Vëzhgim/Analizë

Saga e rritjes së taksave në kohë pandemie! Bashkitë ofrojnë pastërti me dyfishim tarifash

17 prill 2022/ Eliza Gjediku/ Porta Vendore

Shumë bashki në vend kanë rritur taksat dhe tarifat vendore, duke vështirësuar dhe më shumë jetesën në këto kohë krize dhe ende pa marrë veten nga pandemia, e cila ka dëmtuar shumë biznese e qytetarë. Në disa bashki, tarifat vendore janë shtuar, ndërkohë që ekspertët hedhin alarmin se kjo mund të ndikojë në raportin qytetar-bashki, por që kjo është edhe një kosto e inceneratorëve.

“Pandemia është përdorur si pretekst nga ligjvënësit për të reduktuar llogaridhënien për shpenzimet”, thuhet në raportin e Transparency International. Pikërisht në kulmin e pandemisë, nuk mungoi vetëm llogaridhënia për tenderat dhe shpenzimet, por disa bashki nxituan për të rritur taksat. Edhe pse pandemia vijon të mbajë mbërthyer ekonominë dhe shumë sektorë, disa nga bashkitë e vendit vendosën të rëndojnë jo vetëm bizneset, por edhe qytetarët me tarifa të reja. Ndër bashkitë që vendosën të rrisnin taksat ishin Durrësi, Shijaku, Kukësi, Shkodra, Vlora dhe Roskoveci. Të gjitha këto bashki edhe pse u zotuan që gjatë pandemisë nuk do të rrisnin taksat, nuk iu përmbajtën premtimit. Bashkitë e lartëpërmendura e kanë nisur sagën e rritjes së taksave që nga viti i vështirë 2020, dhe nuk po e ndalojnë as për 2022.

Rasti i fundit i rritjes së taksave është i Bashkisë Shijak, e cila me pretekstin e menaxhimit të mbetjeve rriti me 60%, nga 1500 lekë që ishte tanimë do të jetë 2500 lekë. Bashkia Shijak në mungesë të një venddepozitimi mbetjesh do t’i dërgojë ato në Sharrë. Janë rreth 13 mijë familje që nga xhepi i tyre do të nxjerrin 1 mijë lekë më shumë për të pastruar qytetin.

Prej këtij viti taksat shtohen edhe për 21 mijë banorë (sipas censusit 2011) të Roskovecit, kjo për shkak se bashkia ka vendosur të rrisë pastërtinë në qytet, duke i shtuar kostot qytetarëve. Tarifa tjetër që rritet është ajo e pastrimit dhe largimit të mbeturinave. Nëse deri në vitin e kaluar familjet në njësinë Administrative Roskovec kanë paguar 1500 lekë në vit, këtë vit do të paguajnë 1800 lekë. Edhe në njësitë administrative Strum, Kuman, Kurjan ka rritje të tarifës së pastrimit për familjet nga 700 lekë në vit në 1000 lekë në 2022.

Tarifa e pastrimit në Roskovec është rritur edhe për bizneset të të gjitha kategorive. Nëse një biznes fruta perime në Roskovec në 2021 ka paguar 12000 lekë në vit, tashmë do paguajë 18000 lekë këtë vit. Ndërkohë për familjet këtë vit do të rritet tarifa e gjelbërimit. Nëse tarifa e gjelbërimit ishte 400 lekë në vitin e kaluar, për këtë vit është vendosur të jetë 800 lekë tarifa e gjelbërimit. Ndërsa mbetet e pandryshuar për bizneset. Po ashtu edhe ndriçimi do i kushtojë më shumë banorëve të Roskovecit pasi prej këtij viti tarifa e ndriçimit për familjet do të rritet me 300 lekë këtë vit, nga 500 lekë në vitin e shkuar, këtë vit familjet e Roskovecit do të paguajnë 800 lekë për ndriçimin.

Gjithashtu kjo bashki ka shtuar kategorinë e bizneseve që do të paguajnë tarifën e regjistrimit. Nëse në paketën fiskale të vitit 2021 ishin tre kategori biznesesh subjektet fizike, juridike dhe ambulant që paguanin nga një tarifë të caktuar, në paketën fiskale të 2022, shtohet tarifa e regjistrimit për subjektet fizike dhe juridike që nuk kanë seli por që ushtrojnë aktivitet përkatësisht 12 mijë lekë dhe 15 mijë lekë. Nga ana tjetër dyfishohet tarifa e zënies së hapësirës publike nga 60 lekë në 120 lekë.

Po në nisje të këtij viti Bashkia e Elbasanit, njoftoi rritjen e të gjitha tarifave vendore me 20%, por duke thënë se përjashtohen ato me probleme ekonomike. Rritja e taksave për të pastruar qytetin kishte nisur që në karantinë në Vlorë, edhe pse qytetar e biznese për 3 muaj ishin të izoluar, ndërkohë që jeta nisi të normalizohej në 2021, pasi edhe në sezonin veror numri i turistëve ishte i ulët.

Në 2020, Bashkia Vlorë tarifa e pastrimit për biznese sipërfaqe 51-100 m2 ishte 10 mijë lekë në vit shkoi 12 mijë lekë, ndërsa për sipërfaqe mbi 100 m2 bëhet 17 000 lekë/vit, nga 15 000 lekë/vit që ishte.  Tarifë që në 2020 u dyfishua edhe për qytetarët nga 1200 lekë në 2400 lekë. Ndërkohë pastrimi ishte përsirë në fokus të tarifave të rritura në Vlorë, pasi në fund të vitit 2021 Këshilli Bashkiak i Vlorës  vendosi rritjen e tarifës vjetore të pastrimit për bizneset që operojnë në territorin e Bashkisë së Vlorës, duke e çuar deri në 70% më shumë nga tarifat që janë në fuqi.  Nëse tarifa e pastrimit për bizneset për hapësira nga  51-100 metër katror ishte 12000 lekë, u bë 20000 lekë, ndërsa për hapësira +100 metër katror tarifa shkoi nga 17000 lekë në 25000 lekë. Vendim që u rrëzua nga Prefekti.

As Bashkia e Tiranës, nuk mbet pas për rritjen e taksave të pastrimit. Në vitin 2020, familjarët në Tiranë për pastrimin duhet të paguanin 7500 lekë/vit, nga 5000 lekë që ishte më parë. Rritjes së tarifës nuk i shpëtuan as bizneset, pasi prej 2020 duhet të paguanin rreth 66% më shumë taksë për pastrimin e qytetit. Për bizneset me xhiro deri 2 milionë lekë tarifa shkoi në 5750 lekë/vit, nga 3500 lekë/vit që ishte. Kurse për bizneset me xhiro nga 2-8 milionë lekë kjo tarifë ishte 12 000 lekë/vit, dhe ka shkuar 13 800 lekë/vit. Ndërkohë për biznesin e madh nga 74 000 lekë/vit ka shkuar në 85 000 lekë/vit.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Bashkinë e Fierit, ku tarifa e shërbimit ku përfshihet pastrimi, Gjelbërimi dhe ndriçimi shkoi në 3600 lekë nga 2 400 lekë në vit që ishte.

Kostot që paguajnë qytetarët e qytetit të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit për pastrimin e qytetit dhe trajtimin e mbetjeve janë edhe më të larta për ta sepse rëndojnë edhe pagesat e tre kontratave koncesionare. Inceneratori i Tiranës, Elbasanit e Fierit dhe pse janë të mbuluar me hije dyshimi për korrupsion, vijojnë të marrin nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e taksapaguesve Shqiptar miliarda lekë në vit.

Konkretisht për inceneratorin e Tiranës pagesat kanë nisur në 2018, me një pagesë prej 970 milionë lekësh, për të vijuar më pas në vitin 2019 me një fond prej 977.1 milionë lekësh, ndjekur nga pagesa prej 1.280 miliardë lekë në 2020. Po ashtu edhe në vitin 2021 ky incenerator përfitoi nga buxheti i shtetit 1.3 miliardë leë, ndërsa për vitin 2022, është parashikuar të marë1.553 miliardë lekë, për të vijuar me 1.739 miliardë në 2023 dhe 1.778 miliardë lekë në vitin 2024.

Inceneratori i Fierit ka nisur të marrë para në 2018, ku nga buxheti janë dhënë 752.7 milionë lekë, ndjekur nga 2019 me pagesë 752.7 milionë lekë, në të njëjtën vlerë është pagesa edhe për vitin 2020 dhe 2021 dhe në vitin 2022 është parashikuar të marrë 630 milionë lekë.

