8 maj 2022/Esmeralda Pirra/Porta Vendore
Mosfunksionimi i skemave të subvencioneve duket se po rrezikon ekonominë e fermerëve shqiptarë, ndërkohë që nga shifrat zyrtare mësohet se për një bujqësi të brishtë përgjatë vitit 2021, pasi sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë me vetëm 0.28%.
Myzeqeja është një nga kolonat kryesore të bujqësisë, por disa prej fermerëve në fshatin Plug të qytetit të Lushnjës shprehen se fermeri shqiptar është drejt falimentimit.
Rakip Leka, i cili ka një serë prej 500 metrash katrorë të mbjellë me domate e trangull shprehet se harxhoi të gjithë kredinë dhe disa nga kursimet e shtëpisë për të mbjellat dhe nuk ka nxjerrë as gjysmën e parave që ka shpenzuar për mbjelljen.
“Ne jemi duke falimentuar. Bima është si fëmija, po nuk hëngri nuk bën cilësi që ta hash ti, duhet ta hedh në kanal. Bujqësia sjell prodhim për të gjithë. 1 litër naftë sa 7 litra qumësht, ça do bëhet me ne s’e di. Nuk e merr njeri përsipër që të sigurojë serat. Kemi aplikuar për këto fonde, por s’kemi marrë asgjë. Nuk po kërkojmë luks, por ama të ulet çmimi i naftës, subvencionet të na i japin tamam jo për tu tallur, që edhe ne të punojmë me dëshirë e të nxjerrim fitim, se e kemi mallin e mirë pa hile, s’dimë ne të bëjmë hile. Prodhimi nuk është shitur, ka mbetur në sera. Kam bërë 3 vite rresht dokumentet dhe nuk më kanë dhënë asgjë. Nuk kemi shpresa nga ky shtet, po na gënjen. Në këtë moment që ky popull është keq të na japë një subvencionim që t’i mbjellim sërish vitin tjetër”, thotë ai.
Por ndryshe nga Rakipi, Gëzim Leka këtë vit nuk e mbolli serën e tij pasi një vit më parë kishte dalë me humbje.
“Nuk e mbolla këtë vit, pasi vjet dola me zero fitim, vetëm humbje, shteti nuk ka vënë dorë fare. E kisha mbjellë më patëllxhanë e domate, por as lekët e farës nuk nxora. Sektori i bujqësisë është ç’orientuar fare. Unë këtë punë e kam bërë dhe në emigracion dhe e lashë që të punoja në vendin tim. Por u zhgënjeva shumë. Shumë shpenzime, fara, punimi, plehërimi dhe asnjë fitim. Malli ngeli stok. Kemi marrë kredi, banka do lekë, ku ti gjejmë. Kemi 5 vite në këtë situatë. Nuk ka treg. Në Tiranë është me i shtrenjtë malli, kurse ne e shesim me 1 lekë. Kërkojmë nga qeveria të na japë subvencionet. Nuk ka dhënë asnjë subvencion. Kam 3 dynym sera dhe nuk po nxjerr dot lekët për bukën time”, tha një prej fermerëve lushnjar.
Mosfunksionimi i skemave të subvencioneve po rrezikon ekonominë e fermerëve shqiptarë, pikërisht në atë zonë e cila njihet dikur por edhe sot si hambari i bujqësisë.
Çim Leka, është një tjetër fermer i kësaj zone i cili gjatë gjithë eksperiencës së tij në këtë sektor, ka bërë jo pak përpjekje që e gjitha kjo që bën dhe me të cilën mban familjen të funksionojë. Të ndodhur shpesh përpara ndryshime të kryera, për mungesë tregu e ku malli shkon dëm, fermerët i përngjajnë kameleonëve të cilët ndryshojnë ngjyrën, ashtu sikurse ata ndryshojnë kultivimin e kulturës çdo vit, për të parë se çfarë ecën e çfarë jo.
“Po e provoj me pjepër këtë vit. Shpresoj të më ecë pasi vjet vetëm likuidova borxhet. Ne edhe farën e fidanëve e marrim me listë, s’kemi ça të bëjmë. Subvencionet e shtetitnuk më mbulojnë asgjë. Çmimet janë rritur, nafta po, ku do shkojmë s’e di”. Bujqësia te ne është e ngarkuar me taksat. Ne kërkojmë që të ulet çmimi i naftës pasi e marrim me 1700-1800. Nuk e merr njeri përsipër që të sigurojë serat”, shprehet ai.
