Ngjarje/Personazhe

Gjysma e ujësjellsave në krizë, qeveria jep 300 milionë lekë subvencion për faturat e energjisë

13 prill 2022/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Gjysma e shoqërive të ujësjellës- kanalizimeve ndodhen në vështirësi të forta financiare, aq sa nuk paguajnë dot as faturat e energjisë elektrike. Kjo rezulton nga raporti i Entit Rregullator të Ujit për vitin 2021, që është dorëzuar tashmë në Kuvend dhe pritet që të diskutohet në komisionet parlamentare. Në raport theksohet se gjatë vitit të kaluar, nga buxheti i shtetit janë dhënë në formën e subvencioneve 380 milionë lekë për të shlyer Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për faturat e energjisë elektrike. 

 “Qeveria qendrore nëpërmjet AKUM-it gjatë vitit 2021 ka shpërndarë subvencione për mbulimin e kostove të O&M për 29 shoqëri UK për vlerën totale prej 380 milion lekë, të cilat kanë qenë të dedikuara vetëm për zërin e kostos së energjisë elektrike që shoqëritë UK i detyrohen OSHEE-së, ose 230 milion lekë më shumë sesa ato të alokuara në vitin 2020”, theksohet në raportin e Entit Rregullator të Ujit.

Subvencionet për faturat e energjisë kanë qenë të vetmet që qeveria qendrore ka dhënë për ujësjellësat. Kjo edhe për të mos krijuar probleme për OSHEE-në. Ndërkohë që ka lënë në përgjegjësi të shoqërive shlyerjen e detyrimeve të tjera që ato kanë krijuar. “Gjatë vitit 2021 qeveria qendrore nuk ka alokuar subvencione për shoqëritë UK për sigurimet shoqërore, tatimet, COVID-in etj., të cilat për vitin 2020 përbënin peshën kryesore të vlerës totale të subvencioneve”, theksohet në raport.

 Të dhënat e detajuara të Entit Rregullator të Ujit tregojnë se nëntë shoqëri kanë marrë edhe 80% të totalit të subvencioneve të alokuara nga buxheti i shtetit për vitin 2021, ekuivalente kjo me një shumë prej 301 milionë lekë. Bëhet fjalë për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve të Durrësit (98,250,000 lekë), Vlorës (52,515,000 lekë), Patosit (32,760,000 lekë), Elbasanit (30,345,000 lekë), Kurbinit (21,607,000 lekë), Kavajës (17,612,000 lekë), Mallakastrës (13,481,000 lekë), Lushnjes (12,458,000 lekë) dhe Peqinit.

“Për këto 9 shoqëri duhet të adresohet në veçanti problemi i pagesës së faturës së energjisë elektrike dhe të borxheve të prapambetura ndaj OSHEE-së, duke analizuar të gjithë faktorët që lidhen për përmirësimin e kësaj situate, si për përmirësimin e efiçencës së energjisë në sisteme, përmirësimin e treguesve kryesorë të performancës, si dhe të aplikimit pranë ERRU-së për rritjen e tarifave të shërbimeve Ujësjellës kanalizime për konsumatorët”, theksohet në raport.

“Është një ndërhyrje e vullnetshme, por jo e dëshirueshme. Qeveria ka dhënë këtë subvencion e imponuar nga realiteti dhe gjendja aktuale e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve. Ashtu siç raporti i Entit Rregullator të Ujit për vitin 2021 e tregon, janë 50 % e ndërmarrjeve që janë në këto skema subvencioni. Kjo tregon që sektori i furnizimit me ujë dhe organizimi i tij lë shumë për të dëshiruar në mjaft aspekte, qoftë sa i përket ofrimit të shërbimit, por edhe performancës financiare, duke çuar në mungesë qëndrueshmërie të theksuar të sektorit në nivel kombëtar, por edhe të operatorëve lokalë”, shprehet Agron Haxhimali, ekspert për çështjet vendore për Porta Vendore.

Ndërkohë që Merita Toska, eksperte për financat e pushtetit vendor argumenton se subvencionimi për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në vështirësi, nuk është zgjidhje. Sipas saj, kjo nuk ndihmon mirëadministrimin e tyre dhe as nuk rrit efiçencën në përdorimin e fondeve. “Jam në favor të shtimit të investimeve për UK-të nga buxheti qendror, modernizimin e tyre për të siguruar efiçencë dhe efektivitet. Subvencionimi i kostove korrente lehtëson përkohësisht barrën e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, por pa kontribuar në eficientim të tyre. Dhe qartësisht, modeli dhe plani i biznesit të UK-ve nuk garanton qëndrueshmërinë financiare të tyre”, shprehet Toska për Porta Vendore.

