17 maj 2022/ Edi Ruçi/ Porta Vendore/ Vlorë
Lungomare 2 është vazhdimi i Lungomares së famshme të Vlorës, i ideuar si një projekt zgjatues i saj. Ky projekt fillon nga Fusha e Sportit në zonën e njohur si Uji i ftohtë, pranë Luanit të famshëm ku mbushin ujë vlonjatët dhe përfundon në një tjetër simbol të Vlorës tek Tuneli i ndërtuar gjatë pushtimit fashistë në Shqipëri. Mes shumë pikëpyetjesh nga aktivistët e shoqërisë civile edhe në këtë projekt mungon tabela informuese për ata qytetarë që janë të interesuar të dinë vlerën e projektit apo kohëzgjatjen e punimeve.
Një tjetër projekt me rëndësi maksimale në qytetin e Vlorës është edhe Lungomare 2 ose ndryshe faza e dytë e shëtitores së Vlorës e cila është parashikuar që brenda disa vitesh të fillojë nga zona e Skelës dhe të përfundojë në Orikum. Në këtë projekt përfshihet ndërtimi i plazhit publik që tashmë ka përfunduar, ndërtimi i shëtitores pranë detit për qytetarët e cila ka përfunduar në 80 % të saj si dhe ndërtimi dy pishinave ku njëra prej tyre ishte parashikuar si pishinë olimpike por nuk i përmbush kriteret, ndërtimi i një parkimi nëntokësor me 160 vende me një vlerë prej 140 milionë lekësh si dhe rikonstruksioni i rrugës dhe ndërhyrja për të përmirësuar tunelin e Vlorës .
Lungomare 2 është një projekt i cili kap vlerën e 385 milion lekëve dhe realizimi i tij gjithashtu ju besua firmës Fusha me një vlerë prej 385.173.305 lekë pa tvsh, ose e thënë ndryshe rreth 4 milion euro.
Ndërsa projekti i ndërtimit të parkimit nëntokësor u zhvillua nga Bashkia e Vlorës dhe u financua nga buxheti i kësaj të fundit, projekt i botuar asokohe në faqen zyrtare të këtij institucioni, por që nuk është më.
I pari i cili ka prezantuar projektin e Lungomare 2, duke dhënë edhe detaje mbi realizimin e tij ka qenë pikërisht kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Punimet për Lungomare 2 kanë nisur në tetor të 2019 dhe kishin një afat përfundimi prej 18 muajsh, ndërkohë aktualisht punimet të cilat duhet të kishin mbaruar në maj 2021 vijojnë ende. Në 1 maj të 2020 kryeministri Rama ka qenë prezent në Vlorë për të inspektuar realizimin e punimeve në projektin e Lungomare 2 .
Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës na konfirmohet se firma përgjegjëse e punimeve ka kërkuar një shtyrje të afatit të punimeve me më tepër se 12 muajt ndërsa projekti fillestar ka ndryshuar. Nëse më parë parashikohej një parkim nëntokësor me 160 vende tashmë projekti i parkimit nëntokësor do të bëhet me dy kate. E mbështetur në ndryshimet të cilat i janë bërë projektit firma përgjegjëse Fusha ka kërkuar zgjatjen e punimeve me arsyetimin e ndryshimeve në projekt bazuar në ligjin nr. 107 i vitit 2014 i ndryshuar. Gjithashtu mësohet se në kërkesën e saj firma përgjegjëse ka shfaqur edhe disa arsye të tjera të cilat kanë të bëjnë me kohën jo shumë të favorshme gjatë dimrit për të punuar, mungesën e krahut të punës, terrenin e vështirë dhe zgjatjen në procesin e shembjes së objekteve dhe dëmshpërblimit të tyre, zgjatje kjo e cila është miratuar nga Bashkia e Vlorës. Mungesa e transparencës është një tjetër anomali e këtij projekti. Në hyrje të kantierit të ndërtimit, në asnjë vend nuk të zë syri asnjë tabelë informuese e cila të japi të dhëna rreth projektit. Të pyetur nga Porta Vendore përfaqësues të bashkisë Vlorë shprehen se në muajt e parë të punimeve në kantier tabela ka qenë prezente por më pas si rrjedhojë e ndryshimit të projektit tabela është hequr. Informacionet sipas bashkisë janë shkruar në mure dhe firmës i është lënë ultimatum që tabelën ta ndryshojë dhe ta vendosi nga e para. Pamjet e filmuara nga Porta Vendore tregojnë se informacione në mure nuk ka në asnjë zonë të projektit dhe gjithashtu firma Fusha përgjegjëse e projektit nuk e ka ndryshuar tabelën dhe ta vendosi sërish në pozicionin aktual pavarësisht nga ndryshimet e projektit të firmosura nga KRRT në datën 03 dhjetor të 2020. Nga kjo datë kanë kaluar më tepër se një vit tashmë që firma Fusha nuk ka vendosur asnjë tabelë përkatëse në projekt pavarësisht se ka marrë thirrje të vazhdueshme nga Bashkia e Vlorës.