Artur Liko nga Krutja e Lushnjes rrëfen se të gjithë në fshat jetojnë me punën në sera, e shumë pak janë ato familje qërrojnë me bagëti. Ai ka 30 vite që merret me këtë punë por siç tregon edhe vetë e gjithë lodhja e tij dhe e familjes shërben vetëm për tu ushqyer. “Me të ardhurat që nxjerr vetëm sa rregullohemi për bukën e gojës. Ne ose na ka ndihmuar emigracioni ose marrim kredi. Bujqësia është e vështirë, është lekë gjaku, por na kanë lënë në harresë. Djali me nusen kanë ikur për Azil në Gjermani, pasi dy kurora s’ia dilnim dot vetëm me një serë”, tregon ai për Portën Vendore duke vijuar se: “Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, atëherë unë do ta braktis serën. Te puna ime unë punoj 16 orë në ditë dhe nuk del asgjë. S’na ka ngelur gjë tjetër veçse të ikim edhe ne”, përfundon Arturi i mërzitur nga kjo situatë, e cila nuk po gjen një zgjidhje nga shteti prej vitesh.
“Bujqësia shqiptare është në krizën e saj më të thellë në vitet e fundit. Prodhimi i qumështit është shumë cilësor por mungesa e infrastrukturës rrugore dhe e vëmendjes së shtetit ndaj fermerët ka bërë që blegtorët ta braktisin blegtorinë dhe ti drejtohen emigrimit. Subvencionimi që Serbia dhe vende të tjera të rajonit i bëjnë blegtorëve, bën që ata të jenë superior ndaj blegtorëve. Qumështi serb vjen me 20 lekë të reja për letër, ndërsa ne e shesim me 40 lekë të reja litri, kjo ka bërë që baxhot e mëdha të marrin produktin serb dhe jo atë vendas. Ne duam një konkurrencë të drejtë, njësoj si vendet e rajonit. Ka mungesë të vaditjes në tokat bujqësore, në kanale kulluese, dhe fermeri shqiptar përveç të gjithë problematikave të tjera që has, taksohet edhe më shumë se sa homologët tanë të rajonit”, tha blegtori për Portën Vendore.
Kosova ndryshe nga Shqipëria vetëm vjet ka dhënë 60 milion euro subvencione për bujqësinë, dhe për pandeminë ka dhënë diku tek 10 milion euro shtesë, kurse Shqipëria 6 milion euro.
“Kjo është qesharake, po të paktën të mos na vënë taksa.Unë jam një nga fermerët që kam bërë sera në veri të Shqipërisë, është e pamundur që ti të quhesh fermer i vogël kur punëson edhe familjen tënde. Në Kretë mund të kesh 5 hektarë sera dhe nxjerr të ardhura të mira, ndërsa këtu jo se mungon çdo gjë. 30% e serave janë të braktisura nga fermerët. Ministria e Bujqësisë ka ofruar një mbështetje të kotë për fermerët që të ndërmjetësoj për marrjen e kredive, nëpërmjet garancisë sovrane, por ne po falimentojmë kështu jo më edhe me kredi”, vijojë blegtori i pyetur nga Porta Vendore.
Drejtuesi i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor, Ervin Resuli lidhur me këtë problematikë që shoqëron prej kohësh fermerët në të gjithë vendin tha se ndihma është një lëmosh. “Kjo lloj ndihme nuk e zbut aspak krizën. Nafta është 1 nga zërat që rendon Bujqësinë dhe Blegtorinë . Pa diskutim që duhet të ishte bërë më shumë dhe me parë ,gabim miratimi paketës fiskale në muajin nëntor që do rëndojë me 10% plehrat ushqyese të tokës dhe 20% mjetet bujqësore”, tha ai.
Nga burime konfidenciale bëhet me dije se për të gjithë fermerët që kanë aplikuar për subvencionet dhe qëu ështëpremtuar që do i marrin në shtator është e vështirë për shkak të mbingarkesës në aplikime. Të njëjtin fat duket se kanë edhe fermerët e Gjirokastrës, ku me rritjen e çmimeve për lëndën e parë, ata po shkojnë drejt falimentimit.
“Çmimi i qumështit që shesim është më i lirë se uji, ndërsa është dyfishuar çmimi i ushqimit për blegtorinë”. Kjo është vetëm një prej ankesave që detyroi blegtorët e Jugut të Shqipërisë të mblidhen disa herë në protesta gjatë muajve të fundit, qoftë përpara Bashkisë Gjirokastër por edhe në rrugët nacionale, duke ngritur zërin ndaj çmimeve të ulëta të produkteve të qumështit dhe mungesës së subvencioneve. Rritja e çmimit të naftës dhe të gjitha produkteve të tjera që u nevojiten blegtorëve (ushqimi, taksat) detyrojnë këta të fundit të kërkojnë rritje të mëtejshme të çmimit për qumështin. Nga ana tjetër, fabrikat e prodhimit të qumështit e blejnë këtë produkt me një çmim shumë minimal krahasuar me tregun e shitjes dhe shpenzimet e prodhuesve të vegjël që sigurojnë lëndën e parë”, tha Agroni i cili punon në blegtori prej 10 vitesh.
