Vëzhgim/Analizë

Çmenduria e çmimeve nuk ka të ndalur, familjet në nevojë më të prekurat nga kriza

16 prill 2022/ Porta Vendore/ Tiranë

Çmenduria e çmimeve për ushqimet, karburantin dhe energjinë në vendin tonë po vazhdon dhe nuk di të ndalet. Deri më tani asnjë masë nuk është marrë, asnjë zgjidhje nuk është gjendur dhe barra mbi qytetarët, bizneset vazhdon të rëndohet. Kjo pasi produktet e përdorimit të përditshëm nuk po rriten nga 10 apo 20 lekë sikur ndodh shpesh tek ne, por në javën e fundit ndryshimet po shtohen nga 80 lekë tek ushqimet deri në 100 apo 200 lekë tek karburanti dhe transporti.

Në vendin tonë rritja u reflektua së pari tek rritja e çmimeve të shportës bazë në shtator-tetor të vitit 2021, ku sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT indeksi i çmimeve u rrit me 5%, krahasuar me një vit më parë. Në këtë muaj barra u rëndua kur vetëm çmimi i bukës u rrit me 20%, duke shkuar në 80 lekë apo 100 lekë, nga 50- 60 lekë që ishte një vit më parë.

Prej asaj kohe, aktivistë dhe qytetarë dolën në protestë, ku kërkonin uljen e TVSH nga 10% në 6% për shportën bazë, pasi do të stabilizonte vlerën e tregtimit. Por, kjo kërkesë u anashkalua nga qeveria dhe rritjet vazhduan, derisa arritën në nivelin 9% në dhjetor 2021 – janar 2022. Dhe në shkurt të këtij vitit shënoi rekord, pasi vetëm brenda një muaji çmimet e shportës u rritën me 4. 5%, ndërsa në raport me një marsin 2021 çmimet e ushqimeve janë rritur me gati 12%.

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit ‘zarzavate përfshirë patatet’ u rritën me 16,4%, pasuar nga nëngrupet ‘vajra dhe yndyra’ me 10,1 %, ‘fruta’ me 7,0 %, ‘bukë dhe drithëra’ me 6,8 %, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira’ me 6,7 %, ‘mish’ me 3,9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,3 %”, raporton INSTAT për mars 2022.  Pra në këtë muaj buka, si produkti bazë ka shkuar 100 lekë, produktet si makarona, orizi, sheqeri mbi 100 lekë; vaji, mielli dhe vezë shkojnë mbi 300 lekë.

Pra sikur duket, rritja e çmimeve në vendin tonë nuk lidhet drejtpërdrejtë me luftën. Por, INSTAT, ekspertë dhe të dhënat që ndryshojnë në mënyrë drastike tregojnë se një nga shkaqet është inflacioni. Ai arriti në nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë, si dhe shtrenjtimi i tregjeve ndërkombëtare. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tre grupet e mësipërme.

Kjo rritje e inflacioni në grupin e produkteve ushqimore bazë krijon një problematikë shumë të madhe për shtresat më të varfra të shoqërisë. Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë. Dhe këtu nuk përfshihet ende ndikimi që mund të ketë lufta që ka nisur prej 2 javësh. Kjo pasi me shpërthimin e luftës në Ukrainë, leku po pëson një nënçmim të shpejtë kundrejt euros. Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi. Kursi i këmbimit arrin në vlerën rekord që prej pandemisë ne 127.08 lekë një euro dhe në këto kushte renditet një nga shkaqet për rritjen e çmimeve. Më pas shihet problem shtrenjtimi i kostove të importit si dhe problemet meteorologjike në disa vende, nga ku ne furnizohemi.

Por, çfarë mendojnë ekspertët për këtë? Ne kemi kontaktuar me ekspertin e ekonomisë. Koço Broka, i cili thekson se pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike do e ndjejnë edhe më shumë rritjen e çmimeve në muajt në vazhdim. Prandaj ai sugjeron indeksim pensionesh, pagash dhe më shumë transparencë nga qeveria.

