Vëzhgim/Analizë

Infrastruktura e rrugëve të brendshme dhe periferike në Vlorë e amortizuar, fokusi vetëm tek qendra e qytetit

14 prill 2022/ Edi Ruçi/ Porta Vendore/ Vlorë

Për qendrën e Vlorës është investuar shumë duke i ndryshuar pamjen qytetit, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me periferinë apo brendësinë e qytetit bregdetar, pasi në to është bërë shumë pak. Në shumë lagje të qytetit të Vlorës, ndër to më të vjetrat, mungon infrastruktura çka mbetet shqetësimi më i madh për banorët e zonës. Lagjet, të cilat e vuajnë më tepër mungesën e infrastrukturës janë disa, ku vlen të përmendet lagjja ” Kushtrimi”, zona e “Ish fushave të aviacionit” pjesë e kësaj lagje, lagjja “1 Maj” më specifikisht në zonën e saj të njohur si ” Kume”, lagja “24 Maj” në zonën e saj e njohur si “Çole” dhe  lagjja ” Hajro Cakërri” në zonën e njohur si ” Ish Fabrika e Çimentos Vlorë” .

Problemi kryesor dhe më madhor për banorët mbetet infrastruktura rrugore. Rrugët kryesore, rrugicat e lagjeve që të çojnë në një numër të lartë banesash janë tërësisht të amortizuara, me gropa dhe pellgje uji të ndotur. Në të tilla lagje krahas problematikës së infrastrukturës mungon edhe ndriçimi rrugor, çka i kthen të tilla blloqet e banimit në terr të plotë gjatë mbrëmjes. Gjithashtu vlen të theksohet se të tilla lagje krahas ndriçimit dhe infrastrukturës, kanë mungesë në numër të kontejnerëve të mbeturinave. Numër tepër i ulët i kontejnerëve të mbeturinave në krahasim me familjet që gjenden aty, çka i detyron shpesh herë banorët t’i hedhin mbetjet shtëpiake apo të biznesit në tokë duke ndotur më pas gjithë zonën.

Lagja e parë e cila është marrë në vëzhgim nga Porta Vendore është lagja “Kushtrimi” ku nga pamjet duket qartë amortizimi i tepërt i rrugës kryesore të kësaj lagjeje, e cila qëndron në të tillë gjendje prej vitesh. Në këtë bllok banimi sipas të dhënave të Bashkisë Vlorë jetojnë rreth 480 familje me një total mbi 1000 banorë, të cilët kalojnë çdo ditë në këtë rrugë. Rruga kryesore e lagjes, e cila e lidh atë me lagje të tjera të qytetit është asfaltuar, ndërsa rruga apo rrugicat që të çojnë në drejtim të banesave mbetet një gangrenë e vërtetë për automjetet dhe banorët e zonës.

Myslym Jaho është një prej banorëve më të vjetër të zonës, i cili shprehet i indinjuar për këtë gjendje. “Të jetosh me këto mbeturina këtu njëherë që nuk i heqin është mëkat i zotit. Shumë dobët fare infrastruktura, ne kemi vite, un kam që në vitin 1990 këtu, nuk është vënë dorë fare fare nga bashkia. Asnjëherë nuk është investuar, as nga qeveria qendrore as nga bashkia, këto rrugët kështu janë 12 muaj të vitit. Të vjen turp të kalosh me makinë. Situata është e vështirë në kulm, nuk e imagjinon dot, shumë shumë e vështirë. Jemi ankuar, kush të dëgjon ? Asgjë! Ikën llafi tek ti, e hedhën ata, vijnë vetëm sa për vota. Kur vijnë votimet dikë mund ta ndihmojnë me një thasë miell fjala vjen edhe pastaj ne të tjerët qëndrojmë ja kështu për ibret siç e shikon”, shprehet ai i indinjuar.

Shefqet Llambro është një tjetër banor i zonës, një burrë i moshuar, i cili vitet më të shumta të jetës i kaloi në lagjen “Kushtrimi” duke mos parë asnjë ndryshim në këtë bllok banimi ndër vite. Ndër të tjera për Portën Vendore ai shprehet : “Kaq situatë e vështirë sa s’ka ku të vejë më. Nuk kemi parë asnjëherë të bëhet ndonjë investim. Jemi ankuar, po kush na dëgjon ne. Sa herë ankohemi thonë ik do ta bëjmë, dhe më vonë s’bëjnë asgjë. Kemi shpresë se do bëhet, shpresa vdes e fundit. Shumë të vështirë e kam edhe sot, në ditë me shi. Do të futesh më tutje, andej nga jetojmë në, është zona më keq akoma”, sqaron banori i lagjes “Kushtrimi”.

Vera Dapaj është një nënë me dy djem të rritur të sëmurë në shtëpinë e saj, ka ardhur prej Selenicës në Vlorë për më mirë, por siç ajo tregon ka gjetur më keq. Vera Dapaj prej vitesh tashmë jeton në lagjen “Kushtrimi” në një banesë me qira 6000 lekë të reja në muaj, ku problemi kryesor për të patjetër që mbetet rruga e cila ia vështirëson jo pak jetesën krahas halleve që ka.

“Unë pothuajse kam 13 vite që jetoj këtë lagje. Dorë në rrugën çohet ndonjëherë por nuk e di përse bëhet prapë kështu. Hedhin zhavorr për të hedhur, por si duket nuk e ngjeshin apo një zot e di. Unë them edhe këtë o bir, edhe populli e ka një cik fajin”, thotë ajo, duke dëshmuar se është edhe e pastrehë ndër të tjera, e pavarësisht gjithçka nuk ka gjetur mbështetje institucionale.

Përsa i përket lagjes “Kushtrimi” në Vlorë në pjesën e saj tek “Ish fushat e aviacionit” si dhe në tërësi të saj investimet janë të pakta. Në këtë lagje në 2015 u asfaltua rruga kryesore e cila lidhte rreth rrotullimin e Omones me ish fabrikën e Çimentos, teksa një vit më pas në këtë segment rrugor u instalua edhe ndriçimi. Në vitin 2019 në këtë zonë pati një tjetër investim atë të vendosjes së linjave të ujit të pijshëm, duke e furnizuar lagjen 4 orë me ujë të pijshëm përgjatë ditës, teksa gjithashtu duke ndërhyrë edhe në kanalizimet e ujërave të zeza. Projekte këto të parashikuara në projekt buxhetet vjetore të Bashkisë Vlorë dhe të realizuara me fondet e këtij institucioni.

Pjesë e lagjes “1Maj” në Vlorë, një lagje relativisht e madhe në sipërfaqe, lagja “Kume” është një tjetër bllok banimi që vuan mungesën e infrastrukturës. Në brendësi të këtij blloku banimi mund të vësh re fare qartë imazhet e një lagjeje, jo shumë larg nga Lungomare dhe pjesa më e frekuentuar e Vlorës, që vuan mungesën e investimeve ndër vite. Kume është jo më shumë se 3 km larg fillimit të Lungomares ose rrethit të Skelës, por investimet aty siç tregojnë banorët mungojnë prej dekadash. Porta Vendore rikthehet pas një viti e gjysmë në këtë bllok banimi për të parë nëse diçka ka ndryshuar. Por jo, sërish afro 50 familje ose më tepër se një total prej 1400 banorësh çdo ditë duhet të përballen me baltën dhe ujin e ndotur në dimër, apo pluhurin dhe papastërtitë në verë.

Ashtu si në lagjen “Kushtrimi” në rrugët e kësaj lagjeje që të çojnë në drejtim të banesave apo bizneseve të zonës mungon edhe ndriçimi duke e kthyer zonën në terr të plotë gjatë mbrëmjes, teksa kontejnerët e mbeturinave në të gjithë bllokun e banimit numërohen me gishtat e dorës duke qenë të pamjaftueshëm për banorët.