E renditur si një nga qarqet me mbarështimin më të lartë të kafshëve të imta, Gjirokastra numëron sot një numër të lartë krerësh. Sipas të dhënave nga drejtoria e bujqësisë në Gjirokastër, në rajonin jugor mbarështohen mbi 380 mijë krerë të imta dhe 20 mijë gjedhë. “Deri më sot, i gjithë prodhimi i blegtorëve të këtij rajoni ishte i dedikuar vetëm për tregun e brendshëm, ku mishi i të imtave të këtij rajoni renditet ndër më të kërkuarit nga konsumatorët vendas”, thuhet nga i njëjti institucion.
Në rastin e blegtorëve, për të gjithë krerët e matrikulluar, bagëti e imët apo lopë, fermerët marrin subvencion 1200 lekë të reja. “20 mijë pronarë fermash aplikuan si përfitues në skemat e subvencionimit gjatë vitit 2021 nga ky qark, por vetëm 1500 prej tyre u shpallën fitues”, mësohet nga drejtoria e bujqësisë, ndërkohë që shpesh fermerët, e kulturave të ndryshme dhe blegtorët, humbasin edhe pse plotësojnë kriteret, pasi nuk arrijnë të aplikojnë në kohë. Për fermerët shifrat e ofruara për përfituesit e subvencioneve janë të ulëta.
Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, u shpreh për Portën Vendore se çdo ditë e më shumë fermerët duan t’i braktisin serat e tyre, pasi janë trefishuar çmimet. Ky është viti më i vështirë për fermerët.
“Kemi dy probleme: Një janë fatkeqësitë natyrore, që është një kauzë e gjatë për ta zhvilluar, pasi kemi 2 qëndrime të Ministrisë së Bujqësisë dhe Bashkisë Fier që janë kontradiktore me njëra-tjetrën dhe e dyta është çështja me rëndësi e subvencioneve, pasi ne kërkojmë të jemi të barabartë me Rajonin. Shumica e fermerëve kanë vendosur t’i braktisin serat, pasi nuk ia dalin dot, janë trefishuar çmimet e inputeve, sado që ata të punojnë kosto është shumë e lartë. Por pas protestave të vazhdueshme të fermerëve në shumë zona ajo që ka ndryshuar është se subvencionet për të mbuluar kostot është bërë 20 mijë lekë të reja për dynym. Për bujqësinë shqiptare ky është viti më i vështirë, pasi u hoq ai 6% që fermerët e merrnin direkt nëpërmjet tregtarëve, që ishte para publike e injektuar në sektorin e bujqësisë, u reduktua me 6 milion euro që ishte shumë më shumë, pastaj u vendos 10% i TVSH-së së inputeve bujqësore duke qenë se trefishuan çmimet nga kriza globale u shtua dhe TVSH-ja”,sqaron ai, duke vënë theksin tek subvencionet që vijnë nga qeveria, të cilat sipas edhe vetë Sharkës janë të pakta.
“Fondet e pakta që janë për subvencionet na largojnë shumë nga Rajoni. Vetë Ministria e Bujqësisë merr 2% të buxhetit, ndërkohë që 20% i jep GDP-së, kurse në Kosovë merr 3.6% Ministra e Bujqësisë, dhe pos kësaj është edhe ndarja e buxhetit ku 70% shkon për paga e për shpenzime të tjera dhe 25% shkon për subvencionet për fermerët dhe ato me skema diskriminuese. Kurse skema e naftës impakton 25% të fermerëve aktivë. Fondi që është në dispozicion tani është 1.4 miliard lekë dhe me çmimin që është nafta tani mund të blesh 6 milion litra kur bujqësia konsumon 40 milion litra naftë. I kemi bërë edhe letër Kryeministrit dhe ende s’ka asnjë përgjigje për situatën e fermerëve”, përfundon Sharka për Portën Vendore.
Të dhënat e INSTAT flasin për një bujqësi të brishtë përgjatë vitit 2021, pasi bujqësia sektori më i madh i ekonomisë shënoi rritjen më të ulët në krahasim me sektorët e tjerë me vetëm 0.28%.
“Sipas të dhënave të INSTAT, ritmet e rritjes në sektorin e bujqësisë ishin më të ulëtat në 24 vite (që nga viti 1997).Dobësitë në bujqësi u reflektuan edhe në eksportet e prodhimeve të fushës perime dhe zarzavate, të cilat gjatë vitit të kaluar shënuan 8,8 miliardë lekë me rënie me 0.4 për qind në raport me vitin 2020”, raporton Monitor.