Paaftësia e gjysmës së shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve për të paguar faturat e energjisë shihet me shqetësim edhe nga Enti Rregullator i Ujit, që është institucioni mbikëqyrës i sistemit. Në raportin vjetor për 2021-in, ERRU ka lënë një rekomandim të posacëm, me fokus pikërisht borxhet e energjisë.

“Për shoqëritë problematike në drejtim të pagesës së faturës së energjisë elektrike në bashkëpunim me AKUM-ERRU-OSHEE të realizohet një analizë e thelluar e gjendjes për secilën shoqëri, sipas një vlerësimi real të Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP), si dhe të firmoset një kontratë performance bazuar në objektiva që synojnë përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërive. Në kontratën e performancës fokusi kryesor duhet të jetë në TKP, sidomos të UPA, Normës Korrente të Arkëtimit dhe Efiçencës së Stafit dhe të përmirësimit të treguesit të efiçencës së energjisë elektrike. Realizimet e vlerësuara të këtyre kontratave të shërbejnë edhe si element bazë për shpërndarjen e subvencioneve nga qeveria qendrore për shoqëritë UK”, theksohet në raport.

Reforma e ujit që nuk prodhoi rezultat

Që në vitin 2016, qeveria vendosi të ndërmerrte një reformë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve dhe rrjedhimisht, edhe gjendjes financiare të shoqërive. Reforma u riaktivizua në 2018-ën, dhe se fundmi edhe vitin e kaluar, por pa prodhuar efektet e pritshme.

Të dhënat e Entit Rregullator të Ujit tregojnë se për 2021-in, 64.7% e totalit të ujit që hidhet në rrjet është pa të ardhura. Kjo do të thotë se ai humbet ose vidhet. Kundrejt vitit 2020, ky tregues ka një përmirësim thuajse të pandjeshëm me vetëm 0.7%.  Një tjetër tregues që dëshmon një situatë aspak optimiste është furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve. Të dhënat e raportit tregojnë se në vitin 2021, vetëm 77% e territorit mbulohej me ujë nga 76.1% që ishte një vit më parë. Edhe këtu, performanca nuk është mbresëlënëse.

Ekspertët sugjerojnë ndërmarrjen e masave të thella për të ndryshuar tërësisht mënyrën sesi funksionojnë shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Për Agron Haxhimalin, masat duhet të jenë disa dimensionale. “Masa e parë është ajo vertikale. Ajo që unë do të sugjeroja për t’u ndërmarrë nga qeveria për të reformuar sistemin në sektorin e furnizimit me ujë është një ndërhyrje ligjore dhe strategji politike që cojnë drejt rajonalizimit të shërbimit.

Masa e dytë është ajo horizontale. Kjo do thotë që vetë bashkitë të bëjnë plane biznesi reale dhe të zbatueshme për të dalë nga situata, me objektiv uljen e shpenzimeve administrative dhe rritjen e të ardhurave. Të gjithë duhet të paguajnë për shërbimin që marrin. Në këtë pikë, asistenca teknike dhe financiare nga donatorët duhet të jetë më e vëmendshme dhe thelbësore”, shprehet Haxhimali.

I të njëjtit mendim është edhe ekspertja Merita Toska. Sipas saj, çdo masë për përmirësimin e treguesve të veçantë nuk con në mirëadministrimin e përgjithshëm të këtyre shoqërive. “Mirëmenaxhimi është shumë dimensional. Sektori i furnizimit me ujë ka nevojë për investime serioze (jo vetëm nga donatorët, por edhe nga qeveria vendase) për të mundësuar ofrimin e shërbimit me eficiencë dhe cilësi. Shtrirja e rrjetit, pagesa e detyrimeve, ulja drastike e humbjeve në rrjet, janë vetëm disa nga ndërhyrjet e domosdoshme për të përmirësuar sistemin”, shprehet ekspertja Toska.

Përballë një situate të vështirë financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, e cila po kërkon gjithmonë e më shumë fonde nga buxheti dhe që në finale, rrezikon të rëndojë tek shërbimi ndaj qytetarëve, ajo që po diskutohet është reduktimi i numrit të tyre dhe krijimi i disa shoqërive të mëdha që do të mbulojnë disa rajone. Por nisma ligjore ende nuk është konkretizuar, duke i lënë të hapura opsionet sesi qeveria mendon të ndërhyjë në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve dhe për të mbajtur premtimin e bërë publikisht për qytetarët: atë të furnizimit pa ndërprerje me ujë të pijshëm.