3 prill 2022/ Albina Hoxhaj/ Porta Vendore/ Tiranë
Dy vite më parë Shqipëria u godit nga tërmeti tragjik që shkaktoi 51 viktima, e dhjetëra të plagosur. Kjo ngjarje e rëndë la gjurmë të pashlyeshme në jetën e qytetarëve, të cilët përjetuan ankth e frikë për një kohë të gjatë kohe. Nga ana tjetër dëmet materiale të shkaktuara në ndërtesa, lanë qindra familje pa çati mbi kokë, të cilët ende edhe sot e kësaj dite janë në rrugë. Evidentimi i dëmeve dhe nisja e procesit të rindërtimit, e më pas strehimit të banorëve solli problematika të shumta, aq sa edhe sot, 2 vite pas, procesi i rindërtimit nuk ka përfunduar, madje në shumë zona të kryeqytetit sapo ka nisur.
Një javë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, në seancën plenare të Kuvendit të datës 5 dhjetor deklaroi se deri në Krishtlindje të vitit 2020, 80-90% e familjeve që mbetën të pastreha nga tërmeti, do të futeshin në banesat e tyre të reja. Të tilla zotime ka dhënë dhe kryeministri Edi Rama natën e ndërrimit të viteve 2019-2020. Kreu i qeverisë deklaronte në një video mesazh drejtuar shqiptarëve, se deri në fund të vitit 2020 “të gjithë qytetarët që humbën banesën individuale do të futen në banesa të reja të rindërtuara”, u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa theksonte më tej se “deri në gjysmën e parë të vitit 2020 në të gjitha qytetet e prekura do të jenë ngritur të gjitha kantieret për ndërtimin e lagjeve të reja”.
Më 31 janar të vitit 2020, qeveria miratoi zonat e reja ku do të rindërtohet pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.
Në Qarkun Tiranë rezultojnë 2 mijë objekte të dëmtuara, nga të cilat 410 shtëpi private të pabanueshme. Sa i përket pallateve, 202 rezultojnë të dëmtuar, ku 67 u shpallën me dëmtim Ds5, të pabanueshëm.
Lidhur me dëmtimet, në Tiranë janë shpallur 9 zona për rindërtim, por që nga vendimi i 31 janarit 2020 ka kaluar shumë kohë, dhe ende qytetarët janë të pastrehë dhe në pritje që ky proces të përfundojë. Rindërtimi nuk ka përfunduar në disa nga zonat e përcaktuara në Tiranë.
Tirana është një nga zonat ku do të ketë më shumë kantiere ndërtimi për rindërtimin e banesave individuale dhe lagjeve të reja, ku do të strehohen familjet që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Nëntë zonat ku do të ketë ndërtim të lagjeve të reja: 5 Maji, Ndroq, Vaqarr, Kombinat, Uzina e Autotraktorit, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Baldushk, Pezë dhe Zall Herr.
Porta Vendore pa nga afër 5 nga 9 zonat që i janë nënshtruar procesit të rindërtimit se çfarë po ndodh në terren në zonat e planifikuara për rindërtim, dhe konstatoi se rindërtimi vijon me hapa të ngadaltë dhe ende nuk ka përfunduar. Janë strehuar raste të pakta, sporadike ndërsa pjesa më e madhe e banorëve mbeten ende pa shtëpi, në pritje të saj e me shpresë tek shteti.
Procesi i rindë rtimit ka pë rfshirë edhe shtë pitë ekzistuese në lagjen 5 maji, shumica e të cilave kanë qenë në procesi legalizimi, ku edhe pse jo të dë mtuara, pë r ti hapur rrugë projektit ato u prishë n mes një atmosfere rezistence dhe kundë rshtish nga ana e vetë familjeve.
Kombinat
Kombinati ishte një ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë, ku qindra banesa u klasifikuan të pabanueshme pas vlerësimit DS5 nga ekspertët. Ato filluan shembjen vetëm pak muaj më parë, për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit. Por, mbeten ende shumë pallate që qëndrojnë si gërmadha në pritje të fadromave të IKMT-së.
Megjithatë kjo periudhë u shoqërua me vlerësime dhe rivlerësime banesash, duke sjellë ndryshime në listat përfundimtare. Nga ana tjetër, planifikimi për tjetërsimin e zonës së banimit ngjalli pakënaqësi të shumta të banorët, të cilët e ngritën zërin e tyre disa herë në protesta.
Ekspertët vlerësuan 67 pallate DS5 në Kombinat, duke lënë të pastrehë 1300 familje që kanë jetuar në to. Në muajin maj të 2020 u shembën 10 pallatet e para në rrugën “Llazi Miho” dhe familjet filluan të trajtohen me bonus qiraje. Disa prej tyre do të zhvendosen për të jetuar 100 metra në vijë ajrore pranë lagjes së tyre, pikërisht në ish ambientet e kombinatit tekstil, ku po ndërtohen aktualisht 7 godina, me 1350 apartamente, 4-8 kate, si dhe parashikon 1000 parkime nëntokësore.
Megjithatë, të pyetur nga Porta Vendore, banorët shprehen të pakënaqur me këtë vendim. “Unë jetoj ende në apartamentin që është për shembje, nuk na ka ardhur njeri të na shohë, të na pyes, dhe se dimë njëherë se kur do të nis puna për shembje, që së paku të heqim plaçkat e të shpëtojmë ato që tërmeti i dy viteve më parë s’na i prishi. Trajtohem me bonus qiraje, por shtëpitë kanë kapur shifra të frikshme dhe me 15 mijë lekë bonus, ne nuk kemi mundësi t’i kapim qiratë, ndaj vijojmë të jetojmë me frikë që nga dita e parë pas tërmetit në këtë banesa. Por s’na jep njeri informacion se çfarë do të ndodh me ne. Kemi dëgjuar që do të na çojnë tek ish trikotazhi, por ne si lagje nuk duam. Kam investuar në këtë shtëpi, dhe të shkojë atje në dalje të qytetit nuk e pranoj, ose të na japin shtëpi po këtu, ose nuk e lëshojmë shtëpinë. Le të vdesim aty”, thotë Dyshja, e cila jeton në pallatet 2 katëshe të dëmtuara në Kombinat.
Pallati 434/2 në rrugën “Belul Hatibi” është vlerësuar DS5, por 10 nga 16 familje vijojnë të jetojnë në këtë pallat. Pas informacioneve se banorët e këtij pallati do të zhvendosën në zonën “5 Maji” pas rindërtimit të lagjes së re, banorët kanë rrezikuar jetën duke qëndruar në ndërtesë, si një masë për të mos lejuar shembjen e pallatit. Ata nuk janë paraqitur në minibashki për të kryer procedurat e nevojshme për të tërhequr bonusin e qirasë. Dritan Nano, banor i këtij pallati, në një hapësirë 60 metër katror, e organizuar në 2+1 thotë se nuk ka asnjë dokument të shkruar se ku do të strehohet, pavarësisht se kur përfundon procesi i rindërtimit. I vetmi dokument zyrtar që kanë banorët e pallatit është ai që fakton vlerësimin e ekspertëve DS5. “Situata është e vështirë për ne sepse nuk kemi asnjë informacion se ku dhe si do të strehohemi. Bonusi i qirasë është i ulët në një kohë që çmimi i qirave ka ardhur në rritje. Një banesë e përshtatshme për të jetuar është e vështirë ta gjesh nën 250 euro, ndërkohë që bashkia jep bonus qiraje për dy persona vetëm 120 mijë lekë të vjetra”, shprehet Nano
Të tjerë banorë, duke dashur të mbeten anonimë shprehen se: “Nuk e morëm bonusin e qirasë dhe nuk u larguam nga shtëpia, ndonëse është e pabanueshme. Kishim frikë të pranonim bonusin sepse nuk kishim asnjë dokument se ku do strehohemi, më mirë në gërmadha, se në qiell të hapur”,i thanë ata Portës Vendore.
Një tjetër zonjë, e cila ka qenë prezente në disa protesta të zhvilluara në Kombinat, dhe lidhur me këtë dëshiron të mbetet në kushtet e anonimatit, i tha Portës Vendore, se edhe kur erdhën zyrtarët për fushatë i pyeti se çfarë do të bëhet me Kombinatin, por mori vesh premtime boshe, ndërkohë që procesi i rindërtimit ka kaluar çdo afat të parashikuar nga ata.
“Tani s’ka dy muaj që ka nisur shembja e disa pallateve, e kupton se ku e kemi davanë ne. Shumë vonë është me procesin, por kam dëgjuar se këtu duan të bëjnë pallate, e ne të na çojnë në një vrimë miu atje tek ish trikotazhi, as që bëhet fjalë. Kam gjithë jetën në emigracion për këtë shtëpi. Madje as bufenë e plaçkat si kam hequr pasi këto kanë ndërruar mendje 300 herë, e s’dua të marr të çoj kot lecka tek shtëpia me qira, se tani ça nuk presim. Mbase bëhen pishman dhe nuk na shembin, se deri tani s’ka as urdhër e as njoftim”, thotë ajo për Portën Vendore.
Ndërkohë Kombinati ngjason me një betejë lufte. Inertet janë pastruar vetëm në një pjesë të vogël të sheshit të parë që do t’i hapë rrugë rindërtimit, ndërsa një sërë pallatesh presin të dorëzuara, pa dyer e dritare, që rruspat e bashkisë t’i japin dorën e fundit. Pallati ngjitur me tregun e fruta-perimeve është shpallur i pabanueshëm, i dëmtuar me Ds5.
“Ka dy muaj që është liruar ky pallati, por ende s’ka ardhur bashkia që ta shemb, duke e lënë kështu si gërmadhë. Këtu kanë jetuar 45 familje por që u larguan të gjithë me qira. Shkallët i ka prishur IKMT-ja që të mos rrezikoheshin njerëzit, ose fëmijët e shkollës që vijnë rrinë shpesh këtu”, tregon Mersini, duke theksuar se procesi i rindërtimit në Kombinat po ecën ngadalë, dhe jo sipas ritmeve të premtuara për banorët.
Divane të hedhur shkujdesshëm përpara pallateve të braktisur, krevate e dyshek, janë grahmat e fundit që faktojnë se pak muaj më parë këtu ka pasur jetë.
Por jo të gjitha pallatet janë të braktisura në Kombinat. Pavarësisht kryqit të kuq, që shpall të rrezikshme banesat në fjalë, ka edhe shumë nga ata që jetojnë në një pallat thuajse të boshatisur, pasi ngado që të hedhësh sytë gjen familje të tilla në Kombinat, ku shenjat e jetës janë rrobat e nderura në tel, apo zjarri që del nga oxhaku.
“Na premtuan e na mbushen me gënjeshtra, dhe asgjë s’bën. Kombinatasit nuk e meritonin këtë sjellje nga ana e pushtetarëve. Procesi shumë i vonuar, ti shiko pas dy vjetësh po shembin pallatet e para. Me këtë ritëm as në 2030 nuk mbarojnë shtëpitë, ndërsa kryeministri e përdori si kalë beteje rindërtimin në zgjedhje. Mua vetë pak plasaritje më janë shkaktuar në shtëpi, dhe nuk e bëra të madhe, m’i rregulloi djali vetë por kam familjarë, miq e dashamirës që prej dy vitesh ngelën në pritje e me thasët me rroba shko sa në një shtëpi në një tjetër”, tha Xhelili.