Natyrisht në radhë të parë janë grupet në nevojë, pensionistët në tërësi dhe ata me të ardhura të ulta me pension mesatar e nën të, punonjësit me të ardhura të ulëta etj. Ka ardhur koha që të bëhet indeksimi vjetor i pensionisteve e shtresave të tjerë në nevojë më 1 Prill, çka ka për të ndodhur pavarësisht nga rritja e mprehtë e çmimeve por është një kërkesë ligjore. E rëndësishme është zbatimi i kërkesës që ky indeksim të bëhet sipas kërkesës ligjore mbi bazën e shportës të posaçme te mallrave për shtresat ne nevojë. Si dihet çmimet e grupit të mallrave ushqimore janë mbi 2.1 herë më të larta se inflacioni mesatar”, thotë ai, duke vendosur theksin tek një ekonomi sociale.

“Në një ekonomi sociale tregu të gjithë duhet të ndjejnë dorën e ngrohtë të shtetit. Ndërkohë në se Kryeministri i beson ‘Le të dëgjojmë njëri-tjetrin’ le të dëgjojë gjithë ylberin e rekomandimeve dhe të dijë të zgjedhë”, shprehet eksperti i ekonomisë për Portën Vendore.

Sakaq, ai kërkoi që qeveria dhe bashkia gjithashtu duhet të ndërhyjnë menjëherë me subvencione dhe lehtësime. “Kudo në botë ekonomia e tregut nuk paraqitet si ekonomi e lire tregu e pastër. Ajo kudo ka vulën e ndërhyrjes së tregut po ku kjo ndërhyrje ti shërbejë si mbrojtjes së shtresave në nevojë por dhe nxitjes së sipërmarrjes e rritjes së eficiencës. Natyrisht trajtat janë të ndryshme. Por e rëndësishme është që mbrojtja e shtresave në nevojë të harmonizohen me mbështetjen e sipërmarrjes dhe rritjes së eficiencës. Një shembull inkurajues në tërësi është ajo e energjisë elektrike, ku është mundësuar mosrritja e çmimit për konsumatorët familjarë biznesin e vogël por është mundësuar edhe te shmanget vonesa e pagesës ndaj prodhuesve të energjisë elektrike nga hidrocentralet private. Po kështu duhet ndërhyrja e Bashkisë Tiranë për të mbështetur me subvencione transportin urban. Trajtat konkret të ndërhyrjes natyrisht janë shumë të larmishme nga një vend në tjetrin dhe bë varësi të gjendjes ekonomike financiare të buxhetit te shtetit por dhe biznesit dhe konsumatorëve”, sqaroi eksperti.

Ndërsa sheh si problem dhe shkak që tek ne çmimet po kërcejnë, faktin që institucionet nuk po zbatojnë atë çka iu kërkon ligji. Ndërsa të tjerë përfitojnë nga situata, në vend që të japin zgjidhje. “Kërkesa e Kushtetutës sonë është e qartë, e shprehur në Nenin 1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.

Por ndërkohë vetë ligjvënësi nuk e shikon këtë si lule mos më prek dhe se ndërhyrja e shtetit në ekonominë e tregut është e përjashtuar. Ai ka parashikuar se “Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”. Pra ka hapësirë kompromisi midis shtetit dhe firmës/ve që prodhon dhe eksporton gizë e çelik qoftë duke i kompensuar firmat përkatëse me fitimin e munguar në se kufizohet prodhimi. Një kompromis i tillë ishte më lehtë për tu realizuar me një firmë vendase por është i mundur të realizohet edhe me një firmë të huaj, në interes të qytetarëve shqiptarë.

“Mendoj se kjo mund të shërbejë për ndërhyrjet e tjera të shtetit shqiptar, duke respektuar në të njëjtën kohë kushtetutën dhe lirinë e tregut dhe sipërmarrjes private. Ky rast mendoj se është mjaft domethënës për të ndarë egjër nga grurë, se kur kemi të bëjmë me abuzim”, sqaron eksperti Broka.

Barra mbi qytetarët

Sigurisht që barra e çdo çmimi që rritet, e sidomos për mallrat e konsumit kostoja bie drejtpërdrejtë mbi qytetarët e thjeshtë, familjet në nevojë dhe pensionistët. Duke qenë se që nga 2018, sipas Bankës Botërore, të ardhurat në Shqipëri nuk njohin rritje, çdo shqiptar do ta ketë të vështirë të përballojë këto kosto, madje që tani jemi në luftë për mbijetesë. Të kontaktuar nga Porta Vendore ata shprehen se e kanë të vështirë t’ia dalin mbanë e të mbyllin muajin.

