Vëzhgim/Analizë

Rritja e çmimit të karburantit, qytetarët në protestë. Ekspertët, kritikë me qeverinë

11 mars 2022/Marinela Dushi/Porta Vendore

Rritja marramendëse e çmimit të karburantit në vend ka shkaktuar kaos në ekonomitë familjare dhe pritet që kjo situatë të rriste nivelin e papunësisë. Ndërsa qeveria shqiptare, ende nuk ka marrë ndonjë masë konkrete, ekspertët shprehen kritikë dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente siç parashikohet edhe në ligjet përkatëse, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës shprehet se e ka situatën nën monitorim.

Shumë qytetarë lëvizin me makina për të shkuar në punë për shkak të largësisë kilometrike apo edhe për shkak të turneve të vona të natës. Këtë javë nafta ka pësuar rritje me 40 deri në 50 lekë brenda ditës, madje edhe disa herë në ditë, ndërsa rritja e çmimit nuk po ndalet. Të ndodhur përballë kësaj situatë qytetarët nuk do mund të përballojnë shpenzimet e karburantit, që do të zënë gjysmën ose të gjithë rrogën mujore mesatare në vendin tonë. Qarkullojnë zëra që një litër naftë do të arrijë deri në 500 lekë të reja. Shumë konsumatorë të naftës punën e kanë në një qytet tjetër nga vendi i banimit. Por rritja e naftës, benzinës apo gazit pritet tua pamundësojë vajtjen në punë për shkak të kostos të papërballueshme të qarkullimit.

I tillë është rasti i Sonit, e cila prej 6 vitesh jeton në Durrës, por punon në Tiranë. Më rritjen e naftës dita-ditës rritet edhe më shumë dilema e saj, për të lënë apo jo punën në këto kushte, pasi shpenzimet e naftës pothuajse po tejkalon normën ditore të pagesës. “Rritja e naftës është bërë e papërballueshme. Unë punën e kam me dy turne, një javë i pari e një javë i dytë. Jam në një siklet shumë të madh financiar por edhe me vetë punën, pasi kur jam turn i dytë s’ka transport publik, çka ma vështirëson shumë zgjedhjen. Prandaj kam frikë se do arrij në një moment që do më duhet të lë punën. Nuk mund të lëviz më me makinën time. Për të shkuar në Tiranë më duhet 10 mijë lekë të vjetra, por nafta nuk po ndalet dhe shpenzimet do të kalojnë pagën mujore. Prandaj kjo që po ndodh është një krizë e rëndë ekonomike, të cilën me thënë të drejtën nuk e prisja, nuk e kisha menduar kurrë. Edhe për makinën lajë kreditë çdo muaj, dhe tani sinqerisht se di më sa ja vlen e gjitha kjo me të cilën po përballemi”, shprehet 30-vjeçarja.

Nën frikën se sa do jetë rritur nafta ditën e nesërme, drejtuesit e automjeteve po mbushin plot depozitën e karburantit të makinës së tyre. Kjo konfirmohet edhe nga shitësit e karburanteve. “Këto ditët e fundit kemi pasur punë. Njerëzit e kanë mbushur plot makinën me naftë apo benzinë. Nafta do të rritet prapë nesër. Nuk e di, situata është shumë serioze, inshallah po ndalet deri këtu rritja, por se di”, tha shitësi i një karburanti. I pyetur nëse është e vërtetë që nafta do të shkojë 500 lekë, ai u shpreh se frika ekzistonte, pasi kështu flitej.

“Po edhe mundet të shkojë. Nafta s’po ndalet. Do arrihet në një pikë që njerëzit do të mbyllin makinat pasi nuk do mund ta mbajnë më me këtë çmim të lartë”, theksoi shitësi i karburantit në zonën e pallatit me shigjeta në Tiranë.

Kriza e rritjes së naftës u reflektua në orët e pikut të trafikut gjatë të mërkurës në shumë zona të vendit, por kryesisht në kryeqytetet ku kaosi në rrugë ishte mbizotërues prej këmbësorëve, qytetarëve që i ishin rikthyer pritjeve të gjatë pranë stacioneve të autobusëve apo edhe taksive që qëndronin pranë këtyre të fundit, me shpresën se do të mund të kapnin ndonjë klient të mërzitur nga pritja e urbanit ose në nxitim e sipër.

Megjithatë ajo që ishte mbizotëruese ishte fakti se qarkullimi i automjeteve ishte përgjysmuar. Ky konstatim u pohua edhe nga një taksist i cili tha se puna ka rënë pasi klientët nuk po marrin më taksi për shkak të kostos së lartë.

Porta Vendore kontaktoi gjithashtu edhe me kryetarin e Sindikatës së Taksistëve, Bilbil Cara, i cili tha se të gjendur në këto kushte janë të detyruar që ditën e premte në orën 11:00 të gjithë taksistët do të dalin të protestojnë përpara Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“Sot i kam dërguar letër policisë ku i njoftoj për protestën. Kemi një vështirësi të madhe si në punë edhe në jetë, sepse të gjitha këto çmimet që rriten do të bien në kurriz të popullit. Kështu populli nuk ka mundësi të marrë taksi. Më këtë situatë puna jonë ose do mbyllet ose do punojmë duke rritur çmimin e biletës. Kjo është një katastrofë. Deri tani nuk e kemi mbyllur shërbimin e taksistëve, por kemi vazhduar duke u thënë klientëve që çmimi nuk do të përcaktohet më nga taksimetri por nga vet ne. Po bëjmë pazare si në mesjetë. Ka disa klientë që e pranojnë çmimin nga halli e ka disa të tjerë që nuk pranojnë. Kjo situatë ka sjellë një vështirësi për të jetuar. Mezi po mbajmë me bukë familjet tona”, tha Cara.

Por në kundërshti me të, Bashkimi taksist i cili qëndron në zonën e rrethrrotullimit të Astirit, thotë se çmimin as nuk e ka rritur gjatë këtyre ditëve dhe as nuk do ta rris, pasi sipas tij roli i njerzillëkut duhet të dominojë mbi atë të interesit personal dhe fitimit, e sidomos në të tilla kriza.

“Nuk kam dashur ta rris çmimin siç kanë bërë shumë kolegë të mi pasi më duket e padrejtë dhe ndaj do përpiqem ta përballojë, duke shtrënguar dhëmbët por ama nuk dua që kostoja ti bie klientit, pasi boll produkte po rriten. Nëse vijon të rritet çmimi fitimi im normalisht që është më i vogël por nuk kam dalë të bëj taksistin për tu bërë miliardier, dua që të ketë rolin e saj dhe njerëzorja e më vjen keq për atë që merr taksi se është vonë, ose dikë që ka vërtetë hall , këta s’do ta përballonin dot, kurse kur më thonë që jam emigrant edhe ja shtojë pak, se ka lekë ai. Pra sipas kokës i vë kapelën unë”, thotë pa kokëçarje Bashkimi.

Prej 13 vitesh taksist dhe i stacionuar në të njëjtën zonë, ai thotë se megjithë shpirtin e madh dhe dëshirën e tij për mosndryshim çmimi, shteti duhet të jetë rregullatori dhe të veprojë në të gjithë këtë situatë absurdi që po ndodh aktualisht në vendin tonë.

Transporti urban është një tjetër sektor që po e vuan rritjen e çmimit të karburantit, duke e manifestuar të gjithën këtë që po ndodh me përgjysmim të flotës në dy ditët e fundit.

Ata kanë një sërë kërkesash ndaj shtetit, kërkesa që datojnë që nga pandemia e Covid 19, kur ky sektor ridoli në punë pas karantinës por që ende nuk janë plotësuar.

“Është e papërballueshme çmimi i biletës sa duan ta bëjnë këta 80 lekë. Ne pensionistët marrim një bukë me aq lekë në ditë. Se tani të gjitha u rritën në këtë vend përveç pensioneve dhe rrogave. Është për të vënë duart në kokë, e patolerueshme. Unë e para nuk hipi më në autobus nëse shteti e privati bien dakord për ta bërë aq lekë. Do ndahemi nga njerëzit njëherë e përgjithmonë, kush të dojë të vijë në shtëpi të më takojë, ato dy pazare kur të marrim pensionin i bëjnë tek lagja e kështu do shkojë jeta jonë, e një pensionisti shqiptar”, shprehet e indinjuar nënë Myfaretja.

