13 mars 2022/Aurora Sulce/Porta Vendore/
Gati dy javë pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, e cila po shkakton një rritje galopante të çmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit të përditshëm, qeveria shqiptare ka prezantuar planin e masave për të lehtësuar efektet që shtrenjtimi do të ketë tek shtresat vulnerabël. Paketa e Rezistencës Sociale, e cila përmban 7 pika, vjen pas protestave disa ditore të qytetarëve që kanë pushtuar sheshet dhe rrugët, të cilët kërkojnë masa për të përballuar rritjen e ndjeshme të çmimeve. Gjithçka nisi, pasi çmimi i karburanteve shënoi në tregun me pakicë nivelin rekord të 260 lekëve për litër, ndërsa rritje të ndjeshme pësuan thuajse të gjitha produktet ushqimore dhe jo vetëm.
Reagimi i qeverisë shqiptare me këtë plan masash mund të konsiderohet i vonuar. Kjo pasi vendet e rajonit prej ditësh tashmë kanë ndërhyrë me politikave financiare dhe fiskale për të frenuar rritjen e çmimeve. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka më se dhjetë ditë që ka nisur të jetë gjithëpërfshirëse, duke shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët.
Paketa e Rezistencës Sociale
Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka prezantuar gjatë një komunikimi live në facebook me qytetarët Paketën e Rezistencës Sociale. Kjo paketë përmban 7 pika, duke nisur që nga indeksimi i pensioneve në muajin prill, rritja e pagës minimale, 3 mijë lekë në muaj për periudhë 3 mujore për kompensimin e rritjes të produkteve të shportës për familjet e varfra, shtimin e ndihmës për fermerët etj. Janë rreth 5 miliardë lekë që qeveria ka planifikuar t’i alokolojë në këtë plan masash dhe që do të gjenden nga shkurtimi i shpenzimeve buxhetore, kryesisht atyre për administratën.
Paketa e Rezistencës Sociale parashikon 3.6 miliardë lekë për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve për 673.542 pensionistë. “Për 434 mijë përfitues, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës”, është shprehur Rama. Kjo duke dhënë 3 mijë lekë për 3 muaj rresht për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale; pensionistë të invaliditetit; pensionistë që jetojnë vetëm; persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, si dhe t ë gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.
Plani i masave parashikon gjithashtu, mbështetje për fermerët me naftë pa taksa me fond 1.4 miliardë lekë, me një shtesë plus prej 5 milionë dollarë. Mbështetje për transportin urban, duke subvencionuar 500 milionë lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës. Qeveria ka vendosur që të afrojë me dy muaj hyrja në fuqi e zerimit të taksës mbi pagat deri në 40 mijë lekë; përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si edhe uljen e taksë mbi pagat nga 150 mijë – 200 mijë lekë. Afrohet me dy muaj hyrja në fuqi e ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 32 mijë lekë. Ndërsa 20 miliardë lekë ose 200 milionë dollarë do të jetë financim që do t’i shkojë mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
“Për mua dhe qeverinë, çështja themelore sot, nuk është si të mos na dhëmbë koka kur mbushim veturën me naftë, por është si të mos faturohet kriza energjetike mbi asnjë familje apo biznes të vogël“, deklaroi Rama.
Masat që kanë marrë vendet e tjera të rajonit
Shumë nga vendet e rajonit të Ballkanit kanë qenë më të shpejta se Shqipëria në marrjen e masave për frenimin e rritjes së çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Maqedonia e Veriut ka dalë me një paketë të plotë masash, të cilat konsistojnë në: vendosjen e çmimit tavan për karburantet; uljen e akcizës dhe TVSH për karburantet; heqjen e TVSH për produktet bazë të konsumit të përditshëm, si dhe kuponë ushqimore prej 1 mijë dinarë për familje. Kjo paketë masash do t’i kushtojë qeverisë maqedonase 400 milionë euro.
Kosova ka ndërmarrë që në ditët e para të nisjes së luftës Rusi-Ukrainë vendimin për vendosjen e çmimit tavan të karburanteve dhe përcaktimin e marzhit c të fitimit për kompanitë.
Serbia gjithashtu ka dalë me një paketë të plotë masash, që parashikon heqjen e akcizës për karburantet dhe mbushjen e rezervave shtetërore të naftës, si dhe ndalimin e eksportit të lëndëve të para, me qëllim grumbullimin e rezervave.
Kroacia ka vendosur të heqë akcizën për karburantet, si dhe të bëjë reduktime të nivelit të TVSH-së për produktet bazë të konsumit. Këto masa do t’i kushtojnë shtetit kroat 630 milionë euro. Greqia gjithashtu ka marrë një paketë në ndihmë të qytetarëve të saj. Masat konsistojnë në vendosjen e çmimit tavan për karburantet, si dhe vënien në dispozicion të familjeve të varfra të një financimi prej 400 milionë eurosh.
Masat që po marrin të gjitha vendet synojnë që të shmangin thellimin e varfërisë në vend, si dhe mbajnë gjallë konsumin, në një kohë kur të gjithë rrezikohen nga rritja galoponte e çmimeve, që do të përkthehet në një hiper- inflacion, me pasoja për të gjitha ekonomitë.
MASAT QË KANË MARRË VENDET NË RAJON
Maqedonia e Veriut
- Çmim tavan për karburantet
- Ulje e akcizës dhe TVSH për karburantet
- Heqje e TVSH për produktet bazë
- Kuponë ushqimorë
Serbia
- Heqje e akcizës për karburantet
- Mbushje e rezervave shtetërore të naftës
- Ndalimi i eksportit të lëndëve të para
- Grumbullimi i rezervave të lëndëve të para
Kosova
- Çmim tavan për karburantet
- Marzh fitimi për kompanitë
Kroacia
- Heqje e akcizës për karburantet
- Reduktime të nivelit të TVSH-së
Greqia
- Vendosje e çmimit tavan për karburantet
- 400 mln euro për familjet e varfra
Shqipëria
- 6 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve
- 3 mijë lekë për 3 muaj rresht, për kategoritë:
- Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale
- Pensionistë të invaliditetit
- Pensionistë që jetojnë vetëm
- Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër
- Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike