Vëzhgim/Analizë

Depozitat mbi pallate dhe rreziku që u kanoset banorëve

9 mars 2022/ Ina Allkanjari/ Ilda Hoxha/ Tiranë

Edhe pse kanë kaluar dy vite nga vendimi i Këshillit Bashkiak për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve, ky fenomen është ende prezent. Porta Vendore konstatoi nga verifikimi në terren dhe komunikimi me banorët se disa prej arsyeve të moszbatimit të këtij vendim janë: kostoja e lartë sipas qytetarëve e depozitave të përbashkëta, mosgjetja e një vendi për vendosjen e depozitave nga Bashkia e Tiranës dhe fakti që nuk kanë ujë 24 orë në ditë. Madje, banorët pohojnë se gjatë mbledhjeve të zhvilluara me përfaqësues të Bashkisë u është komunikuar që të gjejnë vetë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e problemit, por nuk janë detyruar që t’i heqin depozitat nga tarracat, pasi është pranuar nga Bashkia që nuk mund tu ofrojë ujë pa ndërprerje.

Rreth 1500 pallate (kryesisht të vjetra), në të cilat janë vendosur një numër i konsiderueshëm depozitash, janë evidentuar nga bashkia Tiranë në kuadër të zbatimit të vendimit nr. 150 datë 16.12.2019 të këshillit bashkiak. Porta Vendore më datë 15 nëntor 2021 i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë për të mësuar më shumë rreth zbatimit të këtij vendimi. Ndër të tjera e pyetëm bashkinë se sa depozita janë hequr përgjatë këtyre dy viteve dhe çfarë zgjidhje kanë menduar që ky vendim të zbatohet, pasi ende sot ky fenomen është prezent në kryeqytet.

Në përgjigjen e saj bashkia thekson se është asambleja e bashkëpronarëve dhe administratori i pallatit, të cilët marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara.

“Në përgjigje të shkresës suaj ju informojmë se, në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.150, datë 16.12.2019 ‘Për heqjen e përkohshme të depozitave të ujit nga pallatet e banimit dhe heqjen e menjëhershme nga objektet e dëmtuara dhe që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve’, me qëllim sigurinë e jetës dhe shëndetit është asambleja e bashkëpronarëve dhe administratori i pallatit, të cilët marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara.

Për sa më sipër, në zbatim të vendimit të sipërcituar janë evidentuar një numër i konsiderueshëm depozitash të vendosura në rreth 1500 pallate (kryesisht të vjetra), banorët, e të cilëve janë njoftuar me anë të një formati shkresë informuese, sensibilizuese, e afishuar në çdo hyrje të pallatit si dhe janë organizuar rreth 770 mbledhje asamblesh, ndërgjegjësime banorëve, për marrjen e masave për identifikimin e vendeve të përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit dhe heqjen e depozitave individuale nga tarracat e pallatit apo kryerjen e ekspertizës nga një inxhinier konstruksionist që garanton qëndrueshmërinë e tarracës”, shkruan në përgjigjen e saj Bashkia Tiranë.

Pse nuk u zbatua vendimi i Bashkisë Tiranë

Porta Vendore zbriti në terren për të mësuar më shumë se pse vendimi për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve ende nuk është zbatuar. Gjatë komunikimit me banorë të ndryshëm ata tregojnë se ky vendim nuk ka gjetur zbatim për shkak të kostove të larta që duhet të paguanin për vendosjen e depozitave të përbashkëta, mosgjetja e një vendi për vendosjen e depozitave nga Bashkia e Tiranës dhe fakti që nuk kanë ujë 24 orë në ditë. Banorët tregojnë se mungesa e administratorëve në pallatet e vjetra e ka bërë edhe më të vështirë diskutimin për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate.

“Unë jetoj në një pallat të vjetër 6-katësh, i cili ende ka shumë depozita në tarracë. Ne nuk arritëm të gjenim një zgjidhje se ku do ta vendosnim depozitën. Kemi bërë mbledhje për këtë problematikë dhe na thanë që duhet të zgjedhim një hapësirë se ku do ta vendosim.Ne pritëm pasi na thanë që duhet të na japë bashkia vendin për hapësirën e përbashkët. Mbledhjet nuk u realizuan më, pasi nuk ramë dakord për një zgjidhje”, tregon për Portën Vendore Entela, e cila banon në një pallat 6-katësh në “Rrugën e Elbasanit”.

