17 mars 2022/ Fjona Cela/ Porta Vendore/ Kamëz
I ndodhur pak kilometra larg kryeqytetit, Laknasi në bashkinë Kamëz është një zonë përmes së cilës kalon lumi i Tiranës. Rrjedha e këtij lumi sjell në zonë kilogramë të shumta mbeturina me përmbajtje ushqimore, plastike etj, duke shkaktuar ndotje të ujit e të mjedisit.

Prej rreth 100 vitesh, Laknasi ka qenë i banueshëm nga qytetarët, të cilët ende sot e kësaj dite vijojnë të jetojnë aty prej disa brezash. Aktualisht në këtë zonë jetojnë më shumë se 100 familje. Të gjendur në një situatë jo të mirë mjedisore, ata janë kujdesur për pyllin që ndodhet midis banesave të tyre dhe Lumit të Tiranës, të njohur si “Plepat e Brukës” duke mbjellë pemë e bimë të shumta. Kjo ka shërbyer si një mënyrë për mbrojtjen e banesave dhe zonës në tërësi, nga era kundërmuese e mbetjeve dhe erozioni, të shkaktuara nga ndotja e madhe e lumit.

Por prej më shumë se 3 vitesh, banorët e zonës janë tejet të shqetësuar mbi fatin që do të ketë ky pyll. Kjo pasi BashkiaKamëz, me një vendim të vitit 2019, të ish-kryebashkiakut pak para mbarimit të mandatit, vendosi t’ijapëme qira pa konkurrim një sipërfaqe prej 12,400 m katrorë në zonën “Plepat e Brukës”, kompanisë “Bioproducts SH.P.K”. Edhe pse në dokumentin e miratuar nga Bashkia Kamëz objekti përshkruhet si agroturizëm dhe ambient argëtimi, banorët shprehen se qëllimi i kompanisëështë të ndërtojë thertore.
“Në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të mjedisit, kjo kompani synon që për interesa personale të ndërtojë thertore. Ambientet e argëtimit janë vetëm justifikim prej tyre, duan të na shkatërrojnë pyllin që na mbron jetën dhe mjedisin”-thonë banorët e zonës.
Prej më shumë se 30 vitesh, banorët janë kujdesur për mirëmbajtjen e pyllit, ndërsa e konsiderojnë si të vetmen hapësirë të gjelbër që ka mbetur nga gjithë ndotja e krijuar në këtë zonë.
“Pylli nëLaknas që sipas bashkisëKamëz konsiderohet ‘zall’, për ne është e vetmja hapësirë e gjelbër që kemi, e për të cilën kemi investuar prej 30 vitesh. Ndërtimi në këtë zonëështë krim mjedisor, sepse ne banorët pa pyllin rrëzë lumit të Tiranës, nuk kemi jetë. Ai na mbron nga erozioni dhe ndotja e shkaktuar nga lumi”-shprehet Dëshira Proshka, banore e Laknasit.

Të gjendur në këtë situatë, prej muajit shkurt të vitit 2019, banorët e Laknasit po protestojnë kundër vendimitpër ndërtimin e thertores, që kërcënon shëndetin e tyre, por edhe mjedisin.
Po ashtu, banorët e kanë ndjekur çështjen dhe në Gjykatë, ku në fillim kërkesa e tyre për masën e sigurisë dhe pezullimin e punimeve u pranua nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, duke ndaluar fillimin e punimeve.
Por pas apelimit të vendimit për masën e sigurisë, Gjykata vendosi t’i japë të drejtë kompanisë për të vazhduar zhvillimin e biznesit. Në gusht të vitit të kaluar, kompania në fjalë tentoi të kryente disa punime, por hasi në rezistencën e banorëve të cilët nuk i lejuan.
Banorët tregojnë se avokati i firmës pretendon se ata janë të ardhur, por vetë banorët theksojnë se prej më shumë se 100 vitesh kanë jetuar në këtë zonë, përfshirë edhe brezat para tyre.
Ky komunitet, ka pasur përkrahje edhe nga ekspertë të mjedisit. Disa prej tyre kanë shkuar në zonë për ta parë nga afër, teksa kanë vlerësuar se nuk duhet të kryhet një ndërtim i tillë, siçështë thertorja.

