Ngjarje/Personazhe

U ndërtua e re në stilin e së vjetrës, bashkia lë pa orë kullën simbol të sahatit në Berat

7 prill 2022/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat

“Takohemi tek Kulla e Sahatit në Çelepias”. Edhe sot e kësaj dite qytetarët beratas e konsiderojnë si pikë takimi, veçanërisht të vjetrit. E ndodhur në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, Kulla e sahatit sot më shumë se sa një matëse kohe është një objekt që mbart histori, për të cilën ka se çfarë të flitet dhe krenohet, por pa funksion.

“Kalojë këtu çdo ditë dhe kulla vazhdon të mbetet pa orë. U gëzuam kaq shumë kur u ndërtua, se më shumë se funksioni i saj, ajo ka histori për beratasit, është kulla e lagjes tonë, dëshmi se sa e rëndësishme ka qenë kjo zonë për kohën”, thotë studiuesi Çlirim Mukli për Porta Vendore.

Ndërtimi i Kullës së sahatit ishte një projekt i financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve akorduar më 11 nëntor të vitit 2014, nëpërmjet programit të Infrastrukturës Vendore dhe Rajonale.

Vlera e këtij investimi ishte 32.494 euro dhe punimet për ndërtimin e kullës nisëm më 9 qershor të vitit 2017. Pjesa e parë e projektit me këtë vlerë parashikonte ndërtimin e kullës prej 25.44 metra e lartë, me material guri. Ndërsa pjesa e dytë e projektit parashikonte pajisjen e saj me një ingranazh matës kohe dhe fushë, gjë e cila do të plotësonte objektin.

“Qëllimi ishte rikthimi në lagje të ish kullës së Sahatit, një vepër e rëndësishme ndërtuar hershëm, por që u shemb gjatë komunizmit. Sot e re, e ndërtuar në të njëjtin stil, kulla nuk ka një orë, ndërsa e vjetra ka pasur një orë që mendohet se është blerë në Torino dhe thuhet se ka qenë aq e fuqishme në tingullin e saj dëgjohej deri në fshatrat rreth Beratit”, thotë Mukli.

Banorët e zonës i kanë humbur shpresat për vendosjen e njësisë matëse në këtë objekt, pasi sipas tyre duket se institucionet e kanë harruar krejtësisht faktin se ora mungon.

 “Arsyet nuk besojë  se mund t’i dijë kush me siguri, por ka kaluar aq kohë saqë edhe autoritetet vendore e kanë harruar që kulla ka nevojë për sahat për t’u quajtur Kulla e sahatit. Si çdo projekt në këtë qytet, më shumë se sa për cilësi, njësojshmëri dhe profesionalizëm në realizim, pushteti i jep më shumë përparësi shfaqjes dhe anës vizive. Për sa kohë që Kulla e Sahatit nuk përbën më interes në këtë drejtim, edhe projekti ngelet i papërfunduar dhe gjysmak”, thotë Namir Lapardhaja një zë opozitar në qytet, banor i lagjes ku ndodhet kulla.

Dritan Çoku, një emër i njohur në fushën e arkitekturës dhe trashëgimisë në monografinë e tij “Kullat e Sahatit në Shqipëri” botuar së fundmi ka arritur që të sjellë studimin nga ana e arkitekturës, mënyrën  e ndërtimit  dhe historikun për kullat e 41 qyteteve shqiptare, ndër të cilat padyshim përmendet hollësisht dhe ajo e Beratit.  

Historiku i ndërtimit të sahateve, apo kullave me sahat, ashtu si në viset e tjera të Ballkanit edhe në trojet shqiptare nuk ka munguar sipas arkeologut, ndaj dhe kjo kullë është e rëndësishme për historikun e qytetit.

Kullat e sahateve jemi mësuar zakonisht ti shohim në qytete të mëdha apo historike, në sheshe e pazare, pranë objekteve të kultit, por jo të gjithë dimë se si ka ndryshuar mekanizmi i tyre nga orë matëse me tingull në mekanizëm me fushë ore, të cilat studiuesi i ka sjellë në monografinë e tij, ku flitet dhe për kullën e vjetër dhe të re.

“Kulla e Sahatit pranë xhamisë së Hysen Pashës, në lagjen ‘ Muratçelepi’, ishte shpallur monument kulture dhe mbrohej nga shteti në vitin 1961 dhe u rikonfirmuar në vitin 1963. Tërmeti i 3 prillit 1969, ndikoi në dëmtimin më të madh të konstruksionit të saj, përveç problemeve të grumbulluara si një ndërtim i vjetër. Pas këtij dëmtimi serioz, kulla e sahatit nuk u restaurua, por nga regjimi i kohës u gjet rruga më e shkurtër, rrënimi i plotë i saj”, shpjegon ndër të tjera në librin e tij, studiuesi Çoku.  

Historianët e lidhin këtë kullë me rëndësinë që kishte lagja për kohën ndaj dhe ruajtja e traditës falë këtij objekti ndonëse të ri, shihet me mjaft pozitivitet.

“Për Kullën e Sahatit në qytetin e Beratit, ka shkruar Eqerem bej Vlora që në vitin 1906. Që herët në këtë lagje u ndërtua xhamia e Hysen pashës, e cila në vitet 1970 të shekullit XIX fillon të quhet xhamia e Sahatit, sepse para saj u ndërtua kulla e sahatit”, thuhet në studimin monografik të autori Çoku.

Me plotë histori objekti që synon të rikthejë në vëmendje lagjen, është i paplotë dhe beratasit kanë ngelur me sytë tek sahati.

“Nuk me duket normale që vazhdon të mbetet pa orë. Foton e saj të vitit 1930 e kam dhe sa herë e shoh dua ta risjellë në vëmendje me kullën e re që u ndërtua. Është një objekt i ri, por u ndërtua për mos u harruar e vjetra, sepse ndryshe çfarë kuptimi do të kishte, thotë historiani Bedri Telegrafi për Porta Vendore.  

Një kullë pa një orë, një objekt që mund të kthejë në atraksion turistik qytetin dhe jashtë zonës muzeale, kulla ka qenë e famshme ndër të tjera dhe për vetë tingullin e saj.

“ Kulla e Sahatit ka pasur një kambanë të madhe bronzi dhe sipas dëshmisë së banorit të lagjes Petrit Maliq Sula në këtë kambanë ishte shkruar: TORINO 1880. Kambana binte rregullisht çdo një orë dhe jehona e saj ndihej deri në fshatrat rrëzë Shpiragut. Sahati mirëmbahej nga Hysni Malok Hoxha, banor i lagjes, i cili e kurdiste gjithmonë dhe bënte shërbimet e nevojshme”, shpjegohet në librin e Çokut.

Për ekspertët e fushës së turizmit në qytet çdo objekt me një histori jashtë zonës historike është një mundësi mjaft e mirë për zhvillimin e turizmit në qytet, duke rritur qëndrimin e kohës së vizitorëve.

“Ajo që synohet është që vizitorët të kalojnë më shumë se sa një ditë në qytet. Ajo që kërkohet është që koha e tyre të mbushet dhe duke parë zona të tjera që mund mos të jenë muzeale, por kanë se çfarë të ofrojnë, ndaj dhe kulla dhe gjithë lagja e cila është porta hyrëse e qytetit të mund të ofrojë turizëm”, thotë Ledioni një guidë profesioniste në qytet.

Historianë dhe specialistë i kanë sytë tek bashkia për vendosjen e njësisë matëse, gjë e cila vetëm kështu do të rikthente objektin në vëmendje.

“Ndërtimi i kullës pranë xhamisë është bërë bazuar te fotot e vjetra, por që u ndërtua që u  me përmasa më të mëdha dhe disa metra më e spostuar nga vendi ku ndodhej kulla e vjetër e sahatit. Ky ndërtim i ri sot risjell në kujtesën kolektive këtë vepër arkitektonike me karakter publik, plotëson peizazhin urban dhe me siluetën e saj të lartë, ajo është një pikë referimi dhe orientimi për banorët e qytetit të Beratit”, thotë Çoku në librin e tij.

Punimet e ndërtimit të kullës u ndoqën me mjaft vëmendje nga beratasit, veçanërisht specialistët e fushës, të cilët presin me interes çdo lajm që ka lidhje me mekanizmin dhe fushën e orës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që teknologjia ecën përpara. Sot askujt nuk i vlen një sahat në qytet për të mësuar orën, por kur ajo kullë mbart një histori, ka diçka për ti treguar vizitorëve, duhet dhe një orë që objekti të jetë i plotësuar”, thotë historiani Telegrafi.

Të shumtë janë vizitorët të huajë, por dhe vendas që ndërsa kalojnë në këtë lagje pyesin për kullën dhe duan të dinë më shumë rreth saj.

“Vizitorët që vijnë vetë privatisht dhe nuk shëtisin nëpërmjet agjencive kanë interes që ta njohin vetë qytetin dhe jo vetëm lagjet muze. Ata nëpërmjet guidave ndalen spontanisht dhe shpesh pyesin rreth kullës dhe faktit që përse kulla nuk ka një orë”, thotë  Ledioni.

Në monografinë e arkeologut Çoku ndërtimi i kullës së re është bërë përafërsisht me kullën e vjetër, por ai e quan si “fat të keq” faktin që kulla ende nuk është plotësuar.

“Muratura e gurit fillimisht nisi me teknikën e ndërtimit me rreshta dhe më pas vijoi duke e realizuar me gurë të vendosur në mënyrë të çrregullt. Ky ndryshim i dukshëm në tipin e muraturës erdhi si rezultat i teknikës së ndërtimit së kullës së re, që do të ishte e përafërt me atë të kullës së vjetër, e cila rezistoi deri në vitin 1969.  Gurët e qosheve të kullës janë të punuar. Fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite kulla ende nuk është e pajisur me këta element të domosdoshëm për të cilën ajo është ndërtuar”, thuhet në librin e tij.

Porta Vendore nuk mori një përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi nga ana e Bashkisë së Beratit në lidhje me pyetjen se përse nuk është vendosur mekanizmi dhe fusha e orës dhe se kur do të vendoset ajo.

Për banorët duket se bashkia nuk e ka në planet e saj vendosjen e kullës dhe për këtë ndihen të keqardhur.

“Unë nuk pres që pushteti lokal të reflektojë dhe të bëjë atë që duhet bërë, sepse ata janë të zënë me punë më të mëdha dhe që i kalojnë dimensionet lokale, mirëpo ja që duhen bërë edhe këto punët e vogla për sa kohë që janë nisur”, thotë Lapardhaja.