Sipas banorëve, një tjetër problematikë që kanë hasur në zbatimin e këtij vendimi lidhet me tarifat. Monda, një 60-vjeçare, e cila jeton në rrugën “Xhanfize Keko”, tregon se banorët e pallatit të saj 5-katësh, nuk ranë dakord për vendosjen e një depozite të përbashkët pasi çmimi që do paguanin ishte i lartë.

“Pas tërmetit dëgjuam që duhet të hiqnim depozitat nga tarracat. Ne nuk kemi administrator, por u mblodhëm një pjesë e banorëve pasi na erdhi njoftimi nga bashkia. Në mbledhje u diskutua për pagesat që duhet të kryenim, por ishin shumë të larta, banorët nuk kanë aq lekë. Shuma ka qenë rreth 3 milionë lekë të vjetra dhe përfshihej depozita, tubat, haku i punës, instalimet etj. Në mbledhje u kërkua që të vendosnin edhe administrator, por sërish nuk ramë dakord për shkak të tarifave mujore që duhet të paguanim. Ne jemi hyrje të vjetra, nuk kemi as ashensor, ndërkohë shuma mujore që do paguanim administrator dhe sanitare shkonte te 10 mijë lekë të vjetra. Tani jemi në pritje mos rregullohet furnizimi me ujë që të kemi 24 orë. Shtrenjtë është, se depozita, mirëmbajtja, administratori, pastruesja, nuk e përballojmë dot”, tregon 60-vjeçarja për Portën Vendore.

Griselda, një 25-vjeçare që jeton në zonën e trenit tregon se pas tërmetit në familjen e saj erdhi një letër që njoftonte për heqjen e depozitave. Pas njoftimit, prindërit e saj realizuam vetëm një mbledhje me banorët e tjerë të pallatit për të diskutuar për një zgjidhje, por çdo gjë u harrua shumë shpejt.

“Pallati ku unë banoj është i vjetër, i kohës së Enverit te zona e trenit dhe ka depozita sipër tarracës. Pasi ra tërmeti, erdhi një letër te kryeplaku që të na njoftonte për heqjen e depozitave. Vetëm një herë u mblodhëm dhe biseduam për vendimin që kishte dalë, na thanë që duhen hequr këto që kemi sipër tarracës se sjellin rrezik dhe duhet të vendosim një depozitë të madhe poshtë pallatit. Pas takimit rreth dy vite më parë, njoftimi u ngjit të hyrja pallatit dhe nga ai moment nuk u diskutua më. Vendimi u la në harresë dhe depozitat akoma janë në tarracë”, tregon Griselda.

Një pensionist, i cili banon në rrugën “Jan Kukuzeli” shprehet se vendimi nuk ka gjetur zbatim pasi nuk kanë ujë 24 orë.

Nuk na kanë detyruar që t’i heqim depozitat, pasi nuk na sigurojnë ujë 24 orë. Kemi bërë mbledhje, na kanë thënë vendimin, rrezikun që na kanoset, na kanë sugjeruar hapësirat e përbashkëta që të vendosim depozitat. Disa banorë e kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe e kanë venë, banorët e pallatit tim nuk ranë dakord. Arsyeja pse nuk biem dakord është pagesa, nuk kemi mundësi, le të na sjellin ujë 24 orë dhe ta zgjidhin këtë problem”, tregon pensionisti B.A. për Portën Vendore.

Verifikimi i depozitave në terren

Porta Vendore verifikoi nga afër situatën duke shkuar në disa zona në Tiranë, konkretisht në rrugën e “Elbasanit”, në rrugën “Vasil Shanto”, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku evidentuam se ky fenomen është ende prezent. Banorë të shumtë të pyetur nga Porta Vendore tregojnë se nuk kanë qenë në dijeni të këtij vendimi, askush nuk i ka lajmëruar për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve apo orientuar për zgjidhjen e kësaj problematike dhe rrezikut që kanosin prania e tyre.

Banorët e pallateve të vjetra tregojnë se problemi fillon që te pjesa e mungesës së administratorëve në këto pallate, ndaj sipas tyre informacioni i marrë është i pakët.

Pallati nuk ka administrator, askush nuk na ka lajmëruar për heqjen e depozitave, nuk kemi asnjë informacion për këtë vendim. Depozitat bëhen më problematike gjatë periudhës së dimrit, për shkak të temperaturave të ulëta ndodh që të bllokohen apo çahen dhe të krijojnë lagështi, gjithashtu dëmtojnë tarracën. Gjithashtu bëhen shumë të rrezikshme në raste tërmetesh pasi mund të shkëputen”, tregon për Portën Vendori Juri, banor i një pallati 5 katësh në rrugën “Xhanfize Keko”.

