27 prill 2022/ Blerina Moka/ Porta Vendore
Reforma për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri ka shkaktuar shumë pakënaqësi te PAK, pasi ata ankohen se janë lënë jashtë skemës edhe pse kanë përfituar për vite të tëra. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë deklaron se është shtuar numri i përfituesve, grupet e interesit shprehen skeptikë, duke hedhur akuza se komisionet e KEMP-it abuzojnë me statusin për PAK.
Reforma e rivlerësimit të aftësisë së kufizuar në Shqipëri u miratua me vendim të qeverisë Nr. 722, datë 11.11.2019, ku në thelb të saj, synohet zbatimi i një sistemi të ri të vlerësimit sipas “modelit social” dhe ulja e përqindjes së përfituesve pa aftësi të kufizuar duke zgjeruar numrin e përfituesve që kanë mbetur jashtë skemës.
Prej datës 1 dhjetor 2019, projekti “Modernizimi i Asistencës Sociale në Shqipëri”, i financuar nga huaja “IBRD Loan 8141-AL” e Bankës Botërore, me fokus mbrojtjen sociale nisi zbatimin fillimisht si fazë pilote në dy njësi administrative të Bashkisë Tiranë, njësia nr. 6 dhe nr. 7 dhe gjatë vitit 2021 u shtri edhe në qarkun e Durrësit.
Vlerësimi i ri i aftësisë së kufizuar prek dy sisteme, atë të sigurimeve shoqërore dhe atë të mbrojtjes sociale.
Me vlerësimin e ri bio-psiko-social, personat me aftësi të kufizuar mbështeten financiarisht sipas shkallës së sëmundjes dhe kompleksitetit të saj, gjë e cila përcaktohet nga komisionet e dedikuara, multidisiplinare, të cilat kanë në përbërje figura profesionale mjekë dhe punonjës socialë.
Personeli është staf i Shërbimit Social Shtetëror dhe këto komisione janë vendosur pranë qendrave shëndetësore, duke ndërthurur për herë të parë shërbimet socio-shëndetësore.
Një ndër risitë e saj është mbështetja për fëmijët 0-2 vjeç dhe në tërësi fëmijët 0-18 vjeç që nuk ka qenë më parë pjesë e skemës. Por cilat kanë qenë efektet e para të reformës tek grupet e interesit?
“Kam 3 vjet pa marrë pagesën e invaliditetit të bashkëshortit dhe pagesën e kujdestarisë. Bashkëshorti im Astrit Shiroku e ka përfituar KEMP-in si invalid i shkallës së parë që në vitin 2010 dhe 9 vjet më vonë, në 2019, ia hoqën papritur. Ai është 78 vjeç dhe gjatë gjithë ditës qëndron në karrocë. E vetmja që mund t’i shërbejë jam unë, e moshuar 73 vjeçe”, tregon Diliko, bashkëshortja e Astritit, për Portën Vendore, duke shpjeguar më tej se bashkëshorti i saj, me profesion mësues, u invalidizua në moshën 65-vjeçare, kur kishte dalë në pension, si pasojë e një tromboze që i preku këmbën e dorën e majtë.
Por ajo thotë se Komisioni i Rivlerësimit të Aftësisë së Kufizuar, KEMP-i rajonal në Durrës, në vitin 2019 vendosi t’i heqë Astritit statusin e invalidit, ndërsa zonjës së tij kujdestarinë. Astriti është një ndër shumë raste të heqjes së statusit të invalidit në 3 vitet e fundit, me nisjen e zbatimit të reformës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar në vitin 2019.
Një tjetër invalid, Sajmir Mema, 50 vjeç, po nga qyteti i Durrësit, prej 4 muajsh nuk ka marrë pagesën e invaliditetit. Nëna e 50-vjeçarit, Hanko Mema, e kontaktuar nga Porta Vendore thotë se i biri qëndron i shtrirë në krevat gjithë kohës. Ai ka nevojë për kujdes të shtuar, por e moshuara nuk ka asnjë të ardhur veç pensionit të pleqërisë.
Porta Vendore kontaktoi me drejtorin e Shërbimit Social në Durrës, Petrit Ismailati, i cili konfirmoi se i njihte të dyja rastet, por ndërsa për të parin, Astritin, ishte marrë një vendim i pakthyeshëm dhe në KEMP-in Epror pasi diagnoza e Astrit Shirokut nuk përfshihet tek diagnozat përfituese të statusit të paraplegjikut, për Sajmir Memën u shpreh se e ka ndjekur vetë dhe kishte besim se KEMP-i Epror do të vendoste pro tij. “Unë e kam ndjekur çështjen e Sajmirit dhe në dijeninë time, ka qenë komisioni i Rivlerësimit në Durrës, apo siç njihet Kempi Rajonal që është shprehur me divergjencë (kur një mjek anëtar i komisionit nuk është dakord për dhënien e statusit). Më pas ky vendim ka kaluar në Kempin Epror dhe nëse ata shprehen pro Sajmirit, ai do t’i përfitojë të gjitha pagesat e prapambetura”, thotë zoti Ismailati, drejtor i Shërbimit Social Durrës.
Shoqata e personave para dhe tetraplegjikë për qarkun e Durrësit ndjehet e pafuqishme të mbrojë anëtarët e saj, të cilët po humbin statusin si pasojë e reformës së re.
Në rastin e Sajmirit, kryetarja e shoqatës Adivije Hoxha thotë se kanë qenë komisionet e rivlerësimit që pas vlerësimit të ri psiko-social kanë gjykuar t’i hiqet statusi i invalidit, pasi ai vuante nga dy diagnoza, paraplegjik dhe me sëmundje mendore.