Sa më në brendësi të lagjes së Kombinatit të futesh, aq më shumë kaos shikon. Madje disa nga pallatet e braktisur nga banorët, ku duket se kanë ikur nga sytë këmbët, janë kthyer në fole për adoleshentët që konsumojnë hashash.
Por shpesh është luajtur me shifrat e pallateve të dëmtuara, ku vetëm ekspertizat e njëpasnjëshme dhe ato më të detajuara kanë mundur të konstatojnë se në Kombinat nuk bëhet fjalë për 23 pallate, siç deklarohej fillimisht sipas vendimit të 31 janarit 2020, por për 67 në total.
Ndërsa në zonën e Kombinatit, puna për prishjen e 9 pallateve të para të shpallura të pabanuara, nga 23 të tillë nisi në 1 dhjetor 2020. Më 23 nëntor 2020, Veliaj i premtoi banorëve të Kombinatit se për pallatet e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të fillonte rindërtimi në këtë zonë deri më 31 dhjetor 2020, por deri më tani vetëm sa janë shembur disa prej pallateve të dëmtuara aty.
Ndërsa mësohen edhe disa nga detajet e projektit që do të ndryshojë këtë zonë njëherë e përgjithmonë.
Projekti KombinART parashikon ndërtimin e një kompleksi pallatesh në këtë zonë për strehimin e familjeve, shtëpia e të cilave rezulton e pabanueshme, dhe në total rindërtimi në këtë zonë do të kushtojë 76 milionë dollarë. Afati i përfundimit të rindërtimit të kësaj zone është 3 vjet.
Vaqarr
Më 20 nëntor 2021, u inaugurua Lagja e re e Vaqarrit, duke shënuar kështu edhe lagjen e parë në të cilën u bë një pjesë e ndarjes së banesave në kryeqytet.
Procesin e rindërtimit në Vaqarr e kishte marrë përsipër fondacioni “Fundjavë Ndryshe” . Në të, janë ndërtuar 33 banesa individuale një katëshe, ku iu dorëzuan 33 familjeve të para, të cilat nuk ishin vetëm familje të dëmtuara nga Tirana dhe rrethinat e saj, por gjithashtu edhe nga Elbasani, Vora, Durrësi etj. I gjithë procesi i rindërtimit në këtë zonë ka qenë i ndarë në 3 faza, ku faza e parë kishte ndërtimin e 11 banesave, faza e dytë 20 banesa dhe faza e tretë 13 banesa. Në brendësi të lagjes, e cila disponon lulishte, kënd lojërash dhe të gjitha shërbimet e nevojshme po ndërtohet edhe një shkollë për komunitetin, në kuadër të rindërtimit nga Bashkia Tiranë ku ende nuk janë hedhur themelet. Ndërsa në brendësi të lagjes gjejmë edhe 3 memoriale me emrat e familjeve që do t’i gëzojnë këto shtëpi.
Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së ndarjes së shtëpive në kuadër të 2 vjetorit nga tërmeti tha se jeta e 33 mijë familjeve ka ndryshuar rrënjësisht me marrjen e banesave të reja të cilat ndryshe nga çdo vend tjetër janë dhënë falas.
“Jeta po u ndryshon cilësisht. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku goditi tërmeti i 26 nëntorit, që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë, ose e kanë parë atë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi. Janë vetëm 177 familje në çadër dhe marrin bonusin e qirasë dhe rrinë aty sepse nuk duan të largohen nga vendi i tyre, gjëja e gjallë”, u shpreh ai.
Ndërsa i pranishëm në inaugurim, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se pas Vaqarrit, lagjja tjetër do të jetë në Ndroq me rreth 70 shtëpi e ndjekur nga Zallherri ku kanë mbaruar karabinatë dhe 55 shtëpi të tjera në Baldushk. Një lagje e ngjashme do të ndërtohet edhe në Pezë të Madhe.