Një tjetër i moshuar i tha Portës Vendore se situata ishte tejet e rënduar për familjen e tij dhe për çdo familje shqiptare me të ardhura mesatare. “Turp i zotit se si grosistët duan të përfitojnë në vendin tonë në bashkëpunim me qeverinë për të mbushur arkën e shtetit, teksa në vendin e konfliktit i kemi parë në raportimet në televizion se çmimi i naftës nuk ka lëviz fare është me 1 euro, o kanë ata arsye ta ngrenë o s’ka asnjë komb. Por ne jemi të këqij, jemi përfitues të krizave, siç ndodhi në fakt edhe me covidin. Po ça do të na marrin tjetër? Veç shpirti na ka mbetur, asgjë tjetër”, tha ai, duke shtuar se i vjen keq për fëmijët, nipërit e mbesat duke parë se në ç’kohë po rriten. “E mbushi makinën goca me dhëndrin dhe po e përdorin thjesht për të çuar e marrë fëmijët nga kopshti e shkolla, rrugën për në punë e bëjnë në këmbë. Po vazhdohet kështu në vendin tonë? Pastaj i vjen keq politikanëve kur flitet për shpopullim? Po ça do bëjë intelektuali i ndershëm në këtë vend korruptiv e abuziv?” përfundon revoltën e tij, zotëria.

“Transporti publik ka reduktuar ndjeshëm numrin e autobusëve në operim bazuar në rritjen e çmimeve se fundmi. Nëse nuk asnjë reagim në lidhje me rritjen e çmimit apo mekanizma të tjerë në ndihmë të aktivitetit, do të shkojë drejt mbylljes ditë pas dite”, tha shkurtimisht Rixhin Qoshja, kreu i Shoqatës së Transportit Qytetas në Tiranë.

Problematikat e Transporti Urban kanë filluar që pas pandemisë, ku drejtuesit e transportit qytetas e ndërqytetës i kanë bërë thirrje Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama që t’i plotësojnë propozimet, pasi ky sektor gjendet në një situatë të papërballueshme. Thirrjet e tyre kanë vazhduar në mënyrë të përsëritur edhe gjatë shkurtit, por pa rezulton teksa 48% e kostove të shërbimit të tyre shkon për karburant.

Propozimet e përfaqësuesve të transportit publik, kanë të bëjnë me rimbursimin e TVSH-së në shitje, heqjen e akcizës 37 lekë/litër, heqjen e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin nga Ministritë e linjës lidhur me kategoritë (Invalidë pune, Të verbër, Paraplegjik, Tetraplegjik, Studentët) të cilët përfitojnë çmim të reduktuar ose falas, referuar dispozitave të Ligjit Nr.37/2014 “Për disa shtesa në Ligjin 8308 dt.18/03/1998 për Transportet Rrugore” të ndryshuar, për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kërkesa për rritje çmimi nga 40 që është aktualisht në 80 lekë për person, është depozituar pranë Bashkisë Tiranë, dhe shumë shpejt pritet marrja e një vendimi nga operatorët.

Gjatë pasdites së të mërkurës në datën 9 mars, Porta Vendore aksesoi dy autobusë në Tiranë, përkatësisht Unazën dhe Stacionin e Trenit, ku gjatë pikut të lëvizjes autobusi nuk kishte as çerekun e kapacitetit në njerëz. “Presim rritje zyrtare të çmimit. Po na dhanë dritën jeshile ata gati jemi ne”, tha faturina e linjës së Unazës.

 

Por në të njëjtën situatë aspak të favorshme gjendet edhe transporti ndërqytetas, i cili po tenton të kryejë lëvizjet e para për të reflektuar një rritje. Në datën 9 mars 2022, Korça ishte e para linjë ndërqytetase që rriti çmimin me 100 lekë të reja, ku nëse para disa ditësh një rrugë Korçë-Tiranë kushton 600 lekë për person, tani do të kushtojë 700 lekë. Një tentativë ka pasur edhe Durrësi, por qytetarët nuk kanë rënë dakord, megjithëse gjasat janë që nëse çmimi i naftës do vijojë të ngrihet në ditët në vijim ,edhe bileta të shkaktojë rritje.

