27 maj 2022/ Edi Ruçi/ Porta Vendore/ Vlorë
Projekti i dytë më i rëndësishëm, i cili po ndërtohet në Vlorë, pas Sheshit të Flamurit është “Parku i shtëpisë së Pavarësisë” një projekt në zonën e Skelës, i cili synon të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me projektin më madhor të qytetit Lungomaren. Parku i Shtëpisë së Pavarësisë fillon tek rrethrrotullimi i Skelës deri në hyrje të Lungomares. Synimi i këtij projekti është nxjerrja në pah e Muzeut të Pavarësisë i cili ka marrë tashmë tjetër pamje, por qytetarët e bizneset “qahen” për efektshmërinë e këtij projekti duke uruar që të këtë përfunduar deri në fillim sezoni.
Projekti i Parkut të shtëpisë së Pavarësisë po ndërtohet në zonën e Skelës dhe është nyja lidhëse e Bulevardit “Ismail Qemali” me Lungomaren. Projekti ka për qëllim ekspozimin sa më të qartë të Muzeut të Pavarësisë ku në fakt hapësira e tij e jashtme e kësaj strukture i është nënshtruar një rikonstruksioni total duke marrë tjetër pamje, teksa tashmë shquhet edhe nga rruga.
Në pjesën ballore të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë prej më shumë se 20 vitesh ishin ndërtuar 6 objekte të llojit bare dhe restorante me strukturë të lehtë betoni, druri dhe hekuri. Këto objekte kishin leje të shfrytëzimit të territorit të cilat rinovoheshin njëherë në pesë vite. Kontrata e këtyre objekteve me Bashkinë e Vlorës u prish me konsensusin që do dëmshpërbleheshin për vitet që kishin ende në kontratë duke i hapur rrugë shembjes së 6 subjekteve.
Megjithatë për këtë investim, të dhënat për publikun janë të pakta. Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili më 7 korrik 2020 ka prezantuar për herë të parë.
Më 9 shtator të po atij viti, kryeministri Rama përgjatë vizitës së tij në Vlorë ka zhvilluar një inspektim për të parë ecurinë e punimeve.
Është një projekt i qeverisë shqiptare dhe fondit shqiptar të zhvillimit, ku përmes firmës Fusha po zbatohet në terren. Në lidhje me këtë projekt më pas nuk dihet asgjë. Asnjë informacion në lidhje me vlerën e punimeve, afatin e përfundimit të tyre nuk jepet nga Bashkia Vlorë, e cila u pyet nga Porta Vendore, duke krijuar një qark të mbyllur e hermetik lidhur me këtë investim, ku nuk ka asnjë tabelë informuese.
Xhevdet Nazeri është një qytetar i Vlorës, i cili ka një qasje tejet pozitive lidhur me këtë projekt. “Mua më pëlqen projekti, besoj do dali gjë e bukur. Pritet sigurisht ti japi impakt qytetit. Në terren ndërkohë nuk ka asnjë informacion dhe s’ka pasur asnjëherë. Ritmet e punimeve janë dobët fare. Me këtë ritëm punimesh nuk mbarojnë sivjet, në këtë sezon veror”, thotë banori i cili me profesion na zbulon se është ndërtues, dhe ka punuar gjithë jetën në këtë sektor.
Mihal Gjoka një tjetër qytetar vlonjat thotë se bashkia nuk ka kryer konsultime lidhur me këtë projekt, ose të tjera që janë duke u zhvilluar në qytetin e tij. “Këta vetë vendosin dhe vetë vulosin nuk pyesin këta për popullin. E bëri Vlorën vetëm rrapa, kur rruga Vlorë-Skelë, ka qenë me portokalle, me manderina, me limona, tani pse nuk mbjell një pemë dekorative ti, por më mbjell rrapin, Ç’e dua rrapin unë? Rrapi është për në buzë të lumit, jo në qytet. Është shtuar betoni shumë fare në qytet. Bashkia ka emër po kush është ai që drejton bashkinë, ai ngeli duke fshirë buzën e detit. Nuk ka për të përfunduar si projekt po qe ky ende kryetar bashkie”, rrëfen Mihali për Portën Vendore.