Qytetarët e Vlorës janë ata të cilët ngrenë shqetësimet edhe për këtë projekt.
” E vlerësojë si projekt është shumë projekt i mirë por më duket se ka abuzime për realizimin, për vitet që u jepet firmës për realizimin e projektit dhe nuk bëhen kontrolle që zgjat e zgjat projektin dhe nuk dihet sesa zgjatë. Nuk e besoj se ky projekt do të përfundojë edhe në këtë gusht që vjen. Punimet i shoh shumë të ngadalta. Vazhdimisht unë kaloj në këtë rrugë dhe i shoh shumë të ngadalta. Aty duket sikur punojnë pesë apo gjashtë veta, ata kryejnë punimet për të lidhur telat, për të rrahur telat, për të hedhur betonin për gjithçka,. Unë jam qytetar i ardhur në Vlorë nga vitet 1980 dhe nuk na pyete njeri për projektin. E kam këtë përshtypje që asnjëherë nuk pyeten qytetarët çfarë mendimi kanë për një projekt. Ndoshta një qytetar mund ta ketë projektin brilante, më të arritur dhe më të përsosur sesa mund ta ketë dikush tjetër. Tabela nuk ke në gjithë Lungomaren, kur u krijua Lungomarja dhe u inaugurua mund të kishte rreth 100 tabela dhe sot s’ke më asnjë”, tha Xhazmi Suljoti për Portën Vendore.
Lavdosh Metaj ka disa shqetësime dhe pakënaqësi të tjera rreth projektit në fjalë, i cili sipas tij nuk ka gjasa që të mbarojë para sezonit veror.
“Nuk mund të komentoj rreth betonit sepse për këtë janë specialistët. Flitet si projekt që do vazhdoj deri në Orikum. Nuk e besoj të përfundoj deri në behar. Madje e kanë të bukur këtë këta që i fillojnë punimet në sezonin veror, në vend ti fillojnë në shtator i fillojnë bile në mes të korrikut ku ka më shumë njerëz”, tha ai.
Jurgen Çollaku përfaqësues në administratën e Bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht drejtues i sektorit të Urbanistikës pranë kësaj bashkie tha për Portën Vendore se: “Këto janë tre projekte që janë miratuar dhe tenderuar nga FSHZH dhe sipas legjislacionit në fuqi patjetër që do ketë pasur edhe konsulta për publikun. Në këtë rast bashkia nuk ka hartuar apo prokuruar projekt ndaj institucioni jonë i merr vetëm në dorëzim ato. Shtyrjen e afatit të lejes dhe përfundimit të punimeve e zbardhim ne si bashki. Më saktë disa nga objektet nga lejet e shtyrjes së afatit të punimeve janë zbardhur nga AZHT e Tiranës disa nga objektet që janë më të vogla si vlera zbardhen në Bashkia Vlorë, shtyrja e afatit të punimeve bëhet ose në AZHT ose në bashki. Për momentin këto projekt nuk kanë kërkuar shtyrje afatesh, janë brenda afatit të punimeve mesa jam unë në dijeni“, argumentoi Çollaku.
Një aktor tjetër tepër me rëndësi në jetën e qytetit të Vlorës është edhe kryetari i dhomës së tregtisë dhe biznesit në qytet. Arben Breshani gjithmonë ka qenë një zë përfaqësues për çdo biznes për të ngritur shqetësimet e tyre. “Përsa i përket konsultave publike janë bërë dy takime por jo shumë serioze në këtë drejtim pasi edhe vërejtjet që janë bërë në këto takime nuk janë parë nga ana e projektuesve që të rivlerësoheshin, kështu që ne i vlerësojmë që nuk quhen të bëra këto lloje takimesh me grupet e interesit. Në dijeninë time Sheshi i Flamurit dhe Lungomare 2 janë bërë pa konsultë”, sqaron Breshani, dukë vënë theksin tek vonesat dhe tejzgjatja e afateve të këtyre projekteve.
“Përsa i përket grafikut të punimeve ne nuk kemi asnjë informacion si dhomë tregtie, edhe biznesi nuk ka asnjë informacion. E kemi kërkuar gjatë gjithë kohës që të ketë një grafik punimesh që ta dimë që kur do përfundojnë ose përse nuk po përfundojnë. Lungomare 2 nuk e shikojë se do mbyllet si projekt madje nuk shikoj as ritëm punimesh aty. Në çdo vend të botës vërtet bëhen investime por nuk shqetësohet as biznesi dhe as qytetari” përfundon Arben Breshani Kryetar i dhomës së Tregtisë dhe biznesit në Vlorë, i cili është njëherazi ndërtues prej 25 vitesh në qytetin bregdetar.