Ndërsa i pyetur nga Porta Vendore se çfarë do ndodhi me transportin publik, dhe a mendojnë drejtuesit e unionit të transportit publik se do të ketë ndonjë fryme reflektimi nga ana e institucioneve për t’i ndihmuar në këtë situatë kreu i Shoqatës së Transportit Interurban, Dashnor Memaj thotë se Unioni ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për situatën kaotike të krijuar nga përgjysmimi i linjave urbane në kryeqytete. “Transporti publik është në situatën më të vështirë, që nga nisja e aktivitetit privat të këtij shërbimi, ku nafta ka kapur shifra të frikshme dhe të papërballushme për ne si operatorë. Ndërhyrja emergjente që është kërkuar është çmimi i biletës sepse kërkesat ekonomike, akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH në shitje, nuk janë marrë parasysh deri tani dhe me këtë rritje të çmimit të naftës, operatorët lëvizin me kapacitet tepër të reduktuar dhe ditët në vazhdim do t’i ulin dhe më shumë numrin e mjeteve në punë se s’kanë naftë për t’i ndezur”, u shpreh Memaj.

Sa i përket pasojave që do të ketë rritja e çmimeve të karburantit te qytetarët shqiptarë, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet se kjo është një situatë dramatike, që prek çdo person në mënyrë të pashmangshme. “Karburanti është lënda parë jetësore që mundëson qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Mungesa e tij në treg ose rritja e çmimit sjell probleme serioze në ekonomitë qytetare dhe familjare”, tha ai. Eksperti i bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe ta kalojnë këtë situatë më pjekuri. Ai shprehet se nëse njerëzit sillen si turma e dynden në pika shitje për të blerë produktet me frikën se do rriten çmimet, kjo i jep mundësi tregtarit të spekulojë me çmimin dhe t’i shtrenjtojë.

Drejtoresha Qendrës Konsumatori Shqiptar, Ersida Teliti në një intervistë për Porta Vendore, shpreh rezerva për rolin e qeverisë shqiptare në këtë krizë ekonomike. Ajo thekson se në një situatë të tillë, duke iu referuar ligjit ‘nr. 8450, datë 24.02.1999’, ‘Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre’, Këshilli i Ministrave ka kompetence për të vendosur çmime tavan apo dysheme.

Neni 7 i ligjit Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre

Më tej duke iu referuar nenit 9, Teliti shprehet se qeveria duhej të kishte ndërhyrë nëpërmjet rezervave të sigurisë, dhe për 3 muaj të paktën, konsumatori nuk do e kishte ndjerë këtë krizë. Ajo shprehet së në situata apo periudha krize dhe situatë të jashtëzakonshme, nevojat e konsumatorit mbulohen nga rezerva sigurie që çdo rafineri nafte dhe shoqëri tregtimit e shumice janë të detyra të mbajnë rezerva. “Pra ky ligj vë në lëvizjes strukturat përgjegjëse dhe ka hapësira për mbrojtjen e konsumatorit, gjë që nuk është bërë deri tani”, thekson drejtoresha Teliti. Drejtoria e Qendrës së Konsumatorit bën me dije se në datë 5 mars i ka dërguar një letër zyrtare Autoritetit të Konkurrencës për të nisur një hetim se asnjë institucion nuk ka marrë nën monitorim çmimet e vendosura nga operatorët në treg.

Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës ka bërë një reagim publik një javë pas shumë ankesash për rritjen e çmimeve, duke deklaruar se e kanë situatën nën monitorim. “Autoriteti i Konkurrencës tashmë prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe, që nga data 25.02.2022, me Vendimin nr. 866 të Komisionit të Konkurrencës “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”, ka nisur dhe hetimin, duke qenë se jo vetëm ndajmë të njëjtin shqetësim me ju lidhur me mirëqenien e konsumatorit por dhe si shkak I detyrimeve ligjore të funskionimit të Autoritetit. Prandaj, në vijim të këtij hetimi Autoriteti i Konkurrencës, do të marrë çdo masë që i mundëson ligji nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të goditur çdo fenomen që shtrembëron konkurrencën, nëse do verifikohen të tilla pas procedures hetimore”, deklaroi Autoriteti i Konkurrencës në një reagim në Facebook.