Në Vaqarr është ndërtuar rishtas. Prona ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por ish pronarët me të marrë vesh projektin e rindërtimit për atë zonë e hodhën në gjyq shtetin dhe i gjithë ky procesi zgjati rreth 9 muaj, ku pasi mbaruan dy seancat gjyqësore, shteti dëmshpërbleu pronarët dhe procesi mori rrjedhën normale.
Në ditët në vijim pritet që të hidhet shorti edhe për familjet e tjera, që të mund të futen në banesat e tyre individuale brenda kësaj rezidence.
Lagjes më të re në kryeqytet, që është vetëm 1.5 km larg nga Kombinati, do t’i mundësohet edhe transporti publik, duke shtuar një stacion për linjën e Kombinatit si dhe lehtësira të tjera për fëmijët dhe të rriturit që jetojnë aty.
5 Maji
Procesi i rindërtimit në zonën e 5 majit ose në atë që quhet si zona e Bregut të Lumit në Tiranë, nisi më 20 tetor 2020, ku pati edhe një inspektim nga Kryeministri Edi Rama, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj.
Veliaj u shpreh se të gjithë banorët që presin që të futen në shtëpitë e reja në këtë lagje, por dhe ata që nuk janë strehuar ende do marrin çdo muaj bonusin e qirasë.
Sipas kreu të bashkisë, kjo lagje është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri dhe do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.
21 pallatet që po ndërtohet janë 5-katëshe dhe në to pritet të strehohen 640 familje që humbën banesat e tyre në tërmetin e 26 nëntorit të 2019, teksa 370 prej tyre po ngrihen banesa kolektive. Ndërtesat janë të ndara nga njëra tjetra në një distancë të përcaktuar nga inxhinierët, ndërsa disa kanë përfunduar si karabina, me apartamente 1+1 dhe 2+1, sipas vendimit të qeverisë shqiptare për familjet përfituese, teksa pjesa tjetër është në ndërtim e sipër.
Sipas premtimeve të qeverisë, familjet do të futen në këto apartamente brenda dhjetorit të këtij viti. Kjo u artikulua në muajin gusht 2021, gjatë një inspektimi të fundit që krerët më të lartë të qeverisë patën në këtë zonë.
Por në terren duket se ky premtim është i pamundur të mbahet, pasi projekti ka hasur në vështirësi.
Rindërtimi në zonën e “5 Majit” ka nisur në njërën pjesë të tij, ndërsa në pjesën tjetër jo. Shkak për këtë është bërë kundërshtimi i banorëve që nuk duan të lirojnë shtëpitë e tyre që të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të lagjes së re. Ata pretendojnë se iu është ofruar një kontratë për të firmosur ku deklarojnë se do e dhurojnë pronën e tyre dhe nuk kanë asnjë garanci për strehim pas përfundimit të ndërtesës.
Prej ditësh ata kanë zhvilluar protesta duke kundërshtuar shembjen e shtëpive të tyre. Ndue Marku i tha Portës Vendore se: “Për të përfituar bonus qiraje duhet të firmosësh kontratën që e dhuron pronën. Që në fjalinë e parë nënvizohet ky fakt. Ata presin që ne të tërhiqemi dhe të lëmë shtëpitë tona pa marrë asgjë në këmbim”,thonë njëzëri banorët. Protesta e banorëve duket se ka penguar procesin por nga ana tjetër ka nxjerrë në pah edhe një problem tjetër, atë të banorëve shtëpitë e të cilëve preken nga projekti. 11 000 banorë do të akomodohen në lagjen “5 Maji”, e cila do të ndërtohet nga themelet.
Banorët e ‘5Majit’ do të detyrohen të dalin nga shtëpitë, pavarësisht se banesat e tyre nuk kanë pësuar asnjë dëmtim nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Procesi i rindërtimit në zonën e 5 majit ose në atë që quhet si zona e Bregut të Lumit në Tiranë, ishte i pari që në nisi në kryeqytet. Sipas premtimeve të qeverisë, familjet do të futeshin në këto apartamente brenda dhjetorit të vitit 2021. Kjo u artikulua në muajin gusht 2021, gjatë një inspektimi të fundit që krerët më të lartë të qeverisë patën në këtë zonë. Por ky premtim nuk u mbajt.
