Vëzhgim/Analizë

Sheshi i Flamurit po merr formë mes kontestimesh nga qytetarët dhe kërkesës për më shumë transparencë për fondet publike

23 maj 2022/Edi Ruçi/Porta Vendore/Vlorë

Në qytetin e Vlorës momentalisht po vijohet nga puna për realizimin e projektit, i cili konsiston në rikonstruksionin total të sheshit të Flamurit në Vlorë. Ky investim fillon nga Xhamia e Plumbit në qendër të Vlorës dhe përfundon tek zona e njohur si Ish Kapelja. Më konkretisht në projektin e sheshit të Flamurit tabela informuese është vendosur në fund të vitit 2021, thuajse 12 muaj pas fillimit të punimeve, tabelë që u vendos pas shqetësimit të shoqërisë civile. Në tabelë përcaktohen të gjitha të dhënat, por në to shfaqet një anomali. Afati i përfundimit të punimeve është vendosur 12 muaj, por pa u përcaktuar se kur këto punime kanë filluar, pasi ka pasur vonesa të shumta në realizimin e projektit.

Projekti i sheshit të Flamurit titullohet “Rikualifikim Urban pranë qendrës së qytetit të Vlorës”, dhe në specifikat e firmës Gener 2, e cila ka përfituar projektin me vlerën e 818.050.097 lekëve me Tvsh, shpërfaqen edhe detajet. Financuesi kryesor i këtij projekti është qeveria shqiptare dhe zhvillues i tij Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kryeministri Rama më 3 janar të 2021 ka publikuar të dhëna mbi projektin sesi do të jetë ai, duke shkruar ndër të tjera në rrjetet sociale. Ndërsa në 4 Janar 2021 kryeminstri Rama ka qënë në Vlorë ku së bashku me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, kanë inspektuar fillimin e punimeve në sheshin e Flamurit, rrethimin e zonës duke shpalosur në terren edhe vetë projektin.

Por megjithëse projekti ka filluar në Janar të 2021 dhe ka një afat të parashikuar prej 12 muajsh, ku pritej të mbarohej në Janar të 2022, punimet në zonë jo vetëm që nuk kanë përfunduar brenda afatit, por priten të zgjaten edhe përgjatë sezonit veror, ndoshta edhe më tej. Një ditë më vonë ardhjes së kryeministrit Rama në Vlorë dhe spekulimeve të shumta në media, të cilat thuhej se projekti i Sheshit të Flamurit ishte bërë pa konsulta publike si dhe kundërshtimeve të shumta nga qytetarët për zhdukjen e identitetit kombëtar të sheshit të flamurit, kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka dalë në një intervistë për EuroNews, ku sqaroi se është konsultuar në vazhdimësi me ekspertë të fushës. “Për sa i përket ndërtesës shumëkatëshe të mbetur pa përfunduar krah Sheshit të Flamurit, kryetari i Bashkisë Vlorë tha se në muajin dhjetor 2021 studioja e arkitekturës që hartoi projektin i paraqiti kërkesë bashkisë që të përfshinte në projekt edhe pjesën e një objekti shumëkatësh që qëndron i pambaruar prej vitesh në zonën aty pranë. Kërkesa në fjalë ka shtyrë qeverinë që të marrë përsipër një vlerë prej 7 milionë eurosh për dëmshpërblimin e pronarëve të këtij objekti”, tha ndër të tjera Leli.

Ndërsa disa muaj më vonë, më konkretisht më 27 nëntor 2021 vetë kreu i bashkisë së Vlorës duke parë ecurinë e punimeve në sheshin e Flamurit shpreh rezerva kundrejtë përfundimit të tyre në kohë, teksa vë në dukje ritmin e ngadaltë të tyre.

Vlen të theksohet gjithashtu se në një dalje publike në 30 mars të 2021 kryetari i Partisë Demokratike dega Vlorë ka deklaruar se subjekti politik i partisë demokratike ka depozituar në SPAK një padi kundrejtë Dritan Agollin, Drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për “abuzim detyre” në lidhje me procedurat e prokurimit për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, dhe Sheshi i Flamurit”, me vlerë të fondit limit rreth 920 milion lekë pa TVSH. Padia është publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike Vlorë, Genc Deromemaj, i cili ka shpjeguar sipas tij ku qëndron shpërdorimi i detyrës.

Gjithashtu për projektin në fjalë vlen të theksohet se është parashikuar një fond prej 8 milion dollarësh ose 7 milion eurosh për shembjen e pallatit 15 katësh të ndërtuar në 1980 nga biznesmeni Sulo Shehi.

Por si është pritur ky projekt i cili është tanimë në punë e sipër nga vetë qytetarët, të cilët kanë dalë gjatë muajit prill 3 herë radhazi në protestë për më shumë transparencë sa i takon projektit.

Vasillaq Merko është banues prej vitesh në qytetin e Vlorës dhe ai thotë se është e disata herë që ndërtohet ky shesh.

“Ecuria e punës është tepër e ngadaltë, vetëm gënjejnë, edhe pluhur dynjaja ;skemi ku kalojmë. Patjetër që ndihem i rrezikuar edhe nga makinat kur kaloi këtu. Këtu është rrumpallë në çdo vend, që nga bashkia e këtej, këtu e kanë bërë një mizerie. I kanë prishur të gjitha gjërat e vjetra dhe i kanë bërë sipas qejfit të tyre, edhe pemët që ishin me portokalle, i kanë mbjell me lisa a me ça dreqinë janë. Unë jam qytetar i vjetër i Vlorës dhe në asnjë mënyrë nuk jam i informuar rreth projektit, nuk kam asnjë informacion, as kam parë as tabelë asgjë”, tha ai për Portën Vendore.

Por edhe heqja e topave të cilat kanë qenë në këtë shesh ka krijuar një sërë pakënaqësish tek vlonjatët.

Hoqën topat aty, topat që lëshonin dhe ujë, që i vuri italiani. Kush na pyetë ne nga institucionet, pse tallesh ti. Asnjë nga institucionet nuk na ka informuar. Shumë mirë janë ritmet e punës por e vërteta ku është?”, pyet Tofik Zanaj banor vlonjat.

Qazim Myrtaj është një tjetër banor që Porta Vendore kontaktoi sa i takon projektit që po merr jetë në një nga sheshet kryesore të Vlorës.

” Si shesh ishte shumë shumë i bukur më parë, me gjithë shatërvanin ishte shumë i bukur dhe mblidhte gjithë popullatën, për festa dhe për çdo gjë.Tani e kanë bllokuar fare, kanë ndërtuar objekte, e kanë bërë ndryshe. Patjetër që ka ndryshuar identiteti i gjithë sheshit dhe historisë së tij”, tha Qazimi.

Ergys Alushi është një tjetër personazh i qytetit të Vlorës, i cili prej më tepër se 15 vitesh ka punuar në gazetari në qytetin bregdetar, për t’iu fokusuar më pas historisë.

“Identitetin historik ajo e ka në vetvete, për vetë faktin se aty ka qënë godina ku është mbledhur Kuvendi Kombëtar i cili më pas ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Nuk mendoj se e ruan më identitetin për vetë faktin se kur është ndërtuar bazamenti bashkë me monumentin e pavarësisë ata që e ndërtuan kanë qënë inxhinierët më të zotë të vendit për kohën, dhe bazamenti është ndërtuar jo për tu mbledhur, por për të shërbyer si podium për ti dhënë rëndësinë dhe madhësinë e duhur monumentit në raport me rëndësinë historike që kishte shpallja e pavarësisë së vendit, sepse bazamenti është ndërtuar në raport me lartësinë që ka monumenti i pavarësisë. Tjetra është që edhe katër topat që janë inaguruar në 25 maj të vitit 1940 nga italianët me pushtetin lokal të asaj kohe kishin për qëllim të evidentonin rëndësinë që kishin katër vilajetet për kombin shqipëtar. Italia përtej pushtimit ishte dhe për një Shqipëri të madhe një shqipëri etnike në trojet që kishte qënë përpara vitit 1913. Katër topat, shtiza e flamurit dhe monumenti i pavarësië ishin të gjitha në unizion të përbashkët me qëllimin e ndërtimit të një sheshi historik kombëtar, një sheshi që nuk është vetëm i vlorës por gjithë shqiptarve. Sheshi i flamurit është njësoj si meka. Në djeninë time nuk di të jetë kryer ndonjë konsultë publike për Sheshin e Flamurit sepse realisht jo vetëm për Sheshin e Flamurit por për çdo projekt të Vlorës ato nuk hartohen më në zyrën e Urbanistikës së Bashkisë së Vlorës por ato hartohen dhe vijnë të gatshme nga Tirana”, shprehet Ergysi duke shtuar se është i zhgënjyer nga fjalët e kryeministrit, ku gjatë fushatës elektorale premtoi të tjera gjëra lidhur me projektet që do të përthithte Vlora nga qeveria shqiptare.

“Për mendimin tim u realizua një tentativë e vjetër që nuk dua ta quaj mashtrim por në fakt rezultoi e tillë për vec faktit që në fushatë kryeministri premtoi se do ta heq hotelin për të liruar sheshin e flamurit më vonë doli që ai paska patur në planë që sheshin t’ja jap përsëri atyre që u ka dhënë skelën që u ka dhënë zona të tjera në qytet për të ndërtuar dhe terminali paska qënë në funksion të shërbimit të automjeteve që do të vijnë tek hoteli i cili tashmë nuk do të prishet më. Terminali nuk i shërben aspak, siç mundohen ta fshehin ose të krijojnë alibi se duhet terminali për autobuzat që do të vijnë tek rruga muze sepse nuk ka qënë asnjëhërë e nevojshme që për rrugën muze dhe sheshin e flamurit të ketë terminale të domosdoshme për automjetet, apo që turistat e shumtë të rrinë nën hijen e terminalit që mos ti zë dielli siç është teoria që është përdorur. Në këtë funksion them se janë dëmtuar edhe muret antike që janë mbas monumentit sepse nuk është bërë asnjë përpjekje që me rastin e punimeve të ishtë gërmuar akoma edhe më shumë por ka patur gjithmonë një tendencë për të prishur për të ndërhyrë”, ngre me shqetësim këtë hipotezë Ergys Alushi njohës shumë i mirë i historisë së qytetit bregdetar.