“Në të shumtën e rasteve ua heqin kempin paraplegjikëve dhe kjo ka bërë që të ankohen dhe ta çojnë në kempin epror. Ndërkohë, kempi epror i vonon vendimet. Që nga koha që janë në rivlerësim dhe derisa të dalë kempi epror janë të shkëputur nga pagesa. Kjo ka sjellë pasoja të rënda ekonomike, por edhe psikologjike”, thotë kryetarja e Shoqatës së Invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë për qarkun e Durrësit.
“Kur ia hoqën kempin Astriti ra në depresion. Unë jam e moshuar dhe nuk mundem t’i shërbej dot, nuk e nxjerr dot jashtë për shëtitje”, thotë Diliko.
Edhe shoqata e të verbërve të Shqipërisë e sheh reformën e re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar me skepticizëm. Pakënaqësitë e tyre ndaj reformës, shoqata i shprehu përmes një letre publike drejtuar zv/ministres së Shëndetësisë në atë kohë, Bardhylka Kospiri ku ndër të tjera thuhet se “Shoqata e të verbërve shprehet e shqetësuar për dëmin e madh që kjo reformë po u bën personave me aftësi të kufizuar, pasi ajo eliminon përfundimisht pagesën e aftësisë së kufizuar.
Është e qartë, se reforma e qeverisë synon në mënyrë finale shfuqizimin e të drejtave që të verbrit dhe paraplegjikët i gëzojnë për më shumë se 20 vjet”, thuhet në letrën e bërë publike në media më 13 qershor 2019.
Por autoritetet zyrtare mendojnë ndryshe. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në një nga qendrat shëndetësore në Krujë, më 21 shtator 2021 teksa lajmëronte shtrirjen e zbatimit të reformës për rivlerësimin e aftësisë së kufizuar dhe në qarkun e Durrësit, e konsideroi këtë një ndër reformat më të rëndësishme të qeverisë.
“Skema e mbështetjes së personave me aftësi ndryshe, është jo vetëm ndihmë financiare, por tashmë një paketë e mirëfilltë shërbimesh dhe janë mbi 160 mijë persona në nevojë që mbështeten nga shteti. Një ndër risitë e kësaj reforme është mbështetja për fëmijët 0-2 vjeç dhe që nuk ka qenë më parë”, tha Manastirliu.
Por shoqata e të verbërve thotë se kjo reformë që në nisje, ishte e gabuar. “Reforma e vlerësimit të aftësisë së kufizuar që në fazën e pilotimit u nis gabim dhe krijoi shumë ngatërresa dhe penalizime tek qytetarët. Ne kemi mbledhur informacion siç na u kërkua, për gjetjet pas zbatimit të projektit pilot në dy njësi bashkiake në Tiranë, njësia nr.6 dhe njësia nr.7, ku dolëm me kërkesa konkrete si shoqatë. Ndër 50 gjetjet dhe rekomandimet tona ishte dhe rishikimi i reformës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, por askush s’i mori parasysh”, thotë për Porta Vendore administratori i shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Gjergj Smakaj.
Me gjithë konsultimet që u kryen me grupet hartuese të reformës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, drejtuesit e shoqatës së të verbërve thonë se asnjë pikë e sugjeruar prej tyre nuk u mor parasysh.
“Ne kërkuam të shmanget si referim në përcaktimin e pagesave të PAK (Personat me aftësi të kufizuar) pensioni social si i gabuar për modelin bio-psiko-social në respektim të Konventës së OKB për PAK duke marrë si pagesë dysheme dhe referencë pagesat aktuale. Për këtë ne sugjeruam kryerjen e një studimi të thelluar akademik me baza shkencore për të përcaktuar saktësisht barrierat që krijon realiteti social shqiptar, ekonomik e natyror, si dhe pasojat që vijnë nga ndërveprimi i individëve, llojit dhe shkallës së dëmtimit nga ndërveprimi me këto lloj barrierash”, thotë Smakaj,
Në seancën dëgjimore në komisionin parlamentar të shëndetësisë, të datës 16 shkurt 2022, zv/ministrja e Mbrojtjes Sociale Denada Seferi tha se në bazë të skemës së re të vlerësimit janë hartuar dy manuale me 209 diagnoza për të rritur dhe 114 diagnoza për fëmijët, ndryshe nga kriteret e mëparshme që vlerësonin njësoj si fëmijët dhe të rriturit.
Sipas zv/ministres Seferi, reforma parashikon vlerësimin e funksioneve të humbura për shkak të sëmundjes dhe sa e pengojnë këto funksione individin për të kryer aktivitetet e përditshme jetësore.
Sipas statistikave të fundit nga Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) në gusht 2018, numri i personave që janë njohur zyrtarisht që kanë një aftësi të kufizuar në Shqipëri është 141 740 ( 4.8 % e popullsisë së vendit).
Nga këta, 73 425 persona janë invalidë pune që përfitojnë si nga pagesat e sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga pagesat shtesë të skemës së mbrojtjes sociale dhe 68 315 fëmijë e të rritur që marrin pagesat e aftësisë së kufizuar dhe përfitime të tjera në sistemin e mbrojtjes sociale. Nga këta të fundit, 19 060 persona (28%) marrin edhe pagesë për të mbuluar shërbimin e ndihmësit personal që më parë është quajtur shërbimi i kujdestarisë.
Përmes sistemit të ri të vlerësimit, 25.9 për qind e personave me aftësi të kufizuar që s’kanë mundur të hyjnë në skemën e vjetër, janë përfitues për shkak të këtyre kritereve të rishikuara, por që nga ana tjetër nuk janë publikuar shifrat e atyre që kanë humbur këtë shërbim për shkak të reformës.