24 Prill 2022/ Albana Tërshalla/ Porta Vendore/ Durrës
Në Xhafzotaj të Durrësit prej më shumë se dy dekadash janë prezente kanalet e ujërave të zeza. Ne mes të shtëpive të banuara era e rëndë kundërmon në gjithë zonën. Si në verë dhe në dimër ndihet vështirësia e këtij komuniteti që jeton aty dhe prej kohësh nuk kanë parë asnjë dritë jeshile në investime. Kjo situatë po kërcënon çdo ditë shëndetin e banorëve të zonës. Kanalet e hapura te mbushura ndër të tjera dhe me mbetje përcjellin panoramën më të zymtë në këtë zonë të populluar.
Ramadan Damzi banon prej 20 vitesh në këtë zonë , teksa rrëfen shqetësimin e madh që ky kanal i ujërave të zeza që kalonte pranë shtëpisë së tij i ka shkaktuar probleme.
“Ky kanal i ujërave të zeza kalonte në oborrin e shtëpisë time dhe u detyrova të marr pllaka betoni dhe materiale të tjera që ta mbuloj vetë kanalin me shpenzimet e mia. I kam marrë të gjitha materialet e nevojshme që te bllokoja kanalin qe kalonte mes oborrit tim dhe kundërmonte erë të rëndë. Një punë e bërë me financa personale ku në fakt i takonte institucioneve shtetërore që ta bënte këtë punë, pasi nuk janë të pakta rastet që si unë dhe banorë të tjerë të kësaj zone jane detyruar ta mbyllin vete kanalin qe kundërmonte dhe ishte i hapur mes oborrit te shtëpisë”, thotë ai. Në disa zona të Durrësit janë evidente ujërat e zeza, ku pasojat i vuajnë çdo ditë banorët e zonës. Ky problem prej kohësh nuk ka parë në dritë investime në këtë drejtim. Në Xhafzotaj të Durrësit ujërat e zeza janë të pranishme rreth e qark zonës. Era e rëndë ka kanosur të gjithë banorët e zonës , disa prej tyre kanë mbyllur kanalin që i’u kalonte mes për mes shtëpive me pllaka betoni, duke investuar nga xhepat e tyre për të gjitha materialet e nevojshme dhe duke bërë atë që pushteti vendor nuk e bën dot për banorët e vet. Hajrulla Tollja shprehet për Portën vendore se nuk ka asnjë shpresë dhe besim tek instancat përkatëse për zgjidhjen e problemit që ai e vuan prej vitesh bashke me banorë të tjerë të këtij komuniteti ku jetojnë. “ Nuk kam më besim tek institucionet dhe qeveria se asgjë nuk kanë bërë për ne. Ata vijnë në prag fushatash dhe askush nuk kujtohet pasi ne ti kemi votuar. Unë i ftoj të vijnë në këtë vend dhe jam e sigurt që ata sdo mund të qëndrojmë më shumë për shkak të erës së rëndë të këtij kanali. Por ne jemi detyruar të jetojmë ne jemi të detyruar të rrimë në këto kushte, sepse këtu kemi zgjedhur të jetojmë, nëse do kishim mundësi të zgjidhnim ndryshe do e bënim, sepse këtu në këtë vend nuk ka më arsye për të jetuar, ka shikojeni gjendjen s’ka nevojë për llafe të tepërta, tregon vetë” , rrëfen ai. Në fakt komuniteti është ankuar disa herë te njësia e qeverisjes vendore në Rrashbull në mënyrë që kjo e fundit ta përcjellë problematikën e tyre tek instancat përkatëse. Por edhe kjo përpjekje ka qenë pa rezultat. “Nuk ka ende planifikim për rehabilitimin e ujërave të zeza”, shprehet zyrtarët e njësisë administrative Rrashbull. Në këtë zonë në verë dhe në dimër ndjehen më shumë pasojat e kanaleve të hapura në mes të qendrave të banuara dhe bizneseve që operojnë përreth. Hamdi Lleshi ushtron aktivitetin e tij prej 20 vitesh në këtë zonë. Marketi i tij ndodhet shumë pranë këtij kanali të ujërave të zeza. “ Kjo situatë prej kohësh na ka vënë në vështirësi të mëdha që ne po tregtojmë këtu