“Po jetojmë copë-copë, shkojë në market për të bërë pazaret e muajit dhe nuk më del më një rrogë si dikur. Tani kemi menduar dhe vendosur që të hamë më pak, vetëm kështu mund t’ia dalim të mbijetojmë. Jemi 4 anëtarë në familje, burrë e grua në punë e dy fëmijët në shkollë. Dy rrogat tona që janë nivel mesatar shkojnë për të jetuar e paguar ujë, drita e detyrime të tjera familjare, si dhe për shkollimin e fëmijëve. Shyqyr që kemi shtëpinë tonë se me kredi s’do t’ia dilnim dot kurrë”, tha Suela për Portën Vendore.

Ndërkohë Kleda e cila punon si mësuese matematike u shpreh se me rritjen e çmimeve ka gjetur edhe një punë tjetër përveç asaj të shtetit. Ajo ndihmon nxënësit në lëndën e matematikës në një after school, dhe me rrogën e dytë ja del që ti bëjë ballë rritjes së çmimeve e cila ka prekur tanimë çdo sektor të jetës, nga ushqimi, karburanti, e deri tek faturat.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të punoja dy punë, pasi jam me qira dhe burri punon polic me një rrogë që as për vete si del kur i thonë. Kjo me kushtëzon shumë pasi s’jam më për fëmijët e familjen me aq shumë orë jashtë shtëpisë, por ama duket se krizën po e përballojë më së miri, duke punuar nga 12 orë”, u shpreh ajo e kënaqur me zgjedhjen që kishte bërë.

Bizneset gjithashtu preken nga çmimi i energjisë dhe naftës, duke qenë se nga ana tjetër paguajnë taksa të larta. Një pronar i prodhimit të lëngjeve i tha Portës Vendore se nëse situata vazhdon e tillë do të duhet t’i vendosë drynin biznesit e të nxjerrë në rrugë të madhe 300 punëtorët e tij.

“Paga minimale u ngrit, bashkë me të edhe taksat që ne si biznes paguajmë, kostoja e prodhimit në fabrikë gjithashtu, faturat , tarifat e taksat ndaj shtetit po që po, vetëm blerës nuk ka. Njerëzit që nga pandemia po konsumojnë gjithnjë e më pak produktet tona, e sidomos me këtë krizë çmimesh për ushqime, kush ja ka më ngenë të blejë lëngje. Po shikohen gjithnjë e më shumë si elementë luksi, dhe nëse vijon kështu në pa diskutim do të shkojmë drejt falimentimin si biznes, ne e shumë të tjerë për fat të keq, nëse shteti nuk ndërhyn e na lë në rënie të lirë”, tha ai.

Në lidhje më këtë çështje prej ditësh kanë ngritur zërin aktivistë të shumtë, nga shoqëria civile ku u bënë edhe disa protesta. Një prej tyre është Emiljando Kita, student dhe aktivist i Organizatës Politike, i cili shprehet se çdo qytetar e kupton dhe është dëshmitar se kriza ekonomike në vendin tonë nuk ka filluar sot, por korrupsioni dhe abuzimet nuk e kanë lënë vendin tonë të përparojë.

Sipas tij, ne kemi frikë të flasim, por të gjithë e dinë se pronarët e mëdhenj fitojnë në vendin tonë dhe njerëzit e thjeshtë paguajnë taksa. “Kriza e thellë sociale dhe ekonomike nuk nisi sot, por që ditën kur u shkatërruan minierat, uzinat e fabrikat, bujqësia e blegtoria, arsimi e shëndetësia. Gjatë këtyre 30 viteve nuk investuan në bujqësi, blegtori, industri, arsim apo inovacion, por vetëm kaluan çdo pronë publike në duart e një grushti oligarkësh që i madh e i vogël i njeh me emër e mbiemër”, tha ai duke venë theksin tek pika kritike në të cilën gjendemi sot.

