11 maj 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore/ Tiranë
Pas rreth 3 vitesh, qeveria i rikthehet edhe një herë ndotjes së mjedisit nga qeset plastike. Pas shumë muajsh i fjetur në sirtarët e Kuvendit, në fillim të këtij viti qeveria nis diskutimet për projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të hartuar në vitin 2019 për largimin e qeseve plastike nga përdorimi. Pas disa javësh diskutime dhe debate në Komisionet parlamentare në 17 mars 2022, Kuvendi miratoi me 80 vota pro 26 kundër dhe 2 abstenim ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në Shqipëri. Sipas këtij akti, ndalimi final i prodhimit apo hedhjes në treg të qeseve plastike është 1 qershori i këtij viti ku pas kësaj date, parashikohet ndalimi total i përdorimit të qeseve plastike duke u bërë vendi i parë në Evropë që ndërmerr një veprim të tillë.
Për herë të parë nisma për të larguar qeset plastike u artikulua në 16 tetor të 2019-ës, nga Ministri i Mjedisit dhe Turizmit i asaj kohe, Blendi Klosi, i cili, promovoi nismën “Shqipëria vendi i parë Evropian pa qese plastike”. Sipas kësaj nisme, synohej që deri në qershor të vitit 2020, në Shqipëri do të eliminoheshin të gjitha qeset plastike. Por ky draft asnjëherë nuk mori fuqinë e plotë të ligjit, duke e ngrirë ambicien për të hequr qeset plastike nga tregu.
Pas shumë zvarritjesh tanimë duket se nuk ka kthim pas, nga 1 qershori 2022, qytetarët nuk do të mund të përdorin më qeset një-përdorimshe.
Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është vlerësuar se në Shqipëri çdo njeri përdor mesatarisht 3 qese plastike në ditë, që përkthehet në rreth 3,2 miliardë qese në vit ose 26.280 ton qese plastike.
Këto shifra flasin për përdorim të tepruar të plastikës, që në të shumtën e rasteve përdoret një herë dhe më pas hidhet në koshin e plehrave.
Ambientalisti dhe eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni, thotë për Portën Vendore se vendimi i qeverisë është i vonuar, dhe sipas tij do të reduktojë ndotjen heqja e qeseve plastike një përdorimshe nga përdorimi.
“Vendimi i Qeverisë për të hequr nga qarkullimi qeset plastike një përdorimshe është një domosdoshmëri. Duhet të kishte ndodhur vite më përpara, të paktën në 2020, ku doli dhe VKM. Sigurisht që një vendim i tillë do të reduktoj ndotjen në vend. Ndikimi është i konsiderueshëm dhe veçanërisht në aspektin viziv, pasi përhapja e ndotjes me qeset plastike ka përhapje masive, sidomos në gjithë damarët ujor të vendit”, thotë Ferruni.
Duke e konsideruar ndërhyrjen për uljen e ndotjes domosdoshmëri dhe ndryshimet ligjore në përputhje me direktivat e BE-së, Ministria e Mjedisit thotë për Portën Vendore se përpos uljes së ndotjes synohet zhvillimi i turizmit.
“Duke qenë se qeset plastike nuk ripërdoren, nuk riciklohen apo rikuperohen, në këtë këndvështrim ndërhyrja e qeverisë zbut efektet negative në mjedis dhe shëndetin e njeriut dhe të kafshëve, të cilat vijnë nga përdorimi pa kriter i plastikes, veçanërisht i qeseve plastike, duke nxitur njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë në përgjithësi dhe në veçanti zhvillimin e sektorit të turizmit dhe promovimin e përdorimit me efikasitet të burimeve natyrore”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Për këtë vendim të qeverisë bizneset ushqimore janë të ndarë në qëndrime.
“Prej vitesh kam këtë dyqan fruta-perimesh. Pasi dola në pension këtë e shikoja si mundësi për të punuar prapë. Që prej hapjes së dyqanit qeset plastike kemi përdorur, tani nuk e di. Të paktën shpresoj të mos na ulet puna, dhe qytetarët të blejnë më pak se do përdorin vetëm çantë”, thotë një tregtar në zonën e ish-parkut të Autobusëve në Tiranë.
“Ne pa lekë po i japim qeset se ndryshe nuk i marrin qytetarët. Nëse i heqin ndotja ndoshta do të ulej,” tha një tjetër shitëse.
Por shumë dyqane fruta-perimesh, dyqane të vogla lagjes etj, duket se e kanë të pamundur të bëhen kaq natyrshëm dhe pjesë organike e këtij ligji, pasi ato si me pagesë dhe pa pagesë vijojnë ti shërbejnë klientëve qese.
“Po le ti heqin e di që do jetë e vështirë të mësohemi por njerëzit kanë çanta, shoh që i përdorin”, pohon një tregtare.
Por shumë të tjerë kanë vite që përdorin çantat e pazarit ose trastat, duke treguar kështu që sensibilizimi ka mbërritur kohë më parë tek ata.