Brahim Brahimi është një prej banorëve të këtij blloku banimi. Ai jeton disa metra më larg rrugës kryesore në pjesën jug-perëndimore të lagjes, por puna e tij dhe rutina e ditës bënë që të përshkruajë çdo ditë me qindra metra në brendësi të lagjes Kume. “Është e vështirë të kalosh në të tilla kushte, pasi rruga mban ujë dhe duhet ndërtuar se s’bën. Po i shmangesha gropave, po i shmangesha të gjitha gjërave me qëllim që mos të futen këmbët në ujë. Nuk ja kam dal që mos të bëhem me ujë apo baltë, duroj gjithsesi. Un kam që në 1998 që kam ardhur në këtë lagje dhe që prej atëherë edhe deri më tani nuk është bërë asnjë investim. Situata patjetër bëhet më e vështirë kur ka reshje shiu. Jo jo nuk jam ankuar asnjëherë sepse unë jetoj tek pallati përballë dhe zgjedh të kaloj gjithmonë nga rruga kryesore me asfalt, sot më rastisi që kalova këtej se dola të bëj pazare. Patjetër që kemi shpresë që do të bëhet”, shprehet banori i kësaj lagjeje.

Harilla Doku është një tjetër qytetar, ndër më të vjetrit, i cili jeton në lagjen Kume në Vlorë. Edhe ai shprehet disi i zhgënjyer lidhur me premtimet që i janë bërë për infrastrukturën rrugore ndër vite nga zyrtarë dhe kryebashkiakë, por sikurse edhe ai vetë artikulon askush deri më tani nuk i ka bërë derman këtij komuniteti. “Unë banoj atje, tej për tej kështu ka kjo lagje, po vete mbi 20 vjet. Voto për këtë, voto për atë, asnjëri nuk ka bërë derman, asnjëri nuk ka vënë dorë. Ngritur një shqetësim të vetëm ? 1000 mijë herë, se kemi pasur banor dhe një policë këtu e ai ka vajtur 100 herë i shkreti, një tjetër anëtar i zonës këtu edhe ai ka vajtur. Çfarë ndriçimi do, ku ka ndriçim këtu, ka qenë një dritë këtu dhe ajo është djegur fare. Ju duhet të vini këtu kur kjo bëhej me varkë, nuk e di unë kam mall, pasi sivjet nuk u bë të kalohej me varkë. Unë kam ikur jam atje poshtë tani tek shtëpia e djalit se u mbyta këtu tek shtëpia ime, dhe rashë përmbysë aty tek ajo avllia, se nuk kisha më fuqi, më erdhi ujë brenda në shtëpi. Gjithë lagështira na hynë brenda, ja do të vish”, rrëfen Harilla Doku për Portën Vendore.

Metlli Myrtaj është një tjetër banor i zonës Kume dhe lagjes 1 Maj që ngre shqetësimin e tij ku kryesore edhe për të mbetet mungesa e infrastrukturës në këtë bllok banimi. “Kam 20 vite që jetoj këtu dhe në 20 vite nuk është bërë pothuajse asnjë gjë. Ja është shtruar njëherë kjo rrugë kryesore atëherë kur është shtruar, por përsëri kjo doli dhe tani do ta shtrojnë për së dyti. Gjë tjetër nuk është bërë. Edhe në brendësi të lagjes çdo gjë siç ka qenë është. Fare fare, siç ka qenë ashtu dhe është, siç e mbaj mend unë para 20 viteve që nuk banoja në Vlorë, ashtu është edhe sot. Ndriçim në rrugën kryesore ka, ndërsa në brendësi të lagjes ndriçim nuk ka. Unë për vetën time nuk jam ankuar asnjëherë, për të tjerët se di ç’të them. Gabim është që nuk ankohemi po s’kemi ç’bëjmë”, shprehet banori.

Lagjja “Çole” është një tjetër bllok banimi, që paraqet të njëjtën situatë si edhe blloku banimit në lagjen Kume. Çole është një ndër lagjet më të vjetra të Vlorës e cila përfshihet zyrtarisht në lagjen “24 Maj” që është një prej zonave, lagjeve që përfshinë shumë blloqe banimi të emërtuara nga vetë qytetarët ndër vite. Problemi madhor i banorëve të lagjes “Çole” mbetet kryesisht infrastruktura e munguar dhe harresa nga ana e pushtetit vendor. Gropat dhe pellgjet me ujë të ndotur, mungesa e ndriçimit rrugor, kontejnerët e mbeturinave që nuk janë të shumtë në numër dhe si rrjedhojë vjen dhe ndotja e zonës janë disa nga problemet që shqetësojnë banorët. Jetesa e tyre bëhet më e vështirë kryesisht në ditët me reshje shiu ku e kanë të pamundur të dalin nga banesa sidomos natën ku çdo gjë zhytet në terr të plotë. Projekti i nisur nga qeveria e vendit për rehabilitimin total të lagjes “Kume” dhe “Çole” ka prekur disa zona në hyrje të këtij blloku banimi por duke lënë pjesën më të madhe të tyre pa u investuar.