Shemshedi Zeneli shpreh ankesat e tij në lidhje me projektin në fjalë . Sipas tij qyteti duhet të ketë më shumë gjelbërim e më pak beton. “Ka shumë gjëra të mirë por vërejtja ime është vetëm kjo, sa më pak beton, sa më shumë gjelbërim. Në këtë projekt mbizotëron më tepër betoni në krahasim me gjelbërimin”, tha ai.
Për t’i përgjigjur disa prej ankesave apo kërkesave të qytetarëve, Porta Vendore iu drejtua edhe inxhinierit të firmës Fusha, ku ndër të tjera ai sqaroi se: “I kemi dorëzuar Bashkisë Vlorë kërkesën për shtyrjen e afatit të punimeve me rreth gjashtë muaj, kërkesë kjo e cila është miratuar. Shkaku që na ka çuar në shtyrjen e afatit të punimeve dhe moskryerjes së tyre brenda afateve është, siç edhe ju e dini që aty kanë qenë 6 objekte bare dhe restorante, të cilat na kanë vonuar me rreth 6 muaj për tu shembur. Gjithashtu zona ka qenë port detar më parë, është një zonë relativisht e vështirë për të punuar, pasi në nëntokë mund të gjesh çfarëdo dhe duhet kujdes gjatë punimeve. Përsa i përket konsultimeve me publikun, ne jemi hallka e fundit e këtij projekti. Si të thuash ne jemi të punësuar nga organet kompetente, pasi kemi marrë një projekt të gatshëm, të cilin duhet ta zhvillojmë në terren. Është pikërisht Bashkia e Vlorës institucioni i cili paraqet projektin për publikun, kryen konsultime me publikun, merr ide apo ankesa, bënë ndryshimet në projekt dhe më pas i paraqet firmës zbatuese projektin final”, thotë ai.
Krahas qytetarëve të Vlorës rol të madh në qytetin vendas e luajnë edhe bizneset, me përfaqësuesit e tyre që krahas si qytetarë të qytetit bregdetar i vuajnë pasojat e projekteve njëkohësisht edhe në bizneset e tyre, të cilët për shkak të projekteve në fjalë detyrohen t’i mbajnë qepenat ulur dhe gjithë kostot t’i përballojnë nga xhepi. Një ndër ta është edhe Ervin Sota, përfaqësues biznesi, i cili ngre shqetësimet e tij mbi realizimin e të tilla projekteve në qytet. “Në dijeninë time nuk janë marrë mendime në lidhje me tre projektet që po zhvillohen në Vlorë. Akoma asgjë të saktë nuk kemi as për vlerën e projekteve, afatin e punimeve apo se kur përfundojnë. Një nga kërkesat që ne si shoqatë do kërkojmë është pikërisht transparenca e këtyre projekteve që bëhen në një qytet turistik që për ne është shumë i rëndësishëm dhe duhet me patjetër që të dimë afatet, kushtet, projektin që edhe investitorët që kanë ndërmend të investojnë të dinë sesi do vazhdojnë. Edhe biznesi ka nevojë për orientim, sepse ndryshe pastaj i bie të punojmë të gjithë qorrazi. Ndërkohë, sa vjen sezoni të gjithë fillojnë aktivizohen në punë në të kundërt të biznesit të turizmit në Vlorë, nuk e kuptojmë dot, por kemi dyshime se mos është propagandë. Një punë e përgjegjshme bëhet gjatë kohës, në të cilën nuk ka shumë pengesa, në kohën ku nuk zhvillohet aktiviteti maksimal i turizmit dhe i operatorëve turistikë në Vlorë. Ne duam që gjatë sezonit punët të jenë të mbyllura, pasi janë 9 muaj që mund të punohet në eficiencë të plotë, dhe pikërisht në ato tre muaj që duhet të lirohet trafiku, që duhet të lirohen punimet, pikërisht aty këta punojnë maksimalisht dhe me eficencë të plotë”, artikulon ai duke venë theksin se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet e shkuara me projektin e Lungomares.