Në të dhënat e publikuara nga “Open Data”, evidentohet se vlera fituese total pa TVSH, për këtë prokurim është 6,19 miliardë Lekë. Qeveria po aplikon në procedurën e tenderimit rregulla të veçanta të krijuara në Aktin Normativ me Fuqi Ligji datë 9 dhjetor 2019. Këto rregulla anashkalojnë legjislacionin e rregullt për Prokurime Publike. Organizata AIS ka konstatuar defekte të kësaj baze ligjore, shkelje të të drejtës kushtetuese për Liri Ekonomike dhe terren për cenim të konkurrencës në favor të kontraktorëve të mëdhenj të Qeverisë.
Në fazën e parë, përzgjedhja e operatorëve që plotësojnë kushtet për kualifikim u zgjodhën 12 Operatorë Ekonomikë. Me gjithë procedurën ndërkombëtare, asnjë biznes i huaj nuk u paraqit apo kualifikua. Lista e operatorëve është e publikuar në Pasaportën e kësaj procedure, pasaportë e publikuar në Open Procurement Albania. Në fazën e dytë Autoriteti Prokurues Bashkia Tiranë, zhvilloi minikonkurse me ofertim jo sistem elektronik me operatorët e përzgjedhur, në 15 minikonkurse u njoftuan 15 kontrata të fituara.
Baldushk
Ndërsa në Baldushk janë në proces ndërtimi 130 shtëpi në total, ku janë të shpërndara nëpër territor. Megjithatë në një nga lagjet ku u bë më shumë zhurmë, është pikërisht ajo e fshatit Mustafakoç ku ka nisur puna për ndërtimin e 15 shtëpive të para individuale. Këtu rindërtimi po ecën me hapa të ngadaltë, kjo pasi një nga arsyet ishte edhe rezistenca e banorëve që shteti të mos uzurponte tokën e tyre. Që prej janarit të viti 2021, nisi prishja e magazinave të grurit që kanë ekzistuar në këtë zonë që në kohën e komunizimit e që kanë qenë të privatizuara nga familjet e fisit Grecaj, për t’i hapur rrugë kështu rindërtimit të rreth 25 shtëpive individuale.
Me çfarë duket në terren banesat individuale nuk janë ndërtuar ende si godina të mirëfillta, teksa punohet edhe të dielave në një prej banesave. “Jemi duke punuar pa respektuar ditë pushimi por ama këtu ndërtimi nisi goxha vonë, ndaj jemi më mbrapa krahasuar me shumë zona të tjera të Tiranës”, thotë një prej përgjegjësve.
Konviktet tek Universiteti i Bujqësisë
Rindërtimi nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit nuk përfshin vetëm shtëpi e shkolla të reja, por edhe konviktet e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe deputeti i PS-së, Ulsi Manja inspektuan kantierin që krijon një mundësi të re për akomodimin e 2200 studentëve në 8 godina sipas standardeve europiane. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, shprehu në atë kohë vlerësimin e saj ndaj punës cilësore së bërë deri tani nga ana e bashkisë së Tiranës e jo vetëm. Sipas saj, projekti i kampusit universitar është arritje e rëndësishme, jo vetëm në kuadër të procesit rindërtimit, por gjithashtu edhe një vlerë e shtuar e “Paktit të Universitetit”, si një projekt multifunksional në shërbim të studentëve të Universitet Bujqësor të Tiranës. Ndërkaq, studentët që kanë banuar në këto ndërtesa janë trajtuar nga Bashkia e Tiranës me bonus qiraje, ndërsa familjet që kishin uzurpuar disa nga godinat studentore do të trajtohen me politika strehimi.