Punimet ndërkohë po ecin me ritme të ulëta çka bën që këto blloqe banimi të mbesin në të tillë gjendje edhe për disa muaj, nëse projekti realizohet. Në lagjen “Çole” jetojnë afro 630 familje me një total prej më tepër se 1700 banorësh sipas të dhënave momentale nga Bashkia Vlorë të mbështetura në censusin e 2011.

Lavdosh Sera është një prej banuesve më të vjetër të këtij blloku banimi, që prej viteve 50 kur ai ka lindur dhe deri më tani jeton pikërisht në lagjen “Çole” të Vlorës. “Unë kam lindur në vitin 1950, që nga 1950 deri tani është hedhur vetëm një asfalt në kohën e Enverit edhe nuk ka parë më suva apo mbushje, kështu ka jetuar gjithnjë këto vitet në vazhdim. Asnjë investim nuk është bërë. Kanë vajtur janë ankuar të gjithë, kanë bërë edhe grevë, edhe nuk i kanë marr parasysh akoma. Është asfaltuar pylli andej, kurse kjo lagje e Vlorës që ka qenë prej vitesh nuk u asfaltua kurrë, që nga ai cepi aty që sheh ti deri tek kanali i themi ne, është një zonë që i themi ne aty. Ndriçim nuk ka, nuk bëhet llaf fare. Kush e kush ka vënë ndriçim për vete, e ka vënë vetë ai atë llambë aty, edhe njëri e ka vënë aty vetë, tre llamba ka e gjithë kjo lagje, që në cep e në cep. Elektrifikimi këtu është për tu dëshiruar. Edhe kur kanë pasur mundësi, nuk ju është dhënë asnjë mundësi kësaj lagje këtu”, shprehet banori për Portën Vendore.

Piro Halili është një tjetër banues në lagjen Çole i cili për Portën Vendore jep edhe ai mendimin e tij lidhur me situatën. “Plotë 40 vjet kam që jetoj këtu. Çfarë investimi do ketë zona, ja urdhëro dhe shikojeni, rruga ja ku është, shikojeni çfarë investimi. Shumë të vështirë e kam të kaloi, shumë shumë fare. Me një fjalë këtu fillon rruga, të vesh tek apartamenti matanë në ujë futemi. Edhe katet e parë mbushen me ujë. Këtu nuk ka fare ndriçim. Kam menduar ta ndryshoj lagjen po ku do vetë unë tani që jam 64 vjeç. Ore ku do vemi ne të ankohemi, ik ankohu ku të duash, nuk të zgjidh njeri, ik ankohu ku të duash. Ka plotë banorë të tjerë të larguar nga lagja, plotë banorë”, shprehet ai.

Spiro Mamaj është banues në një tjetër lagje, por fëmijët e tij dhe të afërmit i ka banues në lagjen Çole. Siç tregon dhe ai vetë prej 15 vitesh i është dashur të kalojë në këtë zonë por asnjëherë nuk ka parë asnjë ndryshim “Unë kam vite që vij këtu por asnjë ndryshim. U bë 15 vjet që vij këtu por nuk është vënë dorë. Dëgjo mua nuk ka këtu asnjë lloj investimi, po të vish tek ajo dera aty ka aq shumë vite sa nuk është punuar. Unë s’jam banorë këtu, jabanxhi jam si ju. Janë ankuar ose jo banorët nuk e di, situata duket, un vij këtu iki dhe kaq. Unë flas çfarë shikoj. Ja shiko sot ti, imagjino të vish natën është shumë më keq. Këtu natën nuk ka as drita asgjë ”

