31 mars 2022/ B.Gilaj/ Porta Vendore/
Bregdeti shqiptar është në rrezik si pasojë e grumbullimit të mbetjeve të ngurta urbane, shkarkimit nga lumenjtë që përshkojnë zonat urbane dhe mos trajtimi i ujërave të ndotura urbane. Ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga Eco Albania në tre qarqet më të rëndësishme për vijën bregdetare, konkretisht Lezhë, Durrës dhe Vlorë, për hartëzimin e problematikës mjedisore përgjatë bregdetit në Shqipëri.
Zhvillimi i brezit bregdetar është i një rëndësie strategjike dhe kombëtare për vendin tonë. I shtrirë në një gjatësi prej 316 km vijë bregdetare nga Shkodra në Konispol, ai është aseti më i vlefshëm i Shqipërisë në kontekstin ekonomik, gjeopolitik dhe turistik, jo vetëm në pellgun e Adriatikut por dhe më gjerë në pellgun e Mesdheut. Pikërisht për këtë arsye, Eco Albania ndërmori një studim për problematikat mjedisore të bregdetit shqiptar, duke u fokusuar në tre qarqet Lezhë, Durrës dhe Vlorë.
Përmes këtij studimi u evidentuan një sërë problemesh mjedisore në vijën bregdetare, ku peshën kryesore e merr ndotja urbane. “Zhvillimet e vrullshme urbane kanë ndikuar në pastërtinë e bregdetit. Deti Adriatik dhe Jon janë bërë pritësit e shkarkimeve urbane, industriale, bujqësore dhe blegtorale. Derdhjet e shumta jashtë çdo kontrolli me pesticide dhe kimikate të papërpunuara të tokave bujqësore, mbetjet organike të cilat përmbajnë fosfor e azot, viruse e baktere patogjene, metale të rënda etj. si dhe rritja e numrit të banorëve në disa qendra urbane e ka bërë të pamundur procesin e vetëpastrimit të detit”, deklarohet në raportin studimor, ku theksohet se përveç këtyre faktorëve, të cilët duhet të ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e qeverisjes vendore, listës së gjatë i shtohen edhe mbeturinat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, përfshi këtu edhe një ndër armiqtë kryesorë të gjallesave detare, mbetjet plastike. Po ashtu, në raport theksohet se ndotja e lumenjve, sidomos në zonat rurale ku luginat e tyre jo rrallë janë vend-depozitimet e mbetjeve, përbëjnë një tjetër burim ndotjeje. Edhe ndotja e ujërave nëntokësore jep ndikimin e saj në këtë vorbull të madhe.
Ndotja urbane
Sipas raportit studimor, burimi prioritar i ndotjes në Shqipëri janë mbetjet e ngurta urbane. Bazuar në një vlerësim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për venddepozitimet e paligjshme, jo sanitare dhe ato që kërkojnë rehabilitim, Shqipëria ka 199 vendepozitime të tilla. Po i njëjti vlerësim rekomandon se 44 vend depozitime kërkojnë rehabilitim me një vlerë të përafërt prej 2,8 Milion EUR; 62 venddepozitime duhet të mbyllen dhe kërkojnë një investim me vlerë 2,85 Milion EUR dhe 93 vendepozitime duhet të zhvendosen në vend-depozitime të tjera të ligjshme ose që janë në kushte sanitare, dhe kjo kërkon një investim prej 1,35 Milion EUR.
“Në Shqipëri akoma nuk ka një landfill sanitar në bregdet dhe mbeturinat hidhen në vendgrumbullime afër lumenjve dhe përrenjve ose pranë detit. Përfundimisht, shumica e këtyre mbetjeve derdhen në Adriatik dhe Jon duke ndotur plazhet dhe mjedisin detar. Ky problem është i një rëndësie rajonale, pasi rrymat mbizotëruese të detit në Adriatik mbartin mbeturina drejt brigjeve të Malit të Zi dhe Kroacisë”, citon studimi i Eco Albania.
Po ashtu, sipas të njëjtit studim, menaxhimi i mbetjeve bashkiake është në hapa shumë fillestarë, ku ka shumë pak riciklim dhe kryesisht përdoret depozitimi në vendepozitime/landfille. Si rrjedhojë, deltat lumore reflektojnë situatën e menaxhimit të mbetjeve në vend ku shumica e deltave janë një emergjencë mjedisore për shkak të ndotjes së akumuluar dhe prurjeve përgjatë gjithë zonave të urbanizuara.
“Delta e Ishmit në Durrës është një nga pikat e nxehta të ndotjes ku shtresa të tëra me mbetje plastike, mbetje spitalore janë akumuluar në bregdet.
Nga ana tjetër, depozitimi i mbetjeve urbane në zona bregdetare pa kushte sanitare dhe mjedisore vazhdon të jetë një praktikë. Në Spille, problemi i mbetjeve vazhdon të prodhojë krim mjedisor për shkak të djegieve në natyrë. I njëjti problem paraqitet përgjatë gjithë vijës bregdetare ku qarku i Durrësit është më i spikaturi për shkak të pamundësisë së një venddepozitimi sanitar. Siç tregohet në Tabelën 3, të gjitha Bashkitë që përbëjnë brezin bregdetar nuk kanë një landfill sanitar për depozitimin e mbetjeve urbane apo incinerator, që dëshmon dhe situatën kaotike të mbetjeve urbane shfaqur gjatë sezonit turistik 2021 sidomos në bashkinë Durrës”, theksohet në raport.
Erozioni detar dhe zonat më të rrezikuara
Një tjetër problematikë shqetësuese e ngritur në këtë studim është edhe erozioni detar dhe ndryshimet klimatike. “Zhvillimi i bregdetit ka sjellë rritje të popullsisë, e cila shkakton degradimin e ekosistemeve, rritjen e erozionit, shtimin e shkarkimeve të ujërave të ndotura në det, në mungesë të ndërtimit të rrjeteve adekuate të kanalizimit, humbjen dhe fragmentarizimin e habitateve natyrore, si dhe rrezikimin e specieve në zhdukje”, shkruhet në raportin studimor. Një prej shembujve më konkretë është në Bashkinë e Lezhës, ku sipas studimit, si zonë e kërcënuar shihet ajo e grykëderdhjes së lumit Drin, nga Balldreni i Ri deri në zonën e Tales, nga erozioni detar dhe përmbytjet e bregdetit (nga ishull Shëngjini) deri në grykëderdhjen e lumit Mat. “Po ashtu, Bashkia Durrës rrezikohet nga përmbytjet e lumit Ishëm. Ndërsa, baseni i lumit nga Derveni deri në grykëderdhje, rrezikohet nga përmbytjet e lumit Erzen. Po kështu, rrezikohet nga përmbytjet detare zona nga grykëderdhja e lumit Erzen deri te Rina (Kepi i Rodonit) dhe nga Kepi i Rodonit deri në Porto Romano. E njëjta situatë është nga erozioni detar Kepi i Rodonit në pjesën jugore dhe Bishti i Pallës në zonën jugore dhe rrëshqitje ka përgjatë Kepit të Rodonit nga Shkallnuri deri në Seferaj”, shprehet Eco Albania.
Gjithashtu zonat si Velipojë, Kune-Vain, Patok-Fushë Kuqe, Rrushkull-Gjiri i Lalëzit, Karavasta, Pishë-Poro Fier, Nartë dhe grykëderdhjet e lumenjve, rrezikohen po njësoj nga erozioni bregdetar.
Ndërkohë, Bashkia Vlorë rrezikon nga erozioni detar dhe përmbytjet e bregdetit nga grykëderdhja e Vjosës deri në Triport.
Në bashkinë Himarë, bregdeti është i rrezikuar nga erozioni detar ku zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet masive. Në gjirin e Palermos dhe në Qeparo rrezikohet hyrja e ujit të kripur nga deti, ndërsa nga Borshi deri në Lukovë ka rrëshqitje.
Bashkia Sarandë, nga Nivica deri në Sarandë rrezikohet nga rrëshqitjet dhe vija bregdetare rrezikohet nga erozioni detar.
Ndërsa, në Bashkinë Konispol, vija bregdetare është e rrezikuar nga erozioni detar dhe zona bregdetare rrezikohet nga rrëshqitjet.
Ndotja detare dhe portuale
Tregtia portuale është një tjetër sektor që ndikon në ndotje, ndonëse është një burim ekonomik i rëndësishëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo ndotje vjen nëpërmjet disa mënyrave. Një prej tyre është ndotja e shkaktuar nga hidrokarburet, që sipas studimit, ka qenë e shpeshtë në bregdetin shqiptar. Po ashtu, rritja e aktivitetit operacional në porte është një tjetër problematikë. “Aktiviteti i lartë tregtar në porte dhe flota relativisht e vjetër për vendin tonë përbëjnë një risk të shtuar në aspektin e menaxhimit portual të ujërave të ndotur, mbetjeve urbane nga anijet dhe ujërat e balastës, ku porti i Durrësit mban peshën më të madhe”, deklarohet në raport. Vendi ynë ka 4 porte shtetërore (Shëngjin, Durrës, Saranda dhe Vlora), tre porte private (Porti Vlora 1 – terminali i naftës i menaxhuar nga Petrolifera; Porti i hidrokarbureve Porto Romano, dhe Porti i Naftës i ARMO’s në Gjirin e Vlorës), triporti për anijet e peshkimit Vlorë, dy unaza karburanti që operojnë në Gjirin e Vlorës dhe Termocentrali i Vlorës (KESH sh.a.).
Në këto kushte, sipas studimit të kryer nga Eco Albania, presioni i zhvillimeve bregdetare është një nga sfidat kryesore kombëtare përgjatë vijës bregdetare.
“Numri i madh i ndërtimeve pa leje apo prishja e tyre sipas fushatave të ndryshme, para apo pas sezonit turistik kanë shoqëruar politikën ditore në Shqipëri në 30 vitet e fundit. Shpesh ky presion i shtuar ka gjeneruar konflikte të shumta jo vetëm në rrafshin pronësor por dhe zhvillimor të tipit: turizëm apo urbanizim, mjedis apo ndërtim, zhvillim i qëndrueshëm apo ekonomi vertikale, turizëm familjar apo turizëm elitar”, deklarohet në studimin, ku janë dhënë edhe rekomandimet përkatëse.
Një nga rekomandimet kryesore mbetet kërkesa për funksionim më të mirë të sistemeve ekzistuese të monitorimit dhe kontrollit institucional dhe ndër-institucional në nivel lokal dhe qendror siç janë ndotja hidrokarbure, portuale, ujërat e balastës në porte. Po ashtu, studimi rekomandon investime konkrete për menaxhimin e mbetjeve dhe një rikonceptim të të gjithë sistemit të menaxhimit, duke aplikuar një qasje kapilare të menaxhimit nga njëra anë, dhe duke rritur e forcuar kontrollin dhe monitorimin siç është modeli që ka dhënë efekte pozitive, i aplikuar në Bashkinë e Lezhës.