjera jorezidente dhe vetëm 7.4% kanë qenë për punime inxhinierike.

Eksperti I pushtetit vendor, Agron Haxhimali e shpjegon një tendnecë të tillë të pushtetit vendor për të dhënë kaq leje ndrëtimi me një sërë faktorësh.

“Rritja e lejeve për ndërtim në këtë masë duhet parë dhe kërkon një analize përtej asaj teknike dhe profesionale. Kjo rritje që është ’modë me një dinamikë’ shumë të fortë duhet vlerësuar dhe konsideruar politikisht dhe e parë në disa dimensione. Por, në aspektin dhe trajtimin teknik them, se kjo rritje mund të shpjegohet me faktin se aktualisht 55 nga 61 bashki kanë të miratuar planet vendore. Kjo është bazike që bashkite të jenë juridikisht të lirshme të procedojnë leje ndertime në zona të studiuara. Një shpjegim tjetër vjen nga fakti, që ekonomia pas heqjes së kufizimeve nga COVID 19, filloi të lëvizë me shpejtësi për të rikuperuar kohën e hunbur nga izolimi (edhe pse industria e ndërtimit nuk shënoi paralize aspak). Një shpjegim tjetër lidhet me fillimin e zbatimin të dhënies së lejeve pas miratimit të planeve të përgjithshme vendore, dokument që bashkitë mezi e kanë pritur. Sigurisht, edhe interesi i industrisë së nëertimit dhe sektorit privat janë leva shtytëse për rritjen e lejeve të ndërtimit”, shprehet Haxhimali për Porta vendore.

Ndërsa për ndërtuesit, industria është në një moment lulëzimi dhe kërkesa për ndërtime të të gjitha kategorive dhe jo vetëm për banim, është e lartë. Në këto kushte, është e kuptueshme edhe tendenca pushtetit vendor për të ndjekur këtë ritëm zhvillimi. “Kjo rritje e numrit të lejeve të ndërtimit shpjegohet me nevojën e biznesit për zhvillim. Ka rritje të kapaciteteve thithëse për ndërtimet e reja të të gjitha kategorive: banim, biznes, industri të tjera”, shprehet Ilir Hebovija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve për Porta Vendore.

Por përfitime nga dhënia e lejeve të ndërtimit kanë edhe bashkitë. Kjo për shkak të të ardhurave të konisderueshme që mblidhen nga Taksa e ndikimit në Infrastrukturë, që paguhet nga kompanitë e ndërtimit për lejet që marrin.

“Bashkitë nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë dhe taksa e ndërtesës kanë përftime të konsiderueshme në tërësi. Por kjo është evidente në bashki të mëdha, duke filluar nga kryeqyteti dhe bregdeti e bashkitë qendër qarku. Por nga ana tjetër, të ardhurat nga ky sektor nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë nuk janë tregues të qendrueshmërisë. Këto janë të ardhura të shpejta afatshkurtra, por jo afatgjata. Kjo pasi vjen moment i “ngopjes” me ndërtime në një qytet dhe kur ndodh kjo, shkaktohet rënia e të ardhurave dhe për pasojë, dhe rënie e te ardhurave bashkiake”, shpjegon Haxhimali.

Sipas raportit të Financave Vendore, publikuar nga Co-Plan dhe Ministria e Financave, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja (TNI) për 9- mujorin e 2021 (e dhëna e fundit e disponueshme) shënuan një nivel prej rreth 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 19.3% në terma vjetorë. Përjashtuar të ardhurat për TNI të mbledhura nga bashkia Tiranë (rreth 81% e totalit), 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 16.6% në terma vjetorë.

Boom-i për banesa

Migrimi i brendshëm me fokus kryeqytetin dhe qytetet e mëdha ka rritur ndjeshëm nevojën për strehim. Kjo ka hapur fronte pune për ndërtuesit, të cilët në pjesën dërrmuese të lejeve që kërkojnë e kanë pikërisht për ndërtim banesash. Ky fakt konfirmohet edhe nga struktura e lejeve të ndërtimit, ku 77.5% e totalit të tyre ishte për ndërtime të reja për banim (rezidente).

“Kjo kërkon analizë përtej teknikës sepse fakti tregon që tregu po konsumon leje ndërtimi për banim, ndërkohë që numri i popullsisë vjen në ulje, si rezultat i largimeve nga vendi. Janë relacione që sikur nuk shkojnë me njëra- tjetrën. Pasi kemi numër të madh ndërtimesh për banim, numër të vogël blerësish dhe cmime shumë të larta. Këto nuk më bindin se janë ndihmuese për ekonominë e paster dhe të qëndrueshme dhe burim zhvillimi. Do të ishte më mirë, nëse raporti midis përqindjes për ndërtime banimi dhe përqindjes për punime shërbimi dhe inxhinierike do të anonin konsiderueshëm nga këto të fundit. Kjo pasi projektet inxhinierike gjenerojnë ekonomi dhe prodhim krahasuar me ndikimin që kanë banesat. Pra, është e kuptueshme, që sa më shumë leje të kemi për objekte shërbimi dhe prodhimi, aq më shumë vende pune, aq më shumë mundësi ekonomike”, argumenton Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor.

Ndërsa për ndërtuesit, ka rritje të kërkesës për të gjitha llojet e ndërtimeve. “Po ndërtohet për banim, për biznes, industri turizmi etj. Fokusi është për të dyja kategoritë: luxury dhe banesa popullore”, shprehet Ilir Hebovija, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai shton se rritja e krkesave për shtëpi banimi, por edhe e cilësisë nga ana e ndërtuesve ka rritur çmimet për qytetarët. “Cmimi i ndërtimit nga 400 euro/m2 është bërë 600 euro/m2. Shto këtu taksat. 11 për qind janë taksa që i paguhen bashkisë, ndërkohë që nuk mbetet pas dhe detyrimet për pronarin nga 35-50%. Kjo ka cuar në rritje të çmimeve për qytetarët. Në kryeqytet, jashtë Unazës çmimet kanë arritur mesatarisht në 1300 euro/m2, ndërsa brenda Unazës variojnë nga 1600-1800 euro/m2”, shpjegon Hebovija.

Rritja e kërkesave për banim ëhstë shoqëruar edhe me shtim të kreditimit për blerje banesash. Banka e Shqipërisë konstaton në Raportin e Politikës Monetare se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kreditimi i individëve është rritur me 16.3% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, nxitur kryesisht nga kërkesa përe hua për banesa.

“Kreditimi i individëve është rritur me ritme më të larta në tremujorin e parë të vitit, me 16.3%, i mbështetur kryesisht nga kreditimi për financimin e blerjeve të banesave. Ecuria e çmimeve të apartamenteve, si dhe rritja e kërkesës për strehim dhe investim kanë ndikuar në performancën e mirë të këtij portofoli”, theksohet në Raportin e Bankës Qendrore.

Nxitur nga kërkesa e lartë për blerje banesash, por edhe rimëkmëbja e ekonomisë pas pandemisë së COVID 19, ndërtimi është një ndër sektorët që po shënon rritje të konsiderueshme. Kjo pavarësisht shtrenjtimit të cmimeve, që kanë nisur të prekin edhe këtë sektor tek lëndët e para, si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë.