20 maj 2022/ Marinela Dushi/ Porta Vendore/ Kavajë
36 familje në Kavajë kanë probleme me mungesën e energjisë elektrike prej 3 muajsh. Odiseja e tyre e mundimeve zë fill 6 vite më parë, teksa përballeshin me probleme për legalizimin e banesave, pasi jetojnë në varfëri të skajshme dhe në kushte të mjerueshme. Ata kanë kërkuar prej vitesh strehimin në banesa sociale, por përveç shpresës dhe fjalëve nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga bashkia. Ndërsa sa i përket mungesës së energjisë, ata kanë trokitur në dyer e bashkisë dhe OSHEE, por zgjidhja e vetme është dhënë lidhja e kontratave individuale dhe pagesa prej 240 mijë lekë për sahatin. Por kjo zgjidhje e ofruar nga institucionet duket se nuk i ka ndihmuar aspak banorët, pasi problemi i tyre qëndron se nuk kanë asnjë mundësi financiare për të paguar tarifën e lidhjes së kontratës me OSHEE.
“Prej 3 muajsh nuk kam energji elektrike, natën rrimë me qirinj dhe pa ngrohje. Dritat na i hoqi OSHEE, unë tani nuk kam lekë për të paguar vendosjen e sahatit që të më rilidhet energjia. Unë dal e lyp për të ngrënë një kafshatë bukë. Kam 4 fëmijë, më i vogli është 10 vjeç. Nuk kam asnjë të ardhur. Burri është i paralizuar dhe nuk më ndihmon dot. Marr borxhe për të mbijetuar. Unë dua bukë dimër e verë. Ndihem e braktisur, përveç vështirësisë për të ngrënë, problem janë edhe kushtet në shtëpi. Tavani është i çarë me llamarina. Kur bie shi, futet uji brenda. Fle në këtë dhomë të vogël me 4 fëmijët e mi”, rrëfen Majlinda, një prej anëtarëve të komunitetit egjiptian në Kavajë. Ajo së bashku me fëmijët e saj dhe 100 anëtarët e tjerë të këtij komuniteti, prej 3 muajsh jetojnë pa energji elektrike dhe në banesa me dyer dhe çati të sajuar. Ata shprehen se bashkia dhe shteti i ka braktisur ndërsa i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që t’u garantojnë kushtet minimale të jetesës, atë të energjisë elektrike dhe strehimit në banesat sociale.


OSHEE ua preu furnizimin me energji pas konstatimit të vjedhjes së energjisë, pavarësisht se bëhej për shkak të varfërisë së skajshme. Tashmë banorët duhet të lidhin kontratë individuale me OSHEE për të vendosur sahatin në barakat ku jetojnë në mënyrë që të furnizoheshin me energji elektrike.
Të ndodhur përballë kësaj situate, familjet e komunitetit egjiptian iu drejtuan OSHEE për të lidhur energjinë elektrike. Por OSHEE iu kërkoi banorëve vërtetim nga Bashkia Kavajë për vendbanimet e tyre. Pas kësaj, ata iu drejtuan zyrave të bashkisë, por sipas tyre, institucioni nuk i lëshonte këto vërtetime, të cilat do t’i hapnin rrugë lidhjes së kontratave të energjisë me OSHEE. Përballë këtij refuzimi apo zvarritjeve burokratike, anëtarët e komunitetit egjiptian protestuan në 18 shkurt përpara Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për mungesën e energjisë elektrike. Në protestë u kërkua miratimi i VKM në sektorin e energjisë për klientin në nevojë, që të garantohet një minimum jetik i energjisë elektrike. Pas një jave, bashkia reagoi dhe plotësoi vërtetimet që duheshin për lidhjen e kontratës me OSHEE. Në 3 mars nisi vendosja e sahateve në disa prej barakave të komunitetit egjiptian.
Por duke iu referuar ligjit nr. 43/2015 ‘Për sektorin e energjisë elektrike’, neni 28 pika 3, thuhet se ‘kur lidhja realizohet prej operatorit të sistemit, kostot e lidhjes parapaguhen nga pala kërkuese, bazuar në rregulloren për procedurat e lidhjeve të reja’. Pra banorët duhet të paguajnë një tarifë gati 250 mijë lekë të vjetra për lidhjen e kontratave individuale, si palë kërkuese. Por shumica prej tyre, gati 36 familje nuk kanë mundësi të plotësojnë këtë kusht, pasi ata janë të papunë dhe mbijetojnë me lëmoshat që mbledhin nga lypja në rrugë. E vetmja zgjidhje sipas tyre është heqja e kësaj tarife dhe lidhja e energjisë.
Për këtë shqetësim është angazhuar dhe po jep mbështetje dhe ndihmë juridike falas avokati dhe aktivisti Gentian Serjani në kuadër të mbështetjes së projektit “Zgjerimi i shërbimit të ndihmës juridike falas për gratë dhe burrat në Shqipëri” që zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP Albania në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe me mbështetjen financiare të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC).” Për familjet që nuk kanë mundësi ekonomike të parapaguajnë kontratën avokati Serjani ka bërë më dije se janë duke advokuar me ERE-në për ndryshimin e rregullores, dhe krijimin e mundësisë së shlyerjes me këste për kategoritë në nevojë. Avokati Gentian Serjani ka ndjekur çdo hap të këtij komuniteti për zgjidhjen e mungesës së energjisë elektrike. Ai tregon për Porta Vendore se për shkak të ping-pongeve institucionale, familjet janë lënë pa energji elektrike. “Banorët prej 3 muajsh janë privuar nga e drejta për të pasur energji elektrike e kjo, fillimisht për faj të bashkisë e më pas të një rregulli të OSHE. Banorëve nuk u jepej vërtetim banimi dhe kjo pamundësonte që OSHE të lidhte kontrata të energjisë elektrike. Por edhe se shumë prej familjeve nuk kanë mundësi të paguajnë lidhjet e kontratës. Në fakt kjo pikë që përcakton palën kërkuese të paguajë tarifën për lidhjen e kontratës për furnizimin e energjisë, duhet të zhbëhet”, tha avokati Serjani.
Porta Vendore udhëtoi drejt qytetit të Kavajës në lagjen e komunitetit egjiptian të ish grumbullim. Atje na priti Edmond Sulo, paraligjor i komunitetit egjiptian Kavajë i cili na prezantoi me problematikat dhe banorët. Në këtë moment, dhjetëra gra me fëmijë, e burra na rrethuan sapo mësuan praninë e medias dhe me padurim nisën të flisnin njeri pas tjetrit vështirësitë e jetesës së tyre. Silvana Alushi, nënë e 4 fëmijëve tregon se prej 3 muajsh jeton në errësirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. “Rrimë me qirinj, nuk kam energji elektrike, na i kanë prerë prej 2 muajsh, nuk kemi kushte. Tani që ti lidhim duhet të paguajmë 240 mijë lekë të vjetra për sahatin, por unë nuk kam mundësi e për këtë arsye po qëndroj pa drita dhe ngrohje në shtëpi”, tha kryefamiljarja.

Por Silvana, nënë e 4 fëmijëve, edhe pse ka protestuar për rilidhje e energjisë elektrike, ajo ende vijon të përdorë qirinjtë, si të vetmin burim ndriçimi gjatë natës. Ajo ndihet e shqetësuar për shëndetin e fëmijëve të saj si pasojë e mungesës së ngrohjes në dhomë. 33-vjeçarja thotë se kushtet e këqija të jetesës po ndikon në shëndetin e fëmijëve. “Fëmijën sot e nxora nga spitali. Doli me ftohje, po më sëmurët fëmija i vogël”, tha 33-vjeçarja. Pak me vonë vjen edhe bashkëshorti i Silvanës, Alban Alushi, i cili tregon se nuk ka asnjë të ardhur për të ushqyer fëmijët e tij dhe i bën thirrje kryetarit të bashkisë që t’i ndihmojë për të dalë nga kjo varfëri.

“Kam 3 djem dhe një vajzë. Unë kam një problem këtu, mo jetesë ekstrem fare. Këtu nuk jetojnë as bagëtitë e jo unë që kam fëmijë të vegjël nga 1 vjeç deri në 9 vjeç. I kërkoj kryetarit të vendos dorën në zemër se nuk jemi kafshë, jemi njerëz. Të ardhura nuk kemi asgjë, ku të mbështetem unë. Kam 3 muaj pa energji elektrike, s’kam ngrohëse, unë s’kam një llambë me dritë, bëjnë fëmijët detyra me qirinj, nuk po shohin dot. Ngeli çuni një muaj pa shku në shkollë se nuk bën detyrat se s’ka ku të shkruajë. Fëmijët tremben natën pa drita, janë bërë gjysmë njeri”, tha kryefamiljari 44-vjeçar.
Ndërsa Enita Kiptiu, 36 vjeçe ka 9 fëmije dhe jeton në një barakë të vogël, ku disa prej fëmijëve flenë në tokë për shkak të mungesës së hapësirës.

Ajo vijon të jetojë pa energji elektrike se nuk ka mundësi të paguajë sahatin. “Nuk kam energji elektrike, duhet me pagu sahatin por nuk kam mundësi. Marr ndihmë ekonomike por ajo pagesë është e pamjaftueshme për të ushqyer dhe siguruar jetesën e 9 fëmijëve, prandaj fëmijët e mi dalin në rrugë dhe lypin duke kërkuar lëmoshë”, u shpreh Kiptiu.
Ndërsa Mimoza Emini, 58 vjeçe tregon e përlotur se nipi i saj 5 vjeç është djegur në fytyrë nga qiriu pasi nuk kanë drita prej muajsh.

‘Unë jam pa punë, jetoj vetëm me bamirësinë e fqinjëve, dikush më sjell ndonjë makaronë, dikush buke e pak djathë për të mbijetuar. Kam për të mbajtur 2 jetimët e gocës. Fëmija i vogël 5 vjeç më është djegur në fytyrë nga qiriu, pas nuk kemi drita prek kohësh. Nuk kam mundësi të paguajë sahatin, nuk marr ndihmë ekonomike. Ndihem e pafuqishme përballë përgjegjësisë, ndihem e pamundur për të siguruar kushtet jetike fëmijëve të cilët vetëm mua më kanë’, tregon e përlotur Mimoza.
Edhe Muzafer Halili, nuk ka energji elektrike dhe ndez zjarr jashtë në lagje për tu ngrohur.

Jetesa në barake mes vuajtjesh dhe shpresash
Por përveç mungesës së energjisë elektrike, familjet e komunitetit egjiptian jetojnë në kushte çnjerëzore në barake. Errësirë, lagështirë, ftohtësi, mjerim, lot, braktisje, mbijetesë, fëmijë të uritur, këto janë pak fjalë që mund të përshkruash gjendjen e mjerueshme të 100 personave të komunitetit egjiptian në Kavajë. Rreth 36 familje, burra, gra, fëmijë, të sëmurë, jetojnë në barake të ftohta dhe me çati të sajuar, pa energji elektrike dhe me net të ftohta. Ky komunitet egjiptian më herët ka jetuar tek godinat e ish repartit ushtarak, por bashkia kërkoi lirimin e hapësirës dhe kthimin e saj në një park. Me urdhër të bashkisë, ata u vendosën në disa barake, sipas banorëve jo të rregullta, te zona e ish grumbullimit. Dhe që në atë moment deri tani, gati 6 vite, familjet egjiptiane kanë jetuar në kushte ekstreme të varfërisë dhe të braktisur nga institucionet lokale dhe vendore. Dyer të sajuar, çati me llamarina dhe gjysmë të zbuluara, mure më lagështirë, mobilie të vjetra, ishin emëruesi i përbashkët i të gjithë familjeve egjiptiane në këtë lagje të Kavajës. Futemi brenda disa banesave apo barakave për të parë më mirë realitetin e tyre të vështirë. Familja Alushi, i cili përveç mungesës së energjisë elektrike, ata jetojnë një banesë me çati të sajuar, të hapur, nga ku depërtojnë reshjet e shiut, i ftohti si dhe rrezet e diellit. Muret janë gjithë lagështirë, ngjyre jeshile, duke u bërë shkak për sëmundjet në mushkëri. Dollapë të shkatërruar, tepsi të mbushura me qirinj, batanije të grumbulluara si e vetmja mundësi për tu ngrohur. Silvana Alushi shprehet se uji i hyn brenda në shtëpi kur bie shi. “Më hyn uji komplet brenda kur bie shi, rrjedh brenda, ja shikojë murin, gjithë lagështirë, po më ftohet fëmija e vogël. Fëmijën sot e nxora nga spitali. Doli me ftohje, po më sëmurët fëmija i vogël se nuk kemi kushte mininale. Këtu rrjedh çdo gjë, ça bie jashtë hyn brenda, pasi nuk kemi një çati të rregullt. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga bashkia”, tha 33-vjeçarja.
Ndërsa bashkëshorti i saj i bën thirrje Kryetarit të Bashkisë për t’i mundësuar kushtet minimale të jetesë për fëmijët e tij. Ai kërkon një banesë sociale që të ketë dyer dhe çati. “Kam 3 djem dhe një vajzë. Unë kam një problem këtu, jetesë ekstrem fare. Këtu nuk jetojnë as bagëtitë e jo unë që kam fëmijë të vegjël nga 1-9 vjeç. I kërkoj kryetarit të vendosë dorën në zemër se nuk jemi kafshë, jemi njerëz. Të ardhura nuk kemi asgjë, ku të mbështetem unë”, shprehet Alban Alushi.
Edhe Mimoza Emini i bën thirrje institucioneve për t’i dërguar në banesa sociale. “Unë kërkoj një strehim, pasi këtu ku jam, çfarë bie jashtë, bie brenda. Ndihem kaq e pafuqishme sepse kur nuk i ke kushtet, kur nuk e ke shtëpinë, kur nuk e ke ushqimin, normal që edhe fuqi s’ke”, shprehet ajo e pikëlluar.
Enita Kiptiu kërkon një banesë për fëmijët e saj. Në dhomë ndodhet vetëm një krevat tek i hapur ku mund të flenë vetëm dy persona ndërsa, fëmijët e tjerë flemë në dysheme, pasi nuk kanë krevate. Ajo e shikon të domosdoshme strehimin e saj në banesë sociale, pasi hapësira në dhomën e vogël në raport në numrin e anëtarëve të familjes është e pamjaftueshme.
Majlinda, 37 vjeçe, nënë e 4 fëmijëve, ndodhet e vetme përballë përgjegjësive familjare, pasi bashkëshorti i saj është paralizuar dhe nuk mundet të punojë për të siguruar të ardhura në shtëpi.

Muzafer Halili, baba me 3 fëmijë, i cili i duhet të kujdeset i vetëm për ata pasi gruaja i ka vdekur, çdo ditë përballet me sfidën nëse do arrijë të sigurojë ushqim për të ngrënë. 55-vjeçari tregon i pikëlluar se për kushtet e vështira ekonomike dhe bën apel për ndihmë për t’i rregulluar shtëpinë. “Kam 3 fëmijë, më e vogla është 9 vjeçe. Unë jetoj duke mbledhur kanaçe, ndërsa ndihmë ekonomike nuk marr dot sepse e kam pasaportizim në Shkodër dhe nuk e kam sjellë këtu në Kavajë. Se po ta kisha do aplikoja për ndihmë ekonomike. Dhoma ku jetojmë është shumë e ftohtë, këtu ka shumë lagështirë, uji futet brenda në shtëpi, rrobat e fëmijë janë lagur dhe po i hedh. Unë kërkoj nga institucionet apo kush ka mundësi, që të më ndihmojë për pasaportizimin dhe të më rregullojë shtëpinë që mos të futet më uji brenda dhe më ftohen fëmijët. Dua që ata të kenë kushtet minimale të jetesës”, tha ajo për Portën Vendore.
Në mbyllje të takimit me banorët e komunitet egjiptian, Edmond Sulo, paraligjor i komunitetit egjiptian Kavajë, na parashtron gjithë kalvarin e vuajtjeve që po kalon ky komunitet. “Këtu ujë nuk ka, këtu kanali mbushet me ujë dhe i gjithë uji futet në barake. Ne këtu kemi 6 vite dhe nuk e kuptoj, këtu nuk jeton as qeni. Këtu është një varfëri e madhe, fëmijët nuk i çojnë dot në çerdhe, kopsht apo shkolle se nuk kanë mundësi. Qëllimi i parë këtu është që këtyre banorëve tu jepen banesa sociale. Bashkia nuk ka financa po duhet të investojë pushteti qendror që të vijnë paratë këtu në Kavajë për ndërtimin e banesave sociale”.

Në komunitet përveç barakave të shkatërruara me dyer dhe çati të sajuara, problem është siguria e ujit. Banorët mbushin bidonët me ujë të çezmave, tubat e të cilës ishin pranë kanalit duke përbërë kështu një rrezik të mundshëm helmimi nga uji i kontaminuar. Tjetër problem është mbushja e kanalit të lagjes me ujë kur bie shi, duke ia vështirësuar akoma më shumë kushtet e tyre të jetesës.
Porta Vendore, iu drejtua me një kërkesë për informim Bashkisë Kavajë në lidhje me ankesat e banorëve për vonimin e lëshimit të vërtetimeve që duheshin për lidhjen e energjisë elektrike si dhe a ka plan për të siguruar kushtet minimale të jetesës përmes programit të strehimit social, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk është kthyer asnjë përgjigje zyrtare.