14 maj 2022/ Marinela Dushi/ Porta Vendore
Qytetarët prej vitesh janë lënë përballë ekspozimit të zhurmave urbane dhe institucionet lokale dhe kombëtare nuk kanë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e tyre. Bashkitë nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për hartimin e një plani veprimi lokal për menaxhimin e zhurmave. Ky ligj është miratuar në vitin 2007 dhe sot që jemi në vitin 2022 ende nuk është zbatuar nga disa institucione të qeverisjes vendore.
Ligji Nr.9774, datë 12.7.2007 ‘Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis’, neni 8 shkruan se ‘Organet e qeverisjes vendore, brenda juridiksionit të tyre: 1. Drejtojnë hartimin dhe zbatimin e planeve vendore të veprimit për zhurmën, të cilat miratohen nga këshillat e bashkive/komunave. 2. Drejtojnë procesin e hartëzimit të zhurmës. 3. Shpallin zona të qeta, në një mjedis të banuar apo në një mjedis të hapur, si dhe vendosin kufizime të tjera për zhurmën, në përputhje me planin vendor të veprimit. 4. Kërkojnë nga personat fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari apo përdorin impiante dhe instalime që lëshojnë zhurmë, marrjen e masave parandaluese për respektimin e vlerës kufi të zhurmës. 5. U kërkojnë organeve të kontrollit të ushtrojnë kontroll, të bëjnë matje dhe të pezullojnë apo të mbyllin veprimtari, që nuk respektojnë dispozitat e këtij ligji’. Teksa Shqipëria synon ti bashkohet Bashkimit Europian, institucionet lokale nuk përmbushin direktivat e BE për administrimin e zhurmave. Porta Vendore u dërgoi kërkesë për informim 10 bashkive në vend nga të cilët vetëm 5 prej tyre kthyen përgjigje. Konkretisht në datën 21 shkurt 2022, Porta Vendore iu drejtua me një kërkesë për informim, bashkive të qyteteve më të mëdha e rrjedhimisht edhe më të rëndësishme, si Bashkisë Vlorë, Durrës, Fier, Bulqizë, Lezhë, Kukës, Elbasan, Berat, Rrogozhinë, Krujë. Por vetëm bashkitë Durrës, Lezhë, Fier, Bulqizë dhe Kukës iu përgjigjën interesit publik. Nga këto 5 bashki, vetëm Lezha ka hartuar dhe miratuar në këshillin bashkiak planin dhe hartën e zhurmave dhe menaxhimin e saj, ndërsa 4 bashkitë e tjera nuk e kanë miratuar ende planin, duke mos u përmbushur ligji për minimizimin e zhurmave. Konkretisht një ndër bashkitë më të mëdha, Bashkia Durrës ende nuk ka miratuar planin për menaxhimin e zhurmave. “Bashkia Durrës momentalisht nuk disponon një plan veprimi për zhurmat të miratuar, por që shumë shpejtë do të jetë ndër detyrat që do të përmbushet”, thuhet në përgjigjen e bashkisë që mban datën 25 shkurt 2022. Edhe Bashkia Fier thotë se është në proces hartimi por ende nuk është gati i gjithë drafti apo harta e zhurmave. “Bashkia Fier mbështetur në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 ‘Për miratimin e Planit të Zhurmave’ ka përcaktuar grupin e punës për hartimin e planit të zhurmave në Bashkinë Fier i cili po merret me përgatitjen e draftit për këtë çështje dhe me përfundimin e tij pritet të kalojë së shpejti në Këshillin Bashkiak për miratim”, thuhet në përgjigjen zyrtare që mban datën 18 mars 2022. E njëjta përgjigje kthehet edhe nga Bashkia Kukës, që po punohet për hartimin e një drafti. “Grupi i punës po punon për hartimin e planit lokal të veprimit ndaj zhurmave në mjedis, dhe në mbledhjen e radhës do e paraqesë për miratim në Këshillin Bashkiak”, thuhet në informacion zyrtar të bashkisë që mban datën 28 shkurt 2022. ‘Bashkia Bulqizë në zbatim të Ligjit n.r 9774 datë 12.07.2007 ka respektuar planin për zhurmat por nuk ka hartuar një draft për këtë çështje dhe nuk e ka miratuar me vendim të këshillit bashkiak”, bën me dije bashkia Bulqizë në përgjigjen e saj zyrtare të datës 24 shkurt 2022.