Rruga “Xhanfize Keko”, Tiranë

Ai shprehet se prej vitesh prania e depozitave ka shkaktuar probleme në banesën e tij, më së shumti në lagështinë e krijuar, pasi apartamenti i tij ndodhet në katin e 5 të pallatit. Më tej Juri thekson se është e pamundur që depozitat të hiqen pa u gjetur një zgjidhje se ku do të vendosen, kjo pasi uji vjen me orar.

“Përpos problemeve që shkaktojnë depozitat sipër tarracës, janë komode për aq kohë sa na sigurojnë ujë pasi është me orar. Uji vjen tre herë në ditë dhe rrinë nga dy orë, pra kemi rreth 6 orë ujë në ditë”, shprehet Juri.

E njëjta problematikë shfaqet edhe në rrugën e “Elbasanit” në kryeqytet.

“Këtu nuk bëhen bashkë banorët për të fshirë shkallën, jo për të ndërruar depozitën. Nuk u bëmë dot të gjithë bashkë që t’i jepnim një zgjidhje. Pallati nuk ka administrator. Për më tepër duhet të ketë ujë 24 orë që të heqim depozitat. Uji vjen 3 herë në ditë nga 1 orë, çfarë mund të bëjmë ne me kaq pak orë ujë në ditë. Ndaj po nuk erdhi ujë 24 orë, depozitat nuk hiqen. Gjithashtu nuk kemi hapësire ku ti vendosim depozitat e mëdha”, tregon Anila një zonjë, e cila është banore në një prej pallateve në “Rrugën e Elbasanit”.

Rruga “Elbasanit”, Tiranë

“Kush tha që do hiqen depozitat?! Kanë 20 vite që qëndrojnë sipër tarracave depozitat, mire janë nuk kemi pasur probleme. Nuk ka ardhur asnjë ekspert apo inxhinier, nuk e dimë që duhen hequr”, shprehet Ardi, i cili tregon se nuk ka asnjë informacion për vendimin për heqjen e depozitave.

Në të njëjtën zonë, ne pyetëm një pensioniste, e cila jetonte në katin e tretë të një pallati 5-katësh, në të cilin evidentuam depozita të shumta të vendosura në tarracë.

Rruga “Elbasanit”, Tiranë

“Për depozitat nuk dimë asgjë. Unë jam pensioniste, s’ka ardhur njeri të më thotë gjë. Uji na vjen me orar”, tregon për Portën Vendore pensionistja.

Zona e “Vasil Shantos”

Zona “Vasil Shanto”, Tiranë

Në zonën e “Vasil Shantos”, ku evidentohen pallate të shumtë të ndërtuara në vitet 90’, të cilat ende kanë depozita të shumta në tarracat e pallateve, ne u ndalëm të një banor, 50-vjeçari Agim B., i cili kishte gjetur zgjidhje individuale për këtë problematik.

“Pas vendimit për heqjen e depozitave dhe frikës që na shkaktoi tërmeti, duke qenë se nuk ramë dakord me banorët e pallatit për depozita të përbashkëta në hapësirat poshtë pallatit, zgjidhja e vetme që gjeta ishte ta vendosja depozitën time në ballkon. Ne jemi në katin e katërt të një pallati të vjetër, dhe aty e kam vendos depozitën, te ballkoni”, tregon banori Agim B. teksa na tregon se shumë pallate të vjetra në këtë zonë nuk kanë administratorë dhe nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje për heqjen e depozitave.

Zona “Vasil Shanto”, Tiranë

Porta Vendore evidentoi edhe raste të pallateve ku banorët janë mbledhur dhe kanë ofruar një zgjidhje për të shmangur rrezikun që vendosja e depozitave në tarraca mund të shkaktojë.

A.D, një qytetar në “Rrugën e Elbasanit” tregon se menjëherë pas tërmetit, administratori i pallatit 6-katësh ku ai banon, mblodhi banorët dhe biseduan për një zgjidhje pasi mbajtja e depozitave në tarracë ishte e rrezikshme. Pas marrjes së ekspertit, A.D. shprehet se u përcaktua që tarraca nuk mund të mbajë peshën e depozitave, ndaj ranë dakord për vendosjen e një depozite të madhe të përbashkët në hapësirën para pallatit.