Përsa i përket lagjes Kume dhe Çole respektivisht blloqe banimi të cilat janë pjesë e lagjeve 1 Maj dhe 24 Maj ekziston një projekt investimi, i cili parashikon rikualifikim total të këtyre lagjeve, duke filluar me investimet në rrugët kryesore të këtyre blloqeve të banimit, ristrukturim të mureve rrethuese si dhe ndërhyrje në fasadat e pallateve ku do të ketë nevojë. Ka qenë ish drejtuesi politik tashmë i qarkut Vlorë Damian Gjiknuri i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka dhënë i pari lajmin për transformimin e këtyre blloqeve banimi. Ndër të tjera Gjiknuri në postimin e tij ka deklaruar se “ Faza e transformimit në pjesët e brendshme të qytetit të Vlorës nis me ndërhyrjet në lagjet “Çole” dhe “Kume”. FSHZH çeli garën dhe shumë shpejt fillon investimi në terren për rrugë, trotuare, parkim, sipërfaqe të gjelbërta dhe ndriçim. Gjej rastin të falënderoj Kryeministrin Edi Rama për vëmendjen e vazhdueshme që i kushton Vlorës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit për financimin e gjetur, Kryebashkiakun Leli dhe veçanërisht nënkryetarin Afrim Qendro i cili në kohë rekord drejtoi punën për përgatitjen e projekteve dhe vënien e tyre në zbatim. Pas investimeve në “shtyllën kurrizore” të qytetit, transformimi i lagjeve të brendshme do të jetë objektivi ynë për vitet e ardhshme”.

Në 26 Korrik të 2021 ka qenë vetë kryeministri Rama, i cili ka inspektuar punimet në këto blloqe banimi. Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku si dhe nënkryetari i bashkisë aso kohe Afrim Qëndro. Ndër të tjera Qëndro ka deklaruar se : “Është një investim i mirëpritur nga komuniteti, sepse po shohin rezultate. Sipas projektit, muret janë të gjitha të unifikuara. Brenda 10 ditëve mendojmë të fillojmë shtrimin me asfalt, sepse të gjitha punimet e tjera kanë mbaruar. Ndërkohë do t’i bëjmë një rishikim edhe një pjese të projektit, sepse ka disa zona që duhen parë më mirë. Duke qenë kaq pranë detit me këtë investim këtyre banesave ju rritet vlera,” – u shpreh Afrim Qendro, ndërsa theksoi se paralelisht do të punohet edhe për projektin e ri të ujësjellësit. “Paralelisht do të bëjmë ndërtimin e ujësjellësit dhe përfundimisht ujërat e zeza, ujërat e bardha, ujësjellës-kanalizim, ndriçim gjelbërim do të jenë gati”, u shpreh nënkryetari bashkisë Vlorë, Afrim Qendro.”

Mirëpo 8 muaj më vonë ky investim ende nuk ka përfunduar, teksa po ecën me ritme tepër të ngadalta duke bërë që banorët të vuajnë të njëjtat pasoja si më parë. Në zonën në fjalë ende nuk është ndërhyrë në sistemin e ndriçimit rrugor apo të asfaltohen disa prej segmenteve rrugore të lagjes. Gjithashtu në një pjesë të saj nuk është ndërhyrë as në rikualifikimin e banesave apo sistemin e kanalizimeve. Për projektin në fjalë nuk është zhvilluar asnjë konsultim publik ndërsa në zonë mungojnë tabelat orientuese ku të gjithë qytetarët të shohin vlerën në lekë të projektit apo afatet e përfundimit të tij. Më poshtë renditen disa nga fotot sesi parashikohet të realizohet ky projekt…

Lagjja ” Hajro Çakërri” në Vlorë është një tjetër bllok banimi, i cili përgjatë viteve ka parë pak ose shumë pak investime. Situata në këtë bllok banimi prej dekadash tashmë është lënë e njëjta me shumë pak ndryshime. Problemi më madhor mbetet mungesa e investimeve në infrastrukturë. Blloku i banimit në të cilin jetojnë mbi 250 familje është lënë mes baltës, pellgjeve me ujë të ndotur dhe sigurisht pluhurit gjatë beharit. Në një pjesë të lagjes mungon edhe ndriçimi rrugor, çka e bënë qarkullimin gjatë mbrëmjes tejet të vështirë.