Aktualisht, vendet e rajonit mësohet se kanë marrë masa për përballimin e situatës së krijuar nga rritja e çmimeve, ndërkohë që qeveria shqiptare, ende nuk ka dhënë ndonjë masë konkrete. Në datën 8 mars 2022, teksa qytetarët prisnin një frenim të çmimit nga ana e qeverisë, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku në një konferencë mbi krizën e energjisë elektrike, i tha qytetarëve shqiptarë se çmimi i naftës do të rritet ende, dhe ashtu ndodhi, në datën 8 pasdite tabelat e shifrave të çmimeve u ndërruan në shumë karburante.

Në lidhje me mosreagimin e qeverisë shqiptare, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shpreh kritika të shumta ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar deklaratën e tij të bërë më 8 mars së bashku më ministren Balluku, si papërgjegjshmëri. “Paralajmërimi i kryeministrit ndaj qytetarëve se ata duhen të përgatiten për skenarë më të këqij, i frikëson qytetarët. Dhe ky veprim bie ndesh me rolin e shtetit që duhet të marrë masa për sigurimin dhe garantimin e kushteve minimale të jetesës. Deklarata e tij i shtyn njerëzit të reagojnë me tepri, në vend që ai të marrë masa, i kërkon popullit të përgatitet për skenarë më të këqinj”, shprehet eksperti Xhepa për Portën Vendore.

Ai thekson gjithashtu se qeveria mund ta kishte shmangur këtë krizë. “Lufta i ka përkeqësuar gjërat, por qeveria duhet ti mbante nën kontroll. Gjysma e çmimit të naftës vendoset nga shteti dhe gjysma nga bursa. Pra qeveria duhet të kishte marrë masa. Shteti deri tani është inekzistent, i ka lënë qytetarët të vetëm përballë rritjes së pandalshme të çmimeve”, shprehet kritik Xhepa, duke theksuar ndër të tjera se: “Rritja e çmimit të naftës rrit çmimin e transportit e për pasojë do pamundësojë që njerëzit të shkojnë në punë. Do shkaktohet rritje e numrit të papunëve në vend, pasi një pjesë e tyre do detyrohen ta braktisin punën, ose shumë biznese do të falimentojnë duke mbyllur qepenat”, përfundon eksperti i njohur i ekonomisë Selami Xhepa.

Kritikë ndaj indiferencës së qeverisë përballë kësaj krizë, shprehet dhe kreu i sindikatës së taksive, Bilbil Cara. “Ne i kemi dërguar kërkesë bashkive dhe ministrisë së Infrastrukturës që në shtator të vitit 2021. I kemi kërkuar heqjen e akcizës, por kërkesa jonë nuk u mor parasysh dhe nuk na u kthye asnjëherë asnjë përgjigje, duke na lënë të vetëm përballë kësaj krize ekonomike”, tha ai.

Por pas protestave në gjithë vendin, duket se qeveria ka bërë një hap pas, pasi Kryeministri Rama ka deklaruar se do të ndërhyjë për të frenuar rritjen e çmimeve.

Do të ndërhyjmë për të frenuar çdo rritje karburantesh, duke krijuar brenda 48 orësh me një akt normativ me fuqinë e ligjit një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme, një bord kombëtar ku furnizuesit e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë për të bërë të gjithë transparencën e çmimeve të përditshme. Marzhi i fitimit do të përcaktohet në atë tavolinë dhe nuk do të mund të përcaktohet nga secili sipas qejfit, dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet që nga grumbullimi, rezervimi, shfrytëzimi i depozitave deri tek pika fundore e shitjes. Sipas dinamikës, ne nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit x ose y me naftë të shfaqin çmime të pamiratuara më parë në bordin kombëtar të administrimit të karburanteve. Do të përcaktojmë masa drastike kundrejt atij që do të shkelë vendimet e këtij bordi super special. Do të jetë një tryezë e përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë, për njerëzit në këtë kohë të jashtëzakonshme lufte. Është dita për të fituar, është dita për të rezistuar”, tha kryeministri Rama fjatë një konference live më datë 10 mars 2022, teksa mijëra protestues ishin mbledhur para kryeministrisë. Megjithatë, kryeministri nuk foli për masa të tjera për uljen e çmimit të karburantit, por veç mbajtjen nën kontroll të tij.