Po sipas INSTAT, gjatë këtij viti, prodhimi bujqësor pritet të tkurret më tej duke shkuar drejt vlerave negative, pasi bujqit në zonat më prodhuese të vendit, Fier, Lushnje, Berat kanë reduktuar mbjelljet si rezultat i kostove të larta dhe çmimeve të ulëta të shitjes. Nga Instituti i Statistikave deklarohet gjithashtu se nga të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt janar-shkurt 2022, treguan se eksportet e plehëruesve për bujqësinë shënuan rritje me mbi 1400 për qind, në një kohë që importet kishin pësuar rënie drastike, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas një raporti të publikuar nga ALTAX mbi “Përgjegjshmëria financiare e Programit qeverisës 2021-2025” , dëshmohet se në vitin 2021 premtimi për sektorë si shëndetësia, turizmi, bujqësia, fiskale dhe buxhetore, infrastruktura e ujësjellës-kanalizime, mjedisi, industria minerare dheushqimore, ekonomia publike, punësimi në pikat e programit janë jo të qarta, konkrete dhe të matshme. PS për 2021, evidenton raporti, bëri 2 premtime për bujqësinë, duke e çuar në 5 numrin e tyre për mandatin e tretë 2021-2025.
Raporti evidenton mbi premtimet e bëra për bujqësinë për periudhën 2017-2021 se cilat janë realizuar pjesërisht dhe në total.
“Në katër vitet e ardhshme do të financohen në zonat rurale rreth 25.5 miliardë lekë në mbështetjen e sektorit bujqësor, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e aksesit në tregje (E REALIZUAR).
Rritja e produktivitetit në fermat e mëdha do të vazhdojë të mbështetet me më shumë se 7.8 miliardë lekë të siguruara nga programi IPARD (E REALIZUAR).
Pas dyfishimit të sipërfaqes së tokës bujqësore nën sistemin e vaditjes gjatë mandatit të parë, ne do të vazhdojmë investimet me synimin ‘ujë në çdo parcelë’ si dhe përmirësimin e kullimit përmes thellimit të decentralizimit dhe rritjes së investimeve në sektor (PJESËRISHT E REALIZUAR).
Madhësia mesatare e fermës në Shqipëri është ende e vogël dhe e fragmentarizuar. Një pjesë e posaçme e ndihmës në bujqësi do të përdoret për të inkurajuar konsolidimin dhe krijimin e fermave të mëdha, me qëllim rritjen e produktivitetit, uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e konkurueshmërisë së produkteve bujqësore (PJESËRISHT E REALIZUAR).
Procesi i konsolidimit të pronës në tokat bujqësore, i cili filloi në mandatin e parë qeverisës do të përmbyllet në këtë mandat, duke ulur pasigurinë mbi pronën në zonat rurale. Reforma e pronës do të krijojë terrenin institucional që të gjithë tokat bujqësore të pajisen me certifikata pronësie; do të përmirësohen strukturat bujqësore edhe nëpërmjet lehtësimit të problemit të tokave djerrë (8% e tokës bujqësore), duke zbatuar instrumente fiskale nxitëse (PJESËRISHT E REALIZUAR)”, evidenton raporti
Po ashtu, në këtë raport vihen në dukje edhe premtimet e kryera në këtë sektor aq të rëndësishëm për vendin për mandatin e tretë qeverisës 2021-2025.
- Ulje TVSh-në për grumbulluesit në 6%
- Eksportet bujqësore i kemi rritur në 400 milionë US. D, ishin rreth 100 milionë US.D. Do t’i çojmë mbi 1 miliardë US.
- Dyfishimi i numrit të bagëtive të imta nga 2 milionë në 4 milionë
- Do të garantojmë aksesin në programin IPARD III me fond financimi 166 milionë Euro
- 16 milionë US.D deri në vitin 2025 për të mbështetur më shumë kultura të mbjelljes
Grant 5.000 Euro për emigrantët që investojnë në agroturizëm192 - 70 milionë euro mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët nëpërmjet naftës pa akcizë dhe skemave kombëtare të mbështetjes
- TVSH zero për: makinat bujqësore si në import ashtu dhe brenda vendit; 27 zëra doganorë të peshkimit; rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, frigoriferët, motorët e anijeve etj. në bordin e anijeve të peshkimit, të trajtuara si furnizime bordi;
- Tarifa zero për regjistrimin dhe vaksinimin e detyruar të blegtorisë;
- Blerja e gazoilit nga anijet e peshkimit me 0 akcizë, 0 taksë karburant dhe 0 taksë karboni;
- Tatim fitimi 5% për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.
- Tatim fitimi 5% për sipërmarrjet IT