Rruga “Elbasanit”, Tiranë

“Ne ramë dakord që të vendosnim një depozitë të përbashkët përpara pallatit si zgjidhje për heqjen e atyre sipër tarracës. Nuk jemi më të rrezikuar, është një zgjidhje dhe për pjesën e lagështirës, pasi në katin e fundit mund të krijohet lagështirë prej depozitave. Por edhe kjo zgjidhje ka të keqen e saj, pasi depozita e vendosur para pallatit shkakton zhurmë që shqetëson të gjithë lagjen. Por mungesa e ujit 24 orë na detyroj që të merrnin këtë si zgjidhje”, tregon A.D. për Portën Vendore.

Nisur nga shqetësimi i ngritur për ardhjen e ujit me orar, prej pothuajse të gjithë banorëve të pyetur nga Porta Vendore, ne vendosëm t’i dërgonim një kërkesë për informacion UKT, ku pyetëm rreth orarit të furnizimit me ujë në kryeqytet, dhe nëse janë duke bërë ndërhyrje për përmirësimin e situatës. Deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga institucioni në fjalë.

Çfarë thotë eksperti për depozitat në tarracat e pallateve

Në lidhje me këtë situatë, inxhinieri Erion Softa tha për Portën Vendore se vendimi për heqjen e depozitave është zbatuar pjesërisht nga Bashkia e Tiranës. Ai theksoi fort se një prej arsyeve që ky problem nuk ka marrë ende zgjidhje, duke rrezikuar çdo ditë jetën e banorëve, është mungesa e ujit 24 orë. Sipas inxhinierit, në një qytet ku mungon uji dhe energjia elektrike, depozitat shihen si e vetmja zgjidhje nga banorët.

“Depozitat shkatërrojnë edhe hidroizolimin, dëmton objektin nga lagështira etj. Kryesisht pallatet e vjetra e kanë këtë problem dhe është normale pasi ky qytet nuk ka pasur drita, nuk ka ujë dhe depozitat shikohen si zgjidhje. Por depozitat kanë edhe një problem shumë të madh, sepse mbetjet e ujit qëndrojnë në depozitë për një kohë shumë të gjatë dhe fillojnë vishen nga brenda me alga dhe kthehen në helmuese etj. Të gjithë e kanë vendosur depozitën në tarracë, por rrallë ndodh që ato të pastrohen, të kontrollohen dhe kënaqen vetëm me faktin që kanë ujë pa marrë parasysh se çfarë cilësie uji kanë”, tregon inxhinieri Erion Softa për Portën Vendore.

Gjithashtu, ai tregon masat që duhen marrë për të parandaluar rrezikun që vjen prej këtyre depozitave dhe sqaron se çfarë peshe janë llogaritur të mbajnë tarracat e pallateve të vjetra.

“Depozitat janë ngarkesë e pallogaritur, pra nëse llogaritet struktura e objektit, ngarkesat e përkohshme, depozitat janë ngarkesë e pallogaritur në aftësinë mbajtëse të tarracës. Ne evidentojmë depozita edhe 1 mijë litërshe në tarracë, nëse shohim në qytet sidomos zonat afër qendrës, vëmë re shumë pallate, të cilat kanë një sasi shumë të madhe depozitash në tarracë. Bashkia e Tiranës ka nxjerrë një ligj që qindra depozita duhet të largohen nga këto tarraca.

Mendoj se është zbatuar pjesërisht kryesisht në objekte, të cilat kanë pasur probleme pas tërmetit, mund të jetë zbatuar për shkak të frikës. Ndërsa në rast se do bëni një verifikim në qytet do të shikoni që kjo gjë nuk është realizuar. Në rastin e një lëvizjeje tjetër tektonike mund të kthehen në rrezik për njerëzit, pasi vendosja e tyre është bërë në mënyrë të pamenduar, nuk është shpërndarë ngarkesa nëpër objekt, por janë vendosur kryesisht në ambiente të përbashkëta dhe kjo e bën edhe më të rrezikshme. Ato janë kryesisht në kafazin e shkallëve, por fakti që janë në këtë lloj intensiteti janë të paparashikueshme. Në rast tërmeti bëhen shumë të rrezikshme”, shprehet inxhinieri.

Problematika e depozitave të ujit të vendosura në tarracat e pallateve është ndjekur edhe më herët nga Porta Vendore duke evidentuar rrezikun që ato paraqesin dhe situatën në të cilën ndodhet Tirana përballë një fenomeni të tillë.

Por përmirësimi i situatës duket se është larg, pavarësisht vendimeve urdhëruese te Këshillit Bashkiak, Tirane, sa kohë nuk merren masat për mbajtjen e premtime të tjera të Bashkisë lidhur me administratorët e pallateve, apo me atë që është edhe më jetike, furnizimi me ujë 24 orë i banorëve .