Në fillim të 2021 disa muaj përpara fushatës elektorale u zhvillua investimi i vetëm që ka parë kjo zonë në vitet e demokracisë. Investim i cili në përfundim të tij rezultoi jo i plotë. Investimi kryhej nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe parashikonte investime në lagjen “Hajro Çakërri”, “28 Nëntori” dhe zonën e “Kuzumbabasë”. Si rrjedhojë e investimit u asfaltua 1 km rrugë pikërisht në hyrje të këtij blloku banimi, teksa më pas gjithë lagja u la në të njëjtat kushte si më parë. Në brendësi të lagjes rruga u shtrua me një shtresë çakëll, teksa pak muaj përpara fushatës elektorale u mbyllën pjesa më e madhe e gropave për të lënë idenë se projekti do të vijonte. Më pas situata mbeti e njëjtë, teksa tashmë nuk sheh asnjë gjurmë të atij investimi me çakëll në brendësi të saj. Pak ditë më parë në këtë bllok banimi ka filluar një tjetër investim, ai i vendosjes së tubacioneve furnizuese për ujë të pijshëm me katër orë për banesat e lagjes dhe gjithashtu vendosja e rrjetit të kanaleve kulluese dhe kanalizimeve. Projekt ky i parashikuar nga Bashkia Vlorë për disa lagje të qytetit, projekt i realizuar nga investimet e kësaj të fundit.

Sajmir Gjocaj është një banor i cili ka 15 vite që jeton në lagjen “Hajro Cakërri” tek zona e ish fabrikës së çimentos, teksa ai shpreh shqetësimin për Portën Vendore për mënyrën sesi është braktisur dhe gjendjen që është lënë ky bllok banimi. “Mbi 15 vite kam unë që jam këtu, absolutisht nuk kam parë asnjë investim. Ujërat e zeza tani i kanë bërë cik por më parë ujërat e zeza kanë qenë në rrugë, rruga kanale-kanale, shpëtuam nga ato ujërat e zeza të paktën. Duhen marr parasysh fëmijët që venë në shkollë në ditë me reshje shiu e kanë problem, edhe për ne e njëjta gjë është. Megjithatë sikur kanë filluar këta por nuk e di sa do jetë kështu efektive kjo gjë që ta bëjnë. Jemi ankuar në çdo televizion që ka ardhur këtu, në institucione jo se nuk zgjidhin gjë, po nuk pati plane. Po po na i premtuan se do e bënin në kohë fushate, erdhi ai Gjiknuri këtu tha se do i bëjmë përgjatë fushatës, mbaroj edhe ajo ikën u zhdukën. Jo ndriçim gjatë natës nuk ka, kjo rrugë është problem, që atje e deri atje poshtë, ndërsa andej matanë e kanë bërë. Këtu është skëterr, kam menduar dhe të largohem por skam ku të vete”.

Albert Muhameti një tjetër banor i zonës shprehet se: “Shumë e vështirë është të kalosh në këto kushte. Kanë filluar punimet këtu, nuk i kanë kushtuar rëndësi, i lanë në vend dhe shikoje se si i kanë lënë gangrenë. Kanë nja dy apo tre ditë që kanë bërë pushim nga punimet dhe shiko dheun si është bërë. Jam 25 vjet banor në këtë lagje, sa për investimet kanë bërë gjëra të vogla, hodhën përpara zgjedhjeve vetëm, zhavorr dhe çakëll, ndërsa më pas hiç fare. Vallai shumë e vështirë është të përmirësohet situata. Kjo pjesë ku jemi tani nuk ka ndriçim ndërsa ajo andej po. Gjysma me ndriçim gjysma pa ndriçim. Nuk jemi ankuar sepse e shikojmë se çfarë bëhet, nuk kushton njeri rëndësi, bashkia nuk ka asnjë investim. Ja erdhën malli që pastruan ato mbeturinat, sepse qe plotë mbeturina aty, pjesa aty para. Erdhi kryetari i bashkisë i pastroj mbeturinat. Kam ndërtuar një palë shtëpi këtu, kam menduar edhe të largohem por duhet të shesë banesën njëherë pra të largohem”, tha ai.