“Mbi 10 vite që nuk përdor fare qese, madje edhe në shtëpi nuk mbaj fare qese se më tmerron ideja e plastikës, por unë kam edhe shoqe të tjera si vetja, pensioniste që kanë kohë dhe dalin të psonisin me çanta pazarin e javës ose me trasta kur kanë për të blerë vetëm disa gjëra. Për mua të bëjnë çfarëdolloj ligji të duan, jam në rregull”, tha Moza për Portën Vendore.
Ndërsa ambientalisti Ferruni thotë se për bizneset ushqimore nuk ka kosto, ndërsa për qytetarët sipas tij kostoja është e papërfillshme.
“Absolutisht nuk ka kosto shtesë për bizneset apo familjarët. Një çantë çdo familje mund ta përgatis vetë me copa të mbetura. Një çantë mund të përdoret jo vetëm një here, por disa vjet për çdo ditë, që do të thotë vetëm një familje mund të kursej me mijëra qese plastike që siç dihet nuk dekompozohen për dhjetëra vjet. Bizneset do përdorin letrën, që është e bio-degradueshme. Shqiptarët 40 vjeç e sipër kanë jetuar kohën kur qeset plastike nuk kanë ekzistuar dhe kjo nuk ka qenë kurrë një problem, që të sillte shqetësim. Nuk kishte familje pa çanta dhe çantat amvisat I prodhonin vetë, madje edhe duke thurur çorape najloni. Kjo gjeneratë do të bindë edhe brezat më të rinj”, thotë Ferruni.
Por ndryshe mendojnë kompanitë e kësaj industrie. Në vend ka rreth 62 kompani që prodhojnë produkte plastike dhe vetëm 25 prej tyre prodhojnë qese plastike një përdorimshe.
Tezë kjo që hidhet poshtë nga Ministria e Mjedisit e cila në përgjigje thotë në përgjigjen e saj se, “Ndryshimet ligjore synojnë ndalimin e prodhimit, importimit, tregtimit dhe përdorimit të: qeseve plastike mbajtëse, dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme sipas përcaktimit të këtij ligji me trashësi deri në 70 mikron dhe me kapacitet mbajtës deri në 10 kilogramë. Sa i takon bizneseve që operojnë në këtë fushë, ato nuk prodhojnë vetëm këto lloje qesesh, por një gamë shumë të gjerë produktesh plastike të cilat nuk ndalohen. Nisma ligjore është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha hallkat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që i ka mundësuar bizneseve të përshtatin planet e tyre në bazë të kuadrit të ri”, vijon ky institucion.
Qeset plastike konsiderohen si ndotësit kryesor të mjedisit, lumenjve e deteve duke shkaktuar një dëm jo vetëm për mjedisin por edhe për shëndetin e qytetarëve.
“Në kuadër të një projekti pilot ‘Menaxhimi i Mbetjeve Detare në Shqipëri’ janë bërë matje sezonale në grykëderdhjet e dy prej lumenjve kryesorë të vendit (për nga numri i zonave të banuara dhe popullsisë që këta dy lumenj përshkojnë), lumenjtë Bunë dhe Ishëm. Nga vëzhgimi i këtyre dy lumenjve ka rezultuar se plastika në përgjithësi dhe qeset plastike, në veçanti, përbëjnë mbetjen kryesore që depozitohet në bregdet nëpërmjet rrjedhave lumore. Si rezultat i vëzhgimit në 3 një sipërfaqe prej 100 m2, në deltën e Bunës ka rezultuar se nga totali prej rreth 46 kg mbetje, që gjendeshin të depozituara, rreth 42.3 kg ishin mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse). Po të njëjtat të dhëna vijnë edhe nga matjet në deltën e Ishmit. Në një sipërfaqe prej 100 m2, nga totali prej rreth 84.5 kg mbetje, që gjenden të depozituara në Kepin e Rodonit, rreth 52,4 kg janë mbetje plastike/polystyrene (kryesisht qese plastike mbajtëse)”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Ndërkohë Ferruni fajëson dhe institucionet për ndotjen e lartë të mjediseve dhe ujërave, dhe kërkon anulimin e kontratave të inceneratorëve.
“Qeset plastike janë pa dyshim një shkak kryesor për ndotjen e mjedisit, por faktori keqmenaxhimit nga institucionet shtetërore është faktori më kryesor i gjendjes së ndotur të mjedisit në vend. Shteti duhet së pari të anuloj koncesionet e inceneratorëve dhe të ribëj vendimmarrje, duke u mbështetur tek politikat e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, duke vënë theksin tek ekonomia e qarkullimit dhe riciklimi”, thotë Ferruni për Portën Vendore.
Në komisionet parlamentare debate ka pasur edhe për masën e gjobave që do të aplikohen për të gjithë shkelësit e ligjit. Pra të gjithë subjektet që prodhojnë, importojnë e fusin në treg qese të kategorive të ndaluara do të gjobiten me 1 deri 1.5 milionë lekë, ndërsa qytetarët nuk do gjobiten pas kundërshtive të deputetëve.
