Vëzhgim/Analizë

7 vite pas premtimit të Veliajt, banorët e ‘Unazës së Re’ ende pa shkollë dhe kopsht

3 maj 2022/Ilda Hoxha/ Ina Allkanjari/ Porta Vendore/Tiranë

Me një popullsi prej 70 mijë banorësh, ‘Unaza e Re’ dhe Yzberishti janë shndërruar vitet e fundit ndër zonat më të banuara në kryeqytet. Mirëpo, pavarësisht popullimit çdo ditë e më shumë, në këtë zonë mungon kopshti dhe shkolla 9-vjeçare. Në vitin 2015, kur mori mandatin e parë në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premtoi ngritjen e kopshtit dhe shkollës 9-vjeçare, pasi rritja e numrit të popullsisë e bënte domosdoshmëri ndërtimin e këtyre institucioneve të rëndësishme arsimore. Mirëpo, kur kanë kaluar 7 vite nga ky premtim, në zonën e Unazës së Re ende nuk ka asnjë gjurmë ndërtimi të kopshtit apo shkollës në fjalë.

Banorët tregojnë për ‘Portën Vendore’ se ka pasur një zotim të Veliajt dhe kanë shpresuar për vite me radhë që të ndërtohen objektet arsimore, pasi janë domosdoshmëri për qytetarët dhe fëmijët e tyre. “Do të ndërtohet një kopsht dhe një shkollë 9-vjeçare e re në zonën e Unazës së Re pranë KMY-së në Yzberisht”, premtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në vitin 2015, kur mori mandatin e parë në krye të këtij institucioni.

Për të mësuar se si po ecën procesi për ndërtimin e këtyre objekteve arsimore, Porta Vendore iu drejtua zyrtarisht me një kërkesë për informacion institucionit të Bashkisë së Tiranës në datën 14 shkurt 2022. Disa prej pyetjeve që i dërguam Bashkisë lidheshin edhe me kostot për ndërtimin e tyre dhe kapacitetin e kopshtit dhe shkollës. Ne morëm një përgjigje nga ky institucion në datën 17 mars. Zyrtarisht bëhet e ditur se shkolla 9-vjeçare nuk është ndërtuar ende, pasi po bëhet rishikimi dhe përditësimi i studimit të fizibilitetit në zonat Tirana 2 dhe Tirana 3.

Porta Vendore vendosi ta ndjekë edhe më tej këtë zotim të kryebashkiakut, duke shkuar në Yzberisht, pikërisht në vendin ku do të ndërtohej kopshti dhe shkolla, objekte arsimore shumë të rëndësishme për banorët e njësisë numër 14. Gjatë bisedave me banorë të zonës mësuam që kishte pasur një premtim të Veliajt, por shkolla dhe kopshti nuk janë ndërtuar. Sipas banorëve, pranë vendit ku ishte premtuar ndërtimi i tyre janë ngritur pallate, por shkolla dhe kopshti ende nuk janë finalizuar.

Foto 5 Mars 2022, zona ku është premtuar ndërtimi i kopshtit dhe shkollës 9-vjeçare Yzberisht

“Pallati është bërë, por shkolla është imagjinare. Vetëm po ta shohësh 3D e ke të sigurt shkollën. Fëmijët i çojmë në shkollën e vjetër ‘Myslym Shima’ në Yzberisht që është gjimnaz dhe shkollën 9-vjeçare ‘Kongresi’ po në Yzberisht. Në Yzberisht ka edhe çerdhe dhe kopsht. Janë objekte të kohës së xhaxhit (Enver Hoxhës)”, thotë Astriti, banor i njësisë 14.

Ndërsa, Andi, një banor i Unazës së Re tregon se është absurde që një zonë aq e populluar sa ajo e ‘Astirit’ nuk ka ende një shkollë të re.