Masat e bashkive për monitorimin e zhurmave
Por edhe pse 4 bashkitë nuk kanë hartuar një plan veprimi, ato shprehen se respektojnë ligjin për mbrojtjen nga zhurmat dhe kanë marrë disa masa. Konkretisht Bashkia Durrës bën me dije se në rast se aktivitetet ndonëse të pajisur me leje mjedisore, shkelin ligjin dhe bëhen shkak për ndotje akustike, njësia e qeverisjes vendore ushtron inspektimi dhe ndërhyrjen e saj bazuar në Ligjin nr.8224, datë 15.5.1997 përmes gjobave dhe sanksioneve. Bashkia Bulqizë njofton se në hapësirat e juridiksionit të bashkisë është e ndaluar ndërtimi apo hapja e bizneseve si lavazhe, servise makinash, disko në pallate dhe si rrjedhojë nuk shkaktohet ndotje akustike. “Bashkia Bulqizë ka pasur dhe ka në fokus të saj mirëqenien e banorëve duke mos lejuar ndërtimin e këtyre bizneseve në zona të banuara”, shprehet ky institucion. Bashkia Fier bën me dije se:“Vazhdimisht ka marrë masa për menaxhimin e ndotjes akustike duke kontaktuar me pronarë të bizneseve për zbutjen e zhurmave në mjediset që janë shqetësuese për qytetarët. Në vendet që ka ndotje akustike nga borite e makinave ka vendosur tabela për mos përdorimin e tyre. Masat e marra nga bashkia është kontrolli për zbatimin e orarit të punës, duke mos lejuar objektet e shërbimeve që gjenerojnë zhurma të punojnë me orare të zgjatura, ndalimin e lëvizjes së makinerive të rënda ( të transportit) në qytet, vendosjen e orareve të lëvizjes të automjeteve afër shkollave, çerdheve dhe institucioneve të tjera arsimore dhe shëndetësore”, informon Bashkia Fier. Por pavarësisht masave që pretendojnë bashkitë, situata për menaxhimin e ndotjes akustike mbetet shqetësuese duke u referuar studimit të “Mushkërive të gjelbërta” ku në shumë qytete niveli i ndotjes akustike është më e lartë se normat mesatare.
Kjo tregon se masat e ndërmarra nga bashkitë nuk kanë ndikuar në normalizimin e situatës në mjedis. Burimet kryesore të zhurmave urbane janë: trafiku urban, trafiku rrugor, trafiku hekurudhor, ndërtimet, koncertet e hapura, diskoteka etj. Ndërhyrja për reduktimin e nivelit të zhurmave në mjedis është e rëndësishme pasi në të kundërt zhurma e madhe përtej normave ndikon në shëndetin e njeriut. Zhurmat në mjedis që arrijnë shkallën mbi 85 decibel (dB), mund të ketë pasoja afatgjata tek shëndeti i njeriut dhe rrit mundësinë për të pësuar dëmtime në dëgjim. E për këtë arsye ndërhyrja e institucioneve dhe zbatimi i ligjit është i nevojshëm.
Ndërsa Bashkia Lezhë e ka të miratuar planin për menaxhimin e ndotjes akustike në mjedis dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga zhurmat. “Bashkia Lezhë sipas kërkesave të ligjit nr. 9774 datë 12.07.2007 ‘Për vlerësimin dhe administrimin e Zhurmës në Mjedis dhe VKM’ nr. 123 datë 17.02.2011 ‘Plani Kombëtar i Veprimit për Menaxhimin e Zhurmave në Mjedis’, ka hartuar Planin Lokal të Veprimit për Menaxhimin e Zhurmave në Mjedis si dhe me vendim të Këshillit Bashkiak nr 60, datë 25.05.2018 është miratuar ‘Harta e Zonave për Administrimin e Zhurmave për Shërbimet Publike’. Për disa biznese si psh. serviset e automjeteve për zhvillimin e aktivitetit të tyre nuk licencohen nga Bashkia por nga QKL, ku i nënshtrohen edhe disa procedurave specifike për ruajtjen e normave të emetimit të zhurmave sipas standardeve të BE. Megjithatë së shpejti me vendim të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit do të bëhet edhe specifikimi i bizneseve të cilat nuk do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin në katet e para të pallateve dhe pranë tyre. Për aktivitetet e bizneseve të cilat emetojnë zhurma dhe që për momentin ndodhen pranë pallateve, specialistët tanë kanë bërë monitorime dhe kontrolle të vazhdueshme për ruajtjen e nivelit të emetimeve të zhurmave dhe kanë ndërhyrë në rastet e ankesave të qytetarëve”, sqaron ky institucion në përgjigjen referuar interesit të shprehur të Portës Vendore lidhur me këtë çështje.
Por në planin lokal për menaxhimin e zhurmave në mjedis të vitit 2019, Bashkia Lezhe ngre disa problematika. Sektori i transportit është një ndër shkaktarët e ndotjes akustike. Por bashkia Lezhë thekson se për administrimin dhe vlerësimin e zhurmës në mjedis sa i takon sektorit të transportit ka boshllëk ligjor që lidhen me procedurat e kontrollit teknik te zhurmave nga mjetet e transportit, mungojnë udhëzimi përkatës për këtë qëllim. Po ashtu mungon udhëzimi për kontrollin teknik të mjeteve të reja të cilat para se të futen në treg duhet të jenë të pajisura me certifikatën përkatëse të nivelit të emetimit të zhurmave në mjedis. “Ndryshime ligjore kërkohen të bëhen dhe në legjislacionin që lidhet me monitorimin e zhurmave në mjedis dhe përcaktimin e indikatorëve dhe burimeve që gjenerojnë zhurmë që duhet të jenë pjesë e procesit të monitorimit. Përmirësime dhe ndërhyrje duhen bërë gjithashtu dhe në kodin rrugor dhe ligjin për transportin rrugor. Këto ndryshime duhet të prekin dhe kërkesa specifike për rregullat e qarkullimit rrugor sa i takon zhurmave në mjedis. Për këtë qëllim është e domosdoshme parashikimi i ndërhyrjeve në sinjalistikën rrugore dhe përfshirja në të e sinjaleve që lidhen me zhurmat si dhe vendosjen e këtyre sinjaleve në pika të caktuara”, thuhet në planin lokal të veprimit për menaxhimin e zhurmave në mjedis, Lezhë.