“Gjobat për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit do të aplikohen nga 1 milionë deri në 1,5 milionë lekë. Përsa i përket gjobave ndaj qytetarëve, pra përdoruesve të qeseve plastike, megjithëse në variantin fillestar sipas ligjit nr. 10.463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” parashikohej gjobë deri në 30 mijë lekë për përdorimin e këtyre kategorive të qeseve, me propozim dhe miratimin e deputetëve në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, qytetarët nuk do të gjobiten”, thotë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Menjëherë pas rikthimit në komisionet parlamentare të projektligjit për ndalimin e plehrave kimike, prodhuesit e plastikës dhe ricikluesit dolën kundër me argumentin se një vendim i tillë do të shkaktonte humbje financiare të kompanive e deri faliment. President i shoqatës së konvertuesve të plastikës Vullnet Haka, tha se në këtë industri aktualisht janë investuar 50 milionë euro, dhe ndalimi i prodhimit të qeseve një-përdorimshe do të sillte pasoja të rënda ekonomike tek ata.
Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në 2 shkurt teksa diskutohej ky projektligj, deputetët e opozitës e kundërshtuan po me të njëjtat argumente si bizneset e këtij sektori. Sipas deputetëve të opozitës ndalimi i prodhimit dhe importimit të qeseve një-përdorimshe do të sjellë pasoja negative tek biznesi dhe fitimet e tyre. Lefter Gështenja, Helidon Bushati apo Xhelal Mziu ishin ndër më kritikët e këtij drafti, që sipas tyre përveç se do të sillte humbje financiare me dhjetëra qytetar do të dilnin të papunë.
Pasi pushteti lokal, sipas ligjit “Për qeverisjen vendore”, është aktor i drejtpërdrejt në menaxhimin e mbetjeve urbane. Sfida kryesore e pushtetit lokal sot është menaxhimi i integruar i mbetjeve, me qëllim pasjen së më pak kosto në mjedis. Në strategjinë ndërsektoriale për pushtetin vendor qartësohej se do të miratoheshin standarde të reja dhe zbatoheshin për administrimin e integruar të mbetjeve urbane.
Ambientalisti Sazan Guri thotë me të drejtë që argumentet për heqjen e qeseve dhe shtrëngimin e masave për bizneset në fjalë të cilat nuk do të ndërgjegjësoheshin i ka dëgjuar 5 vite më parë, që në kohën e Blendi Klosit.
“ Unë mendoj se është që para 5 vitesh një ide e tillë që qarkullon për qeset plastike, që në kohëne Klosit, u tha që nuk do të kishim më qese plastike por të bio-degradueshme por kjo nuk ka ndodhur. Veliaj gjithashtu tha se nuk do të përdoreshin më qeset plastike por trastat por sërish edhe kjo nuk funksionojë pasi në vetvete shtetit i duhej plastika për inceneratorët. Bota po shkon drejt një jetese pa qese fare, e kanë fituar tanimë këtë beteje me qese kartoni ose çanta prej cope. Këto vendime sërish i shikojë që nuk do të kenë përqafimin e qytetarëve, pasi nuk mund ta detyrosh atë pa e trajnuar dhe sensibilizuar që nëpërmjet gjobave të menjëhershme të bëjnë veprime të tilla. Plus që e gjitha kjo ka një të metë të madhe, pasi është bërë pa u konsultuar me grupet e interesit”, shprehet Guri, duke vënë theksin se ky objekt i kahershëm ka një sërë ngërçesh për realizimin e tij në 100 % të gjësë.
Ened Mato aktivist i shoqërisë civile thotë për Portën Vendore se nisja e sensibilizimit qytetarë në fakt ka ndodhur 10 vite më parë, ku shumë prej tyre filluan të përdornin trastat.
“Shoqëria civile arriti të ndërgjegjësonte publikun 10 vite para për çështjen e qeseve, duke i ofruar alternativë konkrete përdorimin e trastave. U bënë disa marrëveshje më vonë nga Bashkia Tiranë me furrat e bukës, me supermarketet, etj por sot qeset ende mund ti marrësh pa pagesë në supermarketet kryesore të qytetit. Patjetër që qeset plastike duhen zhdukur me ligj. Nuk arrijmë të menaxhojmë asgjë në aspektin mjedisor, jo më ndotjen nga qeset dhe ambalazhet plastike. Çdo nismë që e ndalon prodhimin dhe tregtimin e qeseve plastike është e mirëpritur nga mbështetësit e trastës. Po të mendonim për ekonomi familjare të gjelbërta është koha të qepen mijëra trasta. Do të dojë pak kohë të mësohemi, por në këtë mënyrë bëjmë hapin e parë drejt mospërdorimit të ambalazheve plastike të tjera të rrezikshme, që kanë pushtuar lumenjtë dhe detin tonë”, tha ai.