Ngjarje/Personazhe

Bashkia Vlorë fiton betejën me ndërtuesit për 3%, sfidë mbetet mbledhja e të ardhurave të prapambetura

30 prill 2022/ Jerola Ziaj/ Porta Vendore/ Vlorë

Pas 4 vitesh betejë ligjore për 3% e ndërtimit, tashmë edhe Bashkia e Vlorës do të mund të krijojë më në fund fondin e banesave sociale. Kjo pasi gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e shoqatës së ndërtuesve, të cilët e konsideruan ligjin nr.22/ 2018 për “Strehimin Social” antikushtetues. Tashmë rreth 13 objekte në bashkëpronësi, me sipërfaqe ndërtimore mbi 2000 m2 sikurse parashikon ligji do të detyrohen të vënë në dispozicion të bashkisë, sipërfaqet ndërtimore, të cilat do t’i shtohen 74 objekteve të vëna në dispozicion nga Enti i Banesave për familjet e pastreha apo në vështirësi strehimi. Por ekspertët thonë se ky vendim do të ketë vështirësi për tu zbatuar të paktën për objektet, ndërtimi i të cilëve ka përfunduar para vendimit të KB. Nga ana tjetër ndërtuesit “urojnë” që vendimi të mbetet vetëm në letër.

Këshilli bashkiak i Vlorës miratoi në mbledhjen e muajit Janar, vendimin për të krijuar fondin e Banesave Sociale, të cilat do të kalojnë në pronësi të bashkisë si rrjedhojë e vjeljes së 3% që ndërtuesit e objekteve në bashkëpronësi, me sipërfaqe ndërtimore mbi 2000 m2 do të detyrohen të vënë në dispozicion në respekt të detyrimit që rrjedh nga ligji 22/2018 i miratuar në Kuvend më 3 Mars 2018. Pavarësisht, përpjekjes së administratës së bashkisë, e cila interpretonte ligjin duke lënë hapësirë për pagesën në vlerë monetare të kostos së ndërtimit, vendimi kaloi me ndryshime.

Shefi i Zyrës Juridike të bashkisë së Vlorës, Daut Zëraj, tha përpara këshilltarëve se 3% mund të paguhej edhe në vlerë monetare.

“Kemi parashikuar, që në rastet kur ndërtuesi çmon të pamundur vënien në dispozicion të 3% në metra katrorë, ata të mund ta derdhin këtë kontribut në vlerën monetare të ndërtimit të totalit të sipërfaqes  që ligji i detyron”, tha Zeraj përpara këshilltarëve.

Kjo hasi në kundërshtimin e këshilltarëve të bashkisë, të cilët kërkuan rishikimin e relacionit.

Teki Xhemalaj, këshilltar bashkiak i shumicës së majtë tha se kjo rrezikon që të gjithë ndërtuesit t’i drejtohen bashkisë me një çantë me lekë.

“Rrezikojmë të mos përmbushim nevojat, pasi me vlerën e ndërtimit të vënë në dispozicion nga ndërtuesit nuk mund të blejmë të njëjtat metra katrorë në vlerën e tregut. Bashkia rrezikon, ndaj kërkoj të përcaktohen qartë kriteret përpara se ky vendim të miratohet”, shtoi Xhemalaj.

Duke marrë në konsideratë mendimin e Xhemalajt, këshilli bashkiak i Vlorës, vendosi të ndryshojë relacionin shoqërues të vendimit, duke lejuar pagimin e 3% në metra katrorë dhe vlerë monetare vetëm të metrave katrorë që nuk mund të kompensohen në formë banese.

Jonela Halili (Dervishi), zëvendëskryetare e Këshillit Bashkiak i tha Portës Vendore, se vendimi parashikon kompensim më çmimin e tregut ose jo më pak se referenca.

“Në vlerë monetare ne kemi parashikuar që të paguhet vetëm diferenca e metrave katrorë që një ndërtues ka pamundësi për ti ofruar në metra katrorë. Pra, nëse ndërtuesi i detyrohet bashkisë 125 metra katrorë, por sipërfaqe e objektit që mund të ofrojë është 120 m2, pjesën e mbetur e kompenson në vlerë monetare sipas çmimit të tregut dhe jo më pak se çmimi referencës”, sqaroi Halili.

Sfida e mbledhjes së 3%

Por tashmë, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit Bashkiak, ngarkohet Kryetari i Bashkisë, Drejtoria e Urbanistikës ,Drejtoria e Pronave Publike dhe Menaxhimit të Aseteve dhe Drejtoria Juridike për zbatimin e tij, por deri në publikimin e këtij shkrimi Bashkia e Vlorës nuk iu përgjigj kërkesës për informacion rreth metodologjisë që do të përdorë për të detyruar ndërtuesit për objektet tashmë të përfunduara të përmbushin detyrimin e tyre ligjor.

Një këshilltar i bashkisë në mënyrë jozyrtare i tha Portës Vendore se kjo do të jetë sfida në vazhdim. Sipas tij, Bashkia e Vlorës do ta ketë të pamundur të detyrojë ndërtuesit, të cilët tashmë e kanë marrë nga bashkia certifikatën e kolaudimit të objektit të depozitojnë 3% e vlerës ndërtimore, pasi nuk ka në dorë asnjë instrument bllokues, duke krijuar kështu një hendek 4 vjeçar në zbatimin e ligjit për krijimin e fondit të banesave sociale.

Pretendimet e ndërtuesve dhe familjet në nevojë

Por nga ana tjetër, ky vendim nuk është pritur mirë nga ndërtuesit. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Vlorë, Arben Breshani tha se ky vendim ishte demotivues për komunitetin e biznesit.

 “Në qytetin e Vlorës unë nuk mendoj se duhet të jetë në fuqi 3%, pasi nuk e përballojnë ndërtuesit, pasi pronarët e tokës e kanë rritur shumë % që kërkojnë nga ndërtimi. Deri tani ky vendim nuk është zbatuar dhe shpresoj të mos zbatohet edhe në të ardhmen. Ky vendim rrit me 3% koston e objektit, pasi tashmë materialet ndërtimore po rriten nga 30-50% dhe mendoj se edhe në të ardhmen do të kemi inflacion shumë të madh të materialeve të ndërtimit. Ne nuk jemi Tirana që metri katrorë shiten edhe 3000- 4000 euro, nuk mendoj se duhet të jetë taksative 3% , të paktën të jetë 1-1,5%”, shtoi Breshanaj.

Beshanaj sqaroi se në raste se ndërtuesit do të duhet të paguajnë me vlerën e tregut, ata do të preferojnë të paguajnë në sipërfaqe ndërtimore, në mënyrën tashmë të njohur si klering.

Ndërkohë, Renato Banushi ekspert imobiliar, sqaron se për shkak të zhvillimeve turistike çmimi i banesave është rritur ndjeshëm edhe në Vlorë. “Çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm, ato kanë ndryshuar me 20-30% në varësi të zonës, por në qytet çmimet variojnë nga 500–800 euro metri katror. Megjithatë, vlera të tilla janë të papërballueshme për familje në nevojë”, thotë eksperti.

Madje, një prej familjeve në nevojë që është në kërkim të një shtëpie është ajo e Bukuroshe Pajës, e cila bashkë me të birin jetojnë në një kontejner në afërsi të fushës së Druve. Në objektin metalik të përshtatur për banesë nuk ka energji elektrike, pasi për lidhjen e kësaj të fundit nevojiten dokumente hipotekore. Prej 2015-tës kushtet në të cilat jetojnë nënë e bir janë të papërshtatshme. Ndërsa familja ka aplikuar disa herë për përfitimin e një banese në bazë të ligjit të strehimit social.

“Kemi shpresa kësaj here, pasi ne jemi skualifikuar sepse rezultonim familje pas asnjë të ardhur”, sqaron e moshuara për Portën Vendore duke shtuar se: “Kur u paraqitëm në bashki dy muaj më parë, sikur na u hap një dritë jeshile. Për të na ndihmuar, i ofruan djalit një vend pune në sektorin e gjelbërimit, në ndërmarrje e bashkisë. Presim vetëm të mbyllet procesi, me shpresë që të mund të jetojmë si njerëz. Për ne është si ëndërr, pasi me kredi nuk blinim dot shtëpi për shkak se djali jetonte me të ardhura nga mbledhja e kanaçeve dhe vetëm me një rrogë nuk blihet dot shtëpi ”, thotë për Portën Vendore 70-vjeçarja.

Bashkia e Vlorës nuk ka statistika të sakta rreth numrit të familjeve që rezultojnë të pastreha, por gjatë viteve ka pasur numër të lartë aplikimesh. Vetëm një muaj më parë, aplikuan 174 aplikantë për banesa sociale, por sipas bashkisë një pjesë e tyre u skualifikuan, pasi kishin të ardhura familjare më të larta sesa parashikon ligji për përfitimin e statusit të të pastrehut.

Ndaj dhe aplikimi u shty deri në Prill të këtij viti.

Gjatë kësaj faze do të pranohen dhe shqyrtohen të gjitha aplikimet e familjeve në nevojë, të cilat kanë të ardhura minimale. I vetmi kusht është që një person i familjes të jetë i punësuar me kontratë të rregullt pune dhe t’i paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore”, sqaron Zambak Selmanaj, Drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Vlorës. Në qarkun e Vlorës figurojnë rreth 1500 familje në skemën e ndihmës ekonomike me të ardhura nën normën jetike, më shumë se 1/3 e tyre jetojnë në Vlorë.