“Zona e Astirit është gati dy lagje, ka popullsi shumë të madhe. Është ndarë në dy lagje, por shkolla nuk ka. Dy lagje janë këtu, lagje Tirane dhe shkolla në mes të qytetit nuk ka. Shkolla në Yzberisht sigurisht që nuk i përballon gjithë atë fluks dhe detyrohen të shkojnë me turne. Katastrofë urbane, dy lagje të Tiranës pa shkolla. Po flas për shkolla të reja që janë premtuar, sepse shkolla e vjetër ka qenë për fshatin Yzberisht. Lagje Tirane që është bërë tani dhe nuk ka shkollë”, shprehet Andi, banor prej 5 vitesh në ‘Unazën e Re’.

Foto 5 Mars 2022, banorë të zonës Yzberisht tregojnë lagjen ku ju premtua ndërtimi i shkollës 9-vjeçare

Mungesa e shkollës ka detyruar shumë prindër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla të tjera të kryeqytetit.

“Këtu është bërë pallat. Dëgjuam njëherë që do bëhet shkollë, por asgjë nuk është bërë deri tani, ende është bosh ky sheshi ngjitur me pallatin e ri. Unë e çoj fëmijën në një shkollë tjetër të Tiranës. Nuk është e thjeshtë, më duhet ta zgjoj vajzën shumë herët në mëngjes dhe më pas të marrim autobusin për ta dërguar në shkollë. Trafiku në këtë zonë është gjithmonë i tmerrshëm”, thekson Silva, banore në Yzberisht pranë zonës ku ishte premtuar ndërtimi i shkollës, njëkohësisht prindi i një vajze 10 vjeçare.

Foto 5 Mars 2022, zona ku është premtuar ndërtimi i kopshtit dhe shkollës 9-vjeçare Yzberisht

Margarita një tjetër banore në Yzberisht, tregon se mungesa e një shkolle afër banesës e ka detyruar që ta regjistroj djalin 9-vjeçar në shkollë private. “E kam regjistruar djalin në shkollë private. Jam më e qetë, shkolla qe ndodhet këtu në Yzberisht është shumë e mbingarkuar. E mira është të kemi një shkollë shtetërore afër shtëpisë me kushte të mira, në këtë mënyrë edhe nuk shpenzojmë, por kur ajo mungon jemi të detyruar të gjejmë zgjidhje vetë”, tregon Margarita.

Studimi i fizibilitetit

Në një raport studimi të fizibiliteti të bashkisë Tiranë të publikuar në nëntor të vitit 2016 në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës arsimore në kryeqytet, thuhet se në shumë prej zonave të reja të banimit të Tiranës, pavarësisht se dendësia e banimit është e lartë, infrastruktura arsimore mungon.

“Më problematike situata është në zonën e Unazës së Re dhe Yzberishtit, në Njësinë Administrative Kashar, në Zonën e Freskut në Njësinë Administrative Dajt, në zonën e Shkozës në Njësinë Administrative Nr. 1, në zonën e Saukut në Njësinë Administrative nr. 2, në pjesën e urbanizuar të Njësisë Administrative Farkë si edhe në një pjesë të madhe të Njësive Administrative nr. 8 dhe nr. 9. Në të gjitha zonat e sipërpërmendura, largësia e shkollave nga qendrat e banuara është shumë herë më e madhe se sa standardi i lejuar. Rrjedhimisht, nxënësit e këtyre zonave detyrohen të shfrytëzojnë mjetet e transportit publik – në rast se ka në afërsi të tyre, të transportit privat ose të ecin për distanca relativisht të gjata, në kushte atmosferike jo gjithmonë të favorshme”, shkruhet në studimin e publikuar në vitin 2016.

Më tej në përfundim të kësaj analize të thelluar sasiore, cilësore dhe hartografike, rezulton se në Bashkinë e Tiranës është i nevojshëm ndërtimi i 10 shkollave të reja 9-vjeçare për të arritur cilësinë e shërbimit e cila specifikohet në objektivat e këtij studimi. Në tabelën e publikuan në këtë studim theksohet se në zonën e Yzberishtit është i nevojshëm ndërtimi i dy shkollave të reja për shtim kapaciteti.