“Sot gjendemi në pikën ku puna shitet lirë, malli vjen nga jashtë shumë shtrenjtë dhe vendi po shkon drejt greminës. Kjo tregon se ne nuk kemi shtet, por një burokraci të madhe që mbahet me taksat tona për të na vjedhur çdo ditë. Sot shoqëria është e ndarë në dy pjesë, ku në njërën anë janë 1%-shi i politikanëve dhe oligarkëve që marrin vendimet dhe në anën tjetër 99%-shi, populli që e pëson prej tyre”, tha ai. Sipas aktivistit të dhënat e mësipërme se ne krizën tonë nuk ndikoi bursa e huaj, apo lufta, por vetëm burokracia dhe sistemi i gabuar i taksave”, përfundon Emiljano për Portën Vendore.

Ndërsa protestat vazhdojnë, si për t’u “mbyllur gojën” qytetarëve kryeministri Edi Rama prezantoi me 12 mars Paketën e Rezistencës Sociale, të cilën ai e konsideron si plan masash të qeverisë për të përballuar pasojat e luftës. Kjo paketë përmban 7 pika dhe nis me indeksimin e pensioneve, vazhdon me subvencionet për fermerët si dhe fondin shtesë për pagën minimale.

Por kjo paketë nuk është mirëpritur nga qytetarë, aktivistë dhe organizatorët e protestës, të cilët e kanë konsideruar një paketë propagande. Një prej tyre, juristi Adriatik Lapaj tha se qytetarët nuk gënjehen me atë paketë, për aq kohë sa ajo nuk mban 3 kërkesat kryesore të tyre. Sipas tij, qeveria ka bërë llogaritë e saj për të prekur grupet me të ndjeshme nga kjo krizë dhe për t’i propaganduar ata. Sakaq, kujtojmë se kërkesat kryesore të aktivistëve dhe shoqërisë civile janë: Ulja e barrës fiskale, hetim dhe mbikëqyrje për funksionimin e tregut, miratimi i VKM për minimumin jetik dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat vulnerabël.

Prej datës 1 prill janë futur në fuqi një sërë ndryshimet të kryera nga qeveria për target-grupet në nevojë dhe të reflektuara gjithashtu edhe në paketën e rezistëncës, si ngritja e pensioneve me 3.3 %, rritja e pagës minimale me 32 mijë lekë të reja dhe pagesa prej 3 mijë lekësh për 3 muaj rresht për familjet në nevojë për ti ardhur në ndihmë në përballimin e çmimeve të rritura të produkteve të shportës.

Paketën të cilën e ka miratuar qeveria në mënyrë që njerëzit e varfër kryesisht ata me ndihmë ekonomike apo pensionistët në mënyrë që të përballojnë krizën e rritjes së çmimeve, është një “lëmoshë” sipas aktivistes Romina Sefës.

“Ndihma e dhënë në vetvete nuk është e mjaftueshme për të përballuar këtë lloj krize. Ditën e djeshme në supermarkete të ndryshme një litër vaj luledielli tregtohej me një shumë shumëherë më të lartë se më parë, e cila në fakt nuk shkon në proporcion të drejtë me shtesën që qeveria ka miratuar, në mënyrë që kjo krizë të jetë më e përballueshme. Kjo është një barrë e lartë ekonomike, të mendosh që përpos kësaj familjet e varfra, rome dhe egjiptiane, por jo vetëm, të gjithë ata që marrin ndihmën ekonomike dhe pensionistët duhet të paguajnë dhe rregullisht energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm. E gjitha kjo e rrit tej mase koston e jetesës dhe bëhet shumë e vështirë që çmimet të përballohen nga kjo kategori njerëzish. Normalisht duhet të ishte bërë një mini-vlerësim nga institucionet përgjegjëse për të kuptuar koston shtesë që këto ndryshime si pasojë e luftës do të kenë në shportën ushqimore për ushqimet e nevojshme, ato që konsiderohen si më jetiket”, tha Romina Sefa nga Qendra e Advokimit.