Ndërsa inceneratori i Elbasanit afera e të cilit çoi në burg Lefter Kokën, në vitin 2018 ka përfituar nga buxheti i shtetit 601.4 miliardë lekë, në 2019 janë paguar 631.3 milionë lekë, në 2020 pagesa ishte 582.7 milionë lekë dhe në vitin 2021 kohë kur kjo vepër duhet ti kalonte në pronësi Bashkisë Elbasan është paguar me 50 milionë lekë.

Pa nisur ende përmirësimi i aktivitetit ekonomik nga bizneset dhe familjet Bashkia Vau Dejës rrit taksat vendore. Në prill të 2021 kjo bashki rriti tarifën e shërbimit te ujitjes dhe te mirëmbajtjes së infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, nga 0 lekë në 2400 lekë.

Bashkia tjetër që i shtoi kostot bizneseve dhe jo vetëm, pasi çdo kosto për biznesin kthehet në dyfish kosto për qytetarin ishte ajo e Kukësit. Konkretisht, Bashkia e Kukësit rriti taksën e ndikimit në infrastrukturë, në kulmin e pandemisë, pasi Këshilli Bashkiak i Kukësit miratoi kërkesën e kryetarit të Bashkisë, Safet Gjici për rritjen e kësaj takse nga 4% në 6%. Argumenti i kryetarit aso kohe ishte se do të rritej interesi për investime për shkak të ndërtimi të aeroportit. Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT nga janari në shtator të 2021 janë dhënë vetëm 30 leje ndërtimi.

Ndërkohë në vitin 2021 ishte edhe Bashkia Shkodër që vendosi vetëm një tarifë për ndikimin në infrastrukture. Tarifa nuk do të jetë më nga 1 deri në 3%, por do të jetë e prerë 3%.

Në fund të vitit 2021, edhe Bashkia e Durrësit vendosi të rrisë taksën për tokën bujqësore duke i shtuar edhe një tarifë për mirëmbajtjen e infrastrukturës.

Ekspertët: Rritja e taksave, kosto e inceneratorëve

Përballë rritjes së taksave dhe tarifave vendore, ekspertët deklarojnë se kjo është një kosto që vjen pikërisht nga inceneratorët. “Rritja e tarifave të pastrimit, ishte në një farë mënyre përçimi i kostove që lindën nga projektet e inceneratorëve, tek qytetarët tashme, duke iu rritur atyre tarifat. Natyrisht që kjo sjell një rëndim të kostove për qytetarët, që edhe pa to, ishin shumë të larta dhe që nga krahu tjetër nuk prodhuan asgjë të re, asgjë më të mirë në menaxhimin e mbetjeve”, shprehet eksperti i ekonomisë Pano Soko. Ndërsa eksperti i pushtetit vendor Haxhimali se nëse kjo rritje nuk është e drejtë, atëherë do të ndikojë drejtpërdrejt tek votuesit. “Këtu duhet bërë kujdes lidhur me balancën ndërmjet të drejtës ligjore dhe të vullnetit të mirë nga njëra anë dhe mundësisë dhe përballueshmërisë së taksapaguesve nga ana tjetër. Ndaj këtu duhet që vendimmarrësit bashkiakë të njohim mirë situatën ekonomike dhe financiare të qytetarëve dhe sektorit biznesit, si dy grupet taksapaguesve në bashki. Në periudha pandemie apo edhe situata të vështirësive të tjera, parimi i të bërit politika fiskale nga bashkitë, duhet të bazohet në njohjen reale të situatës aktuale ekonomike. Praktikisht vende të ndryshme kanë treguar politika fiskale të favorizueshme si pasojë e ndikimit negativ nga pandemia”, shprehet Haxhimali. Po ashtu, eksperti i pushtetit vendor vë në dukje se edhe raporti i rritjes së tarifave me cilësinë e shërbimit është i zhdrejtë. “Vërtetë qytetari po tregohet i përgjegjshëm edhe duke kufizuar ekonominë e tij dhe po paguan, por ama kjo pagesë duhet t’i kthehet në shërbim, në përmirësim të kushteve të jetesës, në përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendore”, përfundon Haxhimali.