Screenshot tabela e publikuar në studimin e fizibilitetit, nëntor 2016

Në konkluzionet e nxjerra nga ky studim theksohet: “Me të njëjtën racionale të ndjekur në analizën e nevojave për shkollat 9-vjeçare, për sa i përket rastit të Njësisë Administrative 6, paçka se nevoja për shtim kapaciteti rezulton në këtë njësi, kjo nevojë ka lindur kryesisht si pasojë e mungesës së shërbimeve arsimore të mjaftueshme në zonën rezidenciale të Yzberishtit, pjesë e Njësisë Administrative Kashar. Për këtë arsye, duke parë edhe mbulueshmërinë e dobët me rreze shërbimi të kësaj zonë, shkollat e nevojshme në Njësinë Administrative 6 do të parashikohen në Yzberisht”.

Gjithashtu në studim është paraqitur edhe harta në të cilën është parashikuar ndërtimi i shkollës, konkretisht pranë KMY Yzberisht.

Pasojat sociale për fëmijët dhe prindërit nga mungesa e shkollës pranë vendbanimit

Për sociologët, mungesa e një shkolle pranë vendbanimit krijon mjaft probleme si për nxënësit, ashtu edhe për prindërit e tyre. ‘Porta Vendore’ bisedoi me sociologen e njohur, Entela Binjaku, e cila ngre disa shqetësime. Sipas Binjakut, largësia nga shkolla ndikon në demotivimin e nxënësve për të ndjekur procesin arsimor, por edhe në një regjim të pamjaftueshëm për zhvillimin e tyre.

“Shqetësimet që përjeton një prind kur afrohet koha që fëmija të shkojë në shkollë janë të ndryshme. Midis tyre është edhe: a duhet ta çoj në një shkollë larg shtëpisë por të mirë, me emër dhe me mësues të mirë apo ta çoj në shkollën që kam afër shtëpisë edhe pse nuk ka ndonjë emër të mirë dhe mësuesit nuk shkëlqejnë për ndonjë nivel profesional? Por ka nga ata prindër që nuk e kanë këtë mundësi zgjedhjeje dhe hyjnë në një vështirësi tjetër: meqë nuk kam shkollë afër ta çoj në një shkollë larg por që ka emër dhe mësues me nivel apo ta çoj në një shkollë, sado larg por ‘le të jetë si të jetë’. Zakonisht kjo situatë nuk e ndihmon fëmijën sepse kështu i rrëzon të gjitha ëndrrat dhe as nuk e ndihmon të njohë botën e tij. Mbingarkesat nuk sjellin asnjë rezultat pozitiv, qoftë për nxënësin, qoftë për shkollën. 

Shumë prej prindërve në moshën e fëmijëve të tyre i kanë pasur shkollat pranë shtëpive dhe si të tillë kanë jetuar një realitet tjetër. Ajo kishte të mirat e veta: distanca shkollë-shtëpi ishte e vogël, prindërit e tyre ndjeheshin më të sigurt, pasi komuniteti njihej me njeri-tjetrin, fëmijët nuk kishin vonesa dhe mësonin të ishin të përpiktë, nuk humbisnin orët e mësimit, prindërit kishin qetësinë për të shkuar në punë, nuk rrezikoheshin prej mungesave. Pas mësimit kthimi nuk përbënte këtë shqetësim që përbën sot.  

Ndërkohë sot, fëmijët që e kanë shkollën larg banesës rrezikojnë të humbasin orët e para, shumë prej tyre për shkak se nuk arrijnë në orar plotësojnë shpejt numrin e mungesave që lejon rregullorja dhe me kalimin e muajve e braktisin shkollën, përjashtohen ose demotivohen të ndjekin arsimimin. Si pasojë e kësaj shumë prej fëmijëve po mbeten të paarsimuar.