Ambientalisti Lavdosh Ferruni, e ka cilësuar aktin e bashkisë Kamëz, si njënga skandalet më të mëdha. “Vendimi i Këshillit Bashkiak të Kamzës mbështetet në ligjin për turizmin. Nëpërmjet kësaj reference ligjore pretendohet të ndërtohet një kompleks thertoreje dhe stalla bagëtish, por unë nuk kam parë deri më sot që ligji i turizmit të ketë atraksion turistik thertore në ligj. Gjykata duhet ta rrëzojë këtë dhe të pranojë palën paditëse”.
Ndërsa ambientalisti Sazan Guri thekson se sipas matjeve të kryera, rreth 70% e zonës do të kthehet në zonë fabrike dhe banimi. “Fabrika ka marrë lejen para 2 viteve dhe ende nuk e ka vënë në zbatim. Disa rregulla kanë ndryshuar me ligjet e rejatë 2019-2020. Sipas ligjit parashikohet që ndërtimi të kryhet 1000 metër larg lumenjve, ndërsa kjo që synon të ndërtojë kompania është vetëm 40 metër larg. Po ashtu sipas ligjit duhet të jetë1000 metër larg banorëve, por kjo është vetëm 3 metër larg, dhe për më tepër duan të ndërtojnë në pyll, në kundërshtim me ligjin që përcakton se duhet të jetë2000 metër larg zonave pyjore”-thekson prof. Guri.

Por një zhvillim i ri në procesin gjyqësor ringjalli shpresat tek banorët. Gjykata Administrative e Shkallës së parë Tiranë, të mërkurën datë 16/03/2022 vendosi në favor të tyre, dhe kundër ndërtimit të thertores në pyll, në zonën e njohur si “Plepat e Brukës”.
Gjykata vendosi pranimin e padisë së paraqitur nga rreth 50 banorë dhe shoqata e Bujqësisë Organike. Vlerësimi i ndikimit në mjedis, i miratuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si dhe leja e zhvillimit dhe leja e ndërtimit të miratuara nga Bashkia Kamëz për kompaninë që synonte ndërtimin e thertores në Laknas, janë konstatuar si akte të pavlefshme dhe në shkelje të rëndë të dispozitave ligjore.
Avokatja e çështjes, Dorina Ndreka, që e ka ndjekur qysh prej fillimit këtë problematikë, vlerëson se vendimi është një hap përpara në vazhdën e sinjaleve pozitive që kanë ardhur kohët e fundit nga Gjykatat shqiptare në të gjitha nivelet.
“Është e vërtetë qëështë rritur numri i vendimeve në favor të çështjeve mjedisore dhe të komuniteteve e organizatave që kanë marrë përsiper të bëjnë këto beteja ligjore, por ndërkohë edhe gjykatat kanë një qasje shumë më të hapur ndaj tyre. Modele të tilla si Laknasi, Zall Gjoçaj, Valbona, Vjosa etj. duhet të frymëzojne komunitete në zona të ndryshme te vendit, që rezistenca kundrejt autoriteteve publike në mbrojtje të mjedisit nuk është një betejë me mullinjtë e erës”- thotë avokatja.
Edhe pse kjo çështje zgjati me vite dhe banorët patën shumë vështirësi, avokatja Dorina Ndreka e sheh pozitive edhe vazhdimësinë e saj.
“Patjetër që ka vështirësi, por në fund kauza mund të fitohet. Në rastin e Laknasit, sigurisht qëçështja do të shkojë në Apel, pasi institucionet shtetërore dhe shoqëria do taankimojnë, por fakti që Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë një vendim nëfavor të komunitetit, bën që pozita në Gjykatën e Apelit të jetë më komode për ne si avokatë të palëve gjyqfituese”-thekson Ndreka.

Pas sfidës 3-vjeçare për mbrojtjen e pyllit, edhe banorët nuk e fshehën entuziazmin për këtë fitore.
“Jam më shumë se e gëzuar për këtë vendim, mund të them se jam e tronditur dhe shumë e lumtur. Luftuam për kaq vite, por në fund e drejta triumfon”-shprehet Bukurie Balliu, banore e Laknasit.
“Jemi plot shpresë për këtë vendim që u mor. Ky ishte një vendim që mbron jo vetëm mjedisin, ajrin, por edhe jetën tonë e të fëmijëve tanë”- thekson një tjetër banor Hamit Gjokmeli.
Kujtojmë se që prej muajit shkurt të vitit 2019, banorët e Laknasit kanë protestuar vazhdimisht kundër ndërtimit të thertores pranë zonës së quajtur “Plepat e Brukës”, ndërsa vendimi i Gjykatës ishte një ogur i mirë për ta.