Procesi i rindërtimit është shtrirë në një sërë zonash në kryeqytet, ku në të bën pjesë edhe Kashari, pasi kudo ka pasur shtëpi të dëmtuara nga tërmeti dhe që presin dorën e shtetit.
Porta Vendore sjell dëshminë e zonjës Fatmira Kuka, banore në Yrshek. Shtëpia e saj u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, por ajo thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë apo mbështetje nga shteti. Për shkak të reshjeve të shiut të çarat në muret e shtëpisë kanë ardhur duke u thelluar. Nga frika se mos ndodh një tragjedi, nga mbrëmja e 26 nëntorit 2019 familja me 9 anëtarë, gjyshja 90 vjeçe bashkë me 8 anëtarët e saj, nusen, nipërit dhe fëmijët po jetojnë në një kontejnerë. “Kam aplikuar 3 herë në bashki, por nuk jam trajtuar asnjëherë me bonus qiraje. Në këtë shtëpi banojnë tre kurorë. Që pas tërmetit jetojmë në kushte të vështira. Kishim një çadër por pasi ndërroi jetë im shoq e kishim të pamundur të jetojmë aty bashkë me fëmijët”, shprehet ajo. Banesa është klasifikuar e pabanueshme nga ekspertët për shkak se nuk ka arritur të gjejë asnjë zgjidhje nga shteti shqiptar.“Dua vetëm një shtëpi ku fëmijët të jenë të sigurt për të jetuar. Nuk di çfarë të bëj. Të ardhurat e mia prej 93 mijë lekë të vjetra nuk më mjaftojnë për të jetuar, shtëpi nuk ndërtoj dot. I lutem shtetit të më ndihmojë”,përfundon ajo.
Ndërkohë, në Pezë të Tiranës, 84 familje humbën shtëpitë e tyre për shkak të tërmetit. Ndërsa burime nga Bashkia Tiranë bëjnë me dije se janë 34 shtëpi në lotin e parë në këtë zonë dhe 50 të tjera në lotin e dytë, teksa Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se i gjithë ky proces do të përfundojë deri në fund të nëntorit 2020, për të nisur me një lot tjetër po në këtë zonë në vitin 2021.
Zall Herri i Bashkisë Tiranë është një tjetër nga zonat ku pritet të ndërtohet një lagje e re me familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por problemet me pronësinë private kanë bllokuar projektet. Në ndërtimin e godinave, Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion 32.918 metra katrorë tokë sipërfaqe bruto, por ky proces ende nuk ka nisur. Në Njësinë Administrative Zall-Herr po rindërtohen në total 161 shtëpi individuale të shpërndara në disa fshatra të njësisë, si dhe 49 banesa në lagjen e re. Sipas projektit, ku investitor është Bashkia e Tiranës dhe sipërmarrës i punimeve është përzgjedhur kompania “Klajger Konstruksion” dhe “Inerti SH.P.K”, me mbikëqyrës të punimeve “Toë er” SH.P.K., do të ndërtohen 49 shtëpi njëkatëshe.
Në Ndroq rindërtimi nisi një vit pas tërmetit tragjik me 74 shtëpive në një bllok tërësisht të ri banimi, ndërkohë që vijon procesi i rindërtimit për 83 shtëpi të tjera, në po këtë njësi, proces i cili ende nuk ka përfunduar. Në një dalje publike kreu i bashkisë së Tiranës tha se:“Lagjja e Re do të jetë 15 minuta nga Tirana dhe 15 minuta nga plazhi. Transferohen 74 familje (350 banorë), buzë rrugës kryesore. Është një mundësi e shkëlqyer, sidomos për fëmijët që të kenë akses në të gjitha institucionet dhe të kenë të njëjtin shans për të qenë të suksesshëm në jetë. Secili gëzon pronën, ama, transferohen aty ku secili e ka lakmuar të jetë, buzë rrugës, shumë afër qendrës së qytetit, afër plazhit nesër dhe akseve rrugore të Shqipërisë”, tha Veliaj, duke shtuar se, e njëjta gjë si në Vaqarr po ndodh edhe në Pezë.
Dhe një lagje tjetër është në ish-Uzinën e Traktorëve me objektiv ndërtimin e 5 mijë apartamenteve, proces i cili nuk ka nisur ende.
Edhe në procesin e rindërtimit, tenderat janë përfituar nga kompani që kanë fituar kontrata publike gjatë mandatit të qeverisë Rama. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili u ngarkua për të menaxhuar pjesën më të madhe të fondit për ndërtimit dhe rikonstruksionin e godinave publike të dëmtuara nga lëkundjet sizmike, ka publikuar së fundmi rezultatet e një serie të gjatë tenderash, me vlerë disa dhjetëra miliona euro. Nga të dhënat e publikuara prej Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se të gjitha kompanitë kanë fituar vetëm nga një tender dhe vlera e tenderave të fituara nga secila prej tyre është e përafërt dhe, në përgjithësi, varion nga 150 milionë deri në 250 milionë lekë të reja pa TVSH. Megjithatë, ka disa kompani që kanë fituar kontrata me vlerë më të lartë se mesatarja e përgjithshme.
Operatorët e vetëm janë:
Kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj rezulton që ka fituar kontratën me vlerë më të madhe, deri tani, për procesin e rindërtimit, me vlerë 576 milionë lekë të reja.
“4 A-M”, një shoqëri që gjatë viteve të fundit ka shënuar një rritje të ndjeshme në kontratat e fituara nga autoritetet shtetërore për punë publike.
“Geci” shpk, e biznesmenit Ramë Geci.
Kompanitë që kanë fituar kontrata mbi 1 milion euro si operator të vetëm janë “Gjoka Konstruksion”, “AgiKons”, “Alb-Star”, “Gjikuria” dhe “Trema Engineering 2”.

“GPG” shpk e biznesmenit Paqsor Buzi është kompania kryesore që ka fituar kontratën më të madhe si bashkim operatorësh në tenderat e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të procesit të Rindërtimit. Vlera e kontratës është 323 milionë lekë të reja.
Në vend të dytë renditet një bashkim operatorësh, i drejtuar nga kompania “Fusha” shpk, kontraktorin më të madh të Bashkisë së Tiranës.
Kompania “Colombo”, e cila ka rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit numrin e kontratave me entet shtetërore për punë publike.
Bashkimet e operatorëve të udhëhequr nga kompania “Curri”, “Euro-Alb”, shoqëria “2T” me pronar Artan Sako.
Në vijim, kontrata në formën e bashkim operatorësh kanë fituar edhe disa kompani të tjera, të përmendura gjerësisht në publik;
“Vëllezërit Hysa”, të cilët menaxhojnë pjesën më të madhe të punëve publike në qarkun e Elbasanit. Kjo kompani ishte pjesë e hetimeve për rrugën “Elbasan-Gjinar”.
“AlbBuilding”, e cila ka fituar, ndër të tjera, kontratën për ndërtimin e “by-pass-it” të Fierit dhe Bulevardit të ri në Tiranë.
“Salillari”, kompani e cila fitoi tenderin 20 milionë euro për ndërtimin e dy kilometrave rrugë fushore në aksin “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja”, në kuadër të Unazës së Re të Tiranës. Një kontratë rindërtimi ka fituar edhe bashkimi i operatorëve, i udhëhequr nga “Dajti Park 2007”, kompani e themeluar nga administratori i Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia.
“Biba X”, kompani e cila ishte pjesë e fituesve të parë të tenderit për Unazën e Re, procedurë që u anulua pas shpërthimit të skandalit ‘DH-Albania”.
Lista vijon me bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga “Kevin Konstruksion”, si edhe nga shoqëria me seli në Lushnje, “Llazo” shpk.
Një kontratë me vlerë më të vogël se të parat ka fituar edhe bashkimi i operatorëve, i drejtuar nga “R&T” shpk.