Së dyti zgjohen herët që të mbërrijnë në orar dhe kjo u jep lodhje, regjim të pamjaftueshëm për zhvillimin e tyre. Shto këtu që mjaft prindër për shkak se nuk kanë si t´i marrin ose nuk ka kush t´u vijë në ndihmë t´i marrin nga shkolla i çojnë nëpër qendra kursesh ku fëmija kalon kohën pas mësimit dhe shton shpenzimet në buxhetin familjar”, argumenton sociologia e njohur.

Më tej, Binjaku shton: “Është mjaft e rëndësishme që të kesh pranë banesës një shkollë me mësues të mirë dhe me prestigj të merituar, por këtë fat nuk e kanë të gjithë fëmijët. Prindërit duhet të mendojnë se në atë shkollë fëmija do të qëndrojë 9 vjet ose 3 vjet përkatësisht sipas cikleve dhe jo më pak sepse kjo krijon qëndrueshmëri edhe në vetë zhvillimin e fëmijës. Kur fëmijët ndjekin një shkollë, familjet janë më të qeta edhe për sigurinë e fëmijës, prindërit janë më me rendiment në vendin e punës”

Binjaku sugjeron që të rishikohen politikat arsimore, në mënyrë që të krijohet mundësia që shkollat të shërbejnë edhe si qendra për organizimin e aktiviteteve të ndryshme edukative.

 “Sugjerimet do të ishin të studioheshin politikat qeverisëse në drejtim të arsimimit, pushteti vendor të përqendrohej më shumë tek nevojat e komunitetit, shkollat të krijonin hapësira për të gjithë fëmijët që të kishin një lloj fleksibiliteti ndaj nxënësve që nuk kanë mundësinë të arrijnë në kohë, të organizonin orë sporti, pikture, gjuhësh të huaja përshembull pas mësimit sepse shumë prindër nuk arrijnë të shkëputen nga orari i punës dhe t´u përgjigjen orareve të fëmijës etj”, përfundon ajo.

Premtimi i Veliajt për 17 shkolla në Tiranë

Në 17 shtator 2018, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nëpërmjet një letre drejtuar nxënësve të Tiranës premtoi ndërtimin e 17 shkollave në kryeqytet.

Teksa, shumë prej jush do të kenë fatin të nisin ditën e parë në mjedise të reja e moderne, si ato të shkollës ‘Kosova’ që hapet këtë vit, shkollës ‘Ardian Klosi’, ‘Betim Muço’ dhe ‘Hasan Tahsin’ apo në shkolla me ambiente të rikonstruktuara, si ‘Dora d’Istria’, ‘Dëshmorët e Lirisë’, ‘Isa Boletini’ e ‘Ismail Qemali’, nëpërmjet kësaj letre doja t’ju kërkoja ndjesë të gjithëve ju, të cilët do të duhet të prisni edhe fare pak kohë, derisa të vijojmë me ndërtimin e 17 shkollave të reja në vitet e ardhshme, për të siguruar kushte më të mira e të përshtatshme për edukimin tuaj. Nuk do neglizhoj asnjë minutë këtë vit, gjersa shkollat e reja me arkitekturë moderne e kushte optimale të jenë vënë në vijë”, shkruante Veliaj asokohe.

Ndërsa, në një artikull të publikuar nga INA media më 11 maj të vitit 2021 theksohej se nuk ishte mbajtur premtimi i kryebashkiakut Veliaj për ndërtimin e 17 shkollave. 

“Kur po mbyllet viti i dytë i mandatit të dytë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj nuk ka përmbushur ende njërin nga premtimet më të rëndësishme që do të realizonte brenda mandatit të parë; ndërtimin e 17 shkollave të reja për ciklin parauniversitar.

Madje, në mes të mandatit të dytë të qeverisjes së kryeqytetit, Erjon Veliaj pranon se ka nisur vetëm gjysmën e shkollave të premtuara”, shkruhet ndër të tjera në këtë artikull.