Shaqe Isufaj banuese në lagjen “Hajro Cakërri”, një ndër banesat e para në hyrje të zonës së fabrikës së çimentos tregon shqetësimet e saj në lidhje me situatën. “Kam 25 vjet këtu, nuk kam parë të vendoset njëherë dorë. Sa herë vinë prishet diçka e më pas e lënë ashtu e ikin. Tani sikur është rregulluar njëcik por më parë ka qenë më keq. Përpara zgjedhjeve u shtrua kjo lagja por tani e prishën kanalizimet, sepse kaluan kabllot njëherë dhe më pas kaluan ato tubot atje të ujit. Jo more jo u shtruan me zhavorr, lërë asfaltin ti.. Këto investime duket që janë bërë në kohë fushate, përderisa s’ka më, vetvetiu kuptohet ajo punë. Do bëhen investime të tjera morë por kur do bëhen, ne nuk na japin leje ndërtimi jo më të tjera. Për rrugën sa herë që kalojmë, sa herë vinë mediat në ankohemi, Kemi vajtur si lagje edhe në institucione por asnjë gjë nuk është bërë“, tha ajo.

I intervistuar nga Porta Vendore, drejtuesi i urbanistikës pranë Bashkisë Vlorë Jurgen Çallaku flet në lidhje me shqetësimin e banorëve dhe investimet e parashikuara nga institucioni vendor dhe qeveria e vendit në lidhje me këto projekte. ” Siç edhe ju e dini ne kemi një projekt rikonstruksioni dhe rehabilitimi për dy lagje të qytetit të Vlorës, lagja Kume dhe Çole. Për këto dy lagje i kemi dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe qeverisë së vendit preventivin, projektin, fondet buxhetore që nevojiten për të. Qeveria shqiptare e ka miratuar të tillë projekt në muajin tetor të 2020 dhe më pas në dy blloqet e banimit të sipërpërmendura kanë nisur punimet të cilat tashmë janë realizuar në masën 80%.Vlera totale e projektit për rikonstruksionin e dy blloqeve të banimit shkon në rreth 4 miliard lekë për lagje me një total prej 8-9 miliard lekësh për përfundimin total të projektit të rikonstruksionit të Kumes dhe Çoles. Firma kontraktore ka dorëzuar tashmë një kërkesë në bashkinë e Vlorës për shtyrjen e afatit të përfundimit të këtij projekti, jemi duke e shqyrtuar diçka të tillë. Përsa i përket lagjes Kushtrimi dhe Hajro Cakërri bashkia e Vlorës ka fonde të përbashkëta jo vetëm për ndërhyrjen në këto lagje por ndërhyrjen në disa lagje të qytetit. Fonde të cilat kanë të bëjnë me ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit, rrjetin e kanalizimeve dhe në ndriçim. Në disa prej këtyre lagjeve kanë nisur edhe të tilla ndërhyrje. Ndërsa për rikonstruksion total të tyre, bashkia e Vlorës nuk ka fonde dhe pret ndihmën e qeverisë së vendit, ministrisë së infrastrukturës dhe fondit shqiptar të zhvillimit. Kemi dërguar ndërkohë që flasim preventive, projekte zbatuese, plane rikonstruksioni për të dyja lagjet që përmende në ministrinë e infrastrukturës dhe qeverinë e vendit dhe presim përgjigje na ta. Presim miratimin e fondit të posaçëm nga këto dy institucione në mënyrë që të nisim punën. Sapo të kemi informacione, dakordësi do e shpalosim diçka të tillë edhe për publikun, ndërkohë që po vazhdojmë në terren me ndërhyrje të lokalizuara në disa lagje të qytetit për të përmirësuar sado pak jetesën e banorëve të tyre zonave”, është shprehur ndër të tjera për porta vendore Jurgen Collaku.

Ndër të tjera në buxhetin e Bashkisë Vlorë me një afat 12 muajsh është parashikuar investimi në Rikonceptim dhe organizim e funksionit të fushave të aviacionit Vlorë në lagjen Kushtrimi, i cili kap vlerën e 392 milionë lekëve dhe përfshin pastrimin e zonës, investimet në fushat sportive, asfaltim të segmenteve rrugore të dëmtuara dhe ndërhyrje në ndriçimin rrugor aty ku mungon. Mirëpo sërish shumë lagje do të duhet të presin dritën jeshile të investimeve, duke qëndruar në një amortizim total dhe të mjerueshëm prej vitesh.