Ndodhi

Dy vajzat  nga Tropoja dhurojnë libra për gjimnazin “Asim Vokshi” ku u shkolluan

8 maj 2022/ Blerina Moka/ Porta Vendore/ Tropojë

Në datën 17 prill, në gjimnazin “Asim Vokshi”, në qytetin e Bajram Currit,  mbërritën një sasi tituj librash për maturantët, dhuratë nga dy ish-gjimnaziste të kësaj shkolle, motrat Daniela dhe Ditjona Kortoci të cilat edhe pse jetonin prej vitesh në SHBA u kthyen për të përçuar dije në vendin e tyre të lindjes.

Daniela, 29 vjeç, është inxhiniere ndërtimi, ndërsa Ditjona 26 vjeçe, punon fashion designer dhe profesionin e saj ka vendosur ta ushtrojë në New York, ku është zhvendosur prej disa vitesh. Të dyja vajzat janë sot shembulli se si falë dijes dhe shkollimit ja dalin të jetojnë të pavarura dhe të rriten profesionalisht.

Por si lindi kjo nismë?

Për Portën Vendore, Daniela thotë se ishte Ditjona, e cila ideoi në fillim bluza me vargje nga poezitë e saj dhe me paratë e grumbulluara nga shitja e tyre ato ranë dakord bashkë që të blejnë dhe t’i dhurojnë këto libra, të cilët nga sot si vend të përhershëm do të kenë  bibliotekën e gjimnazit ku u arsimuan.

Të rritura nga nëna e tyre e mbetur e ve në moshë shumë të re, Daniela dhe Ditjona thonë se dashurinë për librin e kanë dhuratë pikërisht prej mamit, e cila ndonëse me dy vajza të vogla, u shkollua në një vit të vështirë si ’97 për ti siguruar atyre jetesën përmes profesionit.

“Teksa rriteshim ne kemi dëgjuar shpesh t’i thonë mamit “martohu se çikat rriten e shkojnë te burri”. Në fakt kjo ishte frika më e madhe e mamit, se mos ne të dyja do t ‘kishim fatin e shumë vajzave të tjera të zonave rurale, ku familja vendos me i martue pa ju dhënë shansin me u shkollue dhe me zgjedh jetën e vet. Mami ishte role model – se kur vajzat dhe gratë arsimohen mund të jenë të pavarura dhe të sigurojnë të ardhmen e tyre pavarësisht dallgëve ku i hedh jeta”, thotë Daniela.

Por pse zgjodhën vendlindjen për të dhuruar librat? Daniela ruan kujtimet më të bukura nga gjimnazi “Asim Vokshi”, ku megjithëse kishte mungesë të librave, mësimdhënia ishte model.

“Ky gjimnaz është simbol se si mund të bëhet punë e mirë edhe kur mungojnë librat. Psh, mësuese Naimja në maturën time, sillte kopjet nga biblioteka e saj personale që ne të mund t’i lexonim, pasi mungonin në bibliotekën e shkollës. Apo sot, mësuese Monika e letërsisë, për të bërë të mundur që nxënësit e saj të vënë në jetë një shfaqje teatrale, ka blerë vetë copat dhe po I qep po vetë, ashtu me modesti, pa u paguar por vetëm që nxënësit e saj të mund të realizojnë shfaqjen me të gjithë elementët”, thotë Daniala.

Por si do të ishte jeta e tyre nëse nuk do të vijonin studimet. Daniela thotë se kur sheh përqark moshataret e saj në vendlindje, ndjehet me fat që pati mundësinë të diplomohej e kjo dhe falë sakrificës së nënës së saj.

“Krahasohemi me të gjitha vajzat e shkëlqyera që kemi pasur rreth vetes teksa jemi rritur. Kushërira e të njohura që i kanë martuar familja me shkuesi dhe pa ju dhanë hapësirën me u shkollue. Ndaj ne, që mundëm të dalim mbi këtë mentalitet, duhet të kontribuojmë në vajzat në 9 vjeçare dhe gjimnaz të kenë mundësi ta përqafojnë librin si shteg për të mësuar e për të zgjedhur rrugën e tyre. E drejta e vajzave për t’u arsimuar – është fusha ime e interesit dhe me këtë aplikova dhe më pas u zgjodha si YEA – Ambasadore Rinore Evropiane për Ballkanin Perëndimor”, thotë Daniela Kortoci.

Ky votim u zhvillua online dhe më tej nga më të votuarit, u përzgjodhën nga juria 10 të rinj nga çdo shtet i Ballkanit Perëndimor.

Përveç profesionit si inxhiniere, Daniela shkruan poezi dhe së bashku me disa vajza në Tropojë ka themeluar një klub libri  ku mblidhen një herë në muaj për të biseduar mbi librat që kanë lexuar.

“Ne e nisëm klubin e librit me veprën ‘Sikur të isha djalë’ të Haki Stërmillit. Më pas nisa të mendoja se si do ti siguroja librat për vajzat e klubit? Duke qenë se ishte iniciativë e imja personale, për mua ishte pak e vështirë të siguroja disa tituj të rinj çdo muaj. Kështu, vendosa të krijoj një produkt; korniza me vargjet e mia dhe me lekët që mblidhja siguroja 4 kopje të librit që vajzat ta kalonin dorë më dorë. Këtë nismë e quajta ‘Merr një varg, dhuro një libër’”, tregon për Portën Vendore, Daniela.

Më pas, vajzat, Daniela dhe Ditjona vendosën ta zgjerojnë nismën e sigurimit  të librave, duke u bërë bashkë në gjetjen e fondeve për blerjen e titujve.

Ditjonës i lindi ideja e krijimit të bluzave me vargjet e poezisë së Danielës dhe kështu krijoi skicat.

Fushata për shitjen e bluzave të krijuara nga Ditjona zgjati 1 vit dhe u realizua përmes rrjeteve sociale Instagram.

“Klientët janë vajza dhe gra shqiptare, kudo ku jetojnë e punojnë. Të gjitha të interesuara ta mbështesin nismën tone”, thotë Daniela.

Vajzat duan ta zgjerojnë këtë nismë të bukur për të dhuruar libra dhe në gjimnaze të tjera.

Librat e dhuruar në gjimnazin “Asim Vokshi” janë tituj që janë  të përfshirë në programin e maturës shtetërore dhe vajzat janë kujdesur që të mos ketë mungesë sidomos për maturantët, sikurse ka ndodhur me to, dikur.