Edhe Gentian Serjani aktivist i shoqërisë civile mendon po njësoj, duke argumentuar faktin se disa nga masat e marra nga Kryeministri nëpërmjet paketës së rezistencë sociale, kanë qenë të parashikuara si masa që do të ndërmerreshin këtë vit nga qeveria. “Ndër to mund të themi se indeksimi i pensioneve, dhe rritja e pagës minimale ishin projekte të qeverisë. Përsa i përket masës që do ti vijë në ndihmë familjeve që trajtohen nëpërmjet programeve të mbrojtjes sociale, në vlerën 3.000 lek të reja për tre muaj, mund të shprehem se nuk do të ketë asnjë ndikim tek këto familje. Kjo, referuar % së rritjes së çmimeve të produkteve të shportës. Nëse një familje me 5 persona bashkë me shtesën do përfitojë 11.000 lek të reja në muaj. A mundet që kjo familje të të sigurojë ushqimin bazik, referuar çmimeve ku një produktet e shportës janë rritur me 30% ?”, pyet me të drejtë ai duke shtuar faktin se tanimë prej vitesh kërkohet miratimi i minimumit jetik, masë që do të ndihmonte këto familje të përballojnë pasojat e rritjes së çmimeve, por dhe të krijonte mundësi të jetonte çdokush me dinjitet.

Reagimi i institucioneve

Ndërsa qeveria nuk po jep asnjë zgjidhje, përveç përcaktimeve që kryen nga mbledhjet e Bordit të Transparencës mbi çmimet tavan dhe masat administrative që do të merren ndaj të gjithë shkelesve të ligjit mbi këtë gjë, të gjithë i kanë drejtuar sytë nga institucionet kontrollore dhe rregullatorë. Autoriteti i Konkurrencës vetëm pak javë më parë bëri publik nismën për monitorim të tregut të karburanteve por pa dhënë zgjidhje konkrete dhe as afate se kur do të dalë me një raport mbi këtë çështje.

Përmes një njoftimi për shtyp, AK ka bërë me dije se ka nisur një hetim të thelluar për pikat e karburantit, por ka theksuar se as ajo nuk mund të ndërhyjë tek çmimet.

“Autoriteti i Konkurrencës tashmë prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe ka nisur dhe hetimin, duke qenë se jo vetëm ndajmë të njëjtin shqetësim me ju lidhur me mirëqenien e konsumatorit por dhe si shkak i detyrimeve ligjore të funksionimit të Autoritetit. Prandaj, në vijim të këtij hetimi Autoriteti i Konkurrencës, do të marrë çdo masë që i mundëson ligji nr. 9121, datë 28.7.2003 ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’, për të goditur çdo fenomen që shtrembëron konkurrencën, nëse do verifikohen të tilla pas procedurës hetimor”, thuhet në deklaratë. 

Madje AK nuk ka ngurruar as të shfajësohet, duke thënë se nuk ka pasur asnjë reagim deri më sot, pasi nuk mund të ndërhyjë në ato pika ku nuk evidentohen cenim apo shtrembërim konkurrence. Pra nuk mund të ndërhyjnë te ulja e çmimeve, por po pret rezultatet e hetimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe e kuptojmë, se në këto periudha krizash të njëpasnjëshme, pa marrë parasysh arsye objektive, kryesisht qytetarët, por edhe politikanët, pretendojnë nga autoritetet që të ndërhyjnë dhe të ulin çmimet, por në lidhje me Autoritetin e Konkurrencës këto pretendime janë të arsyeshme vetëm nëse ndërmarrje të caktuar spekulojnë me çmimet duke shtrembëruar konkurrencën”, është shprehur Autoriteti i Konkurrencës.

Ndërkohë, kujtojmë se ligji nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, detyron AK si institucion përgjegjës të marra masa urgjente kur në treg ndodhin ndryshime të paparalajmëruara, përtej nivelit të tregut vendas, apo ndryshime ka të shpeshta në një afat kohor kaq të shkurtër. Madje, në bashkëpunim me qeverinë, AK duhej të merrte masa për stopimin e rritjes së çmimit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë rezultati pas hetimeve dhe masat që do të merren ndaj pikave të karburantit.

Nga këto fakte duket qartë që tregu jonë po pëson luhatje më shumë se vendet e tjera, po ecën i pa kontrolluar dhe po abuzohet. Ndërsa të gjithë presim që sikur Maqedonia e Veriut dhe Greqia, të marrë masat e duhura edhe qeveria jonë.