10 prill 2022/ Marinela Dushi/ Porta Vendore
Aksidentet në vendin e punës po ndodhin rëndomtë në vendin tonë. Raportimet në media flasin për një sërë personash në sektorin privat kryesisht që janë përfshirë në aksidente të tilla, ku disave prej tyre i kanë marrë edhe jetën. Statistikat e fundit tregojnë se aksidentet në vendin e punës gjatë vitit 2020 ishin 168 raste. Inspektorati i Punës (ISHPSHSH) bën me dije se gjatë vitit të shkuar janë kryer 201 inspektime të nisura për këtë shkak.
Gjatë hetimeve janë konfirmuar 182 punëmarrës të aksidentuar në punë, prej të cilëve 36 punëmarrës rezultuan me pasoja të humbjes së jetës. Në 77% të punëmarrësve të aksidentuar, shkaqet lidhen drejtpërdrejt me kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, po ashtu 72% e aksidenteve me pasojë fatale për jetën kanë ndodhur për të njëjtat shkaqe.
Numër i konsiderueshëm i punëmarrësve të aksidentuar janë dhe rastet e subjekteve shtetërore ku numërohen 29 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 7 punëmarrës kanë rezultuar me pasoja fatale. Nisur nga shkaku i aksidenteve me pasojë vdekje: 28% e tyre kanë si shkak të aksidentit “rënien nga lartësia”; 12% moszbatimin e rregullores së sigurimit teknik; 9% rënien në kontakt me energjinë elektrike; 14% aksidente rrugore me pasojë vdekjen.
4 nga punëmarrësit e aksidentuar me shkak vdekje kanë rezultuar punëmarrës të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjithashtu kanë qenë pa kontratë individuale apo kolektive të nënshkruar. 2 nga aksidentet me pasojë vdekje nuk janë njoftuar në kohë nga subjektet, apo njoftimi nga ana e tyre ka munguar.
Mesatarja mujore e numrit të punëmarrësve të aksidentuar në vendin e punës për vitet 2019 dhe 2020 ishte rreth 15 në muaj, për këtë vit kjo shifër është ulur në 10 punëmarrës të aksidentuar mesatarisht në një muaj.
Për shembull, në Dibër, pasi aksidentet kryesisht janë regjistruar në minierën e Bulqizës. Aksidentet e përsëritura në të njëjtin subjekt ndër vite janë në ulje. Në vitin 2020 aksidentet e përsëritura përbëjnë 5.7% të rasteve të ndodhura. Në vitin 2019, aksidentet e përsëritura përbëjnë 7.8% të rasteve të ndodhura, kurse në vitin 2018, aksidentet e përsëritura përbëjnë 7.2% të rasteve.
Në lidhje me incidentet në punë, Porta Vendore u dërgoi 5 bashkive të qarkut Tiranë , një kërkesë zyrtare për informacion. 5 bashkitë u pyeten nëse përgjatë 3 viteve të fundit, 2019, 2020, 2021 në institucionet në varësi të tyre, ka patur incidente apo aksidente të punonjësve në vendin e punës. Vetëm 3 prej tyre kthyen përgjigje. Konkretisht interesit të Portës Vendore iu përgjigjen Bashkia Vorë, Kamëz dhe Tiranë, ndërsa dy bashkitë e tjera të qarkut Tiranë përkatësisht bashkia Rrogozhinë dhe Kavajë nuk kthyen një përgjigje. Nga këto të dhëna rezulton se vetëm në Bashkinë Tiranë janë shënuar incidente në punë teksa punonjësit kanë qenë duke punuar. Në përgjigjen zyrtare, Bashkia tiranë e cila ka 1427 punonjës, thotë se nga 18 institucione vartëse, aksidente janë shënuar vetëm në Drejtorinë e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, duke shpjeguar se ka ndodhur nga pakujdesia e vetë punonjësve. “Kemi patur incidente të vogla në punë, por jo me pasoja të rënda, për gabime njerëzore dhe jo për mungesë të marrjes së masave të sigurimit teknik në punë” thekson Bashkia Tiranë në përgjigjen e datës 22.12.2021.
Bashkia Rrogozhinë që për vitin 2021 ka të punësuar 285, nuk raporton asnjë inicident apo plagosje të të punësuarve gjatë orarit të punës. “Nuk ka pasur raste incidente në punë. Bashkia ka miratuar rregulloren e brendshme me Nr.5311 datë 06.12.2019”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Edhe Bashkia Kamëz e cila ka aktualisht 262 punonjës, ka po të njëjtën përgjigje, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë rast të regjistruar dhe dokumentuar të aksidenteve në punë.
Bashkia Vorë edhe pse nuk raporton të ketë patur raste incidentesh në punë, duket se punonjësit janë të rrezikuar për aksidente të mundshme pasi nuk janë të pajisuar më të gjitha mjetet e nevojshme për të realizuar punën e tyre në terren. “Punonjësit e ujësjellës kanalizimeve janë pjesërisht të pajisur me pajisjet e nevojshme. Investimet e fundit janë bërë në vitin 2021”, thuhet në përgjigjen zyrtare të bashkisë Vorë. Bashkia Vorë për vitin 2021, ka 409 të punësuar.
Erion Muça ekspert punësimi thotë se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për mungesën e sigurisë në punë dhe duhet të punojnë për të përforcuar rregulloret dhe masat parandaluese të këtyre fenomeneve.
“Jeta e një punonjësi në Shqipëri është e pasigurt nga mungesa e infrastrukturës dhe mjeteve por edhe neglizhenca në zbatimin e rregullave dhe procedurave. Po ashtu nga rëndësia ligjore që i jepet sigurisë në punë duke u cilësuar moment etik dhe element rregullore dhe jo segment që duhet të rregullohet rigorozisht me ligj në kontratë. Punonjësit janë po ashtu edhe të pambrojtur nga sindikatat përkatëse të cilat ndjekjen e çështjeve ja lënë rastësisë dhe rutinës pa u përpjekur shumë të kërkojnë me ngulm të drejtën. Jeta e një punonjësi është e pasigurt kjo se çdo gjë të ndodhë fatkeqësisht fajtore në fund mbetet viktima”, shprehet eksperti për Portën Vendore.
Kolë Nikolla Kryetari i Konfederatës së Sindikatave thotë për Portën Vendore se situata në vendin tonë vazhdon të jetë shqetësuese , sepse ajo mbart problematikat e të shkuarës.
“Por mesa duket do të duhet ende kohë dhe vite që Shqipëria të dalë nga kjo situatë. Punëdhënësit, sindikatat e punonjësve dhe Inspektoriatet kanë një rol gjithashtu parësor ndërsa shoqëria civile, është ajo që mund të bëj informimin, ndërgjegjësimin, këshillimin, deri në advokimin e rasteve, për ti ofruar punonjësve dhe aktorëve social të drejtat e tyre dhe më shumë integritet në vendin e punës”, thotw Nikolla Kryetari i Konfederatës së Sindikatave.
Edhe Erion Muça mendon njësoj sa i përket rolit më të madh që duhet të ketë vetë shoqëria civile për rritjen e presionit mbi sigurinë në punë.
“Shoqëria civile duhet të ketë një rol shumë të lartë në propozim projekt idesh për të rritur sigurinë në punë e po ashtu edhe rris ndërgjegjen publike në lidhje me sensitivitetin që ka siguria në punë. Një tjetër rol që duhet të ruajë shoqëria civile duhet të jetë monitorimi i situatës dhe ndërmjetësimi dhe transparenca e mënyrës sesi vepron punëdhënësi dhe punëmarrësi ne lidhje me sigurinë në punë e të adresojë për zgjidhje problematikat e konstatuara duke i ndjekur me insistim ato edhe me diskutime dhe debat publik”, përfundoi ai.
Në përgjigje të kërkesës për informacion të Portës Vendore, Avokati i popullit bën me dije se mbi rastet e incidenteve në punë me pasojë vdekje që janë regjistruar gjatë vitit 2020 dhe gjatë janar-nëntor 2021, institucionit i Avokatit të Popullit, bën me dije se nuk janë adresuar ankesa të tilla.
“ Institucioni i Avokatit të Popullit, ka konstatuar në disa raste se nga organet e administratës publike ka kuptueshmëri dhe zbatueshmëri të pamjaftueshme lidhur me parimet dhe procedurat e duhura që duhet të ndiqen për të garantuar respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor në procedurën administrative, jo vetëm lidhur me marrëdhënien e punës, por edhe në përgjithësi. Në disa raste, kemi vlerësuar se procedurat administrative kanë qenë të paqarta dhe të paplota, duke mos krijuar garanci për respektimin e parimit të qartësisë dhe sigurisë juridike, i cili është një nga parimet më të rëndësishme në procedurat administrative, aq më tepër në rastet kur procedura administrative cënon drejtpërdrejt një interes dhe të drejtë të ligjshme të palës, siç është e drejta për punësim, e rrjedhimisht, për mirëqenie shoqërore dhe ekonomike”, thekson institucioni i AP në përgjigjen referuar Portës Vendore.
Avokati i Popullit ndalet gjithashtu edhe tek kuadri ligjor si një e drejtë themelore e njeriut që zbatohet edhe në procedurat administrative, ndonëse ai nuk është i parashikuar shprehimisht në ligjin horizontal për procedurat administrative (Kodi i Procedurave Administrative).
“Tashmë edhe në Shqipëri ka vite që fusha e aksidenteve në punë është shndërruar në fushë specializimi për shumë avokatë. Në rastin e këtyre aksidenteve, përveç pjesës së hetimit penal që ndiqet nga organi i prokurorisë, aspekt shumë i rëndësishëm është edhe ndjekja gjyqësisht nga personi i dëmtuar apo trashëgimtarët e viktimës, në rastin kur si pasojë e aksidentit ka ardhur humbja e jetës e personit të punësuar. Në lidhje me hetimin penal, hetohet subjekti juridik që është njëkohësisht punëdhënësi i personit të dëmtuar si dhe personi përgjegjës për respektimin e kushteve teknike në punë që në varësi të subjektit është administratori apo drejtuesi teknik. Elementet që hetohen në këtë aspekt janë respektimi i kushteve të sigurisë në punë dhe trajnimi i personit të dëmtuar. Baza ligjore mbi të cilat kryen këto verifikime është e plotësuar dhe e harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian, por problem kryesor mbetet zbatueshmëria e ligjit nga shoqëritë tregtare private apo edhe shtetërore. Për mendimin tim, shkak kryesor për mosrespektimin e legjislacionit në fuqi për kushtet e sigurisë në punë, është mungesa e një programi inspektimi mbi baza të metodologjisë së riskut nga ana e Inspektoratit të Punës. Ndërkohë sa i përket procedurave të dëmshpërblimit të personave të dëmtuar, shumë pak raste janë që zgjidhen me marrëveshje pasi pjesa dërmuese kalojnë një kalvar prej disa vitesh në gjykata dhe kur vjen momenti ekzekutimit të vendimit të gjykatës shoqëritë tregtare, në rastin kur janë me kapital privat, kanë mungesë likuiditeti dhe kapitali, çka pas sjell dhe pamundësinë e ekzekutimit të tyre. Ndaj mund të themi që pavarësisht se me vendim gjykate dëmshpërblimet janë të drejta dhe në proporcion me dëmin e pësuar, ato shpeshherë janë ta paekzekutueshme për shkak të artificave që përdorin shoqëritë tregtare për transferimin e aktivitetit tregtar nga subjekti që ka shkaktuar dëmin në një subjekt tjetër”, thotë juristi Ledio Braho për Portën Vendore.
Po drejtësia si ka vepruar deri tani në informacionin tuaj, a janë gjykuar apo dënuar përgjegjësit e shoqërive tregtare apo institucionit për shkak të mosgarantimit të sigurisë në punë? Eksperti i punësimit Erion Muça mendon se jo.
“ Fajtorët e fatkeqësive nga mungesa e sigurisë në punë përgjithësisht ja kanë hedhur paq pasi është nxjerrë fajtor gjithmonë viktima pikërisht prandaj dhe kërkohet një përpjekje më e lartë për sensibilizimin e domosdoshmërisë së sigurisë në punë që këto raste të jenë në rënie drastike”, shprehet Muça.