bashkë me bashkëshorten time e cila u sëmur gjatë verës prej këtij problemi. Unë personalisht detyrohem të qëndroj në market pjesën më të madhe të kohës dhe ka qenë një problem goxha i vështirë, uroj që të bëhet diçka dhe dikush të vër dorë për gjithë këta banorë të kësaj zone”, shprehet banori. Ndërsa në verë insektet dhe era e rënda që kundërmojnë, rrezikojnë seriozisht banorët në këtë zonë. Ne fakt ky problem nuk është vetëm në Xhafzotaj por në disa zona të Durrësit, si në Shkozet, Spitallë, Vollga etj. Në një përgjigje zyrtare Ujësjellës Kanalizime Durrës u shpreh se: “Në zonën e shërbimit të UKD nuk ka kanalizime të hapura të ujërave të zeza. U.K.D sh.a menaxhon rrjetin nëntokësor të ujërave të ndotura së bashku me pusetat përkatëse, gjithashtu ofron shërbimin e pastrimit të gropave septike me autobot. Kanalet për të cilat shpreheni nuk janë pjesë e aseteve të shoqërisë U.K.D. Sa i përket fshatit Xhafzotaj, aktualisht nuk ka rrjet të kanalizimeve të ujërave të ndotura të menaxhuar nga UKD, ashtu sikurse në pjesën më të madhe të zonave. Pra, kanalet e hapura menaxhohen nga Bashkia Durrës nëpërmjet Ndërmarrjes Rruga”, shprehet Ujësjellës Kanalizime Durrës.
Ndërsa sa i përket Bashkisë në vazhdën e përgjigjeve të saj kemi këto përgjigje:
“Në përgjigje të pyetjes suaj në lidhje me kanalet e ujërave të zeza Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës ka të inventarizuara 240 km linjë kanalizimi të dimensionit 200-2000 mm”. Ndërsa sa i përket fshatit Xhafzotaj ky institucion shprehet se: “Zona në fjalë zhvilluar kryesisht vitet e fundit , operon me gropa septike. UKD nuk ka parashikuar në buxhetin e saj zhvillim të rrjetit të kanalizimeve në këtë zonë pasi depozitimi i ujërave të zeza duhet të ndodhë në stacione të trajtimit (impiante ) gjë që kërkon fonde përtej mundësive, pasi kërkon një masterplan më të gjerë”. Bashkia e Durrësit ka gati fazën e dytë të investimit të kanalin e ujërave të larta të Spitallës. “Me fonde të rindërtimit po tenderohet faza e dytë, ndërkohë që do shpallet edhe supervizori për projektin që do vazhdojë nga shkolla Demokracia në drejtim të varrezave të vjetra. Nuk është kanali i ujërave të zeza, por kanal i ujërave të larta që mbledh ujerat e shiut dhe ka si qëllim eliminimin e përmbytjeve. Projekti i fazës së parë të investimit është kryer nga Ujësjellës Kanalizime Durrës, kurse projekti i fazës së dytë është hartuar nga bashkia e Durrësit. Shumë shpejt pritet të nisin punimet “, shprehet Ujësjellës Kanalizime Durrës. Pra siç mund të shihet edhe në përgjigjet e institucioneve përkatëse investimi do vijojë për këtë problematikë pa e përfshirë këtë zonë, pra do vijojë në zonat e tjera, pasi Xhafzotaj nuk është në planin e Ujësjellës Kanalizime Durrës. Ajo që të bën më shumë përshtypje ka të bëjë me fondet që do përdoren lidhur me këtë problematikë. Bashkia Durrës do përdor fonde për rindërtimin për dëmtimin e shtëpive nga tërmeti i nëntorit për të mbyllur kanalet e ujërave të zeza në qytetin e Durrësit. Pra ky plan për investime e para nuk është gjithëpërfshirës duke lënë jashtë një ndër zonat më problematike siç është Xhafzotaj që është kthyer në një urgjencë ekologjike, dhe e dyta probleme të tilla imediate nuk kanë fokusin e institucioneve përkatëse për fonde të posaçme por po lëvrohet brenda fondeve të përcaktuara për rindërtimin.