Ngjarje/Personazhe

1.8 miliardë lekë për veshjen e Velierës në kohë krize ekonomike për vendin

24 mars 2022/ Albana Tërshalla/ Porta Vendore/ Durrës

Projekti i Velierës në Durrës vazhdon të thithë para nga taksapaguesit e qytetit bregdetar, ku së fundmi, Bashkia i ka shtuar një fond prej 1.8 miliardë lekësh të vjetra.  Ky fond do të përdoret për mbulimin e Velës, ndërkohë që qytetarët kritikojnë se në këtë kohë krize, paratë mund të përdoreshin në ndonjë drejtim më emergjent se Veliera.

Projekti i Velierës po i kushton shumë qytetarëve durrsakë, pasi së fundmi është lëvruar fondi për mbulesën e Velës me një fond prej 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH, pra i gjithë projekti në total pritet të kushtojë 6.6 milionë dollarë, dhe me afatin kohor të fazës së katër të punimeve që do të zgjasë plot një vit, ky projekt do të zgjasë gjithsej 7 vite. Në mars 2022 është lëvruar fondi për kompaninë INERTI pas një faze përzgjedhje, ku kjo kompani ofroi vlerën më të ulët. Pra përkatësisht 188,429,858 lekë për mbulimin e Velës. Por edhe pse ky projekt është shoqëruar me një sërë kontestimesh nga shoqëria civile vazhdohet sërish që nga ana e pushtetit vendor të lëvrohen fonde të njëpasnjëshme.

Të pyetur nga Porta Vendore, qytetarët e Durrësit e konsiderojnë një absurditet fokusin e bashkisë në kohë krize për këtë projekt, konkretisht fondin për mbulesën e saj.

“Nuk ka skandal më të madh që bashkia mendon të harxhojë për një projekt që mua nuk më hyn në punë fare ta shoh, kur nuk kam para te blej bukën, ushqimet etj, me këto çmime të larta. Populli le të vdesë për bukë, ndërsa shteti të sodisë Velierën e t’u tregojë të huajve sa i bukur është Durrësi, kur ne s’kemi lekë të blejmë ushqime. I rroftë Veliera Sakos dhe Dakos se të tjerat i kanë në terezi”, thotë Rustem Çerpja.

“Ne si durrsakë kemi probleme shumë më të mëdha për t’u zgjidhur nga pushteti lokal. Sigurisht që dhe me rritjen e çmimeve gjërat bëhen akoma më të vështira për ne, unë jam familjar dhe nuk ka qenë e thjeshtë të përballem me rritjen e çmimeve. Për mendimin tim si qytetar dhe si durrsak Veliera nuk duhet të kishte marrë kaq shumë para, ku fare mirë mund të ishin përdorur për zgjidhjen e situatës. Nuk kam fjalë, thjesht pa koment për këtë situatë. Por që në rast krize shteti duhet të mendoj dhe të gjejë zgjidhje për situatën dhe të mos fokusohet në të tilla projekte që nuk janë kaq emergjente dhe të nevojshme për ne si popull, me kaq shumë halle dhe probleme” shprehet Rexhep Bajro për Portën Vendore.

Edhe urbanistët ndajnë skepticizmin e tyre për këtë projekt. Ardian Muka, specialist urbanist, njëkohësisht ish-kandidat për kryetar bashkie, shprehet për Portën Vendore se Veliera që në ndërtimin e saj asnjëherë nuk është ndarë në faza ndërtimore, si rrjedhim as në disa faza financimi.“Projekti ka qenë një i tëri dhe ashtu është preventivuar,tenderuar dhe fituar nga kompania që do e ndërtonte. Por pasi u fitua tenderi për ndërtimin me vlerën 4,5 miliardë lekë të vjetra +tvsh, u alokuan dhe 850 milionë lekë të tjera para dy vitesh për punime të pa preventivuara e të dala gjatë ndërtimit. Ligji lejon deri në 20% të vlerës së tenderit që mund të shtohet, pasi të dokumentohet që ka pasur punime të fshehta që nuk mund të parashikoheshin që në fillim. Dhe me këto fonde Veliera duhej të kishte përfunduar në tetor të 2020. Por aktualisht janë alokuar me tender të veçantë dhe 2,2 miliardë lekë me TVSH për veshjen e Velierës, fond i cili është vjedhje e pastër e fondeve publike. Veliera në vetvete ka nevojë për një proces transparence financiare sepse është një abuzim i madh me fondet publike. Gjithashtu dhe kohëzgjatja me mbi tre vite për përfundimin e saj është një triller më vete. Veliera nuk zgjidhi asgjë nga ato çfarë u thanë që duhej, as trafikun dhe as nuk i thotë asgjë qytetit, përkundrazi ka krijuar probleme në trafik,shkatërroi arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore, dhe prishi një ansambël arkitektonik që ishte i stabilizuar prej kohësh, në sheshin para hyrjes së portit”, tha ai.

Agjencia turistike që operon në qytetin e Durrësit, “Intermar Agjenci”, e cila shërben si guidë për vizitorë të huaj shprehet për Portën Vendore se për aq kohë sa Veliera nuk ka përfunduar, nuk përbën atraksion turistik. “Për momentin Velieria nuk është akoma e përfunduar…dhe nuk e shikojmë si një pikë për interes turistik. Meqë pranë ndodhet Torra Veneciane do të duhet të kalojnë pranë Velierës”, shprehet përfaqësuesi i agjencisë turistike.

Veliera, projekt i bashkisë së Durrësit nisi në nëntor 2016, por u shoqërua me protesta të shoqërisë civile, si dhe një beteje të gjatë ligjore. Shqetësimi i tyre kryesor nisi për të mos lejuar shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.

Por 6 vjet më vonë, projekti është ende pa përfunduar, punimet janë parashikuar që do të përfundojnë vitin e ardhshëm, ndërsa kostot pothuajse janë dyfishuar dhe po kapin vlerën e 6.6 milion dollarë

për një projekt i cili është kundërshtuar nga qytetarët e Durrësit.

Në fund të nëntorit 2016, punimet për ndërtimin e Velierës në sheshin para hyrjes së portit nisën me ritme të shpejta, pa marrë parasysh se një pjesë e projektit prekte zonën arkeologjike, ku nuk lejohen ndërhyrjet nëntokësore.

Faza e dytë dhe e tretë e punimeve kushtoi 220 milionë lekë të tjera shtesë. Por në tetor të vitit 2021 Bashkia e Durrësit hapi një tender për fazën e katërt të punimeve 2 milionë euro shtesë.

Ndërtimi i “Velierës” së Durrësit nisi në vitin 2017, por kemi hyrë në vitin 2022 dhe ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, fatura e këtij investimi është mjaft e kripur.

Në dokumentet e tenderit të fundit specifikohet se shuma në fjalë do të përdoret për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të strukturës. Tenderi i zhvilluar në maj 2020, Bashkia Durrës zgjodhi procedurën me negocim ndërsa në tenderin e mbajtur në fund të dhjetorit 2021 procedura ishte e hapur.

Por megjithëse në vitin 2022 ky projekt është ende shumë larg realizimit dhe cilësohet në fakt si një projekt që nuk po sheh dritë, ku paradoksalisht fondet janë lëvruar dhe ky